Trimëria heroike e Profetit Muhammed s.a.v.s. në luftën e Uhudit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Trimëria heroike e Profetit Muhammed s.a.v.s. në luftën e Uhudit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po diskutohej për historinë e luftës së Uhudit, në lidhje me jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Numri i vogël i sahabëve që luftuan mbrapa Profetit s.a.v.s.

Është përmendur se ndër të gjithë njerëzit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s ishte më pranë armikut, dhe vetëm 15 muslimanë mundën t’u qëndronin sulmeve të tyre. 8 prej tyre vinin nga radhët e muhaxhirëve. Ata ishin:

  1. Hazret Ebu Bekri
  2. Hazret Omeri
  3. Hazret Talhai
  4. Hazret Zubejri
  5. Hazret Abdurrahman ibn Aufi
  6. Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasi
  7. Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu

Nga radhët e ensarëve ishin këta 7 sahabë:

  1. Hazret Habab ibn Mundhiri
  2. Hazret Ebu Duxhana
  3. Hazret Asim ibn Thabiti
  4. Hazret Harith ibn Sema
  5. Hazret Sehl ibn Hanifi r.a.
  6. Hazret Sa’d ibn Mu’adhi r.a. (disa kanë thënë se ishte Sa’d ibn Ubada r.a.)
  7. Hazret Muhammed ibn Meslema r.a.

Sipas disa transmetimeve, numri i sahabëve që luftuan rreth e përqark tij ishte 30 dhe secili prej tyre donte të qëndronte përpara fytyrës së tij dhe të flijonte veten duke mbrojtur jetën e tij.[1]

Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s ishte mbetur vetëm me 11 sahabë, përfshirë Hazret Talha ibn Ubejdullahun r.a.. Sipas një transmetimi tjetër, kur idhujtarët rrethuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s, ai shoqërohej vetëm nga 7 sahabë ensarë dhe 1 sahabi kurejsh. Po ashtu, ka edhe një transmetim, i cili tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ishte mbetur vetëm me 9 sahabë, 7 prej të cilëve vinin nga sahabët ensarë ndërsa 2 prej muhaxhirëve. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s ishte i dhjeti prej tyre.[2]

Pse ndryshon numri i sahabëve në transmetime të ndryshme?

Nëpër transmetime, janë përmendur numra të ndryshëm të sahabëve që luftuan tok me Profetin s.a.v.s deri në fund, në luftën e Uhudit. “Qendra Kërkimore” ka dorëzuar një shënim, sipas të cilit: “Numri i sahabëve të pranishëm është përmendur të jetë 30. Kjo mospërputhje në numrin e sahabëve, mund të shpjegohet edhe ashtu, që numri i tyre ka ndryshuar vazhdimisht gjatë rrjedhës së luftës. Nëse dikush pa 15 sahabë, ai rrëfeu po aq, pra secili tregoi numrin e sahabëve aq sa iu dukën atij”.

Ky shpjegim duket më i arsyeshëm. Unë e kam përmendur këtë edhe më parë, gjatë hutbeve të mia të mëparshme, se sahabët formonin rrethin e mbrojtjes përqark Profetit s.a.v.s, por sulmet e njëpasnjëshme të armikut vazhdimisht e thyenin këtë rreth dhe ata shpërndaheshin dhe mblidheshin prapë. Sahabët shfaqën një qëndrueshmëri të rrallë dhe ata nuk kishin kurrfarë frikë se do të vriteshin.

Besëlidhja e sahabëve për vdekje

Sipas rrëfimeve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s i bëri thirrje një grupi sahabësh për të hyrë në një besëlidhje për vdekje. Edhe pse muslimanët pësuan humbje dhe u tërhoqën nga lufta, këta sahabë nuk shfaqën asnjë lëkundje dhe mbrojtën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s duke dhënë dhe jetën, madje disa ranë dëshmorë në këtë përpjekje. Atë ditë, 8 sahabë u zotuan në dorën e tij se do të luftonin deri në vdekje. Sipas transmetimeve, emrat e këtyre sahabëve fatlumë janë këta:

  1. Hazret Ebu Bekri r.a.
  2. Hazret Omeri r.a.
  3. Hazret Aliu r.a.
  4. Hazret Talhai r.a.
  5. Hazret Zubejri r.a.
  6. Hazret Sa’adi r.a.
  7. Hazret Sehl ibn Hanifi r.a.
  8. Hazret Ebu Duxhana r.a.
  9. Hazret Harith ibn Sema r.a.
  10. Hazret Habab ibn Mundhiri r.a.
  11. Hazret Asim ibn Thabiti r.a.

Asnjë nga këta sahabë nuk kishte rënë dëshmor në këtë luftë.[3]

Alama Zimahsheriu ka shkruar në librin e tij “Hasaisi ‘Ashere” se Hazret Zubejri tregoi një qëndresë të guximshme me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s në luftën e Uhudit. Ai gjithashtu ishte zotuar se do të luftonte deri në vdekje, pra do të luftonte deri në frymën e fundit duke e mbrojtur Profetin s.a.v.s, dhe nuk do të ndahej prej tij.[4]

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkruar trimërinë heroike të sahabëve me këto fjalë. Ai shkruan:

“Historia nuk mund të sjellë shembullin e sakrificave të guximshme të sahabëve, që gjendeshin rreth e përqark Profetit s.a.v.s atë ditë. Ata silleshin rreth tij, sikur kandrrat i vijnë rrotull fenerit dhe flijoheshin për t’ia mbrojtur jetën. Sahabët merrnin çdo goditje mbi veten, dhe përpiqeshin me çdo kusht për të mbrojtur jetën e Profetit s.a.v.s. Ata në të njëjtën kohë ndërmerrnin kundërsulme ndaj armikut”.[5]

Ai shkruan më tej: “Si mund t’u bënin ballë këta trima dallgëve të mëdha të armikut, të cilët sa vinin bëheshin më të fuqishme. Çdo valë e sulmit të armikut shtynte muslimanët dhe sa binte fuqia e saj, muslimanët e gjorë i afroheshin sërish Profetit s.a.v.s dhe ktheheshin në pozicionet e tyre rreth tij. Nganjëherë sulmi i armikut ishte aq i fuqishëm e i llahtarshëm saqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s mbetej plotësisht i vetmuar. Gjatë luftës, i erdhi një moment, kur e rrethonin vetëm 12 sahabë. Por, atij i erdhi edhe ajo kohë, kur vetëm 2 sahabë qëndronin rreth tij. Ndër këta sahabë besnikë shquheshin emrat e Hazret Ebu Bekrit, Aliut, Talhait, Zubjerit, Sa’ad ibn Vekasit, Ebu Duxhana el-Ensariut, Sa’ad ibn Mu’adhit dhe Talha Ensariut.”[6]

Në lidhje me numrin e ndryshëm të sahabëve të cilët luftonin rreth Profetit s.a.v.s, siç kam thënë edhe më parë, se numri ndryshonte si pasojë e sulmeve që bëheshin drejt tij.

Përgjigjja ndaj akuzës së të krishterëve ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. duke iu përgjigjur akuzës së të krishterëve ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s se ai e kishte lejuar gënjeshtrën dhe trillimin, ka thënë:

“Këtu shfaqet epërsia e mësimeve të prijësit tonë të shenjtë s.a.v.s. Po të vini re jetën e Jezusit tuaj, ai tërë jetën ka përdorur gënjeshtra, ndërkohë i Dërguari i Allahut s.a.v.s e ka ndaluar rreptësisht”.

Nga ana leksike, fjala Taurije do të thotë të kesh diçka tjetër nëpër gojë dhe krejt tjetër në zemër si dhe përdorimi i fjalëve të dykuptimta.[7]

Unë kam përmendur këtu vetëm kuptimin leksik, ndërsa Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka zbërthyer këtë fjalë më thellë. Ai shkruan:

“Gjatë kohës së luftës apo frikës, për të fshehur diçka apo për ndonjë qëllim të caktuar, për të mbajtur të fshehur diçka sekrete, përdoren shprehje a simbole, me qëllim që i mençuri të kuptojë mesazhin, ndërkohë njeriu naiv të mos arrijë të zbërthejë atë.”

Megjithatë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e cilëson këtë sjellje si në kundërshtim me nivelin e druajtjes. Ai nënvizon se nuk mund të gjejmë ndonjë gjurmë të kësaj dukurie në jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, ndërkohë, ai të cilin të krishtetërt e quajnë si zot, gënjen pa pikë turpi. Ai e shtjellon këtë çështje dhe shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s ka porositur për t’iu shmangur asaj aq sa mundet, me qëllim që as biseda e as veprimi i jashtëm të mos ngjajnë me gënjeshtrën. Por ç’të themi dhe ç’të shkruajmë se zotëria juaj Jezusi nuk iu përmbajt dot vërtetësisë. Një njeri që deklaron se është Zoti, duhet të vinte në botë si një luan e jo të kalonte tërë jetën duke u marrë me rrena apo duke qëndruar pas fjalëve dyshuese dhe të dykuptimshme, e të provojë se nuk është një njeri i ndershëm, apo nuk është prej atyre që nuk i frikësohen vdekjes, dhe që ballafaqohen guximshëm me armiq dhe i mbështeten plotësisht Zotit të Madhërishëm. (Ai, të cilin e quani Zot, është marrë tërë jetën me gënjeshtra, një veprim që i takon as Zotit e as profetit të Tij).

Më vjen për të qarë, kur mendoj rreth këtyre çështjeve se si duhet të përgjigjem nëse dikush akuzon për gjendjen e trullosur të Jezusit apo për “teurijen” e tij, e cila është një lloj gënjeshtre. Ndërsa, kur shoh prijësin e të dërguarve s.a.v.s, e gjej të mbetur vetëm në fushën e Uhudit, duke deklaruar fuqimisht përballë shpateve se “Unë jam Muhammed! Unë jam i Dërguar i Allahut! Unë jam biri i Abdil Mutalibit!”. Në e kthej kokën te Jezusi, e gjej duke iu drejtuar nxënësve të tij, dhe duke thënë me zë të dridhur “Mos i tregoni askujt se unë jam Jezus, Mesih”. Unë çuditem se askush nuk do ta vriste atë, nëse shqiptonte këto fjalë. Unë habitem se ky njeri si mund të quajë veten edhe një i dërguar i Zotit, kur në rrugën e Zotit, tregon një trimëri të tillë”.[8]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shprehur këtë çudi ndaj Hazret Isait a.s. si një përgjigje retorike ndaj të krishterëve. Kjo nuk do të thotë se ai nuk besonte në pejgamberllëkun e Hazret Isait a.s., përkundrazi ai vetë shprehimisht ka thënë se personin të cilin të krishterët e paraqesin si biri i Zotit, vetë gjendet në këtë derexhe të guximit, ndërkohë ata nuk kursejnë akuzat dhe shpifjet e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s sikur ai justifikoi gënjeshtrën dhe nxiti sjelljen burracake.

Kush është gati të flijohet për ne?

Ibn Is’haku ka shkruar se kur mosbesimtarët e kishin rrethuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s, Profeti u bëri thirrje:

من رجلٌ يَشرِى لنا نَفسه

Kush nga ju trimat është gati të shesë veten për mua? Atëherë, Hazret Zijad ibn Sekeni bashkë me 5 sahabë ensarë iu përgjigjën thirrjes. Të gjithë këta luftuan heroikisht dhe një nga një dhanë jetën. I fundit prej tyre, i cili ra dëshmor, qe vetë Zijadi apo Amara, i cili kishte marrë shumë plagë. Pikërisht në këtë kohë, erdhi një grup muslimanësh, të cilët shtyjnë idhujtarët larg Profetit s.a.v.s. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s porositi për ta sjellë Zijad ibn Sakenin pranë tij. Kur e sollën te Profeti s.a.v.s, Zijadi ishte në grahmat e fundit. Profeti s.a.v.s kërkoi që Zijadi të sillej më afër tij dhe sahabët ia afruan atë. Zijadi mbështeti kokën te këmba e Profetit s.a.v.s dhe në këtë gjendje dha frymën. Zijadi kishte marrë 14 plagë në trup.[9]

Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan:

“Gjatë luftës, sulmi i kurejshëve mori një vrull të fuqishëm dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s u bëri thirrje muslimanëve: ‘Kush është i gatshëm të japë jetën për në rrugë të Zotit?’ Njëri nga ensarët dëgjoi këto fjalë dhe ai bashkë me 6 ensarë të tjerë, dolën përpara trimërisht dhe secili prej tyre, një nga një ranë dëshmorë duke luftuar rreth Profetit s.a.v.s. Kryetari i këtij grupi ishte Zijad ibn Sekeni. Kur u përmirësua paksa situata pas atij sulmi të vrullshëm, dhe atyre iu bashkuan edhe muslimanët e tjerë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s porositi për të sjellë Zijadin pranë tij. Sahabët e sollën te Profeti s.a.v.s, dhe e shtrinë atë në tokë. Zijadi ishte në grahmat e fundit të jetës, megjithatë me shumë vështirësi e ngriti pak kokën dhe e vuri atë te këmba e Profetit s.a.v.s dhe në këtë gjendje dha shpirtin.[10]

Martirizimi i Musab ibn Umejrit

Hazret Musab ibn Umejri luftonte përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s dhe ai ra dëshmor duke luftuar trimërisht. Ibn Kamea e kishte martirizuar.[11]

Sipas burimeve historike Hazret Musab ibn Umejri ishte flamurtari i ushtrisë muslimane. Ai e mbrojti flamurin guximshëm. Ai e ruante këtë flamur, kur Ibn Kamia, i cili kalëronte në luftë, iu vërsul atij. Ai e qëlloi krahun e djathë të Musabit, me të cilin ai e mbante flamurin dhe e preu atë. Musabi nuk e lejoi flamurin të rrëzohej në tokë dhe e shtrëngoi trimërisht me krahun e majtë. Ibn Kamia kësaj here, i qëlloi në krahun e majtë dhe e preu atë. Musabi i vendosur, e rroki flamurin me krahë të cunguar dhe e shtrëngoi fort në kraharor. Ibn Kamia iu afrua për herë të tretë dhe e goditi me shtizë, të cilën ia nguli në gjoks. Shtiza u këput më dysh dhe Musabi u rrëzua në tokë. Suvejbit ibn Sad ibn Harmela dhe Ebu Rum ibn Umejri iu afruan me vrull dhe Ebu Rum ibn Umejri ia mori flamurin. Ai e mbrojti atë gjatë luftës, derisa lufta përfundoi dhe muslimanët u kthyen në Medinë.[12]

Sipas disa transmetimeve të tjera të ngjashme, i Dërguari i Allahut s.a.v.s i kishte dorëzuar flamurin Hazret Aliut. Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka përshkruar gjithashtu këtë ngjarje në veprën e tij. Ai shkruan:

“Ushtria kurejshe e kishte vënë rrethimin në të katër anët e muslimanëve dhe përmes sulmeve të njëpasnjëshme ngushtonte gjithnjë e më shumë darën e rrethimit. Ndoshta, edhe në këtë situatë të vështirë, muslimanët do të bashkoheshin sërish, por për fat të keq, një ushtar trim i kurejshëve me emrin Abdullah ibn Kamia iu vërsul flamurtarit të muslimanëve, Musab ibn Umejr dha me një goditje të shpatës, ia preu krahun e djathtë. Musabi menjëherë siguroi flamurin me krahun e majtë dhe u ngrit për t’u ndeshur me të. Por, Ibn Kaima me goditje të dytë, ia preu dhe krahun e majtë. Musabi i afroi të dyja krahë të cunguar dhe u mundua ta mbronte flamurin e muslimanëve dhe e mbështeti te kraharori. Por, Ibn Kamia e sulmoi për herë të tretë dhe kësaj here arriti ta martirizonte atë.

Ndonëse, një musliman tjetër arriti të mbronte flamurin e muslimanëve, por meqë Musabi në vetitë fizike i ngjante të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, Ibn Kamia kujtoi se ai e kishte vrarë Profetin s.a.v.s. Ndoshta, Ibn Kamia kishte dashur t’u ngjallte panik muslimanëve përmes kësaj shpifjeje. Megjithatë, pas vrasjes së Musabit, ai shpalli hapur se gjoja kishte vrarë Profetin Muhammed (s.a.v.s). Ky lajm ishte kaq i rëndë, saqë ua dërrmoi atyre zemrën dhe ata u hallakatën keq”.[13]

Profeti Muhammed s.a.v.s.: Si udhëheqësi më i mirë ushtarak

Siç kam përmendur më lartë se pakujdesia e muslimanëve që zgjati vetëm disa çaste, e ktheu fitoren e muslimanëve në një humbje të përkohshme. Por, i Dërguari i Allahut s.a.v.s, i cili pranohet si udhëheqësi më i mirë në historinë ushtarake dhe gjeniali i vendimeve të shpejta dhe largpamëse, vëzhgonte me kujdes situatën e ndryshuar të luftës. Ai arriti të mbronte trupat e tij luftarake të shpërndarë dhe të dërrmuar përballë një ushtrie katër herë më të fuqishme, në një mënyrë të tillë, që armiku nuk mundi të realizonte qëllimin e tij për të asgjësuar muslimanët. Pas rënies së Hazret Musabit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s ia dorëzoi flamurin e Islamit Hazret Aliut r.a.. Ushtria muslimane qëndroi përballë një armiku që zhytej në dehjen e fitores.

Shpata e Hazret Aliut vringëllonte kundër armikut dhe ua ngjallte muslimanëve të shpërndarë besimin dhe kurajë. Hazret Aliu bashkë me një grup të vogël muslimanësh udhëhoqi një kundërsulm të tillë, saqë arritën të thyenin rrethin e idhujtarëve dhe shpëtuan prej tyre. Nën drejtimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, ky grup i vogël prej ushtrisë hapi rrugën dhe përparoi drejt ushtarëve të shpërndarë muslimanë të cilët kishin dëgjuar lajmin e vdekjes së Profetit s.a.v.s, dhe u ishte humbur vrulli e fuqia. Në anën tjetër, për të bërë të pamundur riorganizimin e ushtrisë muslimane dhe për të ndaluar kundërsulmin e tyre, ushtria idhujtare po sulmonte pandërprerë.

Megjithatë, plani i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s ishte aq i sukseshëm, saqë një grusht i vogël muslimanësh, duke u lidhur me njëri-tjetrin, formoi si një gjysmë rreth dhe duke zmbrapsur sulmet e armikut, bënte lëvizje të ngadaltë drejt luginës. Ndonëse armiku bëri çmos për të mbyllur rrethimin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s, arriti të çelte rrugën përmes një mori sulmesh.[14]

Gjumi dhe dremitja në luftën e Uhudit

Në lidhje me gjumin dhe dremitjen gjatë luftë së Uhudit, është përmendur se sahabët ishin të përgjumur. Allahu bëri që i zuri gjendja e përgjumjes. Kjo ngjarje është përshkruar në këtë mënyrë:

“Hazret Zubejr ibn el-Avami ka transmetuar se kur ndryshoi rrjedha e luftës së Uhudit, unë e gjeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s pranë meje. Ne të gjithë ishim krejtësisht të hutuar dhe të frikësuar, e pikërisht në këtë gjendje na zuri gjumi. Na dukej sikur ishim në dremitje të ëmbël. Nuk ishte asnjëri nga ne, mjekra e të cilit, të mos jetë mbështetur në gjoksin e tij. Pasha Allahun! Mua më dukej sikur dëgjoja zërin e  مُعَتِّب بن قُشَير Mu’atib ibn Kushejrit në ëndërr. Ai po thoshte se po të kishim të drejtën e vendimarrjes, nuk do të vriteshin atje në këtë mënyrë.

Mutab ibn Kushejri ishte një sahab Ensar, i cili kishte marrë pjesë në besëlidhjen e Ukabasë si dhe në betejat e Bedrit dhe të Uhudit. Unë e mësova përmendësh fjalët e tij në ëndërr, dhe më vonë Allahu i Madhërishëm zbriti këto ajete për këtë çështje:

ثُمَّ أَنزَلَ عَلَيْكُم مِّن بَعْدِ الْغَمِّ أَمَنَةً نُّعَاسًا يَغْشَىٰ طَائِفَةً مِّنكُمْ ۖ وَطَائِفَةٌ قَدْ أَهَمَّتْهُمْ أَنفُسُهُمْ يَظُنُّونَ بِاللَّهِ غَيْرَ الْحَقِّ ظَنَّ الْجَاهِلِيَّةِ ۖ يَقُولُونَ هَل لَّنَا مِنَ الْأَمْرِ مِن شَيْءٍ ۗ قُلْ إِنَّ الْأَمْرَ كُلَّهُ لِلَّهِ ۗ

Pas brengës, Ai ju zbriti përgjumje qetësuese, që kaploi një grup prej jush, kurse një grup tjetër ishin ata që shqetësoheshin vetëm për jetën e tyre. Kishin mendim të padrejtë rreth Allahut, mendim prej injorance. Thoshin: “A na takon edhe neve ndonjë pjesë në vendimmarrje?” Thuaju: E gjithë vendimmarrja është e Allahut”.[15]

Hazret Ka’ab ibn Amr el-Ensariu ka thënë se gjatë luftës së Uhudit, ai ndodhej me 14 pjesëtarë të tjerë të popullit të tij pranë të Dërguari të Allahut s.a.v.s. Meqë sahabët ishin në gjendje lufte, prandaj ajo dremitje u sillte qetësi. Nuk kishte asnjë njeri, nga gjoksi i të cilit të mos dëgjoheshin gërhitjet. Kam parë Bishr ibn Bra ibn Marurin, të cilit i ishte rrëzuar shpata nga dora, dhe ai nuk e ndjeu aspak rënien e shpatës, ndërkohë idhujtarët po na vërsuleshin.[16],[17]

Në shpjegimin e këtij ajeti, Hazret Kalifi IV (Allahu e mëshiroftë) ka shkruar:

“Sidoqoftë, ai duhet të ketë ndierë rrëzimin e shpatës, sepse ndonëse i përgjumur, armët i kishte kapur fort. Ai gati rrëzohej, por prapë e siguronte veten. Megjithatë, fjala e përdorur këtu është نُعاس “Nuas”. Në ajet është përdorur shprehja اَمَنَةً نُّعَاسًا “emeneten-Nuasen”, e cila ka kuptime të ndryshme në varësi të përdorimit. Këto kuptime mund të përmblidhen në këtë mënyrë se Zoti u dha një lloj qetësie që mund të cilësohej si gjumë, ose ishte një lloj dremitje, që mbarte prehje dhe qetësi. Pra, ishte një lloj qetësie që i ngjante gjumit. Nganjëherë, njeriut i varet koka, kur e kot gjumi, sikur ai zhytet për një çast në gjumë, megjithatë këtu fjala نُعاس Nu’as nuk i përgjigjet kësaj gjendje përgjumjeje, por flet për gjendjen midis zgjimit dhe gjumit. Para se të bjerë në gjumë, njeriu kalon në një fazë, kur të gjitha gjymtyrët dhe shqisat e tij, prehen në qetësi, dhe ajo është një qetësi e thellë. Nëse kjo gjendje qetësie zgjatet, kalon në gjumë. Nëse njeriu është duke ecur, ai nuk rrëzohet, por pëson një lëkundje, dhe ai menjëherë kupton se çfarë ka përjetuar. Por, nëse dikë e zë gjumi, ai nuk është më i vetëdijshëm për gjymtyrët e tij e as nuk ka kontroll mbi to.

Mundet që Bishr ibn Beraja të ketë rënë në gjumë të thellë në këtë gjendje, dhe edhe pse ishte në luftë, ai përjetoi një qetësi. Nëse e pranojmë këtë hadith, mund të arsyetojmë se i ishte liruar shtrëngimi i shpatës, dhe ajo i ishte rrëzuar nga dora. Në këtë gjendje njeriu mëson menjëherë se po bie në gjumë të thellë, dhe ai zgjohet me një lëkundje. Prandaj, Allahu thotë se ju dhuruam një lloje qetësie që ishte e ngjashme me gjendjen e gjumit, por ajo nuk ishte kaq e thellë si gjumi, që të mos kishit më kontroll mbi gjymtyrët dhe shqisat tuaja. Ajo gjendje ju qetësonte, por nuk ju bënte të pavetëdijshëm.

Po ashtu, sipas transmetimit të Buhariut, Hazret Ebu Talhai ka thënë se në ditën e Uhudit, ne përgjumeshim mu në mes të luftës. Ai shton se shpata ishte gati të lëshohej dhe unë e shtrëngoja fort që të mos bjerë. Ky hadith gjithashtu tregon se ajo gjendje nuk ngjante me gjumin që t’i binin mjetet nga duart ose ata vetë të rrëzoheshin në tokë. Ishte një gjendje prehjeje apo qetësie, megjithatë ata ishin të vetëdijshëm për armët e tyre. Nëse ishin gati të rrëzoheshin, menjëherë merrnin veten.

Në Tirmidhi, pikërisht në librin e komentimit të Kuranit, gjendet një transmetim nga Hazret Ebu Talhai, i cili ka thënë: “Në luftën e Uhudit, kur ngrita kokën, pashë që pothuaj çdo njeri ishte i përgjumur dhe po përkulej pas mburojës së tij. Për shkak të pagjumësisë apo lodhjes, ata sahabë ishin në një gjendje të keqe dhe në këto kushte, Allahu u dhuroi qetësi e prehje. Kjo ishte një gjendje e përgjithshme në ushtrinë muslimane, dhe nuk ishte diçka që mund të përjetonte rastësisht ndonjë luftëtar musliman. Të gjithë ata që kishin luftuar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s kundër armiqve, kishin ndierë sikur diçka kishte zbritur nga qielli dhe i kishte përfshirë çdo musliman nën hijen e saj. Ata ishin të dërrmuar nga lodhja, se kishin nevojë të domosdoshme për një pushim për të ripërtërirë organet e tyre dhe për të fituar sërish gjallërinë fizike. Edhe pse nuk ishte koha e gjumit, por kur njerëzit janë të dërrmuar nga lodhja, i zë një gjendje e tillë prehjeje e përgjumësie.

Nëse, e gjithë ushtria muslimane bie në një gjendje të tillë në të njëjtën kohë, edhe pse ajo të gjendej përballë armikut, dhe ushtria kundërshtare i kanos rrezik të madh, ajo padyshim përbën një mrekulli. Kjo nuk është aspak një ngjarje e rastësishme, por përbën një mrekulli prej Zotit, që u shfaq në formën e një gjendje qetësie e prehjeje, që u shfaq në mes të luftës.[18]

Alama Abdurrazak ka transmetuar nga Zuhriu se i Dërguari i Allahut s.a.v.s kishte pësuar më shumë se 70 plagë në fytyrë nga shpata në ditën e Uhudit, megjithatë Allahu e mbrojti atë nga pasojat e tyre. Ibn Hexher Askalaniu tregon se ndoshta nga numri 70 Zuhriu ka kuptuar plotë 70 plagë apo e ka përdorur vetëm si shprehje për të përmendur numrin e madh të plagëve.[19]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu ka shkruar:

“Trimi më i madh në luftë konsiderohej ai që qëndronte afër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, sepse ai ndodhej gjithmonë në vendin më të rrezikshëm. Shikoni se si vrëngëllojnë shpatat dhe përplasen me njëra-tjetrën. Lufta qe kaq e ashpër, saqë as sahabët nuk i qëndronin dot situatës, ndërkohë ky trim i patrembur i bën ballë çdo goditjeje. Sahabët nuk kishin faj dhe Allahu i fali ata, madje përmes kësaj gjendjeje Allahu deshi të shfaqte guximin dhe trimërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s”.

Ai shkruan: “Gjatë luftës, i ishte lindur një situatë kur shpatet vringëllonin rreth tij, kurse ai edhe në këtë gjendje, shprehej pafrikë: Unë jam Muhammedi, i Dërguari i Allahut. Ky ishte virtyti i tij madhor edhe pse kishte marrë 70 plagë të lehta në ballë.”[20]

Ngjarja e rrëzimit të Profetit në gropë

Ebu Amiri kishte hapur shumë gropa në vende të ndryshme në fushën e Uhudit, me qëllimin që muslimanët të rrëzoheshin në to dhe të vriteshin në këtë mënyrë. Në një nga këto gropa, kishte rënë edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s në mënyrë të pavetëdijshme. Nga kjo tronditje, Profetit s.a.v.s i ra të fikët dhe ai u vra në të dyja gjunjët. Hazret Aliu iu afrua me nxitim dhe e mbështeti me krah, ndërsa Hazret Talha ibn Ubejdullahu e nxori atë jashtë.

Shkaku pas rënies së Profetit në gropë, qe i ligu Iba Kamia, i cili e qëlloi atë me shpatë. Shpata i kishte rënë mu në qafë. Ndonëse Profeti s.a.v.s nuk pësoi asnjë dëm nga shpata, por goditja ishte kaq e fort, saqë ai ndjeu dhembje të fortë që zgjati një muaj ose edhe më shumë. Jo vetëm kaq, pas goditjes, ai nisi ta qëllonte Profetin s.a.v.s me gurë, dhe një prej tyre e goditi në mes. Në të njëjtën kohë, Utba ibn Ebi Vekasi, i cili ishte vëllai i Sad ibn Ebi Vekasit, i ra fort Profetit me gur, që goditi fytyrën e tij. Nga kjo goditje, Profetit s.a.v.s iu thye dhëmbi që gjendej midis dhëmbëve prerës dhe kaninë. Profetit iu ça dhe buza e poshtme.

Imam ibn Haxher el-Askalaniu ka shkruar që dhëmbi i Profetit s.a.v.s ishte thyer pjesërisht dhe nuk ishte shkulur me gjithë rrënjë.

Kur Hazret Sad ibn Vekasi mësoi se vëllai i tij Utba kishte goditur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s, ai menjëherë u nis drejt ushtrisë mekase për të ndjekur vëllanë e tij. Ai vetë ka rrëfyer këtë ngjarje dhe thotë: “Nuk më ka pushtuar kurrë në jetën time një dëshirë e tillë rrëmbyese për të arritur diçka, siç e pata atëherë, për të vrarë vëllain tim Utba. Por, ai më iku dhe shpëtoi prej meje”. Hazret Sadi shkoi sërish në kërkim të Utbes, por prapë u kthye duarbosh. Kur ai donte të shkonte për herë të tretë për të kapur vëllanë e tij dhe për t’u hakmarrë me të, i Dërguari i Allahut s.a.v.s e ndaloi dhe tha: “O rob i Zotit! A do të çosh veten deri në vdekje?” Hazret Sa’di kështu ndërpreu menjëherë dëshirën e tij pas urdhrit të Profetit s.a.v.s. Në të njëjtën kohë i Dërguari i Allahut s.a.v.s u lut kundër Utbe ibn Ebi Vekasit:

اَللّٰهُمَّ لَا يَحُوْلُ عَلَيْهِ الْحَوْلُ حَتّٰى يَمُوْتَ كَافِرًا۔

“O Allah! Vdektë ai në mosbesim, pa kaluar një vit.”

Allahu ia pranoi lutjen dhe po atë ditë, e vrau Hazret Hatib ibn ebi Beltea. Hazret Hatibi ka përcjellë këtë ngjarje kështu: “Kur e pashë guximin e turpshëm të Utbe ibn Ebi Vekasit, unë menjëherë e pyeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s se nga ishte nisur Utba. Profeti s.a.v.s më bëri me dorë dhe unë e ndoqa nga pas dhe arrita ta gjeja atë. Unë iu vërsula pavonesë dhe e qëllova me shpatë, e cila ia preu kokën nga trupi. Unë i mora shpatën dhe kalin dhe u ktheve te i Dërguari i Allahut s.a.v.s bashkë me to. Kur dëgjoi lajmin e vdekjes së tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s më tha 2 herë:  رَضِيَ اللّٰہُ عَنْکَ۔ رَضِيَ اللّٰہُ عَنْکَ۔ Allahu u kënaq prej teje, Allahu u kënaq prej teje.

Nga goditja, të Dërguarit të Allahut s.a.v.s, i ishte thyer përkrenarja, po ashtu nga goditje të njëpasnjëshme atij i ishte rrjepur lëkura në disa vende. Një ndër sulmuesit ndaj fytyrës së Profetit s.a.v.s ishte Abdullah ibn Shehab Zehriu, i cili më vonë kishte pranuar Islamin.[21]

Ky përshkrim vijon edhe në hutbet e ardhshme.

Përmendja e të vdekurve

Më pas Huzuri përmendi rreth disa rasteve të vdekjes.

  1. Ebu Hilmi Muhammed Akasha nga Palestina

Së pari dua të përmend të nderuar Ebu Hilmi Muhammed Akasha sahibin nga Palestina. Sherif Auda Sahibi ka shkruar rreth tij: “Disa ditë më parë, vëllai ynë ahmedian Muhammad Akasha Sahib që jetonte në Rripin e Gazës u martirizua në mënyrë barbare. Trupi i tij i pajetë u gjet vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. اِنَّا لِلّٰہِ وَاِنَّا اِلَيْہِ رَاجِعُوْنَ۔

I ndjeri ishte 75 vjeç, dhe qe një ahmedian i sinqertë. Ai ishte shpërngulur nga fshati i tij i lindjes dhe tashmë jetonte në një kamp refugjatësh në Xhabelia në Gaza. Ai ka 7 djem dhe 5 vajza dhe tridhjetë e tre nipër e mbesa. Nipi i tij ka thënë se kishte humbur kontakt me të prej disa javësh. Gjatë armëpushimit të përkohshëm, ai shkoi ta kërkonte atë, por nuk e gjeti dot në shtëpi. Por, më vonë u gjet trupi i tij i pajetë mes trupave të tjerë, të shpërndarë vetëm njëqind metra larg shtëpisë së tij. E kishte zënë plumbi mu në kokë”.

Jasir Shahin sahibi, një ahmedian nga Rripi i Gazës shkuran: “I ndjeri kishte instaluar satelit në shtëpi dhjetë vjet më parë dhe më tha ta ndihmoja atë për të gjetur kanalin MTA. Kështu, nëpërmjet tij, arrita të njihja Xhematin Musliman Ahmedia. Pas disa kohësh, ai më mësoi më shumë për xhamatin dhe më dërgoi disa libra. Për një kohë të gjatë, ne patëm diskutime rreth xhematit. Pastaj, bëra istihare dhe u anëtarësova në xhemat bashkë me bashkëshorten time. Muhammed Akasha Sahib ishte shumë i lumtur se isha bërë ahmedian. Pas kësaj, lidhjet tona u forcuan akomë më shumë. Ai më tregonte komentimin e ajeteve të ndryshme kuranore për orë të tëra. Citonte pjesë nga ‘Tefsiri Kabir’ dhe shpjegonte çështje të tilla si abrogimi i ajeteve etj.. Stili i tij i të folurit ishte shumë i këndshëm dhe i dashur. Prej një kohe të gjatë, ishte angazhuar në përpilimin e një libri. Ai më ftonte shpesh, dhe më këndonte pjesë nga libri. Ai më kërkonte sugjerime për ta përmirësuar atë si dhe diskutonte çështje të ndryshme.

Kishte dëshirë të zgjeronte shtëpinë dhe të krijonte një bibliotekë në të dhe të vendoste fotokopje të librave të xhematit. Megjithatë, familja e tij e kundërshtonte atë për shkak të xhematit, dhe si pasojë synimi i tij nuk arriti të realizohej. Nëpërmjet tij, unë u prezantova me xhematin e Gazës. Ne të gjithë takoheshim në banesën e tij. Vitet e fundit, për shkak të përkeqësimit në gjendjen shëndetësore, ai më së shumti qëndronte në shtëpi dhe mezi lëvizte”.

Një tjetër Ahmedian nga Gaza Ivad sahib ka shkruar: “I ndjeri ishte shtatëlartë, me një trup të hollë dhe mjekër të bardhë. Mirësia dhe devotshmëria e tij ndikonin menjëherë te bashkëbiseduesi. Ai ishte gjithmonë i zënë me përmendjen e Allahut dhe në studimin e literaturës së xhematit. Ai donte të ndërtonte një xhami pranë shtëpisë së tij. Pas luftës së vitit 2014, ai shkroi një artikull, në të cilin shkroi se do të vijë një ditë kur varret do të bombardohen dhe mbishkrimet dhe gurët e tyre do të shpërndahen andej këtej. Pastaj ndodhi pikërisht kështu. Pavarësisht se ishte i rrethuar nga vështirësitë, ai priste çdokënd gjithmonë me një buzëqeshje. Ai ishte shumë bujar, inteligjent dhe i aftë për t’i lexuar mendimet e të tjerëve”.

Dr. Jusufi shkruan se “vëlla Ebu Hilmi ishte një ahmedian i sinqertë dhe i devotshëm. Para se të pranonte xhematin, mendimi, sjellja dhe veprat e tij përkonin me  ahmdianët. Prandaj, sapo mësoi për xhematin, menjëherë u anëtarësua. Pas bejatit, ai fliste me rrethin e tij farefisnor e shoqëror në lidhje me xhematin, veprim ky i shkaktoi mjaft kundërshtime dhe vështirësi nga familjarët.

Në pjesën e fundit të jetës, i ndjeri ecte me ndihmën e patericave për të ardhur gjitmonë i pari në faljen e xhumave apo në takime të xhematit, edhe pse përballej me shumë telashe dhe kërcënime nga kundërshtarët gjatë rrugës. Ai paguante edhe  kontributet financiare para të tjerëve.

Ai kishte dëshirë për t’i dhënë shtëpinë e tij dhe një copë toke Xhematit në mënyrë që të ndërtohej një xhami dhe një qendër e xhematit, por të afërmit e kundërshtuan dhe penguan realizimin e kësaj dëshire. Allahu ia lartësoftë poziën në xhenet dhe i bëftë pasardhësit e tij të trashëgojnë bekimet e lutjeve të tij! Allahu i munëdsoftë pasardhësit dhe të afërmit të kuptojnë Ahmediatin, pra Islamin e vërtetë dhe të gëzojnë paqen dhe sigurinë! Allahu sjelltë paqen në vendin e tyre dhe ndaltë dorën e agresorit dhe shtypjes i dhëntë fund!

Izraeli po hap tani një front të ri kundër Hizbullahut përgjatë kufirit libanez, gjë që do të përkeqësojë situatën. Në të njëjtën kohë, frontin që Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë hapur kundër fiseve huthi në Jemen, të gjitha këto faktorë po zgjerojnë shtrirjen e luftës. Mjaft njerëz kanë shkruar dhe po shkruajnë se shenjat e një lufte botërore janë shumë afër. Prandaj, kemi shumë nevojë për lutje. Allahu i dhëntë njerëzimit aftësinë e të menduarit dhe të kuptuarit!

  1. Amatun Nasir sahiba, bashkëshortja e Hajdar Ali Zafar, sahibit Murabbi nga Gjermania.

  2. Nasim Akhtar, bashëshortja e Habibullah Kahlon nga Ghatijalian.

  3. Mubareka Begum sahiba, bashkëshortja e Rashid Ahmed Zamir sahibi, nga Bashirabad State[22]

Shënime

[1] Subulul Huda uer-Rishad, vëll. IV, botuar në Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, f. 196-197.
[2] Si më lartë, f. 202-203.
[3] Si më lartë, f. 198.
[4] Siret el-Hilbije, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, f. 321.
[5] Mirza Bashir Ahmedi, “Siret Khatim en-Nebijin”, f. 495.
[6] Si më lartë, f. 495-496.
[7] Kuptimi i fjalës “توریہ’(Taurije) marrë nga “Urdu Daira-i Ma’arif”, vëll. VI, f. 737.
[8] marrë nga “Nurul Kuran”, nr. 2, Rruhani Khazain, vëll. IX, f. 405-407.
[9] “Subulul Huda” vëll. IV, botuar nga Darul Kutub el-Ilmija, f. 203.
[10] Mirza Bashir Ahmed, “Siret Khatemun-Nebijin”, f. 496.
[11] Siret Ibni Hisham, e botoi Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2001, f. 529.
[12] Et-Tabekatul Kubura, vëll. III, e botoi Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 89.
[13] Mirza Bashir Ahmed, “Siret Khatemun-Nebijin”, f. 493.
[14] “Ghazvat dhe Seraja”, e botoi Shtypshkronja Faridije, Sahival, f. 199-201.
[15] Ali Imran 3:155.
[16] Es-Siret el-Halbije, vëll. II, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 310.
[17] “Usd al-ghabah fi marifat al-Saḥabah”, vëll. V, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 216.
[18] e marrë nga “Dersul Kuran, nga Hazret Kalifi IV r.a., më 6 Ramazan 1415, 17 shkurt 1994.
[19] “Subulul Huda uer Rishad”, vëll. IV, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 198.
[20] “Melfuzat”, vëll. I, botuar në 2022, f. 115.
[21] “Siret el-Halbije”, vëll. II, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, f. 317.
[22] Gazeta e përditshme “Alfazl International”, botuar mël 2 shkurt 2024, f. 2-7.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem