Mesihu i Premtuar a.s është mrekullia kundër magjisë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
mesihu i premtuar imam mehdiu

Tani, dëgjoni o muslimanë! Dhe dëgjoni me vëmendje! Të gjitha shpifjet dhe komplotet që kanë thurur populli i krishterë për të penguar ndikimet fisnike të Islamit, të gjitha intrigat që janë ngritur, të gjitha paratë që janë derdhur lumë dhe të gjitha mënyrat e turpshme që janë përdorur, prej të cilave, më mirë ta mbajmë pastër këtë shkrim, përbëjnë përpjekje prej magjie të popujve të trinitetit.

Andaj, edhe Zoti i Madhërishëm derisa nuk do të tregonte dorën e Tij të fortë që përmban fuqinë e mrekullisë dhe përmes mrekullisë ta bënte magjinë e tyre copë e thërrime, ishte krejtësisht e pamundur që zemrat e thjeshta të shpëtonin nga kjo magji.

Andaj, për ta asgjësuar këtë magji, Zoti i Madhërishëm u dha muslimanëve të sinqertë të kësaj kohe mrekullinë, dërgoi këtë rob për t’u bërë ballë kundërshtarëve, duke e bekuar atë me shpalljen [ilhamin] dhe me fjalën e Tij dhe me bekimet e Tij të veçanta dhe duke i dhuruar dijet e hollësishme të rrugës së Tij. Gjithashtu, Ai më ka dhënë shumë dhurata qiellore, mrekulli të larta dhe njohje e urtësi shpirtërore, në mënyrë që nëpërmjet këtij guri qiellor, ta copëtojë bustin prej dylli që ka ndërtuar magjia perëndimore.

Andaj o muslimanë! Ardhja e këtij modesti është një mrekulli prej Zotit të Madhërishëm për të larguar errësirat e magjisë. A nuk duhet të vinte në botë edhe mrekullia përballë magjisë? A ju duket e habitshme dhe e pamundur, që Zoti i Madhërishëm të tregonte shkëndijën e së vërtetës që ka ndikimin mrekullibërës përballë intrigave të skajshme që u shndërruan deri në magji?

O të mençur! Mos u çuditni se përse Zoti Madhërishëm ka zbritur prej qiellit një dritë qiellore në këtë kohë tejet të errët. Në këtë kohë të nevojshme, Ai ka zgjedhur dhe ka dërguar në botë një rob për të mirën e të gjithëve, për të ngritur fjalën e Islamit, për të përhapur dritën e Profetit Muhammedsavs, për të mbështetur muslimanët dhe për të pastruar gjendjen e tyre të brendshme.

Duhet të çuditeshit atëherë kur Ai Zot që është Mbështetësi i fesë Islame, që premtoi t’i ishte Rojë mësimit të Kuranit dhe që nuk do ta lejonte atë të ftohej, të zvetënohej e të errësohej, të heshtte duke e parë këtë errësirë dhe duke i dëshmuar këto trazira të brendshme e të jashtme dhe të mos i kujtohej premtimi, të cilin në fjalën e Vet, e bëri me këmbëngulje të fuqishme. Sërish ju them: Nëse do të kishte vend për çudi, do të ishte atëherë kur profecia krejtësisht e qartë e Profetit fisnik të gabonte, në të cilën ai pati thënë:

“Zoti i Madhërishëm në krye të çdo shekulli, dërgon një rob të Tij, që e ripërtërin besimin”.[1]

Andaj ky moment nuk është për t’u çuditur, përkundrazi, është për të falënderuar mijëra e mijëra herë dhe për t’u shtuar në besim e në bindje, që Zoti i Madhërishëm me bekimin dhe mirësinë e Tij, ka përmbushur premtimin e Vet dhe, në profecinë e të Dërguarit të Vet, nuk lejoi të ketë vonesë as edhe për një minutë dhe jo vetëm që e përmbushi këtë profeci, por hapi derën e mijëra profecive dhe mrekullive për të ardhmen.

Nëse jeni besimtarë, falënderoni dhe bëni sexhde falënderimi, sepse ju keni gjetur kohën, të cilën etërit tuaj të dëlirë dhe shpirtra të panumërta mbetën duke e pritur dhe duke e dëshiruar derisa kaluan në botën tjetër.

Tashmë është në dorën tuaj ta vlerësoni ose jo e të përfitoni ose jo nga kjo. Unë këtë do ta them vazhdimisht dhe nuk mund të ndalem pa e treguar se unë jam ai që është dërguar në kohën e duhur për reformën e njerëzve, në mënyrë që besimi të vendoset edhe një herë në zemrat e tyre. Unë jam dërguar porsi ai[2] që ishte dërguar pas atij njeriu të Zotit, komunikuesit me Allahun[3]. Po, ai që shpirti i të cilit u ngjit në qiell pas shumë sfilitjeve gjatë qeverisjes së Herodit. Më pas erdhi komunikuesi i dytë[4] me Allahun, i cili në të vërtetë është i pari nga të gjithë dhe është kryetari i profetëve, që të ndëshkonte disa faraonë të tjerë, për të cilin u tha:

“Sigurisht, Ne ju dërguam një të dërguar si dëshmitar mbi ju, ashtu siç i dërguam Faraonit një të dërguar” ,[5]

dhe i cili, ishte i ngjashëm me komunikuesin e parë në misionin e tij, por shumë më i lartë nga ai për nga pozita e tij. Edhe atij i ishte premtuar një i ngjashëm me Mesihun, që do të kishte forcën, natyrshmërinë dhe cilësinë e Mesihut, të birit të Merjemes dhe që do të vinte në një kohë të ngjashme me kohën e Mesihut dhe pas një periudhe, thuajse të ngjashme me periudhën Mesihut, të birit të Merjemes që erdhi pas komunikuesit të parë.

Pra, Mesihu i Premtuar ka zbritur nga qielli në shekullin e katërmbëdhjetë. Zbritja e tij ishte shpirtërore, ashtu siç njerëzit e përsosur, pas ngjitjes së tyre, zbresin për përmirësimin e njerëzve. Ai ka zbritur në një kohë që ishte e ngjashme në të gjitha aspektet me kohën e zbritjes së Mesihut të birit të Merjemes, në mënyrë që të mençurit të gjejnë shenjë. Andaj, çdokush duhet që të mos nxitojë në mohimin e tij, në mënyrë që të mos quhet luftues kundër Zotit të Madhërishëm.

LEXONI EDHE


[1] Vetëm tradita a zakoni i botimit të përkthimeve të Kuranit të Shenjtë, ose thjesht publikimi i haditheve të Profetit në urdu a në persisht, ose mësimi i dogmave të thata plot bidatesh, siç e kanë bërë zakon dijetarët e kohës së sotme, të gjitha këto nuk mund të quhen në kuptimin e plotë të fjalës “ripërtëritje e fesë” [“texhdid-ud-din”], madje ajo e fundit është ripërtëritje e rrugëve të djallit dhe pritë kundër fesë. Të përhapësh në botë Kuranin e Shenjtë dhe hadithet e sakta, pa dyshim është një punë e mirë. Këtë punë mund ta bësh qoftë si çdo zakon, qoftë me përqendrim dhe me zbukurime, por pa iu nënshtruar me sinqeritet të plotë Kuranit dhe haditheve. Shërbime të tilla pa thelb mund të bëjë çdo njeri që ka njëfarë dije dhe kjo ndodh gjithmonë. Njerëz të tillë nuk kanë asnjë lidhje me punën e reformatorit [muxhedid]. Madje, këto gjëra tek Zoti i Madhërishëm nuk vlejnë më shumë se sa të shesësh kocka. Allahu i madhëruar qoftë thotë:

“Pse thoni diçka që vetë nuk e bëni. Është shumë e urryer tek Allahu ta thoni atë që vetë nuk e bëni” [Es-Saf:3-4]

dhe gjithashtu thotë:

“O ju që besuat! Jeni përgjegjës për veten tuaj! Nuk mund t’ju dëmtojë ai që devijoi, nëse e keni marrë udhëzimin” [El-Maidah:106].

Si mund t’i tregojë rrugën i verbri të verbrit? E si mund t’i pastrojë lëkurën i lebrosuri tjetrit? Ripërtëritja e fesë [texhdid-ud-din] është ajo ndjenjë e shenjtë, e cila në radhë të parë, bie me vrull dashurie në zemrën e pastër të atij njeriu që arrin në gradën e komunikimit me Zotin dhe më pas, herët a vonë, ajo shpërndahet edhe te të tjerët. Ata që marrin forcën e ripërtëritjes prej Zotit, nuk janë shitës kockash, por në të vërtetë janë mëkëmbës të të Dërguarit të Allahutsavs dhe shpirtërisht kalifë të tij. Zoti i Madhërishëm i bën trashëgimtarë të të gjitha atyre bekimeve që u jepen profetëve dhe të dërguarve. Fjalët e tyre burojnë nga vrulli i brendshëm dhe jo thjesht nga përpjekja. Ata flasin me vepra dhe jo thjesht me fjalë. Shpallja e Zotit të Madhërishëm manifestohet në zemrat e tyre dhe, në çdo kohë vështirësie, ata mësohen nga shpirti i shenjtë. Në bisedën dhe karakterin e tyre nuk gjendet asnjë formë e dashurisë tokësore, sepse ata bëhen krejtësisht të kulluar dhe tërhiqen plotësisht drejt Zotit. (Autori)

[2] Hazret Isaias [Përkthyesi]
[3] Hazret Musaias Kelimullah [Përkthyesi]
[4] Hazret Profeti Muhammedsavs [Përkthyesi]
[5] El-Muzzemmil:16.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp