
Kur tirania e mohuesve kaloi kufijtë, Profeti Muhammed s.a.v.s. mblodhi ndjekësit e tij dhe u tha:
“Në Perëndim, matanë detit është një vend, ku njerëzit nuk persekutohen për shkak të fesë së tyre, nuk vriten edhe sikur të kenë një fe tjetër. Mbreti i atij vendi është i drejtë. Ndaj, mërgoni atje, ndoshta do t’ju lehtësohen mundimet”.
Disa muslimanë, që ishin burra, gra dhe fëmijë iu bindën thirrjes së Profetit dhe u nisën drejt Abisinisë, sado që largimi nga Meka për ta nuk ishte aspak i lehtë. Banorët e Mekës veten e kujtonin kujdestarë të Qabes dhe largimi prej saj ishte një tronditje për ta. Këtë mund ta pranonte vetëm ai që kishte humbur të gjitha gjasat për të mbijetuar në Mekë. Prandaj, mërgimi i tyre shënohet si një ngjarje tejet e dhimbshme. Edhe këtë, atyre iu desh ta bënin vjedhurazi, pasi dinin që nëse banorët e tjerë do të merrnin vesh që viktimat e tyre po u largohen, ata nuk do t’i linin të dilnin nga Meka. Për këtë arsye, ata ishin të detyruar ta mbanin sekret planin e tyre dhe të largoheshin pa u thënë lamtumirë as të afërmve, as miqve të tyre.
Gjendja ishte kaq e rënduar, saqë edhe njerëzit që i kanë parë duke u larguar nga Meka, nuk mbetën të pashqetësuar. Në kohën kur karvani i tyre po nisej, Omeri r.a., që ende ishte jobesimtar, madje, ishte një armik i përbetuar dhe persekutues i muslimanëve, rastësisht u takua me disa prej tyre, ndër të cilët ishte një grua e quajtur Umi Abdullah. Duke parë kafshët e tyre të ngarkuara me gjësendet e shtëpisë, Omeri r.a. sakaq e kuptoi që këta po largohen nga Meka.
“A po na largoheni?!” e pyeti Omeri, Umi Abdullahën.
“Po për Zotin”, u përgjigj ajo, “do të shkojmë në ndonjë vend tjetër, sepse shumë na keni shqetësuar dhe na keni persekutuar. Ne nuk do të kthehemi në vendin tonë, derisa nuk do të na mundësohet ndonjë lehtësim prej Zotit”.
Umi Abdullah rrëfen:
“Omeri me sy të njomur e me një zë të mallëngjyer tha: “Mirë atëherë, Zoti qoftë me ju”, pastaj ktheu kokën menjëherë dhe më la përshtypje se edhe ai u trishtua tej mase nga kjo ngjarje”.[1]
Kur banorët e Mekës e morën vesh mërgimin e bashkatdhetarëve, ata i ndoqën deri në bregdet, por nuk i kapën dot, sepse karvani i tyre tashmë ishte nisur në drejtim të Abisinisë. Mekasit vendosën të dërgojnë një delegacion te Mbreti i Abisinisë për ta ngërmuar atë kundër muslimanëve dhe për t’ia mbushur mendjen që ai t’ia dorëzojë muslimanët mekasve dhe gjithashtu t’i ndëshkojë ata për “shkeljen” që kanë bërë duke u ikur dënimeve të shpallura kundër tyre nga krerët e Mekës. Në delegacionin mori pjesë edhe Amr bin El-As, i cili më vonë do të bëhej musliman, madje nën komandën e tij do të fitohej Egjipti.
Delegacioni shkoi në Abisini, e takoi Mbretin dhe i nxiti mjaft madje edhe krerët e oborrtarët e tjerë kundër muslimanëve. Por, Zoti i Lartësuar ia forcoi zemrën mbretit dhe pavarësisht nga këmbëngulja e delegacionit mekas dhe e oborrtarëve të tij, ai refuzoi t’ua dorëzonte muslimanët. Kur delegacioni u kthye i dështuar, mekasit thurën një tjetër komplot për t’i risjellë muslimanët e mërguar. Ata u dërguan njoftime, përmes karvanëve që shkonin në Abisini, se gjoja të gjithë banorët e Mekës qenkan bërë muslimanë. Kur ky lajm mbërriti në Abisini, shumica e mërgimtarëve u gëzuan dhe nisën të ktheheshin. Kur erdhën në Mekë, e zbuluan të vërtetën që lajmi ishte vetëm një mashtrim. Disa prej tyre, sërish u kthyen në Abisini, kurse disa të tjerë mbetën në Mekë.
Ndër ata që qëndruan, ishte edhe Osman bin Maz’uni r.a., djalë i një pasaniku të shquar të Mekës. Velid bin Mugira, një mik i babait të tij, e mori në strehë Osmanin, ku ai do të jetonte i qetë. Por gjatë kësaj kohe, ai pa që disa muslimanë të tjerë persekutoheshin dhe u bëheshin mizori të ashpra. Osmani ishte një djalë me sedër. Ai shkoi tek Velidi dhe e njoftoi se po hiqte dorë nga ndorja e tij, ngaqë nuk mund të duronte të jetonte në paqe, derisa muslimanët e tjerë të keqtrajtoheshin. Kështu që, Velidi e dha lajmin që Osmani nuk ishte më në strehën e tij.
Pas kësaj ngjarjeje, një ditë, poeti famëmadh arab, Lebidi, ishte i pranishëm te krerët e Mekës dhe po u lexonte vargjet e tij. Kur ai recitoi vargun:
“Çdo bekim do të zhduket përfundimisht”,
Osmani e ndërpreu duke thënë:
“Jo, bekimet e xhenetit janë të përhershme”.
Lebidi ishte një njeri i shquar. I zemëruar nga këto fjalë iu drejtua krerëve të Mekës:
“O kurejshë! Miku juaj nuk poshtërohej më përpara në këtë mënyrë. Çfarë është kjo risi?!”.
Dikush iu përgjigj: “Mos ia vërë veshin, ai është një budalla”. Por, Osmani e përsëriti qëndrimin e tij dhe tha që ky nuk është budallallëk, por e vërtetë. Një njeri u ngrit dhe duke i rënë me grusht Osmanit i dëmtoi njërin sy. Edhe Velidi ishte i pranishëm në atë mbledhje. Babanë e Osmanit e kishte mik të ngushtë dhe nuk mundi ta duronte gjendjen e rëndë të djalit të shokut të ndjerë. Osmani nuk ishte më nën strehimin e tij dhe për këtë arsye, sipas zakoneve të Mekës, ai nuk mund ta mbronte aspak. Sa i zemëruar aq edhe i trishtuar iu drejtua Osmanit:
“O djalë i vëllait tim, syri yt do të shpëtonte, për Zotin, nëse do të vazhdoje të ishe në strehimin tim të fuqishëm, por ti vetë e pësove këtë dëm duke dalë nga mbrojtja ime”.
“Mos vajto për fatin e syrit tim”, i ktheu Osmani, “unë vetë e dëshiroja këtë. Madje edhe syri im tjetër, që është i shëndoshë, po qan se përse nuk i ndodhi e njëjta gjë edhe atij.[2] Mua më mjafton modeli i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Nëse ai heq vështirësi, pse unë jo? Mua më mjafton mbrojtja e Zotit”.
[1] Es-siratul-Halabija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 361.
[2] Esadul-Gabah, vëll. III, Rijad, 1286 Hixhri, f. 385-386.