
Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte mjaft i vetëpërmbajtur. Edhe gjatë kohës kur Zoti i Lartësuar e kishte bërë mbret, ai priste dhe dëgjonte çdokënd, madje, edhe nëse tjetri ashpërsohej, ai vetëm heshtte dhe asnjëherë nuk i përgjigjej ashpërsisë me ashpërsi. Muslimanët, Profetin s.a.v.s. e thërrisnin jo me emër, por me titullin e tij shpirtëror, duke përdorur fjalët: “O i Dërguari i Allahut”. Kurse jomuslimanët i përmbaheshin zakonit aziatik për ta nderuar atë, pra, edhe ata nuk e thërrisnin me emrin “Muhammed”, por me nofkën e tij “Ebul Kasim”, që do të thotë babai i Kasimit. Kasimi ka qenë djali i Profetit s.a.v.s..
Një herë, një hebre kishte ardhur në Medinë dhe kishte bërë debat me Profetin s.a.v.s.. Gjatë polemikës ai vazhdimisht i drejtohej me fjalët: “Ore Muhammed, unë them ashtu”, “ore Muhammed, unë them kështu” etj. Ndërsa, Profeti Muhammed s.a.v.s. pa shprehur asnjë lloj pakënaqësie, i përgjigjej për të gjitha pyetjet, por sahabëve r.a., po u sosej durimi duke parë vrazhdësinë e hebreut. Më në fund, njëri prej tyre ndërhyri dhe i tha: “Mbaje gojën dhe mos iu drejto Profetit me emër! Nëse nuk mund të thuash “i dërguar i Allahut”, së paku thuaj “Ebul Kasim”!”. Hebreu tha: “Jo, unë do ta thërras me atë emër që i kanë vënë prindërit e tij”. Profeti s.a.v.s. buzëqeshi e u tha sahabëve r.a.:
“Mirë e ka. Prindërit e mi, Muhammed më kanë quajtur. Le të më thërrasë si të dojë, e ju mos u zemëroni”.
Profeti s.a.v.s. kur dilte jashtë për ndonjë punë, shpesh e ndalonin njerëz të ndryshëm në rrugë dhe i tregonin nevojat e tyre. Profeti s.a.v.s. nuk u ndahej, derisa ata të mbaronin kërkesat e tyre dhe ecte më tutje vetëm pasi kishte biseduar me të gjithë. Po ashtu, disa kur i jepnin dorë, ia mbanin gjatë dorën. Kjo mënyrë, edhe pse nuk ishte e hijshme dhe krijonte pengesa në punë, Profeti s.a.v.s. asnjëherë nuk ishte i pari, që përpiqej për ta tërhequr dorën, përkundrazi, ai ia linte tjetrit për ta mbajtur aq sa të donte.
Atij i vinin nevojtarë të çdollojshëm, që i paraqisnin kërkesat e tyre. Nganjëherë qëllonte ndonjë i tillë, të cilit kur Profeti s.a.v.s. i jepte diçka sipas kërkesës, ai, për shkak të adetit të tij, lakmonte për më shumë dhe Profeti s.a.v.s. ia plotësonte edhe atë dëshirë. Nganjëherë, disa njerëz, vazhdimisht i kërkonin dhe Profeti s.a.v.s. çdoherë u jepte diçka. Kur vërente që kërkuesi ishte njeri i sinqertë, pasi ia plotësonte dëshirën, e këshillonte duke thënë:
“Sa bukur do të ishte nëse do të mbështeteshe te Zoti”.
Kështu, një sahab i sinqertë i Profetit s.a.v.s. disa herë i kishte kërkuar para për nevojat e tij. Profeti s.a.v.s. ia plotësoi dëshirën, por në fund tha:
“Qëndrimi më i mirë është që njeriu të mbështetet te Zoti i Lartësuar”.
Personi në fjalë ishte i sinqertë, por edhe dinte të respektonte, andaj nuk ia ktheu atë që kishte marrë, por për të ardhmen iu shpreh:
“O i Dërguari i Allahut, kjo ishte kërkesa ime e fundit. Më nuk do t’i kërkoj askujt asgjë, në asnjë rrethanë”.
Më vonë, një herë gjatë betejës, kur zjarri i luftës ishte ndezur fort, ushtat hidheshin, shpatat vringëllinin dhe ushtarët i vërsuleshin njëri-tjetrit, i njëjti sahab gjendej mu në mes të armikut dhe ndërkohë i ra kamxhiku. Një këmbësor, duke kujtuar që oficerit mund t’i ndodhte ndonjë dëm nëse do të zbriste poshtë, u përpoq që ta merrte kamxhikun e t’ia jepte sërish, por sahabi menjëherë i tha:
“Pasha Allahun! O vëlla, mos ma prek kamxhikun!”,
zbriti nga kafsha, e mori kamxhikun dhe vrulltas i hipi sërish. Pastaj i tha shokut se i kishte premtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që nuk do t’i kërkonte askujt asgjë. E sqaroi gjithashtu, që ai edhe pse nuk i kishte kërkuar, por situata po e bënte nevojtar dhe për këtë arsye, do të dilte i pabesë, po ta merrte kamxhikun e tij prej dikujt tjetër. Pra, edhe në kohë lufte, punët e tij donte t’i bënte vetë.[1]
[1] (Perifrazuar) Musned Ahmed ibni Hembel, vëll V, shtëpia botuese El-Mektebul-Islami, Bejrut, f. 277.