Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Mesihu i Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

https://soundcloud.com/zeri-i-islamit/fsa20160325-al

Para dy ditësh, ka qenë data 23 mars, e cila ka rëndësi të madhe në Xhematin Ahmedia, sepse në këtë datë, Zoti i Madhërishëm përmbushi një premtim që i kishte bërë Profetit Muhammed s.a.s. dhe umetit të tij. Në këtë datë, u plotësua profecia e të Dërguarit të Allahut s.a.s. dhe u nis epoka e dytë e Islamit. Pra, pikërisht me këtë datë, Allahu i Madhërishëm e porositi Hazret Mirza Ghulam Ahmedin, a.s. që të njoftonte se ai është Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu, i cili do t’i tregonte botës argumente të ekzistencë së Zotit të Gjallë e të Vetëm, do të bënte Islamin që të triumfojë mbi të gjitha fetë e tjera, duke provuar se ai është feja më e përsosur dhe do të mbushte zemrat e njerëzve me dashurinë ndaj Profetit të fundit, Hazret Muhammedit s.a.s.

Sot, jemi ata fatlumë, që bëjmë pjesë në Xhematin e Mesihut të Premtuar. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo ditë, dy ditë përpara, janë organizuar mbledhje në xhemate të ndryshme, të cilat i quajmë “Dita e Mesihut të Premtuar” dhe në të cilat hedhim dritë mbi qëllimin e ardhjes së Mesihut të Premtuar, mbi themelimin e Xhematit të tij dhe mbi rëndësinë që ka kjo ditë. Nga ana tjetër, anëtarët e Xhematit i shprehin mirënjohje Zotit të Madhërishëm, i cili i mundësoi ta zbatonte porosinë e Profetit Muhammed s.a.s., duke pranuar Mesihun e Premtuar dhe Imam Mehdiun e tij dhe duke ia dërguar selamin e tij.

Duhet të dimë se nëse pranimi i Mesihut të Premtuar a.s., nga njëra anë, na bën të gëzohemi e ta falënderojmë Zotin, nga ana tjetër na ngarkon edhe me përgjegjësi. Kështu që, kemi nevojë t’i njohim përgjegjësitë tona dhe t’i kushtojmë vëmendje përmbushjes së tyre.

Cilët janë përgjegjësitë tona? Përgjegjësitë tona janë t’i çojmë përpara misionet me të cilat erdhi Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Vetëm atëherë do të mund të jemi ndër ata, të cilët do të ndërtojnë një tokë dhe qiell të ri. Kështu që, për t’i kuptuar mirë përgjegjësitë, na duhet ta njohim Mesihun e Premtuar a.s., të kuptojmë se cilat ishin qëllimet e ardhjes së tij dhe deri në ç’mënyrë i kemi njohur dhe i kemi realizuar ato dhe ç’kontribut kemi dhënë në përhapjen e mesazhit të tij.

Misioni i Mesihut të Premtuar

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., në një vend, thotë:

Detyra që më ka ngarkuar Zoti, është që të largoj keqkuptimin e krijuar në lidhjen midis Zotit dhe robërve të Tij dhe ta rivendos lidhjen e dashurisë dhe të sinqeritetit. Së dyti, nëpërmjet përhapjes së të vërtetës, t’u jap fund luftërave fetare dhe të themeloj pajtimin. Së treti, t’i tregoj botës të vërtetat fisnike të besimit, të cilat janë bërë të fshehura. Së katërti, t’i tregoj spiritualitetin me shembull, i cili ka shkuar poshtë errësirave të ndërgjegjes njerëzore. Së pesti, fuqitë e Zotit që hyjnë në qenien njerëzore dhe shfaqen përmes përqendrimit dhe lutjes, t’ia tregoj botës në mënyrë reale dhe jo thjesht me fjalë. Më e rëndësishmja se çdo gjë tjetër është që të mbjell bimën e njëshmërisë së Zotit te njerëzit, njëshmëri e cila të jetë e ndritur dhe e pastër nga çdolloj shirku. E gjithë kjo nuk do të bëhet me forcën time, por me forcën e Atij Zoti, që është Zoti i qiellit dhe i tokës.

Në këtë citat, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përmendur shkurtimisht shtatë pika themelore, të cilat njëherësh janë nevoja e kohës. Derisa ai tha se Zoti i Madhërishëm e ka dërguar për këtë punë, do të thotë se pasuesit e tij, në radhë të parë, t’i hedhin në veprim në jetën e tyre dhe pastaj t’ia tregojnë edhe botës bukurinë e Islamit dhe faktin se ai është një fe e gjallë. Andaj, detyra jonë kryesore është që të përforcojmë lidhjen tonë me Zotin e Madhërishëm edhe më shumë, të përparojmë në dashuri e sinqeritet ndaj Zotit, të dërguarit të Tij dhe fesë së Tij, gjithashtu, t’i tregojmë botës që me ardhjen e Mesihut të Premtuar a.s. luftërat fetare kanë marrë fund.

Ky është një objektiv dhe, tashmë, kemi vetëm shërbëtorin e vërtetë të Profetit Muhammed s.a.s., që do ta kthejë botën në një popull të vetëm dhe të cilin Zoti i Madhërishëm e ka dërguar me petkun e të gjithë profetëve. Sipas misionit të tij, detyra jonë është që të bëjmë të qartë para botës mësimet e bukura të Islamit dhe vërtetësinë e tij dhe për këtë, na duhet të tregojmë modelin tonë përmes veprave tona. Kemi nevojë të vendosim modele të përparimit në spiritulitet, duke  asgjësuar dëshirat tona vetjake. Kemi nevojë t’i tregojmë botës që Zoti i Madhërishëm dëgjon lutjet njësoj si më parë, u përgjigjet të zgjedhurve të Tij, dhe, gjithashtu, ua mundëson kënaqësinë e zemrës, siç bënte më parë. Ne duhet t’i tregojmë botës që Allahu i Madhërishëm është Një dhe i Vetëm dhe çdo gjë përveç Tij do të asgjësohet. Është vetëm Ai që ka qenë dhe është i Përhershëm. Andaj, shpëtimi ynë varet pikërisht duke u lidhur me Zotin e Vetëm dhe të Përhershëm.

Kur kremtojmë Ditën e Mesihut të Premtuar me 23 marsin, kemi nevojë të bëjmë analizë që këto pika që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ia tregoi botës, a i praktikojmë ne siç duhet apo jo, ose a përpiqemi vallë, për ta sjellë këtë revolucion në jetën tonë, pasi jemi pasuesit e tij? Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shpjeguar në libra të ndryshëm qëllimin e ardhjes së tij. Sot, do t’ju paraqes disa nga citatet e tij që lidhen me këtë temë. Në një vend, ai thotë:

Ky modest është dërguar me qëllim që t’u përcjell mesazhin të gjithë njerëzve se ndër të gjitha fetë që ekzistojnë sot, vetëm feja që solli Kurani Famëlartë është e vërtetë dhe është në përputhje me dëshirën e Zotit të Madhërishëm dhe dera për të hyrë në botën e shpëtimit është la ilaha il-lallah, Muhammedur-rasulullah.

Në një vend tjetër, ai thotë:

Dëgjoni me zemër se cili është qëllimi kryesor i ardhjes sime! Qëllimi dhe arsyeja e ardhjes sime është vetëm rilindja dhe mbështetja e Islamit. Me këtë nuk duhet kuptuar se kam ardhur me një sheriat të ri ose kam sjellë porosi të reja. Absolutisht jo. Ai që mendon një gjë të tillë, sipas meje, është krejtësisht i devijuar dhe femohues. Sheriati dhe profetizmi u vulos mbi Profetin Muhammed s.a.s. dhe nuk mund të vijë më asnjë sheriat tjetër. Kurani Famëlartë është vula e të gjithë librave. Tanimë, nuk mund t’i shtohet apo t’i pakësohet atij asnjë pikë a presje. Po, është e vërtetë që ndikimi dhe bekimet e Profetit Muhammed s.a.s. dhe fryti i udhëzimit dhe mësimit të Kuranit Famëlartë nuk kanë përfunduar. Ato janë të freskëta në çdo kohë dhe si dëshmi e këtyre bekimeve, Zoti i Madhërishëm më ka dërguar mua.

Se në ç’gjendje është Islami sot, nuk është e fshehtë për askënd. Është pranuar nga të gjithë se muslimanët janë të pleksur në çdolloj dobësie dhe rënieje. Gjuhët i kanë të shëndosha, por zemrat nuk i kanë. Islami tashmë është bërë jetim. Në këtë situatë Zoti i Madhërishëm më ka dërguar mua, gjë që ka bërë në përputhje me premtimin e Tij, që unë ta mbështes dhe ta udhëheq atë (Islamin). Sepse Vetë Zoti i Madhërishëm ka premtuar:

Sigurisht, Ne e kemi zbritur këtë këshillë dhe Ne do ta mbrojmë atë. (Kurani Famëlartë 15:10)

Kjo do të thotë se Vetë Zoti i Madhërishëm e ka marrë përsipër përgjegjësinë e përhapjes së mesazhit të Kuranit Famëlartë dhe të mbrojtjes së tij dhe po me këtë qëllim do ta dërgonte Mesihun e Premtuar.

Vallë, cila tjetër mund të ishte koha, përveç kohës së sotme, kur Kurani Famëlartë do të duhej të mbështetej, të ndihmohej dhe të mbrohej? Në këtë shekullin e 14-të (të Islamit) gjendja e Islamit është e njëjtë që ka qenë gjatë kohës së betejës së Bedrit, për të cilën Allahu i Madhërishëm tha:

Dhe Allahu ju ka ndihmuar në Bedër, kur ju ishit të dobët. Prandaj, druhuni Allahut që të bëheni mirënjohës. (Kurani Famëlartë 3:124)

Edhe ky ajet përbënte një profeci. Pra, në shekullin e 14-të (të Islamit), kur Islami do të dobësohej dhe do të mbetej i papërkrahur, atëherë Allahu i Madhërishëm, sipas premtimit të Tij, do ta ndihmonte.

Cila tjetër mund të ishte koha, përveç kohës së sotme, kur Kurani Famëlartë do të duhej të mbrohej nga Zoti? Click to Tweet

(Sepse në arabisht, bedër do të thotë hëna e natës së 14-të. Përkthyesi)

Atëherë, përse çuditeni nëse Ai e ka ndihmuar Islamin? Nuk më vjen keq nga fakti që të tjerët më quajnë dexhall dhe gënjeshtar dhe thurin lloj-lloj akuzash ndaj meje, sepse ishte e pashmangshme të bëhej e njëjta sjellje me mua, që u bë me të dërguarit para meje, në mënyrë që edhe unë të kisha pjesë nga kjo praktikë e hershme.

Duke treguar qëllimet e ardhjes së tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Ardhja ime ka dy qëllime: 1) për muslimanët, që ata të pajisen me takvanë e dëlirësinë e vërtetë dhe të bëhen muslimanët e vërtetë, ashtu siç Zoti i Madhërishëm pret nga ata, të cilën e tregon në emrin “muslim”;  2) për të krishterët, që kryqi të thyhet dhe të mos duket zoti i tyre i krijuar e të adhurohet Zoti i Vetëm. Përse po më kundërshtojnë mua që kam këto qëllime? Ata duhet të dinë se ajo punë që bëhet nga hipokrizia dhe për jetën e lig të kësaj bote, i shkatërron autorët  e vet. Vallë, a mund të fitojë gënjeshtari?

Allahu nuk e udhëzon atë që e shkel kufirin dhe që është gënjeshtar. (Kurani Famëlartë 40:29)

Për shkatërrimin e gënjeshtarit, mjafton vetëm gënjeshtra e tij. Por, një punë që bëhet për të shfaqur madhështinë e Zotit të Madhërishëm dhe bekimet e të dërguarit të Tij dhe që është nisur Vetë nga dora e Zotit, atë e mbrojnë engjëjt e Tij. Kush mund të jetë që mund t’i pengojë ata? Mbajeni mend! Nëse xhemati im është vetëm një batakçillëk, nuk do t’i mbetet as nam e as nishan. Por, nëse ai është nga Zoti i Madhërishëm, dhe padyshim që është prej Tij, edhe sikur ta kundërshtojë e gjithë bota, ai do të përhapet, do të lulëzojë dhe engjëjt do ta mbrojnë atë. (Inshallah). Nëse nuk do të kem asnjë njeri me mua dhe askush nuk do të më ndihmojë, prapëseprapë besoj me bindje se ky xhemat do të korrë sukses. Nuk shqetësohem nga kundërshtimet, sepse ato i konsideroj pjesë të pandashme të përparimit të xhematit tim. Asnjëherë nuk ndodhi që të ketë ardhur ndonjë i dërguar dhe kalif i Zotit të Madhërishëm, dhe njerëzit ta kenë pranuar me qetësi. Sa e çuditshme është bota! Sado i pastër dhe i dëlirë të jetë njeriu, të tjerët nuk do të pushojnë duke thurur akuza kundër tij.

Sot kanë kaluar 127 vite dhe ne vazhdimisht shohim që mbështetja e Zotit të Madhërishëm është me Mesihun e Premtuar a.s.. Ky xhemat, me bekimin e Zotit, po përparon . Prandaj, është detyra jonë që të sjellim ndryshime të pastra në jetën tonë dhe të paraqesim veten si ndihmëtarë për përmbushjen e qëllimeve të ardhjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në të kundërt, ai e tha se ai nuk ka nevojë për askënd nga ne. Zoti Vetë do ta ndihmojë atë përmes engjëjve të Tij dhe do ta bëjë xhematin e tij të përparojë dhe Ai po e bën këtë.

Duke shpjeguar qëllimin e ardhjes së tij, në një libër tjetër, ai thotë:

Zoti i Madhërishëm më ka dërguar që t’i zbuloj para botës thesaret e varrosura dhe t’i pastroj ato nga balta që u është hedhur. Zoti i Madhërishëm dëshiron fort në këtë kohë që ta pastrojë e ta shenjtërojë Kuranin Famëlartë nga akuza e çdo armiku të poshtër.  Çfarë budallallëku do të ishte që, kundërshtarët që po na sulmojnë përmes penës, ne të kacafyteshim fizikisht me ta!

Unë po ju them shumë qartë se në këtë situatë, nëse dikush do të zgjedhë rrugën e luftës dhe të grindjes në emër të Islamit, ai vetëm do ta njollosë Islamin. Islami asnjëherë nuk synoi që shpata të përdorej pa arsye dhe pa nevojë. E kam thënë edhe më përpara që, luftërat në këtë kohë kanë marrë një natyrë profesionale dhe ato nuk kanë më asgjë që kanë të bëjnë me fenë, por janë bërë vetëm për qëllimet e kësaj bote. Atëherë, çfarë mizorie do të ishte nëse do t’ua tregonim shpatën atyre që po na sulmojnë me penën. Me ndryshimin e kohës, ka ndryshuar edhe metoda e luftës.

Prandaj, është e nevojshme që, më së pari të arsyetoni me zemrën dhe me mendjen tuaj dhe të pastroni nefsin tuaj dhe me anë të sinqeritetit dhe të takvasë, Allahut të Madhërishëm t’i kërkoni ndihmë dhe fitore. Ky është një ligj dhe parim i pandryshueshëm i Zotit të Madhërishëm. Nëse muslimanët dëshirojnë të kenë fitore në këtë duel vetëm përmes fjalëve dhe bisedave, kjo nuk është e mundur. Allahu i Madhërishëm nuk i do fjalët dhe bisedat boshë, por e do takvanë (druajtjen) e vërtetë dhe Atij i pëlqen dëlirësia e vërtetë, siç e thotë në Kuranin Famëlartë:

Sigurisht, Allahu është me ata që kanë druajtje dhe që janë mirëbërës. (Kurani Famëlartë 16:129)

Pra, është pikërisht takva ajo që duhet ta përvetësojmë dhe me anë të saj t’i tregojmë botës mësimet e vërteta të Islamit. Edhe muslimanëve të tjerë duhet t’u tregojmë se përhapja e Islamit është e kushtëzuar me takvanë dhe në vend që të përparojnë në mizori e barbari, ta krijojnë takva në veten e tyre.

Këto sulme që bëhen në emër të Islamit, realisht jo se po e ndihmojnë Islamin, por përkundrazi, e njollosin. Vrasja e të pafajshmëve tërheq mospëlqimin e Zotit të Madhërishëm. Ditët e fundit, janë vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm në Belgjikë dhe qindra të tjerë janë plagosur. Autorët e krimeve të tilla asnjëherë nuk mund të fitojnë pëlqimin e Zotit. Prandaj, në këtë kohë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. haptas e kishte thënë se

“Luftërat dhe betejat tashmë janë të ndaluara”

Në këtë kohë askush nuk mund të thotë se nuk e ka marrë dot këtë mesazh, sepse çdokush e di se ky është mesazhi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe është një mesazh shumë i qartë. Zoti u dhëntë mend atyre që bëjnë mizori në emër të besimit, që shkaktojnë gjakderdhje duke e quajtur veten muslimanë, të cilët qofshin qeveri, qofshin grupe të ndryshme. Zoti i bëftë që ta dëgjojnë zërin e Imamit të kohës dhe të heqin dorë nga mizoritë dhe ta përdorin armën e vërtetë që Zoti i ka dhuruar Mesihut të Premtuar në këtë kohë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Binduni se nevoja e kohës nuk është shpata, por pena. Dyshimet që kanë krijuar kundërshtarët tanë rreth Islamit dhe sulmet që kanë bërë ndaj fesë së vërtetë të Zotit, nëpërmjet shkencave dhe strategjive të ndryshme, më kanë tërhequr vëmendjen që unë të dal i armatosur me dije e të hidhem në logun e shkencës dhe t’u tregoj njerëzve fuqinë dhe trimërinë shpirtërore të Islamit. Si mund të isha unë i aftë për këtë betejë? Ky është vetëm bekim dhe mirësi shumë e madhe e Allahut të Madhërishëm që dëshiron ta shfaqë nderin e fesë së tij përmes një njeriu kaq të dobët si unë.

Njëherë pata numëruar akuzat dhe sulmet që kundërshtarët tanë i bëjnë ndaj Islamit dhe sipas meje ato shkonin deri në tre mijë. Por, tani ato duhet të jenë shtuar akoma më shumë. Le të mos kuptojë ndokush që Islami u bazuaka në gjërat kaq të dobëta saqë mund të ngrihen tre mijë akuza kundër tij. Jo, në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë kjo. Këto janë akuza të ngritura nga njerëzit e paditur dhe naivë, por sinqerisht ju them të vërtetën, se duke i numëruar këto akuza, unë kam zbuluar se, pikërisht atje fshiheshin të vërteta të rralla, të cilat, akuzuesit, nga mungesa e largpamësisë, nuk i shikonin dot. E vërteta është që kjo është një prej urtësive të Zotit të Madhërishëm që aty ku ngeci akuzuesi i verbër, Ai fshehu thesar të të vërtetave hyjnore.

Duke treguar se Allahu i Madhërishëm e ka dërguar që t’i tregonte botës dritën islame dhe gabimin e doktrinës së krishtere, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Këta po i bien daulles që, vetë e morën në qaf. Çfarë tjetër mund të shkruajmë rreth doktrinave të tyre! E vërteta është ajo që solli Islami dhe Zoti mua më ka dërguar që t’ua tregoj dritën islame atyre që janë kërkimtarë të së vërtetës. E vërteta është që Zoti është Një dhe i Vetëm. Madje, unë besoj se edhe sikur të mos zbriteshin as Ungjijtë, as Kurani Famëlartë dhe as librat e profetëve të tjerë, kishte mjaft prova për njëshmërinë e Zotit, sepse shenjat e saj gjenden që në natyrën e njeriut.

Të thuash se Zoti ka bir, është njësoj të besosh në vdekjen e Zotit, sepse biri vjen që të mbetet si përkujtim i të atit. Tani, nëse Mesihu qenka i biri i Zotit, lind pyetja se a mos vallë Zotit do t’i vijë vdekja? Shkurt, të krishterët, në doktrinat e tyre, nuk e vlerësuan as madhështinë e Zotit dhe as aftësitë njerëzore dhe besuan në të tilla gjëra, që nuk mbështeten nga drita hyjnore. Nuk mund të gjesh qoftë një të krishterë që të tregonte mrekulli dhe të provonte besimin e vet me anë të shenjave që duhet të ketë një besimtar. Kjo epërsi dhe kjo krenari është pjesë e Islamit, sepse në çdo epokë Zoti ka dërguar shenja mbështetëse për të. Kështu, Ai nuk e ka privuar as këtë epokë nga kjo gjë. Ai më ka dërguar mua pikërisht për këtë qëllim, që ta shfaq vërtetësinë e Islamit me anë të shenjave mbështetëse që janë veçantia e Islamit. I bekuar është ai që vjen me zemër të çiltër tek unë për të marrë të vërtetën dhe i bekuar është ai që e pranon të vërtetën kur e gjen.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka hedhur poshtë edhe doktrinat e gabuara që kanë hyrë te muslimanët, njëra prej të cilave është besimi i tyre se Hazret Isai është ende i gjallë në qiell. Ai tha se Zoti i Madhërishëm e ka dërguar që t’ua zbulojë muslimanëve pavërtetësinë e kësaj doktrine dhe ta heqë atë nga rrënjët, doktrinë të cilën e kanë marrë nga të krishterët. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kurani Famëlartë e përmend shumë qartë dhe me argumente shpëtimin e Hazret Isait a.s. nga kryqëzimi. Por mjerisht, në dhjetë shekujt e fundit, kur Islami u përball me një mori sfidash, iu shtua edhe problemi në fjalë dhe e vërteta që ka thënë Kurani, u mbulua nga errësira dhe muslimanët, fatkeqësisht, e ngulitën besimin se Hazret Mesihu u ngjit i gjallë në qiell dhe se do të zbresë prej atje, pak para kiametit. Zoti i Madhërishëm mua më ka dërguar në këtë shekullin e katërmbëdhjetë, në mënyrë që t’i largoj gabimet që u krijuan brenda muslimanëve, t’i tregoj botës realitetin e Islamit, t’u përgjigjem akuzave ndaj Islamit, të cilat vijnë nga jashtë gjirit të muslimanëve dhe t’ua zbuloj realitetin e feve të rreme. Kam ardhur të trajtoj në mënyrë të veçantë fenë e kryqit dhe doktrinat e saj të gabuara, të cilat janë mjaft të dëmshme për spiritualitetin e njeriut dhe për zhvillimin e tij.

Kur duhet të vinte Mesihu i Premtuar?

Duke treguar kohën në të cilën Mesihu i Premtuar duhej të vinte, ai thotë:

Shtrohet pyetja: çfarë nevoje ka që të vinte Mesihu në këtë kohë? Edhe sikur t’i lëmë arsyet dhe nevojat e tjera, na mjafton vetëm profecia që umeti i Muhammedit s.a.s. do t’i përngjajë umetit të Musait a.s.. Hazret Mesihu a.s. erdhi në shekullin katërmbëdhjetë pas Hazret Musait a.s..

Kështu që, unë paraqes një argument që është ai i ngjashmërisë, por ata që thonë –  jo, vetë Mesihu do të vijë sërish -, edhe ata duhet të jepnin ndonjë argument. Nëse nuk munden, dhe patjetër që nuk do të munden, pse thonë gjërat që cilësohen si “risitë” në fe. Ruhuni nga risitë sepse ato janë rrugët e shkatërrimit. Hebrenjtë morën zemërimin e Zotit pikërisht sepse ata e mohuan një të dërguar të Zotit dhe pengesa që i shtyu në mohim ishte pikërisht fakti se ata e kërkonin metaforën të realizohej fizikisht. Rrjedhimisht, ata u quajtën popull që tërhoqi zemërimin e Zotit.

E njëjta është situata me të cilën muslimanët po përballen sot. Më vjen keq për muslimanët, sepse ata e kanë përpara shembullin e hebrenjve dhe në namazet e pesë vakteve ata luten duke recituar fjalët:

“Mos në shpjerë në rrugën e atyre që tërhoqën zemërimin!”,

dhe e pranojnë me ujdi të plotë se ky ajet u referohet hebrenjve, por prapëseprapë, rrugën e tyre po e ndjekin! Një çështje që ka pasur të njëjtën lëndë, u zgjidh nga një profet në të kaluarën, përse atëherë e sjellin Mesihun nga qielli, në kundërshtim të zgjidhjes së dhënë?! Vetë Mesihu dha vendimin për çështjen e Elias dhe provoi që ardhja e dytë e tij do të thoshte ardhje në formën e një personi tjetër dhe se në formën e Elias kishte ardhur Jahja. Por prapëseprapë, muslimanët nuk duan të qetësohen gjersa ta tërheqin Mesihun nga qielli. Por, unë u them: Lutuni ju dhe të gjithë ndihmësit tuaj që Mesihu të zbresë prej qiellit dhe shikojeni atëherë në zbret ai apo jo! Po ju them me bindje të plotë, edhe sikur të qani kokën gjatë gjithë jetës dhe juve t’ju rrafshohen hundët duke bërë lutje të tilla, ai prapë nuk do të zbresë nga qielli, sepse, ka ardhur ai që do të vinte.

Ah, sikur ta kuptonin muslimanët këtë të vërtetë dhe, në vend që ta kundërshtojnë të dërguarin e Zotit të Madhërishëm, t’i bashkohen atij dhe të përhapin mësimet e vërteta të Islamit, duke vendosur drejtësi dhe paqe në çdo nivel të shoqërisë! Muslimanët kanë nevojë t’i shërbejnë Islamit, duke treguar fytyrën e vërtetë të tij të bukur para kundërshtarëve të tyre dhe para femohuesve.

Në një nga shkrimet e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. paraqes katër shenja të vërtetësisë së tij. Ai thotë:

Shenja e parë është ajo e njohjes së gjuhës arabe, të cilën e kam marrë atëherë kur Muhammed Husejn Batalvi shkroi se unë nuk ditkam asnjë fjalë të gjuhës arabe. Ndërkohë, asnjëherë nuk kisha deklaruar se unë di ndonjë fjalë të gjuhës arabe. Ata që merren me morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, e dinë shumë mirë se sa e vështirë është kjo punë dhe ata arrijnë ta përvetësojnë këtë art. Maulvi (Abdul Kerim) sahibi më ka parë që nga fillimi se si Zoti i Madhërishëm më ndihmonte përmes mrekullisë së Tij. Pengesa më e madhe vjen atëherë kur nuk gjej fjalë të përshtatshme nga gjuha popullore. Atëherë Zoti i Madhërishëm ma dërgon fjalën e duhur. Është e lehtë të shkruash në gjuhën e re dhe artificiale, por po aq e vështirë të shkruash në gjuhën popullore.

Përveç kësaj, i kam botuar librat duke sfiduar përmes njoftimeve se kundërshtarët e mi nëse do të arrijnë të shkruajnë komentim të tillë të Kuranit po në gjuhën arabe, edhe sikur u duhet të marrin ndihmë nga të tjerët, le ta shkruajnë dhe në këmbim do t’u jap një çmim të lartë. Zoti më ka dhuruar bindje të sigurt se ata kurrë nuk do të mund të shkruajnë, sepse kjo mrekulli e Kuranit Famëlartë, si shenjë, më është dhënë mua.

Shenja e dytë është ajo e pranimit të lutjeve. Gjatë kohës që shkruaja libra në gjuhën arabe, e shikoja se sa shumë më janë pranuar lutjet. Për çdo fjalë jam lutur. Mund të them se kaq shumë më janë pranuar lutjet, sa nuk i janë pranuar asnjërit prej profetëve të tjerë, me përjashtim të të Dërguarit të Allahut s.a.s., sepse gjithçka që kam, e kam nga ndjekja e tij. Nuk mund të them se më janë pranuar dhjetë mijë lutje, apo dyqind mijë apo më shumë. Dhe disa prej tyre janë të tilla, të cilat i njeh një botë e tërë.

Shenja e tretë është ajo e profecive, domethënë, e zbulimit të së padukshmes. Edhe astrologët dhe treguesit e fatit nganjëherë thonë fjalë të tilla me hamendje, që ndonjë pjesë e tyre realizohet. E shohim në histori që falltarë të tillë ekzistonin edhe gjatë kohës së Profetit Muhammed s.a.s., të cilët tregonin lajme nga e padukshmja. Njëri prej tyre ishte Satihu. Por, ka një dallim midis zbulimit të së padukshmes nga falltarët hamendësues dhe midis zbulimit të së padukshmes nga të dërguarit e Zotit. Zbulimi i së padukshmes nga ana e të shpallurve të Zotit përmban një forcë dhe madhështi hyjnore, prandaj Kurani Famëlartë e thotë shumë qartë:

Ai nuk ia zbulon të padukshmen e Tij askujt, përveç të dërguarve që zgjedh.

Këtu, vetë fjala “zbulim” tregon se e padukshmja që vjen nga Zoti, është madhështore dhe e fuqishme.

Shenja e katërt është ajo e zbulimit të njohurive dhe të dijeve të Kuranit Famëlartë, sepse njohuritë e Kuranit nuk i jepen askujt tjetër përveç atij që dëlirësohet nga Zoti. Ai thotë:

Atë (Kuranin) nuk e prek askush, përveç atyre që janë të pastruar.

Shumë herë kam sfiduar që edhe kundërshtarët e mi të shkruajnë komentim të një sureje të caktuar, edhe unë do të shkruaj komentimin e asaj sureje dhe kështu të ballafaqohemi. Por deri më tani, askush nuk erdhi.

…….

Kështu që, këto janë katër shenja që mua më janë dhënë në veçanti, për të provuar vërtetësinë time.

Deklarata duke u betuar në emër të Allahut se “unë jam Mesihu i Premtuar”

Më 17 gusht 1899, Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi shkruan:

Para disa ditësh, një njeri nga Bareli i shkroi letër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. duke e pyetur nëse ai ishte apo jo i njëjti Mesih i Premtuar, për të cilin i Dërguari i Allahut s.a.s. ka parashikuar në hadithet e tij? Ai gjithashtu i kërkoi që përgjigjen t’ia jepte duke u betuar në emër të Zotit të Madhërishëm. Unë i shkrova dy tre fjali të Mesihut të Premtuar a.s. nga libri i tij “Trijakul-kulub”, të cilat ishte të mjaftueshme si përgjigje.

Por ai nuk u qetësua dhe më shkroi mua duke thënë: “Dua që Mirza sahibi vetë me dorën e tij të shkruajë benë duke pohuar se a është ai apo jo i njëjti Mesihu i Premtuar që përmendet në hadithe dhe në Kuran. Pas namazit të akshamit, mora penën, bojë shkrimin dhe një letër dhe ia paraqita Hazret Mesihut të Premtuar a.s. duke thënë se kështu kërkon njëri.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. menjëherë e mori letrën dhe shkroi këto pak rreshta:

“Unë edhe më përpara, në librat e mi,  e kam bërë këtë deklaratë duke u betuar në emër të Zotit dhe po e shkruaj edhe në këtë letër. Unë po shkruaj duke u betuar në emër të Atij Zoti, në dorën e të cilit është jeta ime, që jam i njëjti Mesih i Premtuar, të cilin i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve selam e parashikoi në hadihet sahih, që janë përmendur në Sahih Buhari, Sahih Muslim dhe në Sahihë të tjerë. Dhe Allahu është i mjaftueshëm si Dëshmitar.

Shkrues: Mirza Ghulam Ahmed, Allahu e faltë dhe e ndihmoftë,

Data: 17 gusht 1899”.

 Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi vijon:

Kam dy qëllime me përmendjen e këtij betimi: një që anëtarëve të Xhematit t’u shtohet besimi dhe ata të gjejnë të njëjtën kënaqësi, që kanë gjetur të pranishmit e kësaj mbledhjeje, të cilët me zemër të sinqertë e pranuan se iu ringjall besimi dhe së dyti, mohuesit dhe paragjykuesit të reflektojnë me qetësinë e duhur rreth këtij betimi dhe të mendojnë se një gënjeshtar dhe trillues a mund ta ketë vallë këtë guxim që të betohet në këtë mënyrë në emër të Zotit?! Allahu Ekber! Allahu Ekber!

Duke këshilluar anëtarët e xhematit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nuk dua që të mësoni si papagall disa fjalë përmendsh të bejtit, sepse kjo nuk sjell asnjë dobi. Fitoni dijen për të pastruar nefsin dhe pastaj aplikojeni atë mbi vete. Synimi ynë absolutisht nuk është që të bëjmë polemika rreth jetës a vdekjes së Isait. Kjo është një çështje shumë e vogël dhe ne nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Në fakt, çështja e jetës a vdekjes së Isait a.s. ishte një devijim te muslimanët, të cilin e rregulluam, por synimi dhe qëllimi i ardhjes sime ende është shumë larg, dhe ai është që ju të krijoni një ndryshim të pastër në jetën tuaj dhe të bëheni njerëz të rinj.

Andaj, çdokush nga ju duhet ta kuptoni këtë sekret dhe të krijojë një ndryshim të tillë në jetën e tij, saqë të ndiejë veten ndryshe nga ajo që ndiente më përpara. Po ju them sërish. Derisa nuk qëndroni disa ditë me mua, askush nga ju të mos mendojë se e ka ndryshuar veten. Do të arrini diçka vetëm kur të gëzoni pastërtinë e nivelit të lartë në natyrën tuaj, në mendjen tuaj dhe në ndjenjat tuaja.

Nëse jeni besimtarë, jini mirënjohës ndaj Zotit dhe bëni sexhde falënderimi ndaj Tij, sepse keni gjetur epokën, në pritje të së cilës, kanë kaluar paraardhësit tuaj dhe shumë njerëz të sinqertë. Është në dorën tuaj ta vlerësoni apo të mos e vlerësoni këtë kohë dhe të përfitoni apo të mos përfitoni nga ajo. Këtë do ta them vazhdimisht dhe nuk mund të ndalem nga kjo që, unë kam ardhur në kohën e duhur për reformën e njerëzve, në mënyrë që besimi të vendoset edhe një herë në zemrat e njerëzve. Jam dërguar si ai që ishte dërguar pas një burri të Zotit, komunikuesi të Tij (Kelimullah), shpirti i të cilit u ngjit në qiell pas shumë sfilitjesh në kohën Herodiasit. Pastaj erdhi Komunikuesi i dytë i Allahut, i cili në realitet ishte i pari ndër të gjithë dhe ai ishte kryetari i profetëve, që erdhi për të ndëshkuar Faraonë të tjerë, për të cilin u përmend në Kuran:

 

Ne ju kemi sjellë një të dërguar si dëshmitar mbi ju, ashtu siç i kemi sjellë Faraonit një të dërguar. (Kurani Famëlartë 73:16)

Profeti Muhammed s.a.s. në misionin e tij ishte i ngjashëm me Komunikuesin e Zotit (Musain a.s.), por në pozitë më i lartë se ai, dhe edhe atij i ishte premtuar një Mesih, i cili do t’i përngjante Mesihut të birit të Merjemes në natyrë dhe në karakter. Gjithashtu, Mesihu i Muhammedit do të kishte po aq distancë kohore nga Profeti Muhammed s.a.s. që ka pasur Mesihu i biri i Merjemes nga Musai a.s.. Dhe Biri i Merjemes kishte zbritur në shekullin 14-të nga qielli, zbritje e cila ka qenë shpirtërore. Kështu thuhet sepse, deri para tij besimi ishte ngritur në qiell dhe ai kishte ardhur për të bërë reformë te robërit e Zotit. Po ashtu, edhe Mesihu i Muhammedit do të zbritej në të njëjtën kohë, në mënyrë që të mençurit ta kuptojnë shenjën.

Andaj, u bëj thirrje të gjithëve që mos u nxitoni në mohimin tim, në mënyrë që të mos konsideroheni si ata që luftojnë kundër Allahut të Madhërishëm. Njerëzit që janë të kësaj bote dhe që dëshirojnë të rrinë vetëm në mendimet e errëta dhe doktrinat e vjetra, nuk do ta pranojnë Mesihun. Por, së shpejti do të vijë koha, kur Zoti do t’ua tregojë gabimin atyre. Në botë erdhi një alarmues, por bota nuk e pranoi atë, por Zoti do ta pranojë atë dhe do të shfaqë vërtetësinë e tij me sulme shumë të ashpra.

Kështu që, jemi fatlumë që kemi pranuar Mesihun e Premtuar dhe kemi bërë bejt dhe betim se do të sjellim ndryshime të pastra në jetën tonë, duke praktikuar mësimet e Kuranit. Jemi fatlumë që u bëmë ndër ata që i bëjnë sexhde falënderimi Zotit të Madhërishëm për këtë mirësi dhe jo si ata që ia kthejnë shpinën. Ky është bekim dhe mirësi e Zotit të Madhërishëm mbi ne që, ai na krijoi në epokën e Mesihut të Premtuar dhe kur filloi epoka e dytë e Islamit, një epokë që kanë pritur njerëz të sinqertë të panumërt dhe prapë nuk e gjetën. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. na lidhi me Zotin që është Zot i Gjallë, i cili dëgjon edhe sot dhe flet edhe sot, siç dëgjonte dhe fliste më parë. E gjithë kjo duhet të na bëjë mirënjohës ndaj Zotit.