
Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte aq i drejtë, saqë nuk mund t’i gjesh shembullin. Servilizmi dhe rekomandimet ishin gjëra të rëndomta tek arabët. Jo vetëm te ta, por vërejmë edhe në vendet e civilizuara të kësaj kohe, që autoritarët druhen shumë për të ndëshkuar njerëz të fuqishëm, kurse për të varfrit as nuk e çajnë kokën fare. Një herë, Profetit s.a.v.s. iu paraqit një çështje për të gjykuar. Një grua e një fisi shumë të fuqishëm, i kishte zaptuar pasurinë dikujt. Kur u zbulua që ajo qe fajtore, tek arabët pati ngurrime, pasi parashikonin se një fis i madh do të poshtërohej. Ata deshën t’i kërkonin Profetit s.a.v.s. që gruaja në fjalë të falej. Por askush nuk guxoi për t’ia thënë, dhe në fund, zgjodhën djaloshin Usama ibni Zejdin dhe e detyruan t’ia bënte këtë rekomandim. Osama sa e kishte nisur këtë bisedë te Profeti s.a.v.s., kur menjëherë atij iu shfaqën shenja zemërimi në fytyrë dhe tha:
“O Osama, ç’po thua! Popujt e mëparshëm u shkatërruan pikërisht për këtë arsye, që merrnin në konsideratë të fuqishmit, kurse të varfrit i persekutonin. Islami nuk e lejon një gjë të tillë dhe unë kurrsesi nuk mund ta bëj këtë. Pasha Zotin! Nëse bija ime Fatimja do ta bënte këtë krim, nuk do të qetësohesha derisa ta ndëshkoja edhe atë”.[1]
Një ngjarje që u përmend në pjesën e biografisë, është ajo e Abasit r.a., i cili pas betejës së Bedrit, erdhi i burgosur te muslimanët. Kur Abasi rënkonte nga dhimbjet, Profeti s.a.v.s. shqetësohej, dhe për këtë arsye, sahabët r.a. ia liruan litarët që ia shtrëngonin duart. Kur Profeti s.a.v.s. e mori vesh, ai tha që të afërmit e tij janë si të afërmit e të gjithë të tjerëve dhe porositi:
“Shtrëngojini litarët edhe Abasit, xhaxhait tim, ose zgjidhjani të gjithë të burgosurve!”.
Sahabët r.a., ngaqë e ndienin shqetësimin e Profetit s.a.v.s., thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne do ta shtojmë sigurinë, por do t’ua lirojmë litarët të gjithë të robëruarve”. Kështu vepruan ata.[2]
Profeti Muhammed s.a.v.s. i kushtonte rëndësi drejtësisë edhe gjatë luftës. Një herë, ai kishte dërguar disa sahabë r.a. për një ekspeditë hulumtuese. Ata u ndeshën me disa armiq brenda kufijve të Haremit, pra të vendit të shenjtë. Sahabët i sulmuan, duke kujtuar që armiqtë, po të ktheheshin në Mekë, do t’i njoftonin mekasit, të cilët medoemos do t’i vrisnin ata. Në këtë përleshje u vra njëri prej armiqve. Kur kjo ekspeditë u kthye në Medinë, mbrapa tyre erdhi edhe një delegacion mekas për t’iu ankuar Profetit s.a.v.s., që muslimanët vranë një njeri të tyre brenda kufijve të zonës së shenjtë. Ata që vazhdimisht i bënin mizori Profetit Muhammed s.a.v.s. në të njëjtën zonë, duhej të merrnin përgjigje: “Kur keni respektuar zonën e shenjtë, që të shpresoni një gjë të tillë prej nesh?” por Profeti s.a.v.s. nuk iu kthehu kështu, madje tha: “Po, është e vërtetë që juve ju është bërë padrejtësi. Mbase i vrari nuk mori masa të nevojshme për shpëtimin e tij duke kujtuar se ishte i mbrojtur, gjersa gjendej brenda kufijve të vendit të shenjtë. Juve do t’ju jepet shpagimi i gjakut të derdhur”. Kështu që, Profeti s.a.v.s. ua dha shpagimin trashëgimtarëve të të vrarit, ashtu siç kërkonte tradita arabe.
Respektimi i ndjenjave të të tjerëve
Profeti s.a.v.s. jo vetëm që respektonte jashtëzakonisht shumë ndjenjat e miqve të tij, por respektonte edhe të të tjerëve. Një herë, një hebre erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe iu ankua: “Ebu Bekri ma lëndoi zemrën, sepse më tha – Pasha Muhammedin, të Dërguarin e Zotit, të cilin Zoti i ka dhënë epërsi mbi Musain – Fjalët e tij më kanë prekur shumë”. Profeti s.a.v.s. e thirri Ebu Bekrin dhe i kërkoi sqarim. Ai u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut, ky e kishte filluar këtë bisedë duke thënë – Pasha Musain, të cilit Zoti i ka dhënë epërsi mbi gjithë botën – Për këtë i thashë, pasha Muhammedin, të Dërguarin e Zotit, të cilin Zoti i ka dhënë epërsi mbi Musain”. Profeti s.a.v.s. i tha Ebu Bekrit që nuk duhej të thoshte këto fjalë dhe duhej të respektonte ndjenjat e tjetrit dhe tha:
“Mos më jepni epërsi mbi Musain!”[3]
Kjo nuk do të thotë që Profeti nuk e vlerësonte veten më të madh në status sesa Musainas, por kuptimi ishte që nuk duhej t’ua lëndonin zemrat hebrenjve me pohimin që Zoti i Madhërishëm i dha Profetit Muhammed s.a.v.s. epërsi mbi Musainas.
[1] Muslim, Kitabul-hudud, bab ketlis-sarikish-sherif; Buhariu, Kitabul-hudud, bab ikamatil-hudud uel-intikam li hurmetillah.
[2] Zerkani, vëll. III, f. 279.
[3] Buhariu, Kitabul-husumat, bab ma jedhkuru fil-eshkhas.