E vërteta në çdo rrethanë | Shembuj nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

E vërteta në çdo rrethanë | Shembuj nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hytben e kaluar, duke përshkruar jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kisha përmendur disa ngjarje lidhur me standardet e tij të vërtetësisë. Edhe sot do të vijoj të njëjtën temë.

Kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte ngritur një padi nga doktor Henri Martin Klark (Henry Martin Clark). Ishte një çështje për tentativë vrasjeje dhe ishte një padi jashtëzakonisht e rrezikshme. Ai thotë:

“Çështja e Henri Martin Klarkut ishte aq e rrezikshme, saqë mund të jepej edhe dënimi me varje.”

Duke përmendur padinë që hebrenjtë kishin ngritur kundër Hazret Isait a.s. në gjykatën romake, ai jep këtë shembull dhe thotë:

“Një padi e tillë u ngrit edhe kundër meje. Kundër Mesihut a.s. padinë e kishin ngritur hebrenjtë, por në këtë perandori, kundër meje, ai që ngriti padi ishte një prift i shquar dhe gjithashtu doktor.”

Domethënë doktor Martin Clarku, i cili ngriti kundër tij një padi për tentativë vrasjeje.

“Ai siguroi dëshmi të plota, madje edhe Maulvi Abu Sa‘id Muhammed Husein Betalvi, i cili është kundërshtar dhe armik i ashpër i këtij xhemati, erdhi në gjykatë për të dëshmuar. Ai dëshmoi kundër meje sa mundi dhe u përpoq plotësisht që çështja të provohej kundër meje.

Kjo çështje ishte në seancën e kapiten Douglasit, zëvendëskomisioner i Gurdaspurit, i cili sot ndoshta është transferuar në Shimla. Sidoqoftë, çështja u përgatit plotësisht para tij.”

Ai thotë:

“Të gjitha dëshmitë kundër meje u dhanë me shumë forcë e zhurmë. Në një gjendje dhe formë të tillë, asnjë jurist apo njeri me mendim të shëndoshë nuk mund të thoshte se unë mund të lirohesha. Kërkesat e kohës dhe rrethanat ishin bërë të tilla që unë do t’i dorëzohesha gjykatës së sesionit dhe prej andej do të jepej urdhri për varje, ose do të më jepej dënimi i kalimit përtej detit të kripur.”

Domethënë do të jepej dënimi me burgim të përjetshëm.

“Por Allahu i Madhërishëm, ashtu siç më kishte njoftuar para çështjes, po ashtu më kishte treguar edhe para kohe se unë do të lirohesha prej saj. Kjo profeci ishte e njohur për një grup të madh të xhematit tim.

Me pak fjalë, kur çështja arriti në këtë fazë dhe armiqtë e kundërshtarët menduan se tani magjistrati do të më dërgonte në gjykatën e sesionit, në atë rast ai i tha kapitenit të policisë…”

Domethënë Douglas i tha Shefit të Policisë:

“Kjo çështje mua më duket e sajuar. Nuk ma pranon zemra se vërtet ishte bërë një përpjekje e tillë dhe se ai të ketë dërguar dikë për të vrarë doktor Klarkun”.

Pra, gjyqëtari nuk ishte i bindur. E urdhroi Shefin e Policisë:

“Hetojeni përsëri këtë çështje!”

Allahu i Madhërishëm ia hodhi në zemër gjykatësit që t’i thoshte Shefit të Policisë: hetoje përsëri.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Kjo ishte koha kur kundërshtarët e mi jo vetëm që po bënin çdo lloj plani kundër meje, por edhe ata njerëz që pretendonin se lutjet e tyre pranoheshin, ishin të zënë me lutje kundër meje. Madje, po luteshin duke qarë që unë të dënohesha. Por kush mund t’i dalë përballë Allahut të Madhërishëm?

Unë e di se kapiten zotit Douglas i çuan edhe disa rekomandime, por ai ishte një gjyqëtar i drejtë. Ai tha:

‘Nuk nuk mund ta bëj një poshtërsi të tillë.’”

“Me pak fjalë, kur kjo çështje iu dorëzua kapiten Lemarchandit për hetim të ri, kapiteni i nderuar thirri Abdul Hamidin dhe i tha:

‘Trego të vërtetën, saktësisht!’

Abdul Hamidi përsëri përsëriti të njëjtën histori që kishte paraqitur para zëvendëskomisionerit. Atij i ishte thënë më parë se nëse do të bënte edhe pak kundërthënie, do të kapej. Prandaj ai vazhdoi të thoshte të njëjtën gjë.

Por kapiteni i tha: ‘Ti këtë e ke thënë edhe më parë. Gjyqëtari nuk është i bindur me këtë.’”

Domethënë magjistrati nuk ishte i bindur, sepse ti nuk po tregon të vërtetën.

Kur kapiten Lemarchandi ia tha këtë për herë të dytë, ai, duke qarë, ra te këmbët e tij dhe tha:

“Më shpëtoni!”

Kapiten sahibi e qetësoi dhe i tha: “Fol!”

“Atëherë ai e zbuloi të vërtetën dhe pranoi hapur se ky deklarim i ishte marrë me kërcënim. Ai tha: ‘Mirza sahibi kurrsesi nuk më ka dërguar për vrasje.’”

