Thirrja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në njëshmërinë e Allahut
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Thirrja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në njëshmërinë e Allahut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutben e fundit, po diskutohej për sloganet e Ebu Sufjanit, përmes të cilave, ai madhëronte idhujt e tij po ashtu ishte rrëfyer shprehja e sedrës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.  për Zotin. Pra, kisha treguar se si në ato rrethana të rrezikshme, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  shfaqi këtë sedër duke ngritur sloganin e emrit të Allahut. Do t’ju citoj edhe sot disa rrëfime në lidhje me këtë temë.

Hazrat Kalifi II r.a. thotë:

“Në hadithe thuhet se në luftën e Uhudit, kur Ebu Sufjani lëshoi deklaratën لنا عزی ولا عزی لکم me zë të lartë۔ Domethënë, ne kemi idhullin Uza në mbështetjen tonë, ndërsa ju nuk keni asnjë idhull që ju mbështet. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  u tha muslimanëve për t’iu përgjigjur me këtë thirrje:  لنا مولیٰ ولا مولی لکم Lena maula ve-la Moula Lekum’. D.m.th. Ne kemi një Zot, i cili na ndihmon, por ju nuk keni asnjë ndihmës. Çfarë dëshmie e fuqishme e vërtetësisë së kësaj daklarate se انت مولنا ‘O Allah! Ti je Zoti ynë’ se edhe nën hijen e shpatave, se vetëm Allahu mund të na shpëtojë”.[1]

Pastaj ai thotë në një vend se kur muslimanët mësuan se i Dërguari i Allahuts.a.v.s.  ka rënë dëshmor, ata u kthyen shpejt dhe larguan trupat e pajetë të sahabëve që gjendeshin mbi të. Ata gjetën se Profetis.a.v.s.  ishte i gjallë dhe merrte frymë. Në fillim, sahabët i nxorën kunjat e përkrenares, që i ishin ngulur në krye. Ato ishin ngulur kaq thellë, saqë një sahab i nxori me dhëmbët e tij. Ndonëse, ai arriti t’i nxirrte gozhdët, por në këtë përpjekje iu thyen dy dhëmbë.

Pastaj sahabët spërkatën pak uji në fytyrë dhe Profetis.a.v.s.  u kthye në vetëdije. Shumica e sahabëve ishin shpërndarë, vetëm një grup i vogël sahabësh ishte mbetur me të. Ai u tha atyre: ”Tani duhet të shkojmë në këmbët e malit, për të gjetur strehim.” Kështu i Dërguari i Allahuts.a.v.s.  u priu sahabëve në rrëzën e malit dhe në anën tjetër ushtria e shpërndarë muslimane, gjithashtu filloi të mblidhej ngadalë.

Kur ushtria e jobesimtarëve po kthehej, Ebu Sufjani thirri me zë të lartë emrin e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.  dhe tha: “Ne e kemi vrarë atë.” Sahabët donin t’i përgjigjeshin, por Profeti i ndaloi dhe tha: “Kjo nuk është koha e duhur për t’iu përgjigjur. Njerëzit tanë janë shpërndarë, disa janë vrarë e disa janë plagosur. Vetëm një grusht muslimanësh gjendet këtu, por edhe janë ata të lodhur e të dërrmuar. Ushtria e jobesimtarëve përbëhet nga tre mijë veta dhe ajo është e përgatitur. Nuk është e përshtatshme të reagojmë në një situatë të tillë. Nëse ata thonë se më kanë vrarë, le të thonë”. Kështu, sipas porosisë së tij, sahabët heshtën dhe nuk reaguan.

Kur Ebu Sufjani nuk mori asnjë përgjigje, ai tha: “Ne e kemi vrarë edhe Ebu Bekrin.” Ai i ndaloi sahabët të përgjigjeshin përsëri dhe tha: “Heshtni. Nëse Ebu Sufjani thotë një gjë të tillë, atëherë le të thotë”. kështu që sahabët qëndruan të heshtur edhe pas kësaj deklarate. Kur Ebu Sufjani prapë nuk mori asnjë reagim, ai tha: “Ne e kemi vrarë edhe Omerin.” Hazret Omeri ishte shumë gjaknxehtë. Ai u mat të thoshte diçka, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  e ndaloi edhe atë.

Sipas një transmetimi, Hazrat Omeri r.a. duke folur për këtë ngjarje tha: “Unë bëhesha gati t’i përgjigjesha se ju thoni se ne e kemi vrarë Omerin, ndërsa Omeri është ende i gjallë për t’i çarë kafkat tuaja. Megjithatë, Profeti s.a.v.s.  nuk më lejoi t’i përgjigjesha”.

Pra, kur Ebu Sufjani nuk mori sërish asnjë përgjigje, ai ngriti parullën me zë të lartë اُعل ھُبل اُعل ھُبل d.m.th. “Qoftë i lartësuar Hubuli! Qoftë i lartësuar Hubuli!” Ebu Sufjani besonte në Hubul si hyjni dhe humbjen e muslimanëve, vrasjen e Profetit Muhammed s.a.v.s.  dhe të sahabëve ia atribuonte asaj. Meqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  deri tani nuk i kishte lejuar sahabët t’i përgjigjeshin, andaj edhe në këtë situatë, ata mbajtën heshtje dhe nuk reaguan aspak. Profeti i Allahut, i cili pas thirrjes së Ebu Sufjanit se gjoja ata e kishin vrarë atë dhe sahabë të tij, kishte porositur për të heshtur, i cili pas thirrjes së mosbesimtarëve për vrasjen e Ebu Bekrit, kishte thënë për të mbajtgur heshtje, i cili pas lajmit të vrasjes së Omerit r.a., i kishte urdhëruar muslimanët të mbanin heshtje, dhe të mos reagonin, i cili vazhdimisht u kishte thënë muslimanëve se jemi të shpërndarë dhe rrezikohemi nga një sulm i ashpër i armikut, prandaj veç dëgjoni dhe mos ua ktheni asnjë fjalë, por tani, kur i ra në vesh thirrja e Ebu Sufjanit “اُعل ھُبل اُعل ھُبل d.m.th. “Qoftë i lartësuar Hubuli! Qoftë i lartësuar Hubuli!”, iu ngjall fuqimisht fryma e njëshmërisë së Zotit. Tani nuk ishte më çështja e Muhammedit, Ebu Bekrit apo Omerit, tani ishte çështja e nderit të Zotit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s.  iu drejtua sahabëve dhe u tha plot patos: “Pse nuk i përgjigjeni tani?” Sahabët i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si duhet të përgjigjemi?” Ai tha: “Thuaju: اللہ عز وجل اللہ عز وجل Qoftë i lavdëruar Allahu, i përjetshmi. Qoftë i lavdëruar Allahu, i përjetshmi”. Çfarë është Hubuli? Pozita e Allahut është më e lartë. Pozita e Allahut është më e lartë.

Çfarë shfaqje e mrekullueshme e frymës së Teuhidit që kishte Profeti s.a.v.s. . Ai u kishte ndaluar sahabët tri herë, gjë që tregon se ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun që kanoste kjo situatë. Ai dinte se ushtria muslimane është shpërndarë dhe vetëm një numër i vogël sahabësh e shoqëronte. Ai dinte se shumica e sahabëve ishin ose të plagosur ose të dërrmuar pas një lufte të ashpër. Ai dinte se po zbuloi armiku se një pakicë muslimanësh janë mbledhur në një vend, ai do të hidhej sërish në sulm, por përpos të gjitha këtyre arsyeve dhe shkaqeve, kur u prek çështja e sedrit dhe nderit të Allahut të Madhërishëm, ai nuk pranoi të heshtte. Daç t’i gjente armiku, daç nuk i gjente, daç na sulmon e daç na masakron, ne nuk mund të heshtim më. Prandaj, ai u tha sahabëve, se përse nuk përgjigjeshin “اللہ عز وجل اللہ عز وجل Qoftë i lavdëruar Allahu, i përjetshmi. Qoftë i lavdëruar Allahu, i përjetshmi”.[2]

Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar këtë koment në shpjegimin e sures el-Kauther. Ata që janë të interesuar për të lexuar imtësisht, mund të hapin Tefsire Kebirin, ku mund të gjejnë edhe shumë çështje të tjera, që mund t’u shtojnë dituri. Ai shkruan më tej:

“A ekziston sot, dikush që përmend emrat e asaj parie mekase që donte të ekzekutonte Muhammedins.a.v.s. ? Në fushën e Uhudit, Ebu Sufjani kishte lëshuar thirrje: ‘A gjendet Muhammedi në mesin tuaj?’ Kur nuk mori asnjë përgjigje, ai vetë tha: ‘Ne e kemi vrarë Muhammedin.’ Pastaj ai thirri. ‘A gjendet Ebu Bekri mes jush?’ Kur nuk mori përgjigje edhe kësaj here, ai vetë lëshoi thirrje: ‘E kemi vrarë edhe Ebu Bekrin’. Pastaj pyeti: ‘A ka Omer mes jush?’ Kur nuk mori përgjigje, deklaroi: ‘E kemi vrarë edhe Omerin’.

Nëse sot, ju shkoni deri në skajet e tokës dhe thirrni emrin e Ebu Xhehlit, ju nuk do të gjeni askënd që t’i përgjigjet thirrjes suaj, ndërsa për thirrjen e Muhammedit s.a.v.s. , do të gjeni miliona zëra, që do të përgjigjen duke thënë, po, Muhammedi s.a.v.s. , është i gjallë dhe i pranishëm në mesin tonë, dhe kemi nderin ta përfaqësojmë atë.

Edhe nëse, pasardhësit e Ebu Xhehlit ekzistojnë edhe sot, por asnjëri prej tyre nuk guxon të deklarojë se është prej pasardhësve të tij. Ndonëse, pasardhësit e Utbes dhe Shejbes ekzistojnë edhe sot në botë, por a ekziston dikush që thotë se është gjaku i tyre”.[3]

Është vetëm emri i Profetit të Shenjtë Muhammed s.a.v.s.  të cilin Allahu e ka lartësuar dhe e ruan këtë pozitë edhe sot. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Edhe sprovat që hasin të dërguarit e Zotit në jetë, ka mijëra dukuri të fshehta të Allahut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s.  u përballua me lloj-lloj vuajtjesh në jetë. Sipas një transmetimi, ai kishte marrë 70 plagë nga shpatet në betejën e Uhudit dhe jobesimtarët ishin gëzuar së tepërmi, nga gjendja mjerane e muslimanëve. Duke kujtuar se ndoshta i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  dhe shokët e tij të shquar kanë rënë dëshmorë në luftë, lëshoi një thirrje të lartë dhe tha: ‘A është Muhammedi në mesin tuaj?’ I Dërguari i Allahut s.a.v.s.  u tha sahabëve: ‘Heshtni dhe mos iu përgjigjni’. Nga heshtja e muslimanëve, ai u gëzua se ndoshta me të vërtetë, Profeti ka ndërruar jetë. Pastaj në të njëjtën mënyrë, ai përmendi emrin e Hazret Ebu Bekrit. Në palën e muslimanëve pushtonte një heshtje e plotë. Pastaj, ai thirri emrin e Hazret Omerit, por ai nuk duroi dot dhe tha: O njeriu i lig! Ç’janë këto dokrra? Ne të gjithë jemi gjallë.”

Nganjëherë është e nevojshme që besimtarët t’u nënshtrohen vuajtjes dhe vështirësive të mëdha. Për shkak të kësaj situate, i Dërguari i Allahuts.a.v.s.  porositi që muslimanët nuk duhet të sulmojnë mosbesimtarët.

Kjo ngjarje ke ndodhur ndoshta në luftën e Handekut, e cila kishte zhvilluar pas luftës së Uhudit. Në kohën e hixhretit nga Meka, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  hoqi një periudhë të vështirë”.[4] Por Allahu ia ndryshoi rrethanat.

Martirizimi i Hazret Handhelesr.a.

Në transmetime, është rrëfyer ngjarja e martirizimit të Hazret Handheles. Kjo ngjarje që ndodhi në luftën e Uhudit, shfaq besnikërinë, sakrificën dhe trimërinë e njërit prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. . Bashkëshortja e këtij sahabiu ka rrëfyer këtë ngjarje në këto fjalë: “Kur bashkëshorti im mësoi se i Dërguari i Allahuts.a.v.s.  tashmë ishte nisur për në luftë, ai doli menjëherë e pa asnjë vonesë nga shtëpia. Atij i obligohej gusli (larja e trupit) por kur ai mori lajmin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  ishte nisur për luftë, ai u largua me nxitim nga shtëpia dhe mendoi se ishte e panevojshme nëse vononte duke u larë. Ai mori shpatën dhe u nis drejt fushëbetejës.

Gjatë luftës, një herë ai doli përpara Ebu Sufjanit, i cili udhëhiqte ushtrinë e mosbesimtarëve. Ebu Sufjani ishte hipur në kalë, ndërsa Hazreti Handhela ishte këmbësor. Ai ia goditi kalin dhe si rrjedhojë kali e rrëzoi Ebu Sufjanin në tokë. Për shkak të rrëzimit Ebu Sufjani lëshoi britma të forta, ndërsa Hazret Hanzdhela menjëherë ngrehu shpatën para tij, që t’ia priste kokën, por në atë kohë e vuri re Shadad bin Eusi, një ushtar mosbesimtar. Shadadi menjëherë iu vërsul Hazret Handhelasë me shpatën e tij dhe e vrau atë në vend. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  mësoi për martirizimin e Hazret Handheles, ai u tha sahabëve se engjëjt po e lanin shokun e tyre. Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  tha: “Unë shoh se engjëjt po lajnë trupin e Handheles midis qiellit dhe tokës në enë argjendi me ujë të kthjellët. Gruaja e Hazret Handheles quhej Xhamile dhe ishte e bija e prijësit të hipokritëve Abdullah bin Ubej ibn Selul dhe motra e Hazret Abdullah bin Abdullah bin Ubej bin Selulit. Hazret Xhemila tha se Hazret Handhela kishte ardhur në fushën e betejës në gjendjen e xhunubit, që do të thotë se kishte nevojë të lahej. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  dëgjoi fjalët e Hazret Xhamiles, ai tha: “Prandaj e lanin engjëjt”.

Hazret Handhela ishte martuar me Hazret Xhamilen vetëm një natë më parë, ndërsa në mëngjesin e së nesërmes, ishte zhvilluar beteja e Uhudit. Është përmendur në një transmetim se Hazret Xhemila ka thënë se kur Handhela dëgjoi njoftimin e marshimit të ushtrisë drejt fushëbetejës, ai brofi nga vendi dhe doli nga shtëpia pa u larë. Atë natë, Hazret Xhemila pa një ëndërr që papritur ishte  çelur një portë në qiell dhe bashkëshorti i saj Hazret Handhela kishte hyrë në qiell përmes kësaj porte, e pastaj porta u mbyll menjëherë.

Ekziston një transmetim, sipas të cilit, Hazret Xhemila bëri që katër gra nga populli i saj të dëshmojnë se Handhela kishte kryer marrëdhënie me mua në mënyrë që njerëzit të mos kishin dyshime për shtatzëninë e saj. Nganjëherë, edhe sot, njerëzit krijojnë dyshime të tilla dhe sajojnë histori të pavërteta dhe bëjnë akuza. Por, Hazret Xhemila kishte marrë masat për të hequr çdolloj dyshimi. Ajo ka thënë se veproi kështu sepse kishte parë në ëndërr se në qiell ishte çelur një derë, dhe ajo kishte hyrë në të. Ajo kishte kuptuar se Handhales i kishte ardhur koha dhe ajo do të ngelej shtatzënë prej tij po atë natë. Abdullah bin Handhela lindi nga kjo shtatzëni. Kurejshët nuk e gjymtuan trupin e Hazret Handheles pasi e vranë, d.m.th nuk ia prenë veshët, hundën dhe sytë, sepse babai i saj, Ebu Amir Rahab, ishte me kurejshët.[5]

Ngjarja e martirizimit të Hazret Sa’d ibn Rabiut r.a.

Hazret Sa’d ibn Rabiu mori pjesë në betejën e Bedrit dhe Uhudit dhe ra dëshmor në këtë të fundit. Kur përfundoi lufta, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  pyeti për gjendjen e Hazret Sa’dit dhe u bëri thirrje sahabëve për të sjellë ndonjë lajm për të. Njëri prej të pranishmëve iu përgjigj thirrjes së Profetit dhe nisi të kërkonte Sa’din ndër trupat e dëshmorëve. Hazret Sa’di ishte akoma i gjallë dhe me të parë këtë njeri, e përshëndeti atë. Ai menjëherë iu afrua atij dhe i tha se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  e ka dërguar për të mbledhur informacion rreth tij. Hazret Sa’di i tha: “Përcillini selamin tim të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.  dhe lajmërojeni se kam marrë 12 plagë të shtizës, por ata që më kanë sulmuar, kanë përfunduar në xhehenem, dhe e kam mbytur secilin prej tyre. Jepja popullit tim amanetin se nuk do të pranohet asnjë arsyetim prej tyre, nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  bie dëshmor dhe mbetet i gjallë njëri prej tyre”.

Sipas një transmetimi, personi i cili pati kërkuar Hazret Sa’din ishte Ubej ibn Ka’b أبي بن كعب. Hazret Sa’di i tha Hazret Ubej ibn Ka’bit: “Thuaji popullit tënd: Sa’d ibn Rabiu ju drejtohet dhe thotë: Kini frikë Allahun”. Në një transmetim, gjejmë këto fjalë: “Kujtojeni zotimin të cilin e patët lidhur me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.  në natën e Akabasë. Pasha Allahun! Nuk do të keni asnjë justifikim, nëse mosbesimtarët i sjellin ndonjë dëm të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. , ndërkohë të jetë i gjallë qoftë një person nga ju”. Kjo ishte dëshira e sahabëve, edhe në grahmat e fundit të jetës. E vetmja brengë që i mundonte ishte të mbronin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. . Hazret Ubej ibn Ka’bi ishte pranë Hazret Sa’dit kur ai ndërroi jetë. I kishte marrë plagët në gjithë trup. Hazret Ka’bi shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  dhe i rrëfeu gjithçka se si ishte gjendja e tij dhe që ai ka rënë dëshmor. Kur dëgjoi për martirizimin e Sa’dit, Profeti s.a.v.s.  u shpreh: “Allahu e mëshiroftë! Ai mbeti besnik ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ishte i gjallë dhe tani kur ka ndërruar jetë”. Hazret Sa’d ibn Rabiu dhe Hazret Harixha ibn Zejdi ishin varrosur në një varr.[6]

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka cituar ngjarjen e martirizimit të Hazret Sa’dit në këtë mënyrë. Ai shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s.  tashmë kishte zbritur në fushë dhe sahabët po kontrollonin trupat e martirëve. Pamja pas përfundimit të luftës ishte tejet e dhimbshme. Profeti s.a.v.s.  zbriti në fushë, edhe pse ai vetë kishte marrë plagë. 70 trupa të muslimanëve, të gjakosur dhe të pluhurosur gjendeshin të shtrirë në tokë. Këta trupa përbënin shembullin më të shëmtuar të traditës barbare të arabëve që quhej Muthle. Disave u patën prerë gjymtyrët, ndërsa të tjerëve u kishin deformuar fytyrat. Ndër të rënët në luftë, vetëm 6 u përkisnin muslimanëve muhaxhirë, ndërsa të gjithë të tjerët vinin nga radhët e ensarëve. Numri i të vrarëve te mosbesimtarët ishte 23.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  iu afrua trupit të pajetë të kushëririt të tij Hamza ibn Abdul Muttalib, ai u shtang nga pamja rrëqethëse, sepse Hindi, gruaja e pamëshirshme e Ebu Sufjanit, e kishte cunguar tmerrësisht atë. Profeti s.a.v.s.  qëndroi aty pa folur asgjë për njëfarë kohe. Ndjenjat e fuqishme e zemërimit dhe mërisë po i dukeshin qartë në fytyrë. Për një çast, ai mendoi të hakmerrej kundër njerëzve të egër e të pashpirt të Mekës, në të njëjtën mënyrë se ndoshta kjo ishte e vetmja mënyrë që ata mund të kuptonin. Por, ai iu shmang këtij mendimi dhe vendosi të durojë. Madje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  ndaloi përgjithmonë në Islam traditën e lashtë arabe, e cila përligjte cungimin dhe gjymtimin e palës kundërshtare. Ai u bëri thirrje muslimanëve se pavarësisht sa e vështirë bëhet situata, ata nuk duhet të kundërpërgjigjeshin kurrsesi ndaj armikut përmes një sjelljeje barbare e shtazore, përkundrazi t’i përmbaheshin gjithmonë mirësisë dhe mirëbërësisë.”

Ai shkruan:

“Kurejshët trajtuan edhe trupa të sahabëve të tjerë, në të njëjtën mënyrë. Trupi i djalit të hallës së Profetit, të Hazret Abdullah ibn Xhehashit ishte cunguar gjithashtu në mënyrë barbare. Sa më shumë, e shikonte i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  gjendjen e sahabëve martirë, aq më shumë i acaroheshin ndjenjat e dhimbjes dhe hidhërimit në fytyrë“.[7]

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar sakrificën e atyre martirëve muslimanë dhe ka mbajtur një shënim në lidhje me dashurinë besnike të Sa’d ibn Ensariut ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. . Ai shkruan:

“Beteja e Uhudit është një ngjarje e madhe. Pas betejës, Profeti i Shenjtë s.a.v.s.  i tha Ubej Ibn Ka’bit: ‘Shko dhe kujdesu për të plagosurit’. Duke kontrolluar gjendjen e sahabëve të plagosur, ai mbërriti te Hazret Sa’d bin Rabiu, i cili kishte marrë plagë të rënda dhe gjendej në grahmat e fundit të jetës të tij. Ubej ibn Ka’biu e pyeti, nëse ai donte t’u përcillte ndonjë mesazh te të afërmit apo njerëzit e tij të dashur. Hazret Sa’di i tha duke buzëqeshur se po priste me padurim që dikush nga muslimanët të kalonte atje dhe ai t’i linte atij një amanet. ‘Vëre dorën në dorën time dhe më jep fjalën se do të japësh patjetër mesazhin tim.’ Kjo tregon që edhe në atë gjendje të rëndë, qe i vetëdijshëm, andaj i kërkoi betimin që t’u përcillte amanetin njerëzve të tij të dashur. Amanetin që ai u la atyre ishte kështu: ‘Përcill përshëndetjen time te vëllezërit e mi muslimanë. Thuaji popullit tim dhe të afërmve të mi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  është amaneti më i shtrenjtë nga Zoti i Madhëruar që ekziston mes nesh. Ne e kemi mbrojtur këtë amanet me jetën tonë. Por, Tani ne po largohemi (nga kjo botë) dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur këtë amanet të shtrenjtë, po ju besojmë juve. Ju nuk duhet të shfaqni asnjë dobësi në mbrojtjen e tij.’

Hazret Musleh Mo’udi r.a. shkruan më tej:

“Merrni në mend një situatë, ku njeriu kupton se i ka ardhur çasti kur duhet ta lërë këtë botë. Çfarë mendimesh i shkrepen në kokë? Ai mendon se çfarë do të ndodhë me gruan e tij. Kush do të kujdeset për fëmijët e tij? Por, ky sahab nuk dha asnjë mesazh të tillë. Ai tha vetëm kaq se po e lë këtë botë duke përmbushur detyrën e tij për të mbrojtur Profetin e Shenjtë s.a.v.s. . Këta njerëz kishin fuqinë e besimit me të cilën e përmbysën rendin e botës dhe mposhtën mbretëritë e Cezarit dhe të Kisrasë. Cezari Romak ishte habitur se çfarë njerëzish ishin këta. Kisraja i shkroi komandantit të tij se nëse nuk mund t’i ndalonte përparimin e atyre arabëve, ai më mirë të tërhiqej nga fronti dhe të ngujohej në shtëpi e të vinte byzylyk”. Pra, të mbyllej në shtëpi si gra dhe të heqë dorë nga lufta? Ai e turpëroi gjeneralin e tij duke thënë se si mund të mposhtej nga ata që ushqehen me ngordhësira. Pra, i quajti muslimanët si një popull i pa civilizuar dhe i neveritshëm. Në këtë mënyrë, sipas mbretit, muslimanëve nuk mund t’u atribuohen as tiparet njerëzore. “Komandanti iu përgjigj se ata nuk janë njerëz të zakonshëm, pasi vringëllojnë shpatat dhe shtizat në një mënyrë që i kapërcen fuqitë njerëzore.”[8]

Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka shkruar këtë ngjarje edhe në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Kur përfundoi beteja e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  nisi një sahab që të kujdesej për të plagosurit. Ai gjeti një sahab nga radhët e ensarëve, në një gjendje tejet kritike. Ai iu afrua atij dhe i tha: ‘Vëlla, nëse ke ndonjë mesazh, më thuaj. Unë do t’ua përcjell të dashurve dhe të afërmve të tu’. Ai i tha: ‘Unë, në fakt, po prisja me padurim, që të vinte dikush nga Medina, dhe përmes tij, t’u dërgoja një mesazh të afërmve të mi. Më vjen mirë që më gjete. Të lutem, shtrëngoje dorën time dhe më premto se do t’ia përcjellësh këtë mesazh familjes sime’. Sahabiu ia shtrëngoi dorën dhe i dha fjalën se do t’ia përcillte mesazhin me çdo kusht.

Atëherë, sahabiu i plagosur i tha: ‘Shkoni dhe tregoni të dashurve të mi, të afërmve dhe vëllezërve dhe motrave se Muhammedi s.a.v.s.  është thesari më i çmuar i popullit tonë dhe ky është amaneti i popullit tonë, që jeton mes nesh. Jam i bindur se edhe ju e kuptoni vlerën e vërtetë të kësaj dhurate të çmuar, por gjithashtu e konsideroj si detyrë t’ju përcjell këtë mesazh se për sa kohë që jemi gjallë, nuk kemi lejuar asnjë pakujdesi në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij amaneti. Kemi harxhur çdo fuqi për ta mbrojtur atë. Tani po vdes dhe po ju besojmë juve këtë amanet. Unë pres nga të gjithë djemtë e mi, vëllezërit e mi si dhe prej fëmijëve të tyre që ta mbrojnë këtë amanet të shenjtë duke flijuar edhe jetën e tyre dhe që të mos lejojnë asnjë lëkundje në këtë detyrë.’”[9]

Hazret Kalifi II r.a. ka cituar këtë ngjarje edhe në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Në luftën e Uhudit, kishte mbetur i plagosur një ensar prijës. Ai ishte në gjendje kaq të rëndë, saqë të vdiste brenda pak çasteve. Njëri nga sahabët i cili e gjeti të shtrirë në fushë, iu afrua me nxitim. Duke e parë atë në këtë gjendje, ai e pyeti, nëse donte t’i jepte një mesazh bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve të tij. Ai i tha: ‘Po, mezi prisja ta gjeja ndonjë musliman e t’i jepja një mesazh’. Kalifi II r.a. thotë më tej: “Të gjithë e dinë se sa e vështirë është koha kur njeriut i vjen vdekja. Personi që vdes, nëse i mbeten vetëm disa minuta, ai dëshiron t’i kalojë ato duke folur me gruan, fëmijët, vëllezërit dhe motrat. Dëshiron të lërë ndonjë amanet për ta, por sahabiu në fjalë nuk gjendej në një shtrat të butë në shtëpi, të rrethuar nga bashkëshortja dhe fëmijët, por trupi i tij gjendej në tokë gurishtore, larg familjes dhe shtëpisë.

Por, edhe në këtë gjendje, ai nuk tha për t’i bërë të fala shoqes së tij, apo për t’i thënë asaj që të kujdesej mirë për fëmijët e tij. Ai nuk tha asgjë se si duhet ndarë pasuria e tij mes trashgimtarëve apo për pronat apo pasuritë e tij, që mund t’i kishte lënë borxh dikujt. Ai tha vetëm kaq: ‘Fëmijëve dhe vëllezërve të mi jepu këtë mesazh prej meje se Muhammedi s.a.v.s.  është një amanet i çmuar i Zotit që gjendet midis jush. Unë e kam mbrojtur atë duke luftuar deri në frymën e fundit. Dua t’u lë një porosi vëllezërve dhe fëmijëve të mi të dashur që edhe ata ta mbrojnë këtë amanet duke dhënë edhe jetën”. Këto ishin fjalët e tij të fundit, e pastaj ai ndërroi jetë.’”[10]

Shembujt e dashurisë dhe besnikërisë ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.  janë të tilla, që njeriu mbetet i habitur prej tyre. Allahu na dhuroftë edhe neve një frymë të tillë dashurie! Nëse na ngjallet një dashuri e tillë ndaj Profetit s.a.v.s. ,ne do të rritemi jo vetëm në lidhjen tonë me Allahun, por do të përpiqemi të largojmë edhe dobësitë tona. Në këtë mënyrë, adhurimet dhe moralet tona do të përvetësojnë tiparet islame. Allahu na mundësoftë!

Nemzai i xhenazes në mungesë

Tani do t’ju tregoj për disa raste vdekjeje.

  1. Mensur Shebuti

Në radhë të parë, dua të përmend të ndjerin dr. Mensur Shebutin nga Jemeni. Z. Shebutin e kishin burgosur në Jemen për shkak të lidhjes së tij me Xhematin Musliman Ahmedia. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi) Policia e kishte arrestuar për shkak të lidhjes së tij me xhematin, dhe gjatë qëndrimit në qeli, i kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore. Ne nuk dimë saktësisht, pasi na mungon informacioni, a nuk i kishin kushtuar vëmendjen e duhur autoritetet e burgut apo ndoshta kishin ushtruar dhunë ndaj tij, megjithatë ka ndërruar jetë në gjendjen e robërisë. Në këtë mënyrë ai është dëshmor madje dëshmori i parë ahmedian në Jemen.

I ndjeri ka lënë pas nënën e moshuar, bashkëshorten, dhe dy djem Ajmanin dhe Bilalin. Vëllai i të ndjerit është z. Nasir Shebuti i cili jeton këtu në Londër. Ai ka njoftuar se policia i ka dorëzuar trupin e pajetë djalit të tij më 1 shkurt. Meqë të gjithë burrat ahmedianë, mbahen në qeli në paraburgim, prandaj në namazin e xhenazes kanë marrë pjesë vetëm të afërmit jo-ahmedianë të të ndjerit dhe po ata kanë kryer ceremoninë e varrimit. Naser Shebuti ka shkruar që gjyshi i tij Abdullah Muhammed Othman Shebuti ishte i pari ahmedian në Jemen ndërsa Mahmud Abdullah Shebuti, i cili qe babai i të ndjerit dr. Mensur Shebuti ishte misionari i parë në Jemen. Nëna e të ndjerit quhet znj. Shahrukh Nasrin, e cila është e bija e z. Sjed Beshir Ahmad Shah sahibit dhe të znj. Farrukh Khanum nga Rabva, në Pakistan. Znj. Farrukh Khanum i përket fisit Xhunud. Ajo së bashku me nënën e saj znj. Halima Banu dhe vëllain Sejid Haxhi Junudullah kishin pranuar Imam Mehdiun a.s. duke përmbushur fjalë-për-fjalë porosinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.  se kur të vijë Imam Mehdiu, ju duhet të lidhni besëlidhjen ndaj tij edhe nëse ju duhet të ecni gjunjazi në male të mbuluara me borë.

Të parët e kësaj familjeje kishin ardhur në Kadian, duke bërë një rrugë të mundimshme përmes maleve të mbuluara të Kashgarit që gjenden sot në Xinjiang (Shinjiang) të Kinës, dhe hyjnë në besëlidhje me Imam Mehdiun a.s.. Nëna e të ndjerit dr. Mensur Shebuti ishte pjesëtare e kësaj familjeje të nderuar. Në mesin e atyre që erdhën në Kadijan duke ecur në borë ishte edhe gjyshja e saj.

Bilal Shebuti është djali i të ndjerit dr. Mensur Shebuti, dhe ai shkruan për ngjarjen e martirizimit me këto fjalë: “Forcat e policisë bastisën me dhunë shtëpinë tonë. Ai e shtynë babanë dhe i vunë armën në gjoks. Ata donin të më merrnin edhe mua, por babai tha: ‘Me vritni mua, por mos ma merrni djalin’. Në namazin e xhenazes dhe ceremoninë e varrimit, kishte marrë pjesë vetëm djali i tij ahmedian që është vetëm 16 vjeç. Ai mori pjesë në varrim, pasi nuk gjendej asnjë ahmedian tjetër.

Ai gjithashtu shkruan se policia ia kishin rrëmbyer paratë babait të tij, dhe më pas e akuzuan se dikush i dërgon para nga jashtë edhe pse i ndjeri i mohoi kategorikisht këtë akuzë tha ato para i kishte fituar nga puna, dhe që nuk i kishte dërguar askush nga jashtë.

Të ashtuquajturit hoxhallarët dhe ulematë kanë përhapur këtë shpifje kudo në botë rreth ahmedianëve, gjoja meazallah ata marrim para nga fuqitë perëndimore dhe agjenda jonë është kundër Islamit. Kjo akuzë është e pabazë, pasi çdo ahmedian harxhon paratë e tij dhe bën sakrifica financiare për hir të Islamit, me të vetimin qëllim që të përhapet mesazh i Islamit anembanë botës, dhe t’u ofrohen ndihma njerëzve të nevojë. Megjithatë, pjesa tjetër e përshkrimit është shumë e gjatë.

Unë dua të rrëfej çka ka shkruar bashkëshortja e të ndjerit. Ajo shkruan: “Policia më tregoi qelinë, ku e kishin mbajtur bashkëshortin tim. Bashkëshorti im kalonte kohën e tij duke falur namazin dhe mallëngjehej në nafile. E kishin arrestuar, sepse disa ahmedianë kishin njoftuar policinë se i ndjeri merrte para nga Britania, të cilat i shpenzon për të ngritur forcat e milicisë në Jemen. Kjo nuk është veçse shpifje e ndyrë që nuk ka asnjë bazë, dhe që u hodh poshtë edhe gjatë hulumtimit. Policia gjithashtu pranoi se ata ishin gati ta lironim të ndjerin, kur shëndeti iu përkeqësua për shkak të ankthit.

Megjithatë, kjo është deklarata e policisë, sipas asaj që ka shkruar bashkëshortja e të ndjerit. Mundet që oficerët kishin tjetër sjellje ndaj të ndjerit, por nëpënësit varës të kenë vepruar në mënyrë arbitrare dhe sjellja e tyre e rreptë të ketë ndikuar në shëndetin e tij.

Megjithatë, vëllai i të ndjerit z. Nasir Shebuti ka shkruar në lidhje me të kështu: “Vëllai ynë dr. Mensur Shebuti ishte një njeri human dhe shumë dashamirës. Ai ishte në mesin e dhjetë studentëve më të mirë në mbarë vendin, dhe ishte shpërblyer gjithashtu nga Qeveria. Ai ishte shumë i rregullt në faljen e pesë namazeve obligative, falte edhe namazin e tehexhudit, recitonte çdo mëngjes rregullisht Kuranin e Shenjtë si dhe shpenzonte në rrugën e Allahut. U jepte përparësi njerëzve të tjerë, përpara familjarëve të tij, kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor. Ai bisedonte me pacientët e tij gjithmonë me buzëqeshje. Nuk u kërkonte kurrë para pacientëve të varfër. Madje, u jepte atyre gjithashtu ilaçe papara. Ai ndërmjetësonte edhe në raste kur pacientët kishin vështirësi për t’u shtruar në spital. Nëse bënte operacione ndaj njerëzve të varfër, ai hiqte tarfiën e operimit nga paga e tij. Ai shkruan se sa herë që sëmurej ndonjëri nga fqinjët, vinte direkt te vëllai për mjekim. Më vonë, kur i ndjeri u vendos në kryeqytetin Sana’a, fqinjëve u erdhi keq. Ai ishte shumë i sjellshëm me prindërit e tij, madje u mundësoi atyre kryerjen e haxhit.

Nëna e të ndjerit, znj. Shahrukh Nesrin shkruan: “Kur isha shtatzënë, pashë në ëndërr se një zonjë e mirë nga Rabva, e cila quhej Zejneb, ngriti nënën time në krahë dhe tha se po vjen Mesihu i Premtuar a.s.. Unë shoh andej-këtej në kërkim të Mesihut të Premtuar a.s. por nuk gjeta askënd. Kështu, më doli gjumi. Doktori i ndjerë ishte i dhënë pas tabligut që në fëmijëri. Në shkollë, ai bisedonte me mësuesin e teologjisë rreth xhematit Ahmedia. Edhe mësuesi e dëgjonte me vëmendje pa asnjë kundërshtim.

Ahmed Shabuti është djali i doktorit të ndjerë që jeton në Gjermani. Ai shkruan se babai i tij nuk e kishte qortuar e as dënuar kurrë në jetë. Ai shkruan: “Mbaj mend që ai më ka rrahur vetëm një herë, kur isha 13 vjeç, për arsyen se nuk kisha pranuar të falesha me xhemat. Babai më këshillonte gjithmonë se sa herë që gjendem në vështirësi, t’i lutem Allahut. Ai vetë e bënte këtë. Unë e kam parë duke qarë në sexhde. Kur nisa shkollën, ai më zgjonte për namazin e sabahut. Pasi falnim namazin me xhemat, recitonim pjesë nga Kurani.

Ai kishte mbrojtur doktoratën në kirurgji, dhe për këtë kishte shkuar në Jordani, ku qëndroi për 5 vjet. Unë gjithashtu shkova njëherë në Jordani për ta takuar babin. Xhamia apo qendra e faljes, ku shkonim për namazin e së xhumasë, ndodhej një orë larg. Ai më merrte edhe mua, për faljen e xhumasë dhe vetë i jepte makinës. Ai ishte shumë i dhënë pas leximit të librave dhe studionte veçanërisht literaturën e xhematit. Kur ai u kthye nga Jordania, kishte sjellë me vete një çanta mjaft të rëndë. Unë mendova se ai na paska blerë dhurata të shumta. Por, aty nuk kishte asnjë lodër, por përkthimi arabisht i Tefsir Kebirit dhe disa libra të tjerë fetarë.

Ai i vizitonte të afërmit e tij, edhe nëse ata nuk ishin ahmedianë. Gjatë vizitës, më merrte mua dhe nënën time. Kur i pyesja pse është e nevojshme t’i takojmë të afërmit joahmedianë, ai thoshte se i Dërguari i Allahut s.a.v.s.  ka urdhëruar për t’i ruajtur lidhjet farefisnore. Nëse ne i ndërpresim marrëdhëniet me ta, do të tërheqim zemërimin e Allahut.

Znj. Marva Shebuti shkruan: “I ndjeri ishte njeri i respektuar, i virtytshëm, gjithmonë i buzëqeshur, i dashur, përkrahës, i ndershëm, bujar, i njerëzishëm, i sjellshëm dhe shumë i zgjuar. Ai shkëlqeu gjithmonë në studime dhe ishte një mjek i njohur në mbarë Jemen. I ndjeri shquhej për veprimtarinë humanitare si dhe për kontributin ndaj xhematit. E donin të gjithë njësoj, qofshin ahmedianët apo jo-ahmedianët dhe të gjithë janë tronditur nga vdekja e tij.

Ka komente edhe nga persona jashtë xhematit. Unioni i mjekëve nga Jemeni, bëri një deklaratë, përmes së cilës shprehu pikëllimin dhe keqardhjen për vdekjen e këshilluesit të Kirurgjisë së Përgjithshme dr. Mensur Shebuti. Ina lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun. Vdekja e tij në rrethana të paqarta dhe dyshuese ka shkaktuar shqetësim dhe ankth. Sipas informacioneve të marra deri më tani, para se të arrestohej nga policia, dr. Mensuri ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht as arsyen e arrestimit të tij dhe as njoftuan për vendndodhjen e tij prej dy javësh. Vetëm një apo dy ditë para vdekjes, ata njoftuan se ndodhej në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Në rrjetet sociale kanë shkruar edhe disa nga miqtë e tij joahmedianë. Njëri prej tyre është dr. Halit Adib, i cili nuk është anëtar i xhematit. Ai shkroi: “Herën e parë që shkova për të punuar në repartin e urgjencës të Spitalit Sana’a, pashë shumë mjekë që qëndronin rreth një mjeku të ri. Kur pyeta se kush ishte ai, një koleg më tha se ai ishte dr. Mensur Shebuti, i cili është këshilluesi i kirurgjisë së përgjithshme dhe është njeriu më punëtor dhe bashkëpunues më i zellshëm nga të gjithë mjekët e tjerë. Të gjithë mjekëve dhe studentëve u pëlqente të punonin me të, sepse ai përpiqej më së shumti për të ndarë dijen dhe përvojën me të tjerët. Ai nuk lakmonte as për para e as për pozitë, apo famë. I ndjeri ishte shumë i qetë, i gjakftohtë, i zellshëm, i kujdesshëm për shëndetin e tij. E shikoja gjithmonë të buzëqeshur dhe me moral shumë të lartë. Nuk kishte asnjë grimcë nga egoizmi apo lakmia për mjetet materiale.

Një mik shkroi se vdekja e tij është një humbje e madhe për Jemenin. Jemeni ka humbur një njeri të mirë që kishte një zemër të pastër dhe që e kaloi jetën në shërbim të të sëmurëve.

Pastaj një mik shkroi se pacientët shëroheshin nga mjekimi i dr. Mensurit. Ai ishte njeri me moral të lartë. Të gjitha gazetat në Jemenin e Jugut e kanë botuar lajmin për vdekjen e tij me tituj të ndryshëm, për shembull, lajmi më i madh titullohet kështu: “vrasja e mjekut më të famshëm”, apo “Vdekja e mjekut më të njohur”, dhe “rrëmbimi i mjekut më të famshëm” etj..

Dikush më ka shkruar se përmes tij, tashmë është përhapur emri i xhematit në Jemen dhe kjo ngjarje e rëndë mund të shërbejë si mjet përhapjeje, Allahu xh.sh. e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin, dhe famijarëve të tij u dhëntë durim e kurajë!  Allahu i përmirësoftë rrethanat! Allahu u dhëntë liri edhe atyre ahmedianëve që gjenden në qeli!

  1. Salahudin Muhammed Saleh Abdul Kadir Odeh

Rasti i dytë i vdekjes është e z. Salahuddin Muhamed Saleh Abdul Kadir Odeh, i cili ishte babai i Sherif Odeh Sahibit, Kryetar i Xhematit në Kebabir. Më 31 janar, gjatë operacionit në spital, ai kishte pësuar një sulm në zemër dhe si pasojë ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare. (In-na lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun) i ndjeri ishte pjesëtar i sistemit të vesijatit. Ai ka lënë pas bashkëshorten dhe tre djem; Muhammed Sherif Odeh, Munir Odeh dhe Amir Odeh si dhe një vajzë Manal Odeh. I ndjeri ka lënë pas nipër e mbesa. Dy nipërit e tij, Aziz Masrur Munir Odeh dhe Bashiruddin Mehmud Odeh, janë duke studiuar në Institutin e Teologisë së Xhematit në Kanada.

Sherif Odeh sahibi shkruan se gjyshi i të ndjerit Alhaxh Saleh Abdul Kadir Odeh ishte një nga ahmedianët e parë të Palestinës, i cili bëri bejat në vitin 1928. Pas tij, ishte anëtarësuar edhe stërgjyshi i të ndjerit Abdul Kadir Odeh dhe pas pak kohësh babai i të ndjerit Muhamed Odeh gjithashtu lidhi besëlidhje në xhemat. Kështu, me mëshirën e Allahut, babai, gjyshi dhe stërgjyshi i të ndjerit ishin të gjithë ahmedianë.

I lindur në vitin 1939, ai ishte një ahmedian i lindur. Kur ishte 14 vjeç, për ndonjë punë kishte dalë nga shtëpia, ndërsa ishte dimri i acartë. Ai nuk ishte veshur mjaftueshëm dhe kështu trupi ngriu nga ftohti. Ai humbi vetëdije dhe u rrëzua për tokë. Të afërmit e gjetën pas një kërkimi të gjatë dhe e dërguan menjëherë në spital. Ishte një situatë tepër dëshpëruese. Doktori pas kontrollit, u shpreh se së pari do të ishte një mrekulli që ai të mbijetonte, por nëse mbijetoi, ai nuk do jetë kurrë në gjendje të ketë fëmijë. Në atë kohë Çaudri Muhammed Sherif shërbente si imam atje, dhe ai menjëherë shkroi një letër Kalifit II, duke i kërkuar lutje për shërimin e djalit. Pas kësaj, me mëshirën e Allahut, ai u shërua, madje u martua dhe Allahu i dha tre djem dhe një vajzë. I ndjeri, ashtu si i ati, gjatë gjithë jetës së tij ishte pionier në rrugën e thirrjes.

Po ashtu, i ndjeri i mbante mysafirët e Mesihut të Premtuar a.s. me shumë hyzmet. Këtë aspekt të jetës së tij, e kanë dëshmuar të gjithë ata që vinin për të shprehur ngushëllime.

Në lidhje me mikpritjen e të ndjerit, djali i tij Sherif Oda sahibi ka shkruar se edhe mysafirët ishin mësuar me përkujdesjen dhe hyzmetin e tij. Ata që vinin mysafirë, donin të qëndronin si mysafirë vetëm tek ai. Një herë një prift kishte ardhur për vizitë. Por, kur mësoi se i ndjeri nuk ndodhej në shtëpi, prifti tha se do të vijë vetëm atëherë kur babai i tyre gjendej në shtëpi. Dua të shijoj pritjen e tij bujare. I ndjeri kujdesej edhe për të varfrit dhe nevojtarët dhe shpenzoi për ta. Ata ahmedianë të rinj, familjet e të cilëve kishin ndërprerë lidhjet me ta, u shpërngulën në Kababir dhe u vendosën atje përgjithmonë. I ndjeri i mbajti të gjithë si një baba dashamirës. Me rastin e vdekjes së tij, një grua tha se burri im e kalonte pjesën më të madhe të kohës me të ndjerin dhe tani thotë se nuk e di se te kush duhet të shkojë. Pastaj Sherif sahib thotë se në vend që të shpjegonte me argumente dhe shembuj, babai i edukonte me sjelljen e tij praktike. Ai e përsëriste duke bërë gjëra të tilla. Babai ishte shumë i dhënë pas leximit, lexonte ndonjë libër nga literatura e xhematit, prandaj kishte njohuri të thellë e të gjerë.

Pastaj Sherif sahibi thotë babai i ndjerë, edhe nëse ishte në moshë të thyer, ai kurrë nuk pati nevojë për ndonjë ndihmë prej tyre në pleqëri. Përkundrazi, ai na ndihmonte dhe ishte i lumtur që fëmijët e tij po i shërbenin xhematit.

Mbesa e të ndjerit dr. Jasmin thotë. Unë kam jetuar me gjyshërit e mi në shtëpinë e tyre për disa vjet. Kam parë se si gjyshi im i ndjerë i përkushtohej namazit dhe tehexhudit dhe e kalonte shumicën e kohës në xhami apo në qendër të xhematit. Sipas rutinës së tij të përditshme, ai gatuante ushqime për mysafirët, u shërbente atyre apo merrej me mirëmbajtje e riparime etj. në qendër të xhematit. Argëtimi i tij i preferuar ishte leximi i librave të Xhematit, madje edhe në ditën kur ndërroi jetë, gjetëm një libër të hapur në krevat. Njëherë kishim nevojë për disa riparime në shtëpi, kështu që gjyshi im i ndjerë i tha gjyshes se nuk kemi nevojë të merremi me to, pasi do të vdesim së shpejti. Ai tha se paratë e mbledhura për riparimin e shtëpisë, më mirë t’u japim ndonjë nevojtari. Kur mjeku ia nënshtroi kontrollin, para se të fillonte ndërhyrje në zemër, ai zbuloi se jo vetëm që zemra e tij ishte shumë e dobët, por edhe arteriet i ishin bllokuar thuajse. Ai u habit se si kishte mundur të vazhdonte të lëvizte për një periudhë kaq të gjatë. Mirëpo, i erdhi vdekja ashtu siç ai lutej, pra që të vdiste duke ecur, e jo duke dergjur në shtrat. Lutja iu pranua dhe ai lëvizte deri në ditën kur ndërroi jetë.

Sherif Odeh sahibit thotë se babai shpenzonte bujarisht për të tjerët. Një ditë, një i afërm i moshuar i kërkoi ndihmë, dhe babai nxori gjithçka që kishte në xhep dhe ia dha atij. Njëherë Molana Fazl Elahi Bashir sahibi, i cili shërbente si imam atje, e këshilloi të ndjerin të kontribuonte paratë për ndërtimin i xhamisë në Kebabir. I ndjeri kishte një shumë të madhe në shtëpi, që sapo kishte marrë prej dikujt, ai shkoi në shtëpi dhe i dha të gjitha ato para për xhaminë. Njëherë, ai ishte operuar për hernie. Një anëtar e vizitoi dhe pyeti për shëndetin dhe si po kalonte. Ai tregoi se kishte akoma shumë dhimbje. Vizitori e pyeti çuditërisht se nëse ishte në këtë gjendje, përse po punonte. I ndjeri tregoi se kishte bërë shumë pak punë, vetëm kishte vendosur disa sende në vendin e tyre dhe ka riparuar një derë, që ishte prishur. Vizitori u habit dhe i tha se derisa i ishte nënshtruar operimit, duhet t’i shmangej plotësisht çdo pune të rëndë fizike. I ndjeri iu përgjigj se s’kishte çfarë të bënte, se nuk rrinte dot pa punuar. Shërbimi ndaj xhematit është gjithashtu detyra ime.

Sejfuddin Ebu Asedi është nga Palestina. Ai shkruan: “Te i ndjeri Salahudin Odeh sahibi, kemi parë vetëm mirësi. Gjatë qëndrimit në Kebabir, e pashë se ishte tejet i sinqertë ndaj xhematit. Ishte një njeri i dashur dhe u bënte mirësi të gjithëve. Edhe pse, djali i tij shërbente si kryetari i Xhematit, ai pa asnjë hezitim merrej me shërbimet mikpritjeje. Unë kam mësuar shumë vite më vonë se është babai i kryetarit të xhematit, sepse ashtu siç po shërbente me përkushtim në xhemat, nuk e kam menduar kurrë se do të jetë babai i Amirit të Xhematit. I ndjeri ishte tejet i thjesht, modest dhe i përulur.

Dr. Ejman El-Maliki ka shkruar se i ndjeri na udhëhiqte në namazin e sabahut e pastaj shkonte drejt në kuzhinën e mensës së xhematit. Ai punonte pa u lodhur gjithë ditën deri në orët e vona të natës. Kjo ishte rutina e tij gjatë shtatë ditëve të javës. I ndjeri ishte mirëdashësi i kalifatit dhe e respektonte thellë sistemin e Xhematit. Kjo bindje ishte ngulitur thellë në zemrën e tij, aq shumë saqë ai ngrihej në këmbë nëse hynte djali i tij në xhami, sepse ai ishte emir. Ai ishte angazhuar deri në fund të jetës në shërbim të xhematit, në çështjet e thirrjes a predikimit dhe kryerjen e detyrave të xhematit me shumë entuziazëm dhe pasion. Është rrallë të gjendej sot një entuziazëm e tillë për shërbim. Ai përjetoi epokën e katër kalifëve dhe shpesh përmallej me bisedën rreth Kalifatit.

Muhammed Alauna Sahib shkruan dhe thotë se ai u betua para njëzet vjetësh dhe pas kësaj kur shkoi Kabiri, më takoi me shumë dashuri dhe sinqeritet dhe e pashë duke i shërbyer xhematit. Përkundër moshës së vjetër, ai punonte me sinqeritet që nuk shihet as në rini. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe i dhembshur.

Muhammad Alauna Sahibi ka shkruar që ai është anëtarësuar në xhemat 20 vjet më parë. Kur shkova për herë të parë në Kebabir, unë e takova të ndjerin, i cili më priti me dashuri dhe ngrohësi. Edhe nëse ishte në moshën madhore, unë gjithmonë e kam parë të angazhuar në punë të ndryshme në xhemat. Një shembull i tillë, ne nuk e gjejmë as në rini.

Znj. Nemel Exhve Sahiba thotë: Unë i përkas qytetit el-Khalil. Kur erdha këtu me dy fëmijët e mi, unë nuk kisha asnjë banesë. I ndjeri më tha që t’i lija vajzat tek ai, dhe të qëndroja në Daruz-Zijafet, kështu që për një muaj e gjysmë ai u kujdes për vajzat e mia dhe u siguroi atyre ushqim dhe kushte të tjera të nevojshme. Ajo thotë se për mua i ndjeri ishte si baba i dashur. Kur mësova për vdekjen e tij, m’u duk sikur shpirti më ka dalë nga trupi.

Shemsuddin Sahibi, murabbi lokal nga Kebabiri thotë se nuk i pëlqente të hidhte ndonjë send të vjetër të xhamisë apo të zyrave të xhematit, madje sende apo pajisje të prishura, i riparonte dhe i bënte funksionale dhe prapë të përdorueshme. Një metodë e tillë e kursimit, duhet përdorur edhe në vende të tjera. Ndonjëherë e shikonim se kur të vinin disa njerëz, duke lypur para për ndihmë në xhami, i ndjeri sillej me ta, njësoj sikur sillej me mysafirët dhe u jepte për të pirë e për të ngrënë. trajtoheshin nga mysafirët e nderuar të ndjerë dhe u ulën dhe ushqeheshin.

Znj. Rana Odej Xhehangir Sahiba shkuran: Unë jam mbesa e të ndjerit. Gjyshi im zgjohej çdo natë herët për faljen e tehexhudit. Po ashtu ishte shumë i kujdesshëm për pesë namazet e obliguara. Gjyshi im kujdesej shumë për nevojat e të varfërve. Nganjëherë njerëzit i thoshin që ai duhet të harxhonte paratë e tij edhe për veten e tij, por përgjigjja e tij ishte gjithmonë se më pëlqen t’i jap këto para nevojtarëve. Ai kishte besim të plotë në Zot dhe kishte dashuri të pamasë për Kalifatin.

Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin, ia ngritë gradët në xhenet dhe pasardhësve të tij u dhuroftë durim e kurajë dhe vazhdofshin me veprat e mira.

  1. Rehana Ferhet bashkëshortja e Keramatullah Khadim, murabbi në Rabveh

Referencat

[1] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, “Tefsire Kebir”, vëll. II, botuar në 2004, f. 660.
[2] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, “Tefsire Kebir”, vëll. X, i botuar në 2004, f. 341,342.
[3] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, “Tefsire Kebir”, vëll. II, botim 2004, f. 290-291.
[4] Hazret Mirza Ghulam Ahmed, “Melfuzat, vëll. IX, botim 2022, f. 266-267.
[5] E marrë nga “Es-Siretul Halbije”, vëll. II, botuar nga Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 327,328.
[6] “Et-Tabakatul Kubra”, vëll. III, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 396.; “El-Ist’iab”, vëll. II, Darul Xhejl, Bejrut, f. 590,591, “Usdul-Ghab-ba”, vëll. II, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, f. 433.
[7] Mirza Bashir Ahmedi, “Siret Hatemun-Nebijjin”, f. 500.
[8] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, “Tefsire Kebir”, vëll. VII, botim 2004, f. 338.
[9] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, “Tefsire Kebir”, vëll. X, botim 2004, f. 185.
[10] Mirza Beshiruddin Mehmud Ahmedi, „Hutbat-e-Mehmud“, vëll. XXIII, hutbeja e mbajtur më 30 janar 1942, f. 45-46.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp