
Pas kthimit nga beteja e Ahzabit (Hendekut), ndonëse mohuesve u ishte prerë guximi dhe u ishin zbehur shpresat, prapëseprapë ata ende ndienin që ata ishin në shumicë, ndërsa muslimanët në pakicë. Ata kujtonin se do t’i kapnin muslimanët kudo, qoftë edhe individualisht, e do t’i vrisnin, që të hakmerreshin për poshtërimin e tyre. Kështu që, vetëm pak kohë pas humbjes së betejës së Hendekut, fiset që jetonin rreth e përqark Medinës, filluan të plaçkitnin muslimanët. Disa kalorës të fisit Fezara ua plaçkitën muslimanëve devetë që kullotnin afër Medinës. Ata ua vranë bariun, e burgosën gruan e tij dhe u zhdukën me gjithë devetë e muslimanëve. Gruaja e burgosur arriti disi të shpëtonte veten, por armiku kishte marrë tashmë një tufë devesh.
Një muaj pas kësaj ngjarjeje, njerëzit e fisit Getfan, në veri të Medinës, tentuan t’u grabitnin muslimanëve kope të tjera devesh. Profeti s.a.v.s. dërgoi Muhammed bin Muslimanë r.a. me dhjetë kalorës të tjerë, që të njihej me situatën dhe njëherësh edhe t’i mbronte kopetë. Por, armiqtë i vranë muslimanët. Edhe Muhammed bin Muslimanë kujtuan se e vranë, por ai jetonte ende, vetëm se ishte pa ndjenja. Ai e mori veten pasi armiku kishte ikur dhe erdhi në Medinë për të treguar gjithçka që u kishte ndodhur. Ai u tregoi se armiqtë i kishin vrarë të gjithë shokët e tij dhe se vetëm ai kishte shpëtuar.
Pas disa ditësh një emisar i Profetit s.a.v.s., që i ishte dërguar qeverisë romake, u sulmua dhe u grabit nga fisi Xherhem. Një muaj më pas fisi Benu Fezarah sulmoi një karvan të muslimanëve dhe e grabiti. Ka të ngjarë që ky sulm nuk ishte për një armiqësi fetare, sepse Benu Fezarah ishte një fis grabitqar dhe plaçkiste gati çdo popull dhe i vriste njerëzit. Gjatë kësaj kohe, edhe hebrenjtë e Khejberit, të cilët ishin bashkëshkaktarë të betejës së Hendekut, nxitnin fise të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj muslimanëve për humbjen e tyre. Ata shtynin edhe autoritarët, edhe fiset që jetonin në zonat kufitare të Perandorisë Bizantine, që të shfaqeshin kundër muslimanëve.
Kështu që, mohuesit arabë tanimë nuk kishin guxim ta sulmonin Medinën, por duke bashkëpunuar me hebrenjtë, ata u shkaktonin muslimanëve shqetësime dhe plaçkitje në gjithë Arabinë. Por, Profeti s.a.v.s. ende nuk kishte marrë vendim për një ballafaqim vendimtar kundër mohuesve. Ai priste që kjo luftë civile të merrte fund në mënyrë paqësore.