
Nëse i binte në sy ndonjë dobësi e dikujt, Profeti s.a.v.s. ia mbulonte. E nëse dikush ia tregonte dobësinë e vet, edhe atë e ndalonte nga zbulimi i saj. Ai thoshte:
“Nëse robi i fsheh dobësinë robit tjetër, atëherë Allahu i Lartësuar atij do t’ia fshehë mëkatet në ditën e gjykimit”.[1]
Profeti s.a.v.s. gjithashtu thoshte:
“Çdokujt nga umeti im, mund t’i shlyhen mëkatet (domethënë nga pendesa). Por nëse dikush vërtitet duke shfaqur mëkatet e tij, nuk ka derman për të”. Pastaj, duke treguar se çfarë do të thotë kjo, ai pohon: “Një njeri bën mëkat gjatë natës, të cilin Zoti ia mbulon. Por gjatë ditës, ai takon një shok të tij dhe i rrëfen – o filan, kështu kam bërë gjatë natës – më pas takon një shok tjetër dhe i thotë – o filan, kështu kam bërë gjatë natës. Natën Zoti ia mbuloi mëkatin, ditën ai e zhveshi veten”.[2]
Disa njerëz, nga padijenia mendojnë që rrëfimi i mëkatit sjell pendesën, kurse në të vërtetë, ai nuk e sjell pendesën, por shkakton paturpësi. Mëkati gjithsesi është një ligësi. Ata që bëjnë mëkat dhe në zemër ndiejnë turp e druajtje, dera e pendesës (teubesë) mbetet e hapur për ta dhe takvaja (druajtje ndaj Zotit) i ndjek ata. Gjatë jetës së tyre vjen ndonjë moment i bekuar kur takvaja i mbizotëron dhe mëkati u largohet. Por ata që përhapin mëkatet e tyre, madje edhe krenohen për to, atyre u hiqet fare ndjenja e mëkatit dhe kur kalojnë në këtë fazë, atëherë ata nuk kanë më pengesë për mëkatin e tyre.
Një herë, një njeri erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kam kryer marrëdhënie të jashtëligjshme”. Kurvëria, në Islam, hyn ndër mëkatet ndëshkuese. Domethënë aty ku vepron sheriati i Islamit, sipas kritereve që ka përcaktuar Islami, nëse provohet për dikë që ka bërë kurvëri, atëherë ka masa ndëshkuese për të. Kështu, kur ai njeri i tha Profetit s.a.v.s. që kishte bërë këtë mëkat, Profeti s.a.v.s. ktheu kokën nga ai dhe zuri të merrej me bisedë tjetër. Në fakt, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. donte t’i tregonte që derisa Zoti i Lartësuar ia kishte mbuluar mëkatin, në vend që ta rrëfente atë, ai duhej të pendohej për të. Por ai kujtoi se Profeti s.a.v.s. nuk e kishte dëgjuar, andaj shkoi në anën tjetër ku e kishte kthyer kokën dhe sërish i tha: “O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kam bërë kurvëri”. Profeti s.a.v.s. sërish e ktheu kokën në anën tjetër dhe nuk ia vuri veshin. Ai person vazhdoi në të njëjtën mënyrë për herë të tretë dhe më pas edhe për herë të katërt. Pastaj, Profeti s.a.v.s. tha: “Desha që ky person të mos e shfaqte vetë mëkatin e tij, derisa Zoti e kishte lënë të lirë, por ky vetë ka dëshmuar katër herë kundër vetes. Tani jam i detyruar”.[3]
Pastaj Profeti s.a.v.s. tha që deri tani vetëm ai njeri e kishte fajësuar veten. Duhej të merrej në pyetje edhe ajo grua, me të cilën ai pretendonte të kishte shkuar. Nëse ajo do ta mohonte, atëherë, asaj nuk do t’i thuhej gjë dhe do të ndëshkohej vetëm vetëdeklaruesi. Por, nëse edhe ajo do ta pranonte fajin, atëherë do të ndëshkohej edhe ajo. Praktika e Profetit s.a.v.s. ishte që për çështjet që akoma nuk kishte marrë ndonjë udhëzim të Kuranit, vepronte sipas Biblës. Sipas Biblës, ai që bën kurvëri, gurorëzohet. Prandaj, edhe në këtë rast, Profeti lëshoi të njëjtin urdhër. Kur njerëzit filluan t’i hidhnin gurë, ai zuri t’ia mbathte, por ata vrapuan pas tij, e ndoqën dhe sipas mësimit të Biblës, e ndëshkuan me vdekje. Kur Profeti s.a.v.s. e mori vesh këtë ngjarje, nuk i erdhi mirë nga qëndrimi i njerëzve. Ai u tha: “Dënimi për të ishte vendosur për shkak të deklaratës së tij. Nëse ai zuri t’ia mbathte, do të thotë që ai e kishte tërhequr deklaratën e tij, andaj, duhet ta linit të lirë, sepse s’kishit asnjë të drejtë ta qëllonit”.[4]
Profeti s.a.v.s. gjithmonë porosiste që sheriati të aplikohej vetëm për çështjet e dukshme. Një herë disa sahabë r.a. kishin marrë pjesë në një betejë. Udhës ata u ndeshën me një idhujtar, i cili gjatë gjithë kohës rrinte i fshehur nëpër pyll dhe kur gjente të vetëm ndonjë musliman, e sulmonte dhe e vriste. Osama ibni Zejdi r.a. e ndoqi derisa e zuri në një vend. Teksa ngriti shpatën për ta vrarë idhujtarin, ai e kuptoi që s’kishte mbetur më rrugë shpëtimi, menjëherë tha “La ilaha il-lallah”,[5] me të cilën donte të thoshte se ishte bërë musliman. Por, Osama r.a. nuk u ndal dhe e vrau. Kur një kumtues mbërriti në Medinë, për t’i treguar Profetit s.a.v.s. ngjarjet e betejës, ai ia tregoi edhe ngjarjen e këtij dyluftimi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e thirri Osamanë dhe e pyeti nëse me të vërtetë e kishte vrarë atë njeri. Ai tha, po. Profeti s.a.v.s. e pyeti: “Çfarë do të bësh në ditën e gjykimit, kur “La ilaha il-lallah” do të dëshmojë kundër teje?”. Domethënë, si do të përgjigjej ai, kur Zoti i Lartësuar do ta pyeste se përse e kishte vrarë atë njeri, edhe pse kishte pohuar “La ilaha il-lallah”. Pra, le të ishte vrasës, ai ishte penduar. Osama r.a. disa herë e sqaroi: “O i Dërguari i Allahut, ai hiqej si besimtar vetëm nga frika”. Profeti s.a.v.s. i tha: “A ia kishe çarë zemrën për të parë që nëse po gënjente?”. Profeti s.a.v.s. vazhdimisht këtë pyetje ia bënte Osamasë:
“Çfarë do të bësh në ditën e gjykimit, kur “La ilaha il-lallah-u” i tij do të dëshmojë kundër teje?”
Osama r.a. thotë:
“Më deshi zemra të mos isha musliman para asaj dite, që të mos e bëja këtë gabim”.[6]
Se sa shumë e dëshironte faljen e mëkateve i Dërguari i Allahut s.a.v.s., na e tregon edhe një ngjarje tjetër. Një herë, disa njerëz i akuzuan bashkëshorten, Ajshen r.a., për imoralitet. Njëri ndër akuzuesit ishte një njeri që jetonte nën kujdesin e Ebu Bekrit r.a.. Kur akuza doli e rreme, Ebu Bekri r.a., nga zemërimi, ia ndali ushqimin. Një njeri që i akuzon vajzën dikujt për imoralitet, babai i saj nuk mund të marrë masë tjetër më të lehtë sesa kjo që kishte marrë Ebu Bekri r.a.. Disa edhe e vrasin. Por ai vetëm ia kishte ndalë ushqimin nga ana e tij. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për këtë, e këshilloi Ebu Bekrin r.a. se gabimi ishte i personit që ishte nën kujdesin e tij dhe se barra e mëkatit do të binte vetëm mbi të, por Ebu Bekrit nuk i shkonte përshtati që t’ia priste ushqimin një robi për shkak të gabimit të tij, sado i madh të ishte. Kështu që, Ebu Bekri r.a. duke zbatuar porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe një herë nisi ta ushqente e ta rriste nën kujdesin e tij.[7]
[1] Muslimi, Kitabul-birri ues-silah, bab besharet men serra Allaha ta’ala alaihi fi dunja bi enj-jestara alaihi fil-akhirati.
[2] Buhariu, Kitabul-edeb, bab setril-muminin ala nefsihi.
[3] Tirmidhiu, ebuabul-hudud, bab ma xha’a fi der’il-heddi enil-mu’tarif.
[4] Po aty.
[5] Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.
[6] Muslimi, Kitabul-iman, bab tehrimi ketlil-kafir.
[7] Buhariu, Kitabut-tefsir, tefsir suretin-Nur, bab inel-ledhina juhibuna en teshial-fahishata.