Ku dallojnë profetët nga filozofët?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics

Në vend të parathënies

Në faqet vijuese dua të prek shkurtimisht temën se kur dhe kujt i është zbritur Kurani Famëlartë, sepse edhe kjo temë është mjaft mbështetëse për të kuptuar rëndësinë e tij. Megjithëse, një filozofi i mjafton të shohë vetëm vlerën e një vepre të caktuar, siç shprehet edhe në arabisht:

profetet“Shih vetëm se çfarë është thënë, mos shih se kush e ka thënë”,

pjesa dërrmuese e botës dëshiron të shohë edhe se kush e thotë. Aq më tepër, kur është fjala për librat hyjnorë, njerëzit i kushtojnë rëndësi të madhe edhe faktit se si ishte jeta e atyre njerëzve, pra e profetëve të Zotit të Madhërishëm, të cilët ia paraqitën botës, sepse parimet e besimit nuk synojnë të lëshojnë vetëm urdhra. Shteti vendoset për të pasur një sistem, i cili sheh vetëm dukuritë e jashtme. Për një vend kushtetues, mjafton të ketë një kushtetutë. Ligji i saj synon që njerëzit ta zbatojnë atë vetëm në dukje. Prandaj, në gjykatë provimi i qëllimit të keq të ndonjërit, nuk e bën fajtor, derisa të provohet që ai të ketë vepruar sipas qëllimit të tij të keq.

Por, feja ose besimi i kushton rëndësi më shumë anës së brendshme sesa asaj të jashtme. Padyshim që edhe e jashtmja nuk duhet lënë mënjanë, pasi ajo është shenjë e së brendshmes. Nuk është e domosdoshme që me reformimin e jashtëm të reformohet edhe brendësia e njeriut, por e kundërta patjetër. Ashtu siç nuk mund të ndodhë që të ketë zjarr e të mos ketë afsh, në të njëjtën mënyrë nuk mundet që zemra të pastrohet, ndërkohë që veprat të mos jenë në përputhje me të. Gabimet dhe harresat e përkohshme janë tjetër gjë, por përgjithësisht veprat e njeriut burojnë sipas nivelit të pastërtisë së zemrës së tij. Dhe mënyra më e mirë për pastrimin e zemrës është ndjekja e një modeli të mirë.

Ligji ndikon në mendjen e njeriut, modeli i mirë ndikon në zemrën e tij. Ligji sundon mendjen, por modeli i mirë sundon ndjenjat. Nuk mund të bëhet reformimi shpirtëror dhe fizik i njeriut vetëm me anë të reformimit të mendjes. Rezultati i mendjes shfaqet në formë veprash jo të përsëritura, por fryti i ndjenjave del në formë veprash të vazhdueshme. Mënyra se si sillet një njeri i thjeshtë me dashamirësi me njerëzit që e rrethojnë, nuk mund të krahasohet me mirëdashjen që një nënë ka ndaj fëmijës së vet. Pra, një njeri që ka formuar vetëm trurin e tij me mësime morale, nuk mund të krahasohet me atë që i ka sjellë ato edhe në ndjenjat e tij. Dashuria e nënës ndaj fëmijës buron prej ndjenjave të saj, ndërsa mirëdashja e një filozofi ndaj fqinjit të tij shfaqet për shkak të formimit të tij kulturor.

Profetët veprojnë nga mendja e ndjenjat njëherësh dhe bëhen model për njerëzit

Veprat që bëhen vetëm për shkak të bindjes ndaj argumenteve të caktuara, nuk mund të shfaqen përjetësisht, sepse disa herë, njeriut nuk i shkon mendja te realiteti. Nganjëherë i del një mendim i thellë si pengesë midis vullnetit dhe veprimit të tij. Ai që vepron me ndjenja ka aftësinë të veprojë jo vetëm në mënyrë të menjëhershme, por edhe të përhershme. Edhe sikur t’i thoni mijëra herë një nëne që të mos sakrifikohet për fëmijën e saj, ajo asnjëherë nuk do t’ju dëgjojë e as nuk do ta marrë në konsideratë mendimin tuaj. Në kohë vështirësie, ajo menjëherë angazhohet të marrë masat që mendon se janë në dobi të fëmijës. Do të shqetësohet për të natë e ditë dhe asnjë moment nuk do t’i ndahet meraku ndaj tij.

Kjo tregon që edhe reformimi i plotë mund të realizohet vetëm atëherë kur virtytet e larta hyjnë në ndjenjat e njerëzve. Njerëzit të mos kenë nevojë të kuptojnë nevojat e virtyteve çdo herë pasi t’i kalojnë nga mendja, por kërkesat e tyre t’i ndiejnë vetë në qenien e tyre. Disa njerëz thonë se ndjenjat janë të këqija, por në fakt, shpeshherë janë edhe pozitive. Dobia e vërtetë e ndjenjës është që të shkurtohet ose të rrëzohet tërësisht muri i lartë i mendjes, i cili ngrihet midis vullnetit e veprimit dhe bën që veprat njerëzore të mbeten të kufizuara, por, falë ndjenjave, ato kapërcejnë lartësi të skajshme.

Dikush vepron vetëm me mendje dhe shumicën e kohës e kalon duke  menduar, kurse dikush tjetër kap një realitet dhe mirësi duke e menduar një herë, të cilën e kalon në zemër për ta bërë pjesë të pandashme të ndjenjave të tij. Ky i dyti bëhet aq i shpejtë dhe i rrufeshëm në realizimin e kësaj mirësie, saqë, i pari nuk mund të krahasohet me të. Nëse i pari do të bëjë një punë në një kohë të caktuar, i dyti mund të bëjë dhjetëra në po aq kohë. Ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë se ai që punon me ndjenja u përngjan shtazëve, sepse, flasim për ato ndjenja që njeriu së pari ia nënshtron të menduarit e të medituarit dhe nga kjo rrugë zbulon realitete dhe mirësi, të cilat, më pas i bën pjesë të ndjenjave të tij.

Kështu që, veprimi me ndjenja i një njeriu të tillë, bëhet në mënyrë të vetëdijshme e jo e kundërta. Vetëm se ai nuk do që të harxhojë çdo herë po aq kohë për të njëjtën punë që ka zbuluar më parë si të vërtetë. Dihet që një përsëritje e tillë do të ishte naivitet dhe jo mendjemprehtësi.

Realisht, bota nuk mund të përmirësohet derisa realitetet dhe mirësitë nuk bëhen pjesë e ndjenjave të njeriut. Për sa kohë që njeriu do të ndjekë vetëm mendjen, mëdyshja, pasiguria dhe vonesa do ta shoqërojnë atë. Por, pas zbulimit të realiteteve me anë të mendjes dhe meditimit, nëse i bën pjesë të ndjenjave të tij, atëherë ai do të jetë i mbrojtur nga dyshimi, pasiguria dhe vonesa. Ai do t’i praktikojë ato dhe do të bëjë vepra të mira, pa pasur asnjë hezitim. Kjo, siç e thashë, nuk mund të arrihet pa pasur një model të mirë. Ne e mbushim mendjen me argumente të logjikshme, por ato nuk prekin ndjenjat. Ndjenjat i nxit vetëm modeli i vetësakrifikimit dhe vetëmohimit. Fjalët që përdoren për të adhuruar Zotin e Madhërishëm, sado të fuqishme të jenë, nuk mund të shkaktojnë ato emocione, që mund të shkaktohen duke parë një njeri që adhuron Zotin me lutje e përgjërime të sinqerta.

Padyshim që edhe modeli i vetëm mund të jetë devijues, sepse derisa mendimet nuk janë të pastra, emocionet marrin formën e riteve dhe zakoneve, të cilat e vrasin mendjen dhe logjikën. Pra, duhet njëherësh edhe mësimi i mbështetur në argumente, edhe modeli i pastër. Kjo është arsyeja që librat hyjnorë gjithmonë u zbriten profetëve. Asnjëherë nuk ndodhi që të ketë zbritur vetëm libri nga qielli. Libri i ndriçon mendjen njeriut, ndërsa modeli e bën librin që të futet në zemrën dhe në ndjenjat e tij. Kjo është arsyeja pse aty ku profetët kanë pasur sukses, filozofët dështuan, sepse këta të fundit gjithmonë janë përpjekur të reformojnë vetëm mendjen e njerëzve e jo zemrat e tyre, të cilat mund t’i ndryshonin vetëm nëse do të paraqisnin shembullin e tyre të mirë. Kurse profetët, jo vetëm që ua ndriçojnë mendjen njerëzve nëpërmjet librave hyjnorë, por ua pastrojnë edhe zemrat, duke dhënë shembullin e tyre personal. Shenjat dhe mrekullitë që shfaqen nëpërmjet tyre, bëhen shkak i nxitjes dhe shtimit të besimit të njerëzve. Duke marrë parasysh këtë parim, mendoj se është e nevojshme që të paraqes këtu një pjesë të jetës së Profetit Muhammed s.a.

Fakte rreth jetës së Profetit Muhammed s.a.

Është një shenjë shumë e madhe prej Zotit të Lartësuar dhe njëherësh një provë e fortë e vërtetësisë së Islamit se aq shumë sa dihet rreth jetës së Profetit Muhammed s.a., nuk dihet rreth jetës së asnjë profeti tjetër. Nuk ka dyshim që për shkak të këtyre detajeve, akuzat që i janë bërë Profetit Muhammed s.a., nuk i janë bërë ndonjë profeti tjetër. Nuk ka dyshim as në faktin që pas zgjidhjes së këtyre akuzave, dashurinë që mund të ketë një njeri ndaj personalitetit të Profetit Muhammed s.a., nuk mund ta ketë ndaj ndonjë njeriu tjetër, sepse, njeriu nuk mund të ketë dashuri të plotë për ata që kanë të fshehtë jetën e tyre, madje, në ndonjë kohë të caktuar, ka mundësi që ai ta shkëputë fare lidhjen e tij të dashurisë me ta.

