
Pranimi i Profetit s.a.v.s. nga Ebu Bekri r.a.
Shoku i tij i fëmijërisë, Ebu Bekri kishte qenë jashtë Mekës. Sapo hyri në qytet, dëgjoi pëshpërimat që shoku i tij ishte çmendur, sepse thoshte se i zbritka një engjëll prej qiellit dhe i flitka. Pa u vonuar, Ebu Bekri shkoi te shtëpia e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe i trokiti në derë. Kur ai doli, Ebu Bekri e pyeti nëse lajmi i shumëpërfolur është i vërtetë apo jo. Për të mos humbur shokun e fëmijërisë, Profeti s.a.v.s. nisi t’ia shpjegonte hollësisht. Por Ebu Bekri nuk e lejoi dhe tha: “Më thuaj vetëm kaq që a të erdhën engjëjt e Zotit dhe biseduan me ty apo jo?” Profeti s.a.v.s. përsëri filloi t’ia shpjegonte, por ai sërish i refuzoi të dëgjonte shpjegime dhe i kërkoi t’i jepte përgjigje me po, ose jo. Kur Profeti s.a.v.s. iu përgjigj me pohim, Ebu Bekri tha: “Bëhu dëshmues që unë të pranova ty. Me shpjegime, veç do t’i ulje vlerën besimit tim. Unë që kam parë jetën tënde, a më duhet ndonjë argument tjetër për vërtetësinë tënde?!”.[1]
Grup i vogël besimtarësh
Një grua që po plakej, një fëmijë njëmbëdhjetë vjeç, një rob i liruar kurbetxhi, që nuk kishte asnjë të afërm, një shok dhe Profeti vetë, ky ishte ai grup i vogël besimtarësh nëpërmjet të cilëve do të hidheshin themelet e Islamit, një grup i vogël që gjendej në terrnajën e injorancës për ta ndriçuar atë. Njerëzit kur dëgjuan fjalët e tyre, vetëm sa u tallën me ta. Ata i shikonin me vështrime qesëndisëse dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Mos u trembni! Janë të çmendur. Vetëm dëgjojini dhe argëtohuni”. Por, e vërteta zuri të shfaqej me gjithë madhështinë e saj dhe sipas parashikimit të Profetit Isaia, filloi të shpallej: “urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull”, “pak këtu, pak atje”.[2] Zoti nisi të komunikonte me arabët, nëpërmjet Profetit Muhammed s.a.v.s. në “një gjuhë tjetër”,[3] me të cilën ata nuk ishin njohur më parë. Zemrat e të rinjve dridheshin dhe u rrëqethej trupi atyre që ishin në kërkim të së vërtetës. Midis të qeshurave dhe mahive të rëndomta, dëgjoheshin lëndimthi edhe fjalë pëlqimi dhe admirimi. Rreth Profetit s.a.v.s. filloi të grumbullohej një grup njerëzish prej skllevërish, të rinjsh dhe grash të shtypura, sepse vetëm tek ai, gratë e shtypura gjenin shpresë për të drejtat e tyre, skllevërit dëgjonin për lirinë e tyre dhe të rinjtë shihnin një të ardhme të lulëzuar dhe përparimtare.
[1] Es-siratul-Halabija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 308-310.
[2] Bibla, Isaia 28:13.
[3] Bibla, Isaia 28:11.