
Durimi
Profeti s.a.v.s. thoshte:
“Besimtari ka vetëm të mira në këtë botë dhe përveç tij, askush tjetër nuk gëzon këtë fat. Kur gëzon ndonjë sukses, ai falënderon Zotin për të dhe kështu atë e pret shpërblimi nga Zoti i Lartësuar. E nëse e godet ndonjë vështirësi, ai duron dhe edhe kështu atë e pret shpërblimi nga Zoti i Lartësuar”.[1]
Afër vdekjes së tij, Profeti s.a.v.s., një ditë, po rënkonte nga dhimbjet e sëmundjes. E bija Fatimja r.a. u shpreh e shqetësuar: “Ah, nuk i shoh dot dhimbjet e babait tim”. Profeti s.a.v.s., kur e dëgjoi, i tha:
“Duro moj bijë! Pas kësaj dite, asnjë dhimbje nuk do ta kapë babanë tënd”.[2]
Domethënë, ai i thoshte që dhimbjet e tij do të ishin vetëm në këtë botë dhe atë ditë ai do të shkonte te Zoti i tij, për të mos pasur më kurrë ndonjë dhimbje.
Në vazhdë të kësaj teme, le të përmendim edhe një porosi tjetër të Profetit s.a.v.s.. Nëse binte ndonjë epidemi, Profeti s.a.v.s. kurrë nuk dëshironte që dikush të largohej nga vendi i tij, sepse në këtë mënyrë, kishte rrezik që sëmundja të përhapej edhe në vende të tjera. Ai thoshte që nëse ndokush preket nga ndonjë epidemi dhe ai duron e qëndron në vendin e tij për të mos e përhapur sëmundjen në vende të tjera dhe vdes nga ajo, atëherë ai do të vlerësohet si dëshmor.[3]
Bashkëpunimi
Profeti s.a.v.s. gjithmonë i këshillonte sahabët r.a. e tij të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Kështu, ai kishte vendosur një rregull për xhematin e tij që nëse ndokush prej sahabëve bënte ndonjë shkelje, e cila i sillte gjobë dhe ai nuk do të kishte mundësi ta paguante gjobën, atëherë banorët e lagjes, apo të qytetit apo të kombit të tij, bashkërisht do t’ia shlyenin gjobën.
Disa njerëz që i vinin për t’i shërbyer fesë, Profeti s.a.v.s. këshillonte të afërmit e tyre t’ua përballonin shpenzimet dhe të kujdeseshin për nevojat e tyre. Enesi r.a. rrëfen që gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dy njerëz, që ishin vëllezër, u bënë muslimanë. Njëri prej tyre filloi të qëndronte pranë Profetit s.a.v.s. dhe tjetri merrej me zanatin e tij. Ky i dyti, një ditë, iu ankua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të vëllanë duke thënë se ai rrinte kot dhe nuk bënte asnjë punë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Mos thuaj kështu. Zoti i Lartësuar falë atij të furnizon me risk, ndaj, shërbeji dhe lëre të lirë që të punojë për fenë”.[4]
Një herë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me sahabët e tij ishte në një udhëtim. Pasi udhëtuan gjithë ditën, u ndalën në një vend për të kaluar natën. Sahabët filluan të hapnin tendat dhe të bënin punë të tjera të nevojshme për qëndrim. Të gjithë i ndanë detyrat midis njëri-tjetrit, por të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. nuk e ngarkuan me ndonjë detyrë. Ai tha pse s’i kishin dhënë ndonjë punë dhe pastaj vetë tha që do të mblidhte drunjtë për të gatuar ushqim. Sahabët i thanë: “O i Dërguari i Allahut, jemi këtu për të punuar, nuk keni nevojë të shqetësoheni”, por ai u tha: “Në asnjë mënyrë jo. Edhe unë kam për detyrë të kontribuoj”. Kështu që ai mblodhi dru nga pylli, që sahabët r.a. të gatuanin ushqim.[5]
Anashkalimi
Profeti s.a.v.s. gjithmonë i këshillonte njerëzit që nuk duhet të kritikojnë kot dikë për punët që nuk u interesojnë, sepse në këtë mënyrë krijohet sherr. Ai thoshte që paraqitja më e mirë e Islamit prej dikujt është që ai të mos ndërhyjë kot në një punë që s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me të. Ky virtyt i tij padyshim është bazë për të vendosur paqe në botë. Mijëra trazime krijohen në botë vetëm për shkak se njerëzit nuk tregohen të gatshëm për të ndihmuar atë që gjendet në vështirësi, por më kot bëhen gati për të kritikuar të tjerët në çështjet e tyre.
[1] Muslimi, Kitabuz-zuhd bab el-mumin amruhu kulluhu khejr.
[2] Buhariu, Kitabul-magazi, bab merdin-Nebiji s.a.v.s. ue uefatihi.
[3] Buhariu, Kitabut-tib, bab exhris-sabiri fit-taun.
[4] Tirmidhiu, Kitabuz-zuhd, bab fi tevekuli elellah.
[5] Zerkani, vëll. IV, f. 265.