
Dhuna ndaj muslimanëve po kalonte çdo cak. Disa qenë larguar nga Meka. Të mbeturit torturoheshin më shumë se përpara, por zemrat e shtypësve nuk ngiheshin së persekutuari. Kur vunë re që muslimanët asfare nuk u trembën persekutimeve të bëra kundër tyre dhe në vend që t’u lëkundej besimi, ata gjallëruan akoma më shumë adhurimin ndaj Zotit të Vetëm dhe shfaqën akoma më shumë urrejtjen ndaj idhujve të tyre, atëherë ata mblodhën këshillin e tyre, që vendosi të bënte bojkotim total kundër tyre: të mos kishin marrëdhënie me ta, as shoqërore e as tregtare.
Në këto rrethana, Profeti Muhammed s.a.v.s. bashkë me disa ndjekës të tij dhe familjarët e tyre, si dhe me ata të afërm të tij të pakët, të cilët edhe pse nuk ishin bërë muslimanë, por nuk donin t’i largoheshin atij, u detyrua të merrte strehë në një vend që ishte pronë e Ebu Talibit. Nuk mund ta imagjinojë ndonjëri se ç’periudhë vuajtjesh hoqën ata, pasi kishin humbur pasuri, mjete dhe gjithçka tjetër që u duhej për mbijetesë.
Kjo gjendje vazhdoi afërsisht tri vite me radhë, por në vendimin e Mekës nuk pati asnjë lëshim. Pas tri vitesh, pesë njerëz shpirtmirë të qytetit u rebeluan kundër bojkotimit. Ata shkuan te hyrja e vendit të Ebu Talibit dhe u bënë thirrje të ngujuarve që të dilnin, sepse bojkotimi kundër tyre do të thyhej. Ebu Talibi, që ishte dobësuar tej mase nga rrethimi dhe skamja e gjatë, doli, i mallkoi dhe u tha se dhuna e tyre në asnjë mënyrë nuk mund të përligjej.
Rebelimi i këtyre pesë njerëzve zemërmirë vetëtimthi u përhap në qytet. Natyra njerëzore edhe një herë filloi të ngrejë kokën. Shpirti i mirësisë sërish zuri të regëtinte dhe banorët e Mekës u detyruan t’i jepnin fund bojkotimit djallëzor,[1] i cili megjithatë, do t’i linte pasojat e tij një nga një. Vetëm pas pak ditësh, bashkëshortja besnike e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hatixhja r.a., ndërroi jetë nga vuajtjet e gjata. Një muaj më pas ndërroi jetë edhe Ebu Talibi.
Pengesat në përhapjen e mesazhit pas vdekjes së Hatixhes dhe të Ebu Talibit
Profeti Muhammed s.a.v.s. jo vetëm që nuk e kishte më shoqërinë jetësore të bashkëshortes Hatixhe, por do të humbte edhe mbrojtjen prindërore të Ebu Talibit. Vdekjet e tyre zbehën edhe atë pak rezervë të njerëzve ndaj Profetit dhe sahabëve të tij, që kishin në të gjallë të tyre. Nuk kishte më ndonjë pengesë, sado e vogël qoftë, për mekasit që të ushtronin dhunë kundër muslimanëve.
Ebu Lehebi, vëllai i vogël i Ebu Talibit, ishte njëri ndër armiqtë e fortë të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Fillimisht për shkak të vdekjes dhe dëshirës së fundit të Ebu Talibit, ai e përkrahu Muhammedin s.a.v.s.. Por, kur mekasit i ngjallën ndjenjat armiqësore duke i thënë se si mund ta shoqëronte atë derisa ai folkësh kundër atyre që nuk besojnë në një Zot, dhe thënkësh që ata do të ndëshkohen, Ebu Lehbi sërish ndërpreu marrëdhëniet me Profetin, madje bëri betimin se do ta kundërshtonte më shumë se përpara.
Tri vite rrethimi të muslimanëve natyrisht i kishin ftohur lidhjet e tyre me banorët që ishin jashtë dhe këta të fundit ishin mësuar të jetonin të ndarë nga muslimanët, gjë që përbënte një shkak tjetër për t’i kufizuar veprimtaritë misionare të Profetit Muhammed s.a.v.s. Kur ai u gjend përballë kësaj ngrirjeje, mendoi që në vend të mekasve, mesazhin e Islamit t’ua jepte njerëzve të tjerë, atyre të Taifit.
Dhuna që shtohej gjithnjë e më shumë, shpejt ia forcoi vendimin. Mekasit nuk ia vinin veshin Profetit s.a.v.s., por edhe kur përballeshin me të, i hidhnin rërë në kokë, në mënyrë që ai të mos u afrohej fare. Një ditë, po në këtë gjendje ai u kthye në shtëpi. E bija zuri të qante duke ia hequr rërën.
“Zoti është me babanë tënd moj bijë! Mos qaj!”, e ngushëlloi Profeti.[2]
Ai nuk shqetësohej nga lëndimet. Shqetësimi i tij ishte që njerëzit nuk donin ta dëgjonin, kurse lëndimet, ai i quante të nevojshme. Çuditërisht, dita më e vështirë për të ishte kur ai nuk lëndohej nga dikush. Shkruhet se, një ditë, Profeti Muhammed s.a.v.s. doli nëpër rrugicat e Mekës për të përhapur mesazhin, por me një plan të paracaktuar, askush nuk i foli, as nuk e shqetësoi, qoftë ndonjë skllav, qoftë i lirë. Profeti s.a.v.s. u shtri diku, tejet i mallëngjyer nga kjo sjellje shpërfillëse, derisa Zoti i Lartësuar i dha kurajë duke thënë:
“Shko o Muhammed te populli yt sërish, rishtas e rishtas dhe zgjoje atë! Mos u dëshpëro nga shpërfillja e tyre!”
Pra, për Profetin e Zotit s.a.v.s. nuk ishte e rëndë që njerëzit e lëndonin. Ai kishte ardhur për t’i dhënë udhëzim botës, ndaj, si mund të duronte që njerëzit të mos i flisnin dhe të mos e dëgjonin fare. Për këtë arsye, ai mori vendimin që të shkonte në Taif dhe atyre t’ua dërgonte mesazhin e Zotit.
Këtë fat e sjellin profetët e Zotit për vete. Ata shkojnë herë këtej, herë andej, që t’u përcjellin mesazhin e tyre popujve të ndryshëm. Kështu ndodhi edhe me Musainas. Edhe ai herë iu drejtua popullit të Faraonit, herë popullit të Isakut e herë atij të Medjenit. Edhe Isaias shkoi herë në Galile, herë në zonat matanë Jordanisë, herë në Jerusalem e herë diku tjetër që t’u drejtohej njerëzve të ndryshëm.
[1] Siret Ibni Hisham, vëll. II, Egjipt, 1936, f. 14-17.
[2] Es-siratul-Halabija, vëll. I, Egjipt, 1932, f. 391.