Kapiteni u gëzua kur dëgjoi këtë deklaratë dhe i dërgoi telegram zëvendëskomisionerit: “E kemi zgjidhur çështjen.” Pastaj çështja u paraqit në Gurdaspur dhe atje kapiten Lemarchandi dha betimin dhe shkroi deklaratën e tij nën betim.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Unë shihja se në atë kohë, në gjykatë, zëvendëskomisioneri ishte shumë i gëzuar që e vërteta kishte dalë në shesh. Ai ishte shumë i zemëruar me ata të krishterë që kishin dhënë dëshmi të rreme kundër meje. M’u drejtua duke thënë: ‘Ju mund të ngrini padi kundër këtyre të krishterëve.’ Por meqë unë e urrej procesin gjyqësor, thashë vetëm: ‘Nuk dua të ngre padi. Çështja ime është ngritur në qiell.’”

Atëherë, në atë moment, i nderuari Douglas shkroi vendimin. Atë ditë ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish. Duke shpallur vendimin, ai më tha:

“Urime! Jeni i lirë.”

“Unë shihja se në atë kohë e gjithë bota ishte armike imja. Kështu ndodh: kur bota ngrihet për të shkaktuar dhimbje, edhe muret e dyert fillojnë të shpojnë si gjemba. Vetëm Zoti është Ai që i shpëton robërit e Tij që përkarhin të vërtetën. Unë po qëndroja në të vërtetën, prandaj Allahu i Madhërishëm më shpëtoi.”

Një dëshmi nga një avokat jashtë xhematit

Në po këtë çështje, një person që ishte paraqitur në atë padi, dhe që ishte avokat jashtë xhematit, me emrin Maulvi Fazl Din, ka treguar për drejtësinë dhe moralin e lartë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Hazret Sheikh Jakub Ali Irfaniu e ka shënuar këtë në librin e tij “Hajat-e-Ahmed”. Ai shkruan:

“Ngjarja e dytë madhështore për moralin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. e që mbështet vërtetësinë e tij, u shfaq edhe në këtë çështje: sa shumë e donte ai të vërtetën. Dëgjojeni këtë nga fjalët e të ndjerit të nderuar Maulvi Fazl Din sahib, avokat, të cilat m’i tregoi një bashkëkohës imi i sinqertë, Lala Dina Nath, kryeredaktor i gazetave ‘Desh’ dhe ‘Hindustan’.”

Këto ishin dy gazeta; ai ishte kryeredaktor i tyre, ishte hindu dhe mik i Sheikh Jakub Ali Irfaniut. Kryeredaktor i gazetave në fjalë i tha Sheikh Jakub Ali Irfaniut:

“A e dini se çfarë respekti kam në zemër për Mirza sahibin? Unë e konsideroj pozitën dhe rangun e tij jashtëzakonisht të lartë. Megjithëse, lidhur me pretendimet e tij, nga pikëpamja e psikologjisë …” (thotë, kryeredaktori) “… mendoj se ai ka gabuar në kuptimin e tyre.”

Pra, ai thoshte se pavarësisht se nuk e pranoj deklaratën e tij për të qenë Mesih, por ai është gjithsesi një njeri i mirë. Ai vijon:

“Si një njeri shpirtëror dhe mësues i lartë, ai i përket një kategorie shumë të lartë. Këtë bindje për të e fitova nga një ngjarje.”

Dhe ai e tregon atë ngjarje:

“Ju e njihni Hakim Ghulam Nabiun, Zubdatul-Hukema, dhe e njihni edhe Maulvi Fazl Dinin, avokatin.

Në shtëpinë e Hakim Ghulam Nabiut, mbrëmjeve shpesh mblidheshim. Edhe unë shkoja atje. Një ditë, aty ishim mbledhur disa miq. Rastësisht u përmend Mirza sahibi. Një person filloi ta kundërshtonte, në një mënyrë jo fisnike.”

Ky hinduist, kryeredaktor i gazetës, thotë se kur e dëgjoi këtë, i ndjeri Maulvi Fazl Dini u zemërua. Tha me zë të lartë:

“Unë nuk jam ndjekës i Mirza sahibit. Nuk besoj në pretendimet e tij, për çfarëdo arsye qoftë. Por unë e pranoj personalitetin e tij madhështor dhe përsosmërinë e tij morale. Jam avokat dhe njerëz të çdo shtrese vijnë tek unë për çështje gjyqësore. Kam parë mijëra e mijëra në këtë drejtim, edhe përmes avokatëve të tjerë. Kam parë njerëz shumë të mirë, për të cilët nuk mund të lindë as dyshimi se mund të shtiren se të jenë hipokritë. Por në çështje gjyqësore, nëse kanë menduar se sipas këshillës ligjore duhet ta ndryshojnë deklaratën e tyre, e kanë ndryshuar pa hezitim. Mirëpo në gjithë jetën time, vetëm Mirza sahibin kam parë që nuk lëvizi nga vendi i së vërtetës.

Unë isha avokat në një çështje të tij.”

Kjo çështje është pikërisht çështja e priftit Henri Martin Klark.

“Në atë çështje, unë përgatita për të një deklaratë ligjore dhe ia paraqita. Ai e lexoi dhe tha: ‘Në këtë ka gënjeshtër.’

I thashë:

‘Deklarata e të pandehurit nuk është nën betim dhe ligjërisht ai ka të drejtë të thotë çfarë të dojë.’

Atëherë Mirza Sahibi m’u përgjigj:

‘Ligji i ka dhënë leje të thotë çfarë të dojë, por Allahu i Madhërishëm nuk e jep këtë leje. Allahu i Madhërishëm nuk ka lejuar që ai të gënjejë, dhe as qëllimi i ligjit nuk është ky. Prandaj unë kurrë nuk jam i gatshëm për një deklaratë që bie ndesh me faktet. Unë do ta paraqes çështjen saktë, ashtu siç është.”

I thashë:

“Ju po e hidhni veten në telashe me vetëdije.’”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu përgjigj:

“Të hedhësh veten në telashe me vetëdije është kjo: që unë, duke dhënë një deklaratë ligjore për të përfituar padrejtësisht, ta zemëroj Zotin tim. Kjo nuk mund të ndodhë prej meje, çfarëdo që të ndodhë.”

“Mbështetja ime është te Allahu”

Lala Dina Nath sahib, kryeredaktori, i tregoi Sheikh Jakub Ali Irfani sahibit se Maulvi Fazl Dini (avokati) thoshte:

“Mirza sahibi i tha këto fjalë me një vrull të tillë, saqë në fytyrën e tij kishte një madhështi dhe forcë të veçantë.”

Pasi e dëgjova këtë, i thashë — pra avokati i tha Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

“Atëherë, unë si avokat, nuk mund t’ju ndihmoj dot në këtë çështje.”

Më tha:

“Unë kurrë nuk kam menduar se do të kem dobi nga avokatia juaj, ose nga përpjekja e ndonjë njeriu tjetër. Po ashtu, nuk mendoj se kundërshtimi i dikujt mund të më shkatërrojë. Mbështetja ime është vetëm tek Allahu i Madhërishëm, i cili ma sheh zemrën. Ju kam caktuar avokat sepse përdorimi i mjeteve është pjesë e edukatës shpirtërore. Dhe meqë e di se ju jeni i ndershëm në punën tuaj, prandaj ju caktova.”

Pra, ky është vetëm një mjet i jashtëm që duhet përdorur, dhe unë po e përdor për këtë. Nuk kam mbështetje te ju.

Unë përsëri i thashë: ‘Ju sugjeroj pikërisht këtë deklaratë.’”

Mirëpo, Mirza sahibi tha:

“Jo. Deklaratën që e shkruaj vetë, pa marrë parasysh pasojën dhe përfundimin, dorëzojeni po atë. Në të të mos ndryshohet as edhe një fjalë. Dhe unë ju them me bindje të plotë se ajo do të jetë më ndikuese se deklarata juaj ligjore. Përfundimi nga i cili ju keni frikë nuk do të shfaqet; përkundrazi, fundi, inshaAllah, do të jetë i mirë. Edhe nëse supozohet se në sytë e botës përfundimi nuk del i mirë, domethënë nëse unë dënohem, unë nuk shqetësohem për këtë, sepse atëherë do të jem i lumtur që nuk i jam treguar mosbindës ndaj Zotit tim.”

Deklarata e shkruar pa ndryshuar asnjë fjalë

Kryeredaktori, Lala Dina Nath thoshte se avokati (Maulvi Fazl Dini), me shumë zjarr dhe sinqeritet, e paraqiti kështu mbrojtjen e Mirza sahibit dhe tha:

“Pastaj ai e shkroi vetë menjëherë deklaratën e tij. Fuqia e Zotit ishte e çuditshme! Ndodhi pikërisht ashtu siç thoshte ai. Pikërisht mbi atë deklaratë ai u lirua.”

Avokati, pra, Maulvi Fazl Dini, duke përmendur drejtësinë e tij, guximin dhe trimërinë për të pranuar çdo lloj fatkeqësie për hir të së vërtetës, preku me fjalët e tij të gjithë të pranishmit. Të gjithë ata që ishin ulur aty si të huaj dhe që po kundërshtonin, heshtën.

Atëherë disa e pyetën:

“Pse, atëherë, nuk bëhesh ndjekës i tij?”

Ai tha:

“Kjo është çështja ime personale dhe ju nuk keni të drejtë të më pyesni për këtë. Unë e besoj atë si një njeri plotësisht të drejtë dhe kam respekt të madh për të në zemrën time.”

Rrëfimi i Master Nezir Huseinit

Për po këtë ngjarje ka edhe një transmetim nga Master Nezir Huseini. Ai thotë se i ndjeri Maulvi Fazl Dini, avokat i Gjykatës së Lartë, kishte një dashuri të thellë për Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe zakonisht merrte pjesë në çështjet e tij.

Ai thotë:

“Ai më tregoi se e konsideronte Hazret Mesihun e Premtuar a.s. si një njeri të drejtë të përsosur në shkallën më të lartë. Kur e pyeta, ai më tregoi një ngjarje të tij dhe tha:

‘Ne shkuam në një çështje që ishte midis Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe Oficerit Martin Klark. Në atë çështje, kur një person me emrin Abdul Hamid deklaroi se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e kishte dërguar për të vrarë Martin Klarkun, atëherë unë, në cilësinë e avokatit, e porosita Mirza sahibin: Ju duhet të thoni në gjykatë se nuk e njihni Abdul Hamidin. Pas kësaj, do të merrem unë me pjesën tjetër të procedurës. Ju jepni vetëm këtë deklaratë: nuk e njoh personin.’”

I ndjeri avokat sahib thoshte:

“Ne e siguruam në çdo mënyrë se, nëse ai jepte vetëm këtë deklaratë, suksesi i tij ishte i sigurt; përndryshe lirimi ishte i pamundur.”

“Unë kam ardhur për ta vendosur të vërtetën në botë”

Avokati thoshte se Hazret Mesihu i Premtuar a.s., pasi dëgjoi të gjitha propozimet tona, tha:

“Unë kam ardhur në botë për ta vendosur të vërtetën. Unë kurrë nuk do të gënjej, edhe nëse më varin në litar. Unë e njoh Abdul Hamidin. Ai vinte në Kadijan. Unë nuk mund ta mohoj këtë kurrsesi, çfarëdo që të ndodhë.”

I ndjeri Maulvi Fazl Dini, pra avokati, thoshte:

“Ne i thamë: ‘Shpëtimi i jetës është detyrë. Prandaj, nëse nuk doni të gënjeni, të paktën jepni një përgjigje të tillë ku të mos kuptohet qartë se ju e njihni atë.’”

Pra, jo gënjeshtër, por thjesht një përgjigje të mjegullt.

Ai tha:

“As këtë nuk mund ta bëj. Zoti më ka dërguar në botë për të paraqitur shembullin tim. Nuk mund të jap shembull të gabuar për të shpëtuar jetën time. Nëse e paguaj me kokë duke thënë të vërtetën, kam fituar.”

I ndjeri Maulvi Fazl Din sahib thoshte — dhe ai ishte joahmedi:

“Në atë kohë ne u dëshpëruam plotësisht. Kur deklarata e tij u dha në gjykatë, ai pranoi qartë:

‘Unë e njoh Abdul Hamidin.’

Atëherë ne u bindëm se lirimi ishte i pamundur. Por kur pamë ndihmën e Zotit që i erdhi në këtë çështje, mbetëm të habitur se si Zoti e ndihmoi të dërguarin e Tij. Dhe në atë çështje të rëndë, ai u lirua me nder dhe doli i suksesshëm.”

Të thuash të vërtetën pa u frikësuar

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sahabët e Profetit Muhammed s.a.v.s. u therën, por nuk u ndalën nga të thënët e së vërtetës. Ata çliruan kaq shumë vende që nuk gjendet shembulli i tyre. Cila ishte arsyeja? Ata kishin sinqeritet, kishin vërtetësi dhe kishin besnikëri.

Njerëz të tillë që mendojnë vetëm për interesin e tyre janë ateistë. Ata që kanë besim te Allahu i Madhërishëm dhe bëjnë diçka për hir të Allahut, e dinë se ndihma e Allahut do të vijë; prandaj nuk veprojnë kështu. Ata që janë robër të Allahut, nuk gënjejnë dhe nuk ndalen nga të thënët e së vërtetës.

Nëse më pyesin: “A deklaron se je Mesihu i Premtuar?”, atëherë unë do të tregoj çfarë përgjigjeje jap. Pa të vërtetë dhe pa guxim burrëror, nuk ka sukses. Kundër meje u ngritën kaq shumë padi, por cili ishte përfundimi i tyre? A mund të thotë dikush se, nga frika e këtyre gjërave kam bërë një hap pas? Kjo është shirk. Unë besoj se Zoti ekziston dhe Ai i ndihmon robërit e Tij të sinqertë.

Unë po ju them me sinqeritet të plotë se ai që thotë me zemër të vërtetë “La ilahe il-Allah”, Allahu i Madhërishëm është me të. Islami është e vetmja fe që e krijon këtë cilësi.”

Pra, ai tha nuk është e veçantë vetëm për të, madje kjo vlen për të gjithë: kushdo që e thotë me zemër të sinqertë dhe ka besim te Allahu i Madhërishëm, do të shpëtohet.

Dëshmia e një hindusi që e njihte që nga fëmijëria

Përmendet edhe dëshmia e një hindusi që e njihte Hazret Mesihun e Premtuar a.s. që nga fëmijëria. Ai thotë:

“Unë e kam parë Mirza Ghulam Ahmedin që nga fëmijëria. Unë dhe ai jemi moshatarë. Në Kadijan kam pasur gjithmonë vajtje-ardhje dhe edhe tani e shoh. Siç janë të shkëlqyera shprehitë e tij tani, po kështu të mira ishin edhe më parë.”

Ai flet për jetën e tij dhe shkruan:

“I vërtetë, i ndershëm, i mirë. Shoh sikur Parmeshvari ka marrë formën e Mirza sahibit dhe ka zbritur në tokë. Dhe Parmeshvari po i shfaq Vetë shenjat e Tij.”

Dëshmia e Mirza Sultan Ahmed sahibit

Djali i tij i madh, Mirza Sultan Ahmed, shkruan:

“Babai im ishte gjithmonë i angazhuar në punët e fesë. Familjarët kishin besim të plotë tek ai. Edhe banorët e fshatit kishin besim të plotë tek ai. Edhe bashkëpronarët, të cilët nga njëra anë ishin kundërshtarë, ishin aq të bindur për mirësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., saqë në mosmarrëveshje thoshin:

‘Çfarëdo që të thotë ai, ne e pranojmë.’

Çdo njeri e njihte si besnik dhe e njihte si të vërtetë.”

Unë jam bërë shërbëtor i Atij që duhej

Hazret Musleh Maudi r.a. (Kalifi i Dytë i Xhematit) thotë se babai i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. shqetësohej për të:

“Si do t’ia dalë ky? As nuk mund të merret me administrimin e pasurisë, as nuk dëshiron të punojë.”

Në një fshat të afërt ishte një sikh. Dy djemtë e tij shkonin te gjyshi ynë. Njëri prej tyre ma tregoi këtë ngjarje duke thënë:

“Një herë, Mirza sahibi i madh (gjyshi) më tha: ‘Shko ti. Ghulam Ahmedi është moshatar me ty. Këshilloje që, nëse nuk mund të administrojë pasurinë, unë mund ta punësoj diku.’”

Ai thotë:

“Unë shkova dhe i thashë: ‘Babai yt po zemërohet që nuk bën ndonjë punë. Ai ka frikë se do të jetosh gjithë jetën me kafshatat e vëllait? Çfarë do të bësh kur ai do të ndërrojë jetë? Më tha, mund të të gjejë punë, nëse ti dëshiron.’”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., pasi e dëgjoi këtë, tha:

“Babai shqetësohet kot. Thuaji se jam punësuar tek i Madhi Zot, dhe jam bërë tashmë shërbëtor i Tij.”

Edhe pse gjyshi ishte njeri i botës, sipas tregimit të atij sikhu, kur ai shkoi dhe i tha se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë kështu, ai heshti. Pastaj tha:

“Nëse biri im Mirza Ghulam Ahmed e ka thënë këtë, atëherë thotë të vërtetën. Ai kurrë nuk gënjen.”

Dëshmia e Munshi Aroras para Ualterit

Hazret Mirza Bashir Ahmed sahib tregon:

“Më kujtohet shumë mirë dhe nuk mund ta harroj kurrë këtë ngjarje: në vitin 1916, kur i ndjeri z. Ualter (Walter), i cili ishte sekretar i All India YMCA, erdhi në Kadijan për të hetuar rreth Xhematit Ahmedia, në Kadijan ai shprehu dëshirën që të takohej me ndonjë shok të vjetër të themeluesit të Xhematit Ahmedia.

Në atë kohë, i ndjeri Munshi Arora ishte në Kadijan. Z. Ualter u takua me të ndjerin Munshi në xhaminë Mubarak. Pas bisedës së zakonshme, z. Ualter e pyeti Munshiun: ‘Cila provë ndikoi më shumë tek ju për vërtetësinë e Mirza sahibit?’

Munshi sahib u përgjigj:

‘Unë nuk jam shumë i shkolluar dhe nuk di shumë argumente shkencore. Por gjëja që ndikoi më shumë tek unë ishte vetë personi i Hazret Mirza Sahibit. Unë nuk kam parë njeri më të vërtetë, më të ndershëm dhe me besim më të madh te Zoti sesa ai. Duke e parë atë, askush nuk mund të thotë se ky njeri është gënjeshtar. Pra, unë isha i uritur për fytyrën e tij. Nuk doja shumë argumente.’”

Pasi tha këtë, i ndjeri Munshi sahib u mërzit aq shumë nga kujtimi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., saqë filloi të qante me dënesë, derisa i zunë lemza nga të qarët.

Në atë kohë, gjendja e z. Ualterit, i cili po e merrte intervistën, ishte e tillë sikur t’i prisje trupin, nuk do t’i dilte gjak. Fytyra iu bë krejt e bardhë. Ngjyra e fytyrës së tij u bë e bardhë si një çarçaf i larë. Më vonë, ai e përmendi posaçërisht këtë ngjarje edhe në librin e tij “Ahmadiyya Movement” dhe shkroi se njeriun që ka krijuar njerëz të tillë në shoqërinë e tij, të paktën nuk mund ta quajmë mashtrues.

Ëndrra për litarin e Allahut

Hazret Mian Rahim Bakshi tregon:

“Takova një person, Muhammed Ibrahim që ishte ahmedian. Me të bisedova për disa çështje dhe u binda. Natën pashë një ëndërr: ne katër vëllezërit kishim humbur në një shpellë mali dhe nuk po gjenim rrugën. Unë u ngjita nga një anë dhe dola sipër. Pashë se po ecte një tren, por ishte shumë lart nga toka. U habita se si të ngjitesha në të. Sipër qëndronte një njeri. Ai më tha: ‘Kap litarin që varet nga qielli poshtë; atëherë mund të ngjitesh lart.’”

Ai e pa këtë pamje të tërë në ëndërr dhe thotë:

“Në mëngjes Muhammed Ibrahimi erdhi tek unë. I tregova ëndrrën time. Ai nxori Kuranin e Shenjtë dhe më tregoi kuptimin e ajetit ‘ve‘tesimu bi hablil-lah’, pra: ‘Kapuni fort pas litarit të Allahut.’ Atëherë unë shkrova letrën e bej’atit. Më erdhi përgjigjja se bej’ati është pranuar, por duhet patjetër të vish në Kadijan.”

Kjo përgjigje më erdhi nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s., ose nga ai që e kishte shkruar, nga sekretari i tij ose nga ai që i shkruante letrat.

“Atëherë, po në atë kohë, u përgatita për të shkuar në Kadijan. Kur në stacionin e Amritsarit hipa në trenin për Betala, në vagonin tim ishin dy a tre sikhë. Ishin shumë të moshuar. Më pyetën: ‘Ku po shkon?’ Unë thashë: ‘Në Kadijan.’ Ata sikhë thanë: ‘Në Kadijanin e Mirzës?’ ‘Po, atje po shkoj’, iu përgjigja.

Dëshmia e sikhëve për drejtësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

“U thashë: ‘Më tregoni mirë, si është ai?’ Edhe pse e kisha parë ëndrrën, megjithatë, për më shumë qetësi të zemrës, i pyeta edhe ata se si ishte ai.”

Domethënë, pyeti për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

“Ata thanë: ‘Është shumë i njohur. Ai pretendon për hyjni.’”

Kështu thanë sikhët, sipas mendimit të tyre. Ndërsa deklarata e tij ishte se kishte marrë frymëzim nga Allahu i Madhërishëm, ishte dërguar prej Tij dhe ishte dërguar për t’i thirrur njerëzit drejt Allahut.

Ai thotë:

“Unë, megjithatë, edhe pse kisha bërë bej’atin, më lindi dëshira të bëja pak shaka. U thashë: ‘Unë e njoh Mirza sahibin. Në Sialkot ai dhe babai im ishin të dy në punë. Ata pinin bashkë bhang (drogë) e gjëra të tilla.’”

Këtë ua thashë thjesht si shaka. Ngaqë ishte i ri akoma, dhe kishte besim të dobët, andaj nuk ngurroi të thoshte këto fjalë.

Ai vijon:

“Unë thashë sikhëve për Mesihun e Premtuar a.s.: ‘Ai pinte bhang me babain tim.’”

Atëherë ata sikhë thanë:

“O zotëri, këtë mos e thuaj kurrsesi. Ai është një njeri i shenjtë, një njeri jashtëzakonisht i vërtetë dhe i ndershëm. Ai është aq i njohur, saqë njerëzit e sjellin si shembull. Nëse dikush flet të vërtetën, te ne njerëzit thonë: ‘A mos je biri i Mirza Ghulam Murtazasë?’”

Pra, për ne, vërtetësia dhe sinqeriteti i tij janë bërë shembull.

“Ai ka luajtur me ne në fëmijëri dhe na lexonte libra. Ishte biri i një prijësi.”

Domethënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte biri i prijësit të Kadijanit.

“Ne e respektonim. Ai ndryshonte dita-ditës. Ne e respektonim sepse ishte biri i prijësit. Sidoqoftë, ai vazhdoi të ndryshonte, derisa erdhi një kohë që filloi të rrinte brenda dhe nuk dilte jashtë.”

Domethënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. zgjodhi vetminë.

“Brenda, në fshehtësi, ai vazhdonte të ‘përgatiste magji’.”

Këta ishin njerëz paragjykues, sepse nuk dinin shumë për fenë. Mendonin se ai po bënte magji duke qëndruar brenda.

“Dhe ai ka bërë magji deri katër milje rreth e rrotull Kadijanit.”

Domethënë, i bindi njerëzit për veten e tij dhe ua bëri të pranonin vërtetësinë e tij.

“Nëse tek ai vinte dikush nga çfarëdo feje, ai ia vërtetonte veten të vërtetë nga vetë feja e atij njeriu dhe ia vërtetonte fenë e tij të gabuar. Ai thotë se ka ardhur nga qielli.”

Këto ia tregoi sikhu.

Ai thotë:

“Unë i dëgjova këto gjëra prej tyre. Pastaj, kur zbrita në bujtinë në Kadijan, aty ishin tre a katër djem. Thashë me vete: ‘T’i sprovoj pak, nëse kam pranuar drejt apo jo.’ Prandaj u flisja atyre me ashpërsi. Por ata silleshin me mua me butësi dhe me shumë moral, pavarësisht nga keqsjellja ime.”

Pra, doja të shikoja se si ishte edukimi i tyre. Përballë ashpërsisë sime, ata silleshin me shumë butësi dhe moral. Unë thashë: ‘Dua të takoj Mirza sahibin.’ Ata thanë:

‘Në këtë kohë ka dalë për shëtitje; është e vështirë ta takosh.’”

Duke u endur nëpër Kadijan, zemra ime u ngushtua shumë. Për shkak të vapës së madhe, vendosa të kthehesha.

Pra, siç ju thashë më herët, besimi ende nuk ishte i fortë tek ai.

Lutja e një arabi që ai të mos largohej pa e takuar

“Në rrugë më doli një arab. Ai tha: ‘Vëlla, ke ardhur në Kadijan. Duhet patjetër ta shohësh Hazret Mesihun e Premtuar. Nuk e gjen më këtë kohë. Njerëzit do të vijnë, por ky personalitet nuk do të gjendet më. Ke rastin; takoje e pastaj shko.’”

“Por unë nuk ia vura veshin dhe i thashë karrocierit: ‘Nisu tani.’ Vapa më kishte lodhur, takimi nuk po bëhej, ndaj vendosa të kthehesha. Sidoqoftë, në atë kohë u thirr ezani. Thashë: ‘Tani do të fal namazin dhe pastaj do të iki.’ U ktheva drejt xhamisë.”

“Aty takova përsëri arabishtfolësin që më kishte thënë të mos ikja. Ai më tha: ‘Vëlla, që nga ai çast unë kam rënë në sexhde dhe jam lutur për ty që Allahu i Madhërishëm të të ndalë, që ta shohësh Hazret Mesihun e Premtuar.’”

Ky ishte edhe sinqeriteti i atij arabi. Kur ai tha se po ikte, arabi mendoi se kishte vetëm një zgjidhje: të paraqitej para Allahut dhe të binte në sexhde.

Ai thotë:

“Që atëherë kam qenë në sexhde dhe po lutesha për ty që të mos ikësh pa e parë Hazret Mesihun e Premtuar a.s.”

Takimi me Hazret Mesihun e Premtuar a.s.

Pastaj ai thotë:

“Unë e pashë Hazret Mesihun e Premtuar. Ai erdhi dhe u ul në kuvend. Unë qëndroja përballë. Mjekra, koka dhe mustaqet i kisha të gjitha të rruara.”

Pra, ishte i rruar krejt. Jo vetëm në kohën e sotme, por edhe në atë kohë njerëzit që ndiqnin modën vepronin kështu.

“Hazret Mesihu i Premtuar ishte ulur me kokën ulur. Unë thashë në zemër: ‘Derisa të mos e shoh fytyrën e këtij njeriu, nuk do të kem bindje të plotë.’”

Edhe pse kishte bërë bej’atin me letër, ende nuk kishte bindje të plotë. Edhe nga fjalët e tjera, duket se ende nuk kishte bindje të plotë.

“Pas pak, Hazret Mesihu i Premtuar ngriti fytyrën dhe më pa. Unë thashë në zemër: ‘Qenka njeri i drejtë.’

Kur pashë fytyrën e tij, nga zemra më doli zëri: ‘Ai është i vërtetë, është i sinqertë.’”

“Pas pak kohe, ai ngriti përsëri kokën dhe më pa. Unë thashë: ‘Amenna. Unë besova. Ve saddakna. Ai është i vërtetë.’ Herën e tretë, kur më pa përsëri, thotë se unë u flijova krejt pas tij.”

Pastaj u ngrit namazi. Sapo Hazret Mesihu i Premtuar namazin, filloi të hynte brenda. Një person qëndroi pranë derës dhe i tha:

“Huzur, lutuni për mua.”

Ai tha:

“Ju jeni në bej’atin tim (në Xhematin tim). Unë lutem edhe për armiqtë.”

Propaganda kundërshtuese sjell drejt Xhematit të Zotit

Hazret Halife Nizamuddini tregon:

“Unë kisha shkuar nga Sialkoti në Shikarpur, Sind, për punë. Dëgjova shumë zhurmë kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Në Amritsar kisha disa miq, prandaj erdha prej andej në Amritsar. Nga Amritsari kisha ndërmend të shkoja në Sialkot, por unë vazhdova të flija, ndërkohë të dy trenat për në Sialkot u nisën. Kur u zgjova, mora vesh se trenat kishin ikur.

Menjëherë më lindi në zemër mendimi se fshati i Mirza sahibit është afër. Duhet të shkoj ta shoh. Shkova në sportel dhe pyeta kur niset treni për në Betala. Më thanë se nisej pas gjysmë ore. Mora biletën, arrita në Betala dhe prej andej shkova në këmbë në Kadijan.

Arrita atje në kohën e ikindisë dhe u takova me Hazret Maulvi Abdul Karimin. Ai më njihte nga Sialkoti, sepse edhe ai ishte nga i njëjti vend. Thotë se u gëzua shumë kur më pa. Ne falëm namazin e ikindisë. Të nesërmen në mëngjes, i nderuari Maulvi Abdul Karim e njoftoi Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Nga xhamia hapej një dritare; Huzuri mori bej’atin tim pranë asaj dritareje.”

Ai vjon:

“Vetëm duke parë fytyrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., zemra ime u qetësua. Bota mund të jetë gënjeshtare, por kjo fytyrë jo! Në fytyrën e Huzurit kishte një tërheqje të veçantë. Prej saj rridhte një dritë e tillë që i pushtonte zemrat.’”

Një dëshmi nga koha e punës në Sialkot

Po kështu, Hazret Hakim Abdul Rahmani tregon:

“Kur babai im bëri bej’atin dhe shkoi në Çak nr. 276, posta Goxhra, rrethi Lajlpur, bëri shumë tabligë në atë zonë. Njerëzit e caktuan atë imam të tyre. Kur filloi t’u mësonte Kuranin e Shenjtë, një ditë ra fjala për vdekjen e Hazret Isait a.s.. Ai e shpjegoi gjerësisht çështjen e vdekjes së Isait a.s.. Njerëzit u habitën shumë.”

Ai thotë se në atë fshat ishte një person me emrin Vezir Din, i cili ishte kryetari i fshatit. Një ditë, Vezir Dini i tha Hakim sahibit:

“Më duhet një kazan i madh.”

Atje njerëzit e pasur kishin kazane të mëdha, që të gatuanin e të ushqenin njerëzit dhe të varfrit, ose edhe për disa raste dhe ceremoni që bëheshin te çifligarët.

Ai thotë:

“Sidoqoftë, ai tha se i duhej një kazan dhe se në Guxhranvala i bëjnë kazane të mira. Më tha le të shkojmë atje, ta marrim prej andej.’ Unë i thashë: ‘Nëse patjetër doni të shkoni për të marrë një kazan të mirë, le të shkojmë në Betala, sepse atje bëhen edhe më të mirë.’”

Kur arritën në Betala, i thashë Çaudri Vezir Dinit:

“Këtu afër, në Kadijan, jeton Mirza Ghulam Ahmed sahibi. Unë kam bërë bej’atin e tij. Ai është njeri i drejtë. Ejani edhe ju, shkojmë e takojmë.”

I nderuari Vezir Dini tha:

“Unë dëshmoj se ai patjetër është prej Zotit.”

Pra, ai e njihte Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Mandej tha:

“Në Sialkot, unë dhe Mirza sahibi ishim kolegë pune. Unë isha topograf, kurse ai punonte në zyrë.”

Pra, Çaudri Vezir Dini që kishte shkuar me Hakim sahibin për të marrë kazan, kur ra biseda për Hazret Mesihun e Premtuar a.s.:

“Po, ai patjetër duhet të jetë i vërtetë. Sepse në zyrë e kam parë duke punuar. Ai kurrë nuk mori ryshfet dhe kurrë nuk gënjeu. Ishte shumë i përkushtuar dhe i devotshëm. Një njeri i tillë nuk mund të bëjë kurrë një pretendim të rremë. Unë e kam parë rininë e tij. Deklarata e një njeriu të tillë nuk mund të jetë gënjeshtër. Hajde, unë po vij me ju.”

Kështu, Çaudri Vezir Dini shkoi menjëherë dhe bëri bej’atin.

“Kjo nuk mund të jetë fytyra e një gënjeshtari”

I nderuari Mian Feroz Din tregon:

“Emri i gjyshit tim ishte Mian Nizam Din. Në kohën kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte ardhur në Sialkot për shkak të punës, gjyshi im i kishte siguruar një shtëpi me qira në lagjen Salu Guxher. Po përmes gjyshit tim, Huzuri a.s. kishte përgatitur edhe një unazë ari gjashtë gramë dhe e kishte dërguar në shtëpinë e tij. Pra, Huzuri a.s. kishte marrëdhënie të ngushta me gjyshin tim.

Kur Huzuri a.s. deklaroi të ishte Mesih i Premtuar, pas njëfarë kohe gjyshi im bëri bej’atin e tij dhe i tha gjithë familjes:

‘Unë e njoh atë që nga koha kur Huzuri ishte këtu në punë. Prandaj edhe ju bëni bej’atin së bashku me mua, sepse kjo nuk mund të jetë fytyra e një gënjeshtari.’

Kështu, në vitin 1892, e gjithë familja jonë bëri bej’atin.”

“Kjo fytyrë nuk është e gënjeshtarëve”

Hazret Mirza Bashir Ahmedi tregon se Munshi Abdul Aziz Oxhelvi rrëfen:

“Rreth vitit 1890, unë isha topograf në fshatin Xhegetpur Kohlian, distrikti Gurdaspur. Në vitin 1891, duke bërë përpjekje, u tranferova në fshatin Sikhwan, Gurdaspur. Në atë kohë nuk isha ahmedian, por kisha dëgjuar për Hazret Mesihun e Premtuar. Nuk kisha kundërshtim, por më së shumti më pengonte mendimi se të gjithë dijetarët ishin kundër tij.

Kur shkova në Sikhwan, u njoha me Mian Xhemal Dinin, Imam Dinin dhe Khair Dinin. Ata më dhanë për të lexuar librin e ‘Izale-e-Euham’, të Hazret Mesihut të Premtuar. Pasi bëra lutje, fillova ta lexoja librin. Duke e lexuar, vërtetësia e Huzurit u ngul në zemrën time si gozhdë dhe të gjitha dyshimet m’u larguan.

Disa ditë më vonë, shkova në Kadijan bashkë me Mian Khair Dinin. Pranë dhomës së rrumbullakët, për herë të parë pashë Huzurin. Kur e pashë, i thashë Mian Khair Din sahibit: ‘Kjo fytyrë nuk është fytyrë gënjeshtarësh.’ Kështu bëra bej’atin.”

Dëshmia e Çaudr Zafrullah Khanin

Po kështu, Hazret Mirza Bashir Ahmed sahib rrëfen edhe një transmetim tjetër të të nderuarit Çaudri Zafrullah Khanit, i cili më rrëfeu me shkrim sa vijon:

“Kur e pashë për herë të parë Hazret Mesihun e Premtuar a.s. në Lahore, në atë kohë në zemrën time nuk kishte ndonjë analizë të besimeve. Ndikimi që u krijua në zemrën time ishte pikërisht ky: ky njeri është i vërtetë dhe ajo që thotë është e vërtetë.

Një dashuri e tillë për të u vendos në zemrën time nga Allahu i Madhërishëm, saqë ajo është për mua prova kryesore e vërtetësisë së Huzurit a.s. Megjithëse atëherë isha vetëm fëmijë, që nga ajo kohë e deri më sot nuk më është dashur kurrë ndonjë argument tjetër. Më pas ndodhën vazhdimisht ngjarje që u bënë shkak për forcimin e besimit tim, por unë e pranova Hazret Mesihun e Premtuar a.s. vetëm duke parë fytyrën e tij të bekuar. Po ai ndikim, deri më sot, është për mua prova më e madhe e vërtetësisë së deklaratave të Huzurit.

Në këtë kuptim, unë mendoj se jam ahmedian që nga dita 3 shtator 1904, kur e pashë për herë të parë.”

Dëshmia e babait të Mian Sadr Dinit

Po kështu, Hazret Mian Sadr Dini tregon:

“Kur bëra bej’atin, i thashë babait tim: ‘A e di pse njerëzit po vijnë në Kadijan me karroca?’

Ai tha: ‘Nuk e di.’

Unë i thashë: ‘Mirza sahib thotë se unë jam Mesihu i Premtuar.’

Babai im tha: ‘Kjo gjë do të jetë e vërtetë. Unë e kam parë këtë njeri që nga fëmijëria; ai nuk gënjen.’”

Jeta e pastër si argument për të vërtetën

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Tani shikoni! Zoti e ka plotësuar argumentin e Tij mbi ju në këtë mënyrë: ka ngritur mijëra argumente për deklaratën time dhe ju ka dhënë rast që të mendoni se ai person që ju thërret drejt këtij xhemati, në çfarë shkalle njohjeje është dhe sa shumë argumente paraqet.

Ju nuk mund t’i vini asnjë të metë, shpifje, gënjeshtër apo mashtrim jetës sime të mëparshme, që të mendoni se ai që më parë ka qenë mësuar me gënjeshtër dhe shpifje, ndoshta edhe këtë herë ka gënjyer.

Kush prej jush mund të bëjë ndonjë kritikë ndaj jetëshkrimit tim? Prandaj, kjo është mirësi e Zotit, që Ai më mbajti që në fillim të vendosur në takva. Për ata që mendojnë, kjo është një provë.”

Sinqeriteti bëhet dritë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke na këshilluar, thotë:

“Mbajeni mend: kur e vërteta e krijon plotësisht ndikimin e saj, ajo bëhet një dritë, e cila në çdo errësirë bëhet udhërrëfyese për atë që e zgjedh atë dritë dhe e shpëton në çdo vështirësi.”

Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë që, duke e kuptuar këtë realitet, të jemi prej atyre që qëndrojnë në të vërtetën dhe gjithmonë të veprojnë sipas standardeve të larta të së vërtetës!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via