Por, jeta e Profetit Muhammed s.a.v.s. është si një libër i hapur. Pas zgjidhjes së akuzave armiqësore, nuk vjen asnjë kthesë tjetër që të na shpjerë në të pavërteta, e as nuk mbetet ndonjë shtresë që të fshehë ndonjë të pathënë. Dihet që jeta e një njeriu të tillë nuk mund të përshkruhet as përmbledhtas në një hyrje si kjo që i shkruhet komentimit të Kuranit Famëlartë. Mbase mund të arrijmë vetëm të paraqesim një siluetë të zbehtë të tij. Megjithatë, mendoj se qoftë kjo siluetë e zbehtë do të jetë më e mirë sesa të mos paraqitet ndonjë gjë, sepse siç thashë më parë, për të bërë të mundur që njerëzit të kuptojnë mirë ndonjë libër qiellor, është shumë e nevojshme që ai libër të shoqërohet edhe me modelin më të përshtatshëm. Padyshim, modeli më i mirë i praktikumit të atij libri mund të jetë vetë marrësi i tij, pra, atij që i është zbritur.

Kjo çështje e thellë dhe filozofike është lënë anash nga shumë fe. Kështu, hinduizmi paraqet vedat, por nuk jep asnjë detaj rreth atyre që i sollën. Dijetarët e fesë hindu, nuk arritën ta kuptojnë nevojën e saj deri më sot. Po ashtu, dijetarët e krishterë dhe hebre, pa asnjë ngurrim pohojnë që filan profet ka pasur këtë të metë dhe filani këtë të metë tjetër. Ata nuk e kuptojnë se Fjala e Zotit të Madhërishëm nëse nuk arriti ta pastronte as personin, të cilit i ishte zbritur, atëherë çfarë reforme do të bëjë ajo te të tjerët?! Përveç kësaj, nëse ai person ishte kaq i pandreqshëm, përse Zoti do ta zgjidhte atë?! Përse jo dikë tjetër?! Ai mund të zgjidhte edhe dikë tjetër nga bijtë e Izraelit. Pra, këto dy gjëra janë të palogjikshme. Mendimi që Fjala e Zotit të Madhërishëm nuk e rregulloi dot as atë, të cilit i kishte ardhur ajo, ose edhe ideja që Zoti i Madhërishëm zgjodhi një person që nuk mund ta përmirësonte dot veten e tij, të dyja këto janë të palogjikshme.

Sidoqoftë, këto mendime të gabuara kanë hyrë në fe të ndryshme për shkak se ato u janë larguar burimeve të tyre. Ose mund të themi se, në kohërat e tyre,  mendja njerëzore akoma nuk ishte e pjekur, andaj nuk u kuptua siç duhet rëndësia e të pasurit një model. Por, Islami e paraqiti rëndësinë e tij që në fillim. Ajshja r.a., bashkëshortja e Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte martuar me të në moshën 13 a 14 vjeçare. Ajo qëndroi pranë tij afërsisht për shtatë vjet dhe ishte 21 vjeçe kur Profeti s.a.v.s. ndërroi jetë. Ajo nuk ishte e arsimuar, megjithatë, për të ishte e qartë kjo pikë filozofike. Një herë dikush e pyeti sesi kanë qenë moralet dhe virtytet e Profetit Muhammed s.a.. Ajo tha:

profetet“Moralet e tij kanë qenë vetë Kurani”.[1]

Pra, sipas saj, mësimi teorik i Kuranit Famëlartë nuk ishte aspak ndryshe nga jeta praktike e Profetit Muhammed s.a.. Ai kishte çdo virtyt që kishte përmendur Kurani Famëlartë dhe, po ashtu, çdo vepër që bënte ai, ishte mësuar nga Kurani Famëlartë. Sa peshë ka kjo thënie! Duket se moralet e Profetit Muhammed s.a.v.s. ishin kaq të larta e të gjera, saqë i mësuan edhe një vajze të re e të paarsimuar, atë që filozofët hindu, hebre e të krishterë nuk e kapën dot. Ajshja r.a. e kishte kuptuar këtë pikë filozofike dhe në një fjali të vogël ka treguar që nuk mund të ndodhte që një njeri i drejtë dhe i sinqertë t’i jepte botës një mësim, të cilin vetë të mos e praktikonte, ose të bënte një vepër të mirë dhe botës të mos ia mësonte atë. Andaj, për të mësuar virtytet e Profetit s.a., nuk nevojitet ndonjë libër historie. Ai ishte një njeri i drejtë e i sinqertë, bënte atë që thoshte dhe thoshte atë që bënte.

Me fjalë të tjera, Ajshja r.a. tha: Ne e pamë Profetin s.a.v.s. dhe e kuptuam Kuranin, dhe ju që erdhët më vonë, studiojeni Kuranin dhe kuptojeni Profetin s.a..

profetetO Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij, begatoje dhe dërgoji paqe atij. Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!


[1]  Musnad Ahmed bin Hambeli, vëll. VI, Bejrut, 1313 Hixhri, f. 91.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp