Si të largojmë urrejtjen e disa muslimanëve që kanë për Xhematin Ahmedia?
(Pjesë e shkëputur nga Hutbja)
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a. tha:
“Nëse njerëzit ju kundërshtojnë dhe ju shajnë, duhet ta dini që ata më shajnë edhe mua, kanë sharë edhe Mesihun e Premtuar a.s.. Por ju nuk duhet të harroni se këta janë vëllezërit tuaj dhe kanë rënë në keqkuptime. Andaj, mos u zemëroni ndaj tyre, përkundrazi, lutuni për ta dhe përpiquni që t’ua tregoni të vërtetën. Në momentin kur do t’ua tregoni të vërtetën, ata do të kuptojnë se ne nuk jemi armiq të Profetit Muhammed s.a.v.s., madje jemi të dashuruarit e tij, atëherë po këta që po na sulmojnë sot, do të na bëhen mbështetës flijues.”
Pra, duhet të lutemi për këta që na kundërshtojnë dhunshëm, siç ju tregova edhe më parë, këtë na mësoi edhe vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., sepse po prej tyre, një ditë, do të pikojë dashuria.
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke treguar një ngjarje të Hazret Maulvi Abdul Kerimit thotë:
Hazret Maulvi Abdul Kerimi thotë: Një herë ne kishim qëndruar në një shtëpi. Në katin e dytë isha unë, kurse në të parin ishte Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Një natë dëgjoja klithma nga kati i poshtëm. Dëgjoja të qarat sikur qan një grua shtatzënë kur lind. U habita. Shkova diku afër dhe tentova të vendosja veshin diku që të dëgjoja më qart se çfarë kishte ngjarë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po lutej me përgjërim:
“O Allah! Murtaja është përhapur kudo. Njerëzit po vdesin. O Zot! Nëse këta vdesin, kush do të ngelet për të besuar Ty?!”
E njëjta ngjarje përmendet në një rrëfim tjetër me ndryshimin se nuk ishin kate, por dy dhoma të ndryshme. Sidoqoftë, ngjarja është e njëjtë. Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:
“Shikoni, murtaja ishte një shenjë e vërtetësisë së Mesihut të Premtuar, e parashikuar vetë nga Profeti Muhammed s.a.v.s.. Edhe profecitë e Mesihut të Premtuar a.s. për murtajën po vërtetoheshin. Por kur ra murtaja, i njëjti njeri për vërtetësinë e të cilit ishte përhapur ajo, përgjërohet me dënesa përpara Zotit të Madhërishëm dhe thotë: O Zot! Nëse këta vdesin, kush do të të besojë Ty?!
Kjo tregon që besimtari nuk duhet të mallkojë njerëzit e zakonshëm, sepse ai ngrihet për t’i shpëtuar pikërisht ata. Detyra e besimtarit është t’i shpëtojë njerëzit e zakonshëm. Nëse ai do t’i mallkojë ata, kë do t’i shpëtojë më pas?! Do vdesin të gjithë, po iu pranua lutja.
Ahmediati u vendos pikërisht për të shpëtuar Islamin. Ahmediati u ngrit pikërisht për të shpëtuar muslimanët, për t’i kthyer njeriut madhështinë e tij të humbur. Andaj, nuk mund të lutemi për ndëshkimin e atyre njerëzve, për të ndihmuar të cilët Zoti na ka ngritur ne.
Hazret Kalifi i Dytë r.a. vijon:
Zoti i Madhërishëm ka më shumë sedër se ju. Ai i dërgoi si shpallje Hazret Mesihut të Premtuar:
اے دل! تو نیز خاطرِ ایناں نگاہ دار
کاخر کنند دعوے حبِّ پیمبرمTi, o Zemër, prapëseprapë për ta ki dhembshurinë
fundja, pretendojnë dashuri për Pejgamberin!
Allahu i Madhërishëm i drejtohet zemrës së Mesihut të Premtuar a.s. në këto vargje dhe thotë:
Zemër! Mbaj në konsideratë ndjenjat dhe mendimet e tyre, që të mos u nxijnë shpirtrat. Nuk duhet që ti duke mos duruar t’i mallkosh ndonjë ditë. Fundja, ata pretendojnë dashuri për Profetin tënd dhe pikërisht për shkak të kësaj dashurie të tyre, ata të shajnë ty.
Pra, sharjet dhe lëndimet e tyre ndaj nesh janë për shkak të dashurisë për Profetin Muhammed s.a.v.s.. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Ne e dimë që një pjesë e kundërshtarëve, na kundërshtojnë në mënyrë të padenjë, por ka një pjesë prej tyre që ka rënë në grackë të pjesës së parë, dhe shumica janë pikërisht ata që janë të mashtruar, qoftë në Pakistan, qoftë në vende të tjera të botës. Kjo është arsyeja pse na kundërshtojnë ata. Me një fjalë, kundërshtimi i tyre është për shkak të dashurisë për Udhëheqësin tonë s.a.v.s.. Kur atyre do t’u zbulohet dhe do t’u bëhet e qartë që ne jemi të dashuruar pikërisht me Profetin Muhammed s.a.v.s., ata do të vijnë për të na ndihmuar duke thënë se pikërisht këta po e lartësojnë figurën e Profetit s.a.v.s.. Kjo ditë do të vijë patjetër. inshaAllah. Deri kur do të qëndrojnë keqkuptimet!
Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s. vijon:
Një autor anglez shkruan:
“Ju mund të mashtroni gjithë botën për pak ditë. Ose mund të mashtroni pak njerëz përgjithmonë. Por, nuk mund ta mashtroni gjithë botën përgjithmonë.”
Pra, mundet që të gjithë njerëzit të mashtrohen për disa ditë, ose dhjetë veta të mashtrohen përjetësisht. Por nuk mundet që e gjithë bota të mashtrohet përgjithmonë. E vërteta gradualisht del në shesh. Kjo është pikërisht ajo që ne shohim. Po prej këtyre kundërshtarëve po vijnë njerëzit dhe po bëhen ahmedianë. Si po rritet numri i anëtarëve të Xhematit? Pikërisht nga këta, të cilët deri më parë ishin kundërshtarë.
Prandaj, ky kundërshtim inshaAllah, një ditë do të përfundojë dhe po prej kundërshtarëve do të dalin ata që do të bëjnë bëjatin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s..
Shumë njerëz që ishin kundërshtarë më shkruajnë. Edhe këto ditë, madje, duke treguar se pas kundërshtimit, kur i kanë kushtuar rëndësi ta studiojnë Xhematin, të luten, atyre iu zbulua e vërteta dhe më thonë – Duam të bëjmë bëjatin! Kështu ndodh që nga fillimi. Për këtë kanë shkruar edhe Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, edhe Kalifët e tjerë pas tij. Shumë raste të tilla ndodhin në çdo kohë dhe po ndodhin edhe sot e kësaj dite.
Prandaj, nëse disa hoxhallarë japin deklarata kundër nesh, ata vetëm po përhapin emrin dhe mesazhin e Xhematit Ahmedia, sidomos në atë shtresë ku ne nuk mund të arrinim dot. Kështu që, ata po bëjnë punën tonë dhe për dobinë tonë. Ne lutemi edhe për ta që Allahu i Madhërishëm u dhëntë mend nëse u ka mbetur qoftë ndonjë grimë drite në shpirtrat e tyre, por në veçanti duhet të lutemi për muslimanët e zakonshëm që Allahu i shpëtoftë nga gracka e tyre!
Sidoqoftë, ky kundërshtim është për të mirën tonë. Mesazhi i Ahmediatit arrin në vende, ku ne nuk kishim shkuar asnjëherë, ose ku nuk mund ta çonim dot ne mesazhin. Më pas, vetë njerëzit na kontaktojnë prej atyre vendeve, pra disa prej tyre, dhe sqarohen. Prandaj, detyra jonë është vetëm të bëjmë dua dhe të durojmë. Kjo është metoda më e mirë, e cila, inshaAllah Te’ala, do të na çojë drejt suksesit. Detyra jonë është që të kemi zemër të pastër për muslimanët e tjerë, të lutemi për ta që Allahu i Madhërishëm shpejt u haptë sytë, në mënyrë që ata të arrijnë të shohin Imamin e Kohës dhe ta pranojnë atë!