
Thjeshtësia dhe takvaja në ushqim
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë ruante thjeshtësi në ushqim. Kurrë nuk shfaqte pakënaqësi nëse nuk kishte kripë sa duhet në të ose nëse nuk qe gatuar mirë. Mundohej në maksimum, të hante edhe ushqimet e tilla, për t’i mos prishur qejfin personit që gatuante. Por, nëse i bëhej e pamundur të hante ndonjë ushqim, atëherë vetëm hiqte dorë nga ai, pa vënë në dukje pakënaqësinë e tij ndaj ushqimit.[1] Kur e niste ushqimin, i kushtonte vëmendje e respekt dhe thoshte:
“Nuk më pëlqen tradita mendjemadhe e disa njerëzve, të cilët kur ulen për bukë, mbështeten pas diçkaje, duke treguar njëlloj mospërfilljeje ndaj ushqimit”.[2]
Kur i vinte diçka për të ngrënë, hante duke e ndarë edhe me sahabët r.a.. Një ditë i erdhën ca hurma. Ai llogariti se sa njerëz dhe sa hurma ishin: nga shtatë copë i binin secilit dhe ashtu i ndau ndër sahabët e tij.[3]
Ebu Hurejrah r.a. rrëfen se i Dërguari fisnik i Allahut s.a.v.s. as bukë elbi kurrë nuk hëngri aq sa të ngopej.[4] Një ditë, duke kaluar rrugës, ai pa disa njerëz që bënin gosti me kec të pjekur në hell. Ata e ftuan edhe të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. sapo e panë, por ai refuzoi.[5] Arsyeja e refuzimit nuk ishte që nuk i pëlqente mishi i pjekur, por, atij nuk i pëlqente kjo mënyrë e të ushqyerit ku bëhej gosti në ambient të hapur, ku mund të ishin afër edhe njerëz të varfër e të uritur. Përndryshe, në hadithe të tjera vihet re që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hante edhe mish të pjekur. Edhe Ajshja r.a. tregon që asnjëherë nuk kishte ndodhur për tri ditë radhazi, që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të ishte ushqyer aq sa të ngopej dhe ky zakon i mbeti deri në fund të jetës së tij.[6]
Lidhur me ftesën, ai kishte kujdes të veçantë që asnjëri të mos shkonte i paftuar te dikush. Një herë, dikush e ftoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i tha gjithashtu që të sillte edhe katër persona me vete. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti te dera e shtëpisë së ftuesit, vuri re që edhe një person i pestë i ishte bashkuar. Kur i zoti i shtëpisë i hapi derën, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Ju kishit bërë ftesë për pesë veta, këtë zotërinë në doni lejojeni, në doni mos e lejoni”. “Le të hyjë ai, po e ftoj edhe atë”, u përgjigj ai.[7]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë thoshte bismillah para se të hante bukë, ndërsa kur mbaronte së ngrëni, e lavdëronte Zotin e Lartësuar me këto fjalë:[8]
Kuptimi i kësaj lutjeje është: lavdia i takon Allahut, që na dha ushqim, lavdi e shumtë, e sinqertë dhe e pastër nga çdolloj sheqerosjeje, lavdi që shtohet gjithnjë e më shumë, jo ajo lavdi që e bën njeriun të kujtojë se e ka kryer detyrën, por ajo lavdi që e bën atë të besojë se ende nuk e ka kryer atë. Mos më lindtë në mendje as mendimi që Zoti mund të ketë ndonjë vepër, që nuk ka nevojë të lëvdohet ose që nuk e meriton lavdërimin! O Zoti ynë, kështu bëna ne!
Në disa rrëfime përmendet që ai lutej edhe me këto fjalë:
Lavdia i takon Allahut të Lartësuar që na shoi urinë dhe etjen. Kurrë mos na u ngifshin zemrat së lavdëruari Zotin e Lartësuar dhe ne kurrë mos u bëfshim mosmirënjohës ndaj Tij![9]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithmonë i këshillonte sahabët r.a. që ata të hiqnin dorë nga ushqimi para se të ngopeshin dhe thoshte se ushqimi i një njeriu duhet të jetë i mjaftueshëm për dy njerëz.[10] Kur përgatitej ndonjë ushqim i veçantë, gjithmonë këshillonte njerëzit e shtëpisë që t’i kenë parasysh edhe fqinjët.[11] Po ashtu, ai vetë shpesh u dërgonte ushqime fqinjëve të tij.[12]
Gjithmonë shikonte fytyrat e sahabëve të tij nevojtarë për të parë mos ndokush prej tyre ishte i uritur. Ebu Hurejrah r.a. rrëfen që një herë ai kishte mbetur pa bukë për disa ditë. Kur kaloi shtat vakte në këtë gjendje, nuk duroi më dhe shkoi pranë derës së xhamisë. Rastësisht, aty kaloi Ebu Bekri r.a.. Ebu Hurejrah r.a. i kërkoi t’i shpjegonte një ajet, i cili bëhej fjalë për të ushqyer të varfrit. Ebu Bekri r.a. kujtoi se ndoshta ai me të vërtetë nuk e dinte kuptimin e ajetit, prandaj, ia shpjegoi dhe eci më tutje. Ebu Hurejrah r.a. sa herë që u përmendte njerëzve këtë ngjarje, thoshte me pezmatim:
“Ebu Bekri gjoja sikur dinte Kuranin më shumë se unë?! Unë e pyeta kuptimin e këtij ajeti që atij t’i kujtohej se çfarë thirrjeje bën ky ajet dhe të më ushqente mua”.
Pastaj, kaloi edhe Omeri r.a. Ebu Hurejrah r.a. thotë: “E pyeta edhe atë për kuptimin e këtij ajeti. Edhe ai ma dha shpjegimin dhe kaloi”. Sahabët urrenin t’i kërkonin dikujt diçka për ndonjë nevojë. Ebu Hurejrah r.a. pa që s’kishte gjasa të gjente ndonjë ushqim pa ia kërkuar ndonjërit. I dëshpëruar dhe i rraskapitur nga uria, gati do të binte, se s’kishte më forcë për të duruar më tej. Ndërsa po largohej nga dera e xhamisë, atë e thirri një zë i ëmbël. Ktheu kokën dhe pa që i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i buzëqeshur, po e thërriste nga dritarja e shtëpisë: “A je i uritur?”, e pyeti Profeti s.a.v.s., “Po”, u përgjigj ai. Profeti tha: “Edhe unë s’kisha gjësendi në shtëpi për të ngrënë, por tani na dërgoi dikush një tas qumësht. Shko dhe shiko në xhami, në mos ka ndonjë njeri të uritur si puna jonë”. “Unë i vetëm do të mjaftoja ta pija gjithë tasin e qumështit”, thoshte me vete Ebu Hurejrah r.a. “por po u ftuakan edhe të tjerë që do të më lënë mua veç ca pika”. Gjithsesi, ishte urdhri i Profetit s.a.v.s. dhe duhej zbatuar. Ai hyri në xhami dhe aty ishin gjashtë veta. I mori me vete, për të ardhur në shtëpinë e Profetit s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. tasin e qumështit më së pari ia dha njërit prej gjashtë personave dhe i tha: “Pije!” Ai e piu dhe kur largoi buzët nga tasi, Profeti s.a.v.s. edhe një herë i tha: “Pije edhe një herë!” Kështu Profeti s.a.v.s. këmbënguli të pinte edhe për herë të tretë. Më pas, ai ua kaloi tasin pesë të tjerëve një nga një dhe të gjithë e pinë qumështin sa deshën. Ebu Hurejrah r.a. thotë:
“Çdo herë kur Profeti ia kalonte tasin dikujt tjetër psherëtija dhe thosha me vete – çfarë do të më ngelet mua! E më në fund, më erdhi radha pasi kishin pirë të gjashtë. E nisa dhe piva, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe mua më kërkoi ta pija tri herë. Qumështin e mbetur që lashë e piu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vetë. Më pas, falënderoi Zotin e Madhërishëm, na përcolli deri jashtë dhe mbylli derën”.[13]
Profeti s.a.v.s. i dha Ebu Hurejrasë r.a. qumështin për të pirë në fund, mbase për t’i mësuar që ai të mbështetej tek Allahu i Lartësuar, edhe pse kishte mbetur shumë i uritur dhe nuk duhej të lypte qoftë edhe tërthorazi.
Profeti Muhammed s.a.v.s. gjithmonë hante dhe pinte me dorën e djathtë. Kur pinte ujë, e pinte në tri pjesë për të marrë frymë tri herë. Kjo ka një arsye mjekësore. Kur pi gjithë ujin përnjëherë, të pihet më shumë, por kjo të dëmton barkun. Për ushqimin, Profeti s.a.v.s. kishte parimin të hante vetëm gjërat e lejuara dhe të pastra, por asnjëherë në një mënyrë që të privohen të varfrit e ti të mësohesh me ushqime të bollshme. Mësohet që, në përgjithësi, ushqimi i tij ishte mjaft i thjeshtë, megjithatë, nëse dikush i dërgonte ndonjë ushqim të mirë, ai nuk e refuzonte, por kurrë nuk ndodhi që ai vetë të ketë kërkuar ndonjë ushqim apo pije të shijshme. Atij i pëlqente mjalti, po ashtu edhe hurma. Thoshte:
“Hurma dhe besimtari kanë një lidhje me njëri-tjetrin. Gjethet e hurmës, lëvozhga e saj, hurma e pjekur dhe e papjekur e deri te bërthama e saj, të gjitha janë të dobishme. Asgjë e saj nuk shkon kot. Kështu është edhe besimtari. Asnjë punë e tij nuk shkon kot, madje çdo vepër e tij i vjen në ndihmë njerëzimit”.[14]
Thjeshtësia dhe takvaja në veshje
Profeti s.a.v.s. pëlqente të vishej shumë thjesht. Zakonisht vishej me këmishë të gjatë e izar[15] ose këmishë të gjatë e një palë poture. Qoftë izar e qofshin poture, nuk i vishte sipër gjunjëve, por sipër nyjës së këmbëve. Nuk pëlqente të zbulohej trupi sipër gjunjëve, përveç rasteve të pashmangshme. Ai nuk pëlqente ndonjë rrobë që mbante piktura, as për veshje, as për perde. Sidomos nëse ndonjë rrobë kishte piktura të mëdha, që mund të bëheshin shtysë për shirk, Profeti s.a.v.s. asnjëherë nuk e lejonte. Një herë një perde e tillë ishte varur në shtëpinë e tij, të cilën kur e pa, ai porositi të hiqej,[16] por nëse ndonjë rrobë kishte piktura të vogla, nuk thoshte gjë, pasi ato nuk të shtyjnë drejt mendimeve të shirkut. Profeti s.a.v.s. kurrë nuk vishte veshje mëndafshi dhe as nuk i lejonte burrat e tjerë muslimanë t’i vishnin.
Gjatë kohës kur Profeti s.a.v.s. do t’u dërgonte letra mbretërve, ai bëri porosi të bëhej një unazë vule për të, por porositi që unaza të jetë prej argjendi e jo prej floriri, sepse tha: “Zoti i Madhërishëm nuk lejoi burrat e umetit tim të përdorin flori”. Gratë ishin të lejuara të përdornin qoftë mëndafshin apo floririn, por i këshillonte, që të mos e tepronin. Një herë ai mblodhi disa kontribute për të varfrit. Një grua nxori byzylykun e saj dhe e vuri përpara Profetit s.a.v.s.. Ai e pyeti: “Po dora tjetër, a nuk meriton të shpëtojë nga xhehenemi?” Sakaq ajo e nxori edhe byzylykun tjetër dhe e dhuroi për të varfrit. Gratë e Profetit s.a.v.s. thuajse nuk kishin stoli fare, dhe duke ndjekur mësimin e Profetit s.a.v.s., edhe gratë e tjera i shmangeshin koleksionimit të stolive. Në dritën e mësimit të Kuranit, ai thoshte: “Grumbullimi i pasurisë privon të varfrit nga të drejtat e tyre”. Realisht, mbledhja dhe mbajtja e floririt apo argjendit në shtëpi është një mëkat, sepse shkatërron gjendjen ekonomike të një populli.
Një herë Omeri r.a. e kishte këshilluar Profetin s.a.v.s. që gjersa po i vinin atashe të mbretërve të mëdhenj, duhej të kishte ndonjë mantel të shtrenjtë që ta përdorte gjatë takimeve me ta. Profetit s.a.v.s. nuk i erdhi mirë nga kjo këshillë dhe tha: “Zoti nuk më ka krijuar për këto punë, as këto nuk më shërbejnë për ta kënaqur Atë.[17] Më duhet të takoj çdokënd me veshje të zakonshme”. Një herë, dikush i dha Profetit s.a.v.s. një mantel të mëndafshtë. Ai ia dha Omerit r.a. si dhuratë. Të nesërmen kur e pa Omerin r.a. që e kishte veshur, tregoi pakënaqësinë e tij. Kur Omeri r.a. e kishte pyetur që ai vetë ia kishte bërë dhuratë, atëherë ai i qe përgjigjur: “Nuk duhet të përdorësh çdo gjë për vete”, që do të thoshte se ngaqë manteli ishte i mëndafshtë, ai duhej t’ia jepte bashkëshortes apo vajzës së tij ose ta përdorte në ndonjë mënyrë tjetër, por gjithsesi nuk duhet ta përdorte për veten.[18]
Shtrati i tij i thjeshtë
Edhe shtrati i Profetit s.a.v.s. ishte shumë i thjeshtë. Përgjithësisht ai përdorte ndonjë lëkurë apo ndonjë rrobë të bërë prej leshit të devesë. Ajshja r.a. bashkëshortja e Profetit s.a.v.s. tregon se shtrati i tyre ishte tepër i vogël, saqë kur Profeti s.a.v.s. çohej për të falur namazin e natës, ajo tkurrej për t’ia liruar vendin. “Gjatë namazit të natës kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. çohej në këmbë, thotë Ajshja r.a., shtrija këmbët, ndërsa kur ai binte në sexhde, i mblidhja prapë”.[19]
Thjeshtësia në shtëpi
Profeti s.a.v.s. parapëlqente thjeshtësinë edhe në ndërtimin e shtëpisë. Shtëpitë e tij, në përgjithësi, përbëheshin nga një dhomë dhe një oborr i vogël. Në dhomë, ai mbante të lidhur një litar, në të cilin vinte një çarçaf në rastet kur njerëzit vinin ta takonin për të diskutuar veçmas me të, për çështje të ndryshme. Ai nuk përdorte krevat si shtrat, por përdorte shtrojë në dysheme. Jetesa e tij ishte kaq e thjeshtë saqë, Ajshja r.a., pas vdekjes së tij, tregon: “Gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. shumë herë detyroheshim të ushqeheshim vetëm me hurma dhe ujë. Madje, edhe ditën kur ai ndërroi jetë, asgjë s’kemi pasur në shtëpi për të ngrënë, përveç ca hurmash dhe ujit”.[20]
[1] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ma aben-Nebiju s.a.v.s. ta’amen.
[2] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab el-ekli mutekien.
[3] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ma kanen-Nebiju s.a.v.s. ue es’habuhu je’kulun.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab er-rexhul jud’a ilet-ta’am.
[8] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ma jekulu idha ferega min ta’amihi.
[9] Po aty.
[10] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab ta’amul-uahidi jekfil-ithnejn.
[11] Muslimi, Kitabul-birri ues-silah, bab el-uesijeti bil-xhar uel-ihsani ilejhi.
[12] Buhariu, Kitabul-edeb, bab la tehkiren-na xharetun bixhariha.
[13] Buhariu, Kitabur-rikak, bab kejfa kana ejshun-Nebiji s.a.v.s. ue es’habihi.
[14] Buhariu, Kitabul-ilm, bab terhil imamil-mes’alah; Buhariu, Kitabul-at’imah, bab bereketin-nekhlah.
[15] Një pëlhurë e paqepur që mbështillet nga mesi e poshtë. [Përkthyesi]
[16] Buhariu, Kitabul-libas, bab me uet’i minet-tesauir.
[17] Buhariu, Kitabul-libas, bab el-heriri lin-nisa.
[18] Po aty.
[19] Buhariu, Bab es-salati alel-firash.
[20] Buhariu, Kitabul-at’imah, bab er-retbi uet-temer.