E vërteta me çdo kusht | Shembuj nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

E vërteta me çdo kusht | Shembuj nga jeta e Mesihut të Premtuar a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 01.05.2026)

Sot do të përmend disa ngjarje nga jeta dhe biografia e shërbyesit të sinqertë të Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Mesihut të Premtuar a.s., lidhur me zbatimin e së vërtetës me çdo kusht, me qëndrimin e palëkundur në të dhe me sfidimin e kundërshtarëve në këtë drejtim.

Sfidë e hapur për të parë vërtetësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Së pari, do të paraqes përgjigjen që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i dha njërit prej kundërshtarëve të tij më të mëdhenj, Muhammed Husein Betalviut, i cili e kishte akuzuar atë si qafir dhe gënjeshtar. Përballë kësaj akuze, përgjigjja e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte kaq e hapur, e qartë dhe sfiduese, saqë, nëse dikush e sheh me sy drejtësie, nuk mund t’i besojë kurrë këto akuza. Por kur sytë i ke me “perde”, nuk sheh dot dritën e së vërtetës. E tillë është edhe gjendja e hoxhallarëve të sotëm.

Njëherë, Z. Muhammed Husein Betalvi i shkroi një letër Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe në të e quajti kundërshtar të fesë islame, qafir, gënjeshtar, etj. MeadhAllah! Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke i dhënë një përgjigje të hollësishme kësaj letre të hoxhës, shkroi:

“Nëse ju, si kërkues i së vërtetës, do të shikoni jetën time, atëherë me prova të qarta do t’ju bëhet e qartë se Allahu i Madhërishëm gjithmonë më ka ruajtur nga ndyrësia e gënjeshtrës. Madje, në disa raste, në gjykatat angleze, jeta dhe nderi im ranë në një rrezik të tillë, saqë asnjë avokat nuk më dha ndonjë këshillë tjetër përveç përdorimit të gënjeshtrës.

Të gjithë më thanë se puna do të rregullohej vetëm nëse do të gënjeja.

Por, me ndihmën e Allahut, unë për hir të së vërtetës hoqa dorë nga jeta dhe nderi im. Shumë herë, në çështje pasurie, vetëm për hir të së vërtetës kam pësuar dëme të mëdha. Shumë herë, vetëm nga frika e Allahut të Madhërishëm, kam dëshmuar kundër babait dhe vëllait tim dhe nuk e kam lëshuar të vërtetën nga dora.”

Ai vijon:

“Në këtë fshat dhe po ashtu në Betala, domethënë në Kadijan dhe në Betala, ka kaluar një pjesë e madhe e jetës sime. Por kush mund të vërtetojë se qoftë ndonjëherë të kem gënjyer dikë?

Atëherë, kur unë që në fillim, vetëm për hir të Allahut, e kam braktisur gënjeshtrën ndaj njerëzve dhe shumë herë kam sakrifikuar jetën dhe pasurinë për të vërtetën, pse do të gënjeja ndaj Allahut të Madhërishëm?”

Hoxha Betalvi në letrën e tij kishte shkruar gjithashtu se gënjeshtra dhe mashtrimi ishin bërë cilësi të pandashme të tij, sikur të ishin pjesë e natyrës së tij. MeadhAllah!

Ndërsa e vërteta është se kjo ishte një gënjeshtër e qartë dhe një shpifje e vetë hoxhës, një akuzë për të cilën ai nuk kishte asnjë provë. Prandaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke iu përgjigjur, shkroi:

“Sheikh! Ai njeri që ka druajtje ndaj Zotit dhe që vjen nga një familje e ndershme, së pari, nuk guxon të akuzojë tjetrin për ligësi apo kufër pa një hetim të plotë. Dhe nëse e bën këtë, atëherë paraqet një provë kaq të plotë, saqë për shikuesit e bën krejtësisht të qartë të vërtetën.

Prandaj, nëse ju i keni këto dy cilësi të përmendura më sipër, atëherë ju jap besën e Atij Zoti të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, me betimin për të cilin edhe Profeti Muhammed s.a.v.s. i përgjigjej me vëmendje të shtuar, që sipas mendimit tuaj të provoni tek unë këto dy lloj ndyrësish: së pari, se unë jam kundërshtar i fesë islame dhe qafir; dhe së dyti, se kam shprehi të gnjej.”

Pra, ai i ka vënë dy akuza: së pari, se unë jam qafir dhe nuk jam musliman. Mirë, vërtetojeni këtë. Akuza e dytë që po vë është se unë jam gënjeshtar. Vërtetojeni edhe këtë.

Ai vijon:

“Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë se më i vërteti në ëndrrat e tij është ai që është më i vërteti në fjalët e tij. Në këtë hadith, Profeti Muhammed s.a.v.s. ka vendosur këtë shenjë për njeriun e sinqertë: ëndrrat e tij mbizotërohen nga e vërteta. Ju sapo keni pretenduar se besoni në Profetin Muhammed s.a.v.s.

Prandaj, nëse këtë gjë nuk e keni thënë me hipokrizi dhe me të vërtetë besoni në Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe e dini se Profeti Muhammed s.a.v.s. është i vërtetë në fjalën e tij, atëherë ejani, ne dhe ju ta provojmë njëri-tjetrin me këtë mënyrë: sipas këtij kriteri, kush del i vërtetë dhe kush është brumosur me gënjeshtrën.

Po kështu, Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin e Shenjtë:

لَهُمُ الْبُشْرَىٰ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا

“Ata do të kenë lajmin e mirë në këtë botë …” (Kurani i Shenjtë 10:65),

domethënë: për ta është caktuar shpërblimi që edhe në jetën e kësaj bote të marrin përgëzime nga Zoti. Pra, kjo është një veçori e besimtarëve, që krahasuar me të tjerët, ëndrrat e tyre dalin më të vërteta. Ju sapo keni pretenduar se besoni edhe në Kuran. Shumë mirë! Ejani, ta provojmë edhe sipas Kuranit të Shenjtë se te kush gjendet shenja e të qenit besimtar.

Këto dy prova mund të bëhen në këtë mënyrë: në Betala, ose në Lahore, ose në Amritsar, të caktohet një kuvend dhe në të të paraqiten dëshmitarët e ëndrrave të të dy palëve. Pastaj prej nesh të dyve, ai, i cili me prova të sigurta dhe të prera del më i vërtetë në ëndrrat e tij, kundërshtarit të tij t’i vërë menjëherë në qafë medaljonin: gënjeshtar, dexhall, qafir, i mallkuar, ose çfarëdo emri tjetër që të propozohet.

Dhe nëse ju nuk jeni në gjendje të sillni prova nga e kaluara, atëherë unë pranoj; madje ju jap afat gjashtë muaj që të botoni në disa gazeta ëndrrat tuaja që përmbajnë gjëra të së padukshmes. Kurse unë nuk do të mjaftohem vetëm me paraqitjen e provave nga e kaluara, por, përballë jush, me vullnetin e Allahut të Plotfuqishëm, do t’i botoj edhe ëndrrat e mia.

Dhe ashtu siç ju pretendoni se besoni në Kuran dhe në Profetin s.a.v.s., edhe unë pretendoj se me zemër e me shpirt besoj në atë Profet të dashur s.a.v.s. dhe në atë Libër të dashur, Kuranin e Shenjtë. Tani, me këtë shenjë, le të provohet kush është i vërtetë në deklaratën e tij dhe kush është gënjeshtar.

Nëse sipas kësaj shenje që e ka vendosur Profeti s.a.v.s. dhe Kurani i Shenjtë, unë mbetem i mundur, atëherë ju do të dilni i vërtetë dhe unë, sipas fjalës suaj, do të quhem qafir, dexhall, i pabesë, shejtan, gënjeshtar dhe shpifës. Në këtë rast, të gjitha mendimet tuaja të prishura që keni ngritur ndaj meje do të dalin të sakta dhe të vërteta: sikur unë paskam mashtruar në librin tim “Berahin-e-Ahmedia”, paskam ngrënë paratë e njerëzve, paskam përvetësuar pasurinë e njerëzve me premtimin e pranimit të lutjes dhe paskam kaluar jetën me të ardhura të ndaluara.

Por nëse kjo mirësi e Allahut të Madhërishëm, e cila u shoqërohet besimtarëve, të sinqertëve dhe të drejtëve, më nxjerr mua të vërtetë, atëherë ju vetë thoni: a do t’i përshtaten në atë kohë të gjithë këta emra pozitës suaj prej hoxhe, apo edhe atëherë do t’ju mbetet ndonjë shtegdalje?”

“Unë do ta poshtëroj atë që përpiqet të të poshtërojë ty.”

Pra, kështu e sfidoi Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kundërshtarin e tij. A vijon:

“Ju më keni shkaktuar shumë dhimbje dhe më keni shqetësuar. Unë kam duruar, por ju nuk patët as edhe grimcë frike ndaj Atij Zoti të Plotfuqishëm që jua njeh shpirtin deri në thellësi. Ai më ka njoftuar, si parashikim, për ju dhe pastaj edhe për njerëzit që mendojnë si ju:

إِنِّي مُهِينٌ مَنْ أَرَادَ إِهَانَتَكَ

“Unë do ta poshtëroj atë që përpiqet të të poshtërojë ty.”

Prandaj, dijeni me siguri se tani është afër koha kur Allahu i Madhërishëm do të vërtetojë se ju jeni gënjeshtar në të gjitha këto shpifje. Dhe të gjitha poshtërimet dhe pendimet që u vijnë njerëzve që thurin shpifje dhe trillime, Ai do t’i hedhë mbi ju.

Ju pretendoni se besoni në Kuran dhe në Profetin s.a.v.s. Prandaj, nëse jeni i vërtetë në këtë fjalë, dilni në fushë për t’u ballafaquar, që Allahu i Madhërishëm ta vendosë Vetë mes meje dhe jush, dhe ta nxjerr faqenxirë atë që është gënjeshtar dhe dexhall.

Në këtë çast, nga zemra ime del një fjalë për përkrahjen e së vërtetës dhe unë nuk mund ta ndal, sepse ajo nuk vjen nga vetja ime, por është një frymëzim nga Zoti im, që po shpërthen me fuqi të madhe. Ajo është kjo:

meqë ju më keni quajtur qafir dhe e keni cilësuar gënjeshtrën si veçori të natyrës sime, atëherë ju jap besën e Allahut të Madhërishëm që, sipas mënyrës së përmendur më sipër, të dilni menjëherë përballë meje, që të shihet se sipas Kuranit të Shenjtë dhe fjalës së Profetit s.a.v.s., kush del gënjeshtar, dexhall dhe qafir.”

Tre shembuj kur gënjeshtra ishte i vetmi mjet-shpëtimi

Në të njëjtin vazhdim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha gjithashtu:

“Përveç kësaj, edhe një gjë tjetër bëhet mjet për të sprovuar njerëzit e sinqertë. Këtë mjet e krijon Vetë Allahu i Madhërishëm. Dhe ajo është se ndonjëherë njeriu bie në një fatkeqësi të tillë, saqë në atë çast nuk sheh asnjë rrugë tjetër shpëtimi dhe suksesi përveç gënjeshtrës. Pikërisht në atë kohë ai sprovohet nëse në natyrën e tij ka të vërtetë apo gënjeshtër.”

Ngaqë hoxha Batalvi kishte shkruar se në vetë natyrën e Mesihut të Premtuar a.s. të kishte gënjeshtër e mashtrim. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se kjo kuptohet në kohën e sprovës: nëse është i vërtetë apo gënjeshtar.

“Vetëm në një çast të tillë kritik, provohet që në gjuhën e tij rrjedh e vërteta, apo gënjen nga frika për jetën, nderin dhe pasurinë e vet. Shembuj të tillë kam hasur disa herë në jetën time. Do të zgjatesha shumë nëse do t’ju përshkruaja të gjithë. Megjithatë, po paraqes tre shembuj me qëllimin:

nëse edhe ju keni hasur raste të tilla sprove të së vërtetës, ju jap besën e Allahut të Madhërishëm që patjetër t’i botoni ato bashkë me provat e tyre, që të dihet se ju nuk keni vetëm pretendime, por edhe kur keni hyrë në darën e sprovës dhe fatkeqësisë, nuk e keni shkelur të vërtetën.”

Pra, që kurrë nuk keni gënjyer. Le ta bëjë këtë pretendim dhe le të vijë në përballje.

Ai, duke dhënë disa shembuj nga vetja, tha se do të jap tri raste.

1. Vetëm për hir të së vërtetës, pranoi humbje të madhe pasurore

“Rasti i parë: pas vdekjes së babait tim, Z. Mirza Azam Beg nga Lahore, në emër të bashkëpronarëve të pasurisë së Kadijanit, ngriti kundër meje dhe kundër vëllait tim të ndjerë, Mirza Ghulam Kadir, një padi pranë gjykatës së qarkut për hyrje në pronësi. Në dukje, unë e dija se këta bashkëpronarë nuk kishin ndonjë interes të vërtetë në atë pronësi, sepse ajo ishte një gjë e humbur, e cila ishte zhdukur në kohën e Sikhëve. Babai im, i vetëm, kishte bërë procese gjyqësore dhe kishte shpenzuar afro tetë mijë rupi për ta rifituar atë pronësi dhe fshatra të tjera. Ata bashkëpronarë nuk kishin asnjë pjesë në to.

Gjatë këtyre proceseve, kur unë u luta për fitore, m’u shpall ky frymëzim:

أُجِيبُ كُلَّ دُعَائِكَ إِلَّا فِي شُرَكَائِكَ

“Unë do ta pranoj çdo lutje tënden, përveç lutjes lidhur me bashkëpronarët.”

Pra, lutja që po bën, nuk do të pranohet.

“Pasi mora këtë frymëzim, thirra vëllain tim dhe të gjithë të afërmit, burra e gra, disa prej të cilëve janë ende gjallë, dhe ua thashë hapur:

Mos e bëni këtë proces kundër bashkëpronarëve, sepse është kundër vullnetit të Zotit që e do të vërtetën. Allahu i Madhërishëm nuk dëshiron që ne ta bëjmë këtë proces. Por ata nuk e pranuan dhe në fund dështuan. Nga ana ime ua kisha shprehur qëndrueshmëri për të pranuar humbjen e mijëra rupive.”

Unë pësova humbje të mëdha në para, por qëndrova i palëkundur në këtë gjë. Allahu i Madhërishëm më kishte ndaluar, prandaj nuk e ndoqa procesin. Dhe të gjithë ata që sot janë armiq, janë dëshmitarë se unë nuk e ndoqa këtë proces.

“Meqë i gjithë administrimi i çështjeve të pronësisë ishte në dorën e vëllait tim, unë e këshillova shumë herë, por ai nuk pranoi dhe në fund pësoi humbje.”

Ata e humbën procesin.

2. Avokati tha – nuk i shpëton dot burgut, pa gënjyer

Shembulli i dytë që ai dha ishte ky:

“Kanë kaluar afërsisht pesëmbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë vjet, ndoshta edhe pak më shumë, kur unë modest, në mbështetje të Islamit kundër arjanëve, i dërgova për botim, një shkrim në formën e një pakete të hapur nga të dyja anët, një shtypshkronjeje të një të krishteri. Emri i tij ishte Raliaram. Ai ishte edhe avokat, banonte në Amritsar dhe nxirrte edhe një gazetë. Në atë paketë kisha vendosur edhe një letër. Meqë në letër kishte fjalë që tregonin mbështetjen e Islamit dhe pavërtetësinë e feve të tjera, si edhe theksonte që shkrimi të botohej, ai i krishterë, për shkak të kundërshtimit fetar, u zemërua.

Rastësisht, atij iu dha edhe një mundësi për sulm armiqësor: vendosja e një letre të veçantë brenda një pakete, sipas ligjit, ishte shkelje, gjë që unë nuk kisha asnjë dijeni për këtë. Sipas ligjeve të postës, dënimi për një shkelje të tillë ishte pesëqind rupi gjobë ose deri në gjashtë muaj burgim.

Ëndrra për shpëtim

Ai, duke u bërë denoncues, ngriti kundër meje një proces pranë zyrtarëve të postës. Para se unë të kisha ndonjë njoftim për këtë proces, Allahu i Madhërishëm më tregoi në ëndërr se avokati Raliaram kishte dërguar një gjarpër për të më kafshuar dhe unë e kisha skuqur atë si peshk dhe ia kisha kthyer mbrapsht. Unë e di se kjo ishte një shenjë për faktin se mënyra se si u vendos më në fund ai proces në gjykatë, u bë një precedent që mund t’u hyjë në punë avokatëve.

Me pak fjalë, për këtë shkelje u thirra në selinë e qarkut të Gurdaspurit. Me cilindo avokat që u këshillova për procesin, të gjithë dhanë këtë këshillë: nuk ka rrugë tjetër përveç gënjeshtrës. Ata më këshilluan të deklaroja kështu:

‘Unë nuk e kam futur letrën në paketë; Raliarami duhet ta ketë futur vetë.’

Gjithashtu, për të më qetësuar, më thanë se me një deklaratë të tillë, vendimi do të bazohej te dëshmia dhe, duke paraqitur dy a katër dëshmitarë të rremë, do të lirohesha. Përndryshe, nuk ka shpëtim.”

Pra, nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për t’u shpëtuar.

“Por unë ua ktheva të gjithëve:

“në asnjë rast nuk dua ta lë të vërtetën. Çfarëdo që të ndodhë, le të ndodhë.”

Unë nuk do të gënjej.

“Atëherë, po atë ditë ose të nesërmen, u paraqita në gjykatën e një anglezi. Përballë meje ishte i pranishëm zyrtari i postave, si paditës zyrtar. Në atë kohë, gjykatësi e shkroi me dorën e tij deklaratën time dhe më pyeti më parë këtë:

“A e vendosët ju këtë letër në paketën tuaj? Dhe a është kjo letër dhe kjo paketë juaja?”

Atëherë, pa asnjë hezitim, u përgjigja:

“Po, kjo është letra ime dhe kjo është paketa ime. Unë e vendosa këtë letër brenda paketës dhe e dërgova. Por këtë nuk e bëra me qëllim të keq për t’i shkaktuar humbje shtetit në tarifën postare.”

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. sqaroi se nuk e kishte bërë për t’i shkaktuar humbje shtetit, e për t’i kursyer paratë e pullës.

“Përkundrazi, unë nuk e konsiderova këtë letër të ndarë nga ai shkrim dhe në të nuk kishte asnjë çështje private.”

Nuk ishte shkruar ndonjë gjë tjetër personale.

“Sapo e dëgjoi këtë, Allahu i Madhërishëm e ktheu zemrën e atij anglezi nga ana ime.”

Gjykatësi ishte anglez.

“Përballë meje, zyrtari i postave bëri shumë zhurmë dhe mbajti fjalime të gjata në anglisht, të cilat unë nuk i kuptoja. Por aq kuptoja se pas çdo fjalimi dhe pas çdo argumenti që ai jepte, gjykatësi anglez i hidhte poshtë të gjitha fjalët e tij duke thënë në anglisht:

“No, no”. (Jo! Jo!)

Në fund, kur paditësi zyrtar i paraqiti të gjitha arsyet e tij dhe nxori gjithë avullin e vet, gjykatësi iu drejtua shkrimit të vendimit. Ndoshta pasi shkroi një rresht ose një rresht e gjysmë, më tha:

“Mirë, ju jeni i lirë.”

Kur e dëgjova këtë, dola nga dhoma e gjykatës dhe falënderova Zotin e Madhërishëm, Bamirësin tim të Vërtetë, i cili përballë një zyrtari anglez” (pra, tjetri që ishte përballë, paditësi, ishte anglez, zyrtar i departamentit që ndiqte procesin) “…përballë një zyrtari anglez, më dha fitoren mua. Unë e di mirë se në atë kohë, me bekimin e së vërtetës, Allahu i Madhërishëm më shpëtoi nga ajo fatkeqësi.

Para kësaj, kisha parë edhe këtë ëndërr: një person zgjati dorën për të ma hequr kapelën nga koka. Unë i thashë: ‘Çfarë po bën?’ Atëherë ai e la kapelën në kokën time dhe tha:

“Mirë është! Mirë është!.””

3. Kundërshtari i kërkoj të dëshmonte sepse e dinte se Mesihu i Premtuar nuk gënjente

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. duke dhënë shembullin e tretë, thotë:

“Një shembull tjetër nga këto është ky: djali im, Sultan Ahmedi, ngriti padi kundër një hindusi me pretendimin se ai kishte ndërtuar shtëpi në tokën tonë. Ai kërkoi rrëzimin e shtëpisë. Por në përgatitjen e padisë kishte një gjë që ishte kundër realitetit dhe, po të provohej ajo, padia duhej të rrëzohej. Nëse padia do të rrëzohej, jo vetëm Sultan Ahmedi, por edhe unë do të pësoja humbje të pronësisë. Atëherë pala kundërshtare, duke e parë rastin, kërkoi dëshminë time.”

Ata thanë: Mirë, le ta bëjmë atë dëshmitar. Çfarëdo që të thotë ai, ne do ta pranojmë.

“Unë shkova në qytetin e Betalasë dhe qëndrova në shtëpinë e Babu Fateh Dinit, nënpunës i postës, e cila ndodhej pranë tehsilit të Bttalas. Çështja ishte para një gjykatësi hindu, emri i të cilit tani nuk më kujtohet, por ai ishte edhe çalaman nga njëra këmbë. Në atë kohë, avokati i Sultan Ahmedit erdhi tek unë dhe më tha:

‘Tani është koha e paraqitjes së çështjes. Çfarë deklarate do të jepni?’

Unë i thashë:

‘Do të deklaroj atë që është realiteti dhe e vërteta.’

Atëherë ai tha: ‘Në këtë rast, çfarë nevoje ka që ju të shkoni në gjykatë? Do të shkoj unë.’”

Pra, nuk mbetet më nevojë për ta zhvilluar çështjen. Nëse ai do të thotë të vërtetën, çështja do të marrë fund.

Pra, avokati tha: “Do të shkoj që ta tërheq padinë.”

“Në këtë mënyrë, unë e prisha atë çështje me duart e mia vetëm për shkak të mbështetjes ndaj së vërtetës. Vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut, e konsiderova humbjen materiale si diçka të pavlerë.

Këta dy shembujt e fundit nuk janë pa prova. Për rastin e parë janë dëshmitarë Sheikh Ali Ahmed, avokat në Gurdaspur, dhe Sardar Muhammed Hajat Khan C.S.I.; gjithashtu, dosja e çështjes duhet të jetë e pranishme në zyrën e Gurdaspurit.

Për rastin e dytë janë dëshmitarë Babu Fateh Din dhe vetë avokati, emri i të cilit tani nuk më kujtohet, si edhe ai gjykatësi që e përmenda më sipër, i cili ndoshta tani është transferuar në qytetin e Ludhianasë. Me sa duket, kanë kaluar afro shtatë vjet nga ajo çështje. Po, tani m’u kujtua: një dëshmitar i asaj çështjeje është edhe Nabi Baksh, topograf i Betalas.

Tani, shejkh!”

Pra, duke iu drejtuar Maulvi Betelviut, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Nëse edhe ju keni ndonjë shembull të një sprove të këtij niveli, ku ju është dukur se, po të thoshit të vërtetën, jeta, nderi dhe pasuria juaj do të shkatërroheshin, por prapëseprapë nuk e keni lënë të vërtetën dhe nuk keni pasur asnjë merak për pasurinë dhe jetën, atëherë, për hir të Allahut, paraqiteni atë ngjarje bashkë me provën e plotë.

Përndryshe, bindja ime është se shumica e mullahëve dhe hoxhallarëve të kësaj kohe janë vetëm fjalë e fjalë. Përndryshe, janë gati ta shesin besimin për një qindarkë, sepse Profeti ynë i nderuar s.a.v.s. i ka cilësuar hoxhallarët e kohës së fundit si më të këqijtë e krijesave.

Edhe Muxheddidi juaj, i ndjeri Navab Sidik Hasan Khan, në librin e tij “Huxhexhul-Kerameh”, e ka pranuar se ajo kohë e fundit është pikërisht kjo kohë. Prandaj, pranimi pa prova i asketizmit dhe i takvasë së këtyre hoxhallarëve do të kërkonte përgënjeshtrimin e fjalës së Profetit Muhammed s.a.v.s.

Prandaj, paraqitni një shembull. Nëse nuk mund ta paraqitni, atëherë do të vërtetohet se ju keni vetëm pretendimin e të qenit i drejtë në fjalë, ndërsa asnjë pretendim nuk meriton të pranohet pa provë.

Gjendjen tuaj të brendshme e di Allahu i Madhërishëm: a jeni ndotur ndonjëherë nga papastërtia e gënjeshtrës dhe shpifjes apo jo. Unë nuk e di këtë. Allahu e di; të fshehtën e di vetëm Ai. Ose e dinë ata që janë të njohur me gjendjen tuaj.

Ai njeri që del i vërtetë në kohën e sprovës dhe nuk e lë të vërtetën, mbi vërtetësinë e tij vihet vula. Nëse këtë vulë e keni, paraqiteni; përndryshe, kini frikë Allahun e Madhërishëm, se mos Ai ju zbulon perden.”

Për çështjen që u përmend, pra për padinë që kishte ngritur djali i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Mirza Sultan Ahmed sahibi, për rrëzimin e shtëpisë, në hollësitë e saj është shkruar se një hindu, oficeri Shankar Das, kishte mbajtur një post shtetëror në shtetin e Xhamu-së. Në Kadijan ai kishte zaptuar një tokë të braktisur në anën lindore të xhamisë Aksa dhe kishte ndërtuar shtëpi aty, ku më vonë do të ngriteshin zyrat e Sadr Anxhuman Ahmedias.

Mirza Sultan Ahmed sahibi kishte ngritur padi dhe kërkesa ishte për rrëzimin e shtëpisë. Por në përgatitjen e padisë kishte një gjë kundër realitetit, prova e së cilës do ta rrëzonte padinë. Nga kjo nuk do të dëmtohej vetëm Mirza Sultan Ahmedi, por edhe vetë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., sepse ai do t’i humbte të drejtat pronësore mbi atë tokë.

Pala kundërshtare, domethënë Shankar Dasi, nuk ishte pronar i asaj toke, por, sidoqoftë, tokën e kishte nën zotërim.

Pronar nuk ishte, por e kishte zaptuar tokën.

Ligjërisht, ose në mënyrë kundërshtuese, ata donin të përfitonin pikërisht nga kjo gjë. Prandaj ata kërkuan që Hazret Mesihu i Premtuar a.s. të thirrej për dëshmi, sepse, megjithëse ishin kundërshtarë të ashpër, ata e dinin se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. nuk do të gënjente. Ata e dinin se ai do të deklaronte në gjykatë se zotërimi i tokës ishte i palës kundërshtare dhe se kishte kaluar kohë e gjatë që kur ajo palë e kishte nën zotërim.

Dhe kështu ndodhi: kur Mirza Sultan Ahmed sahibi mori vesh se pala kundërshtare kishte kërkuar dëshminë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., edhe Mirza Sultan Ahmedi e dinte se ai kurrë nuk do të gënjente, prandaj ai e tërhoqi fare çështjen.

“Askush nuk mund të qëndroj përballë kampit mbretëror.”

Sidoqoftë, edhe ajo shtëpie e madhe, që qe në formë pallati, ka një histori: ajo quhej havelia e oficerit Shankar Das, i cili ishte tepër fanatik dhe kundërshtar, siç ju thashë më herët.

Nga ajo shtëpi e lartë mund të vëzhgohej lirshëm oborret e brendshme të shtëpive të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Kjo ishte gjithashtu një arsye për ta ndjekur atë çështje dhe për ta kundërshtuar.

Kundërshtimi i tij ishte i tillë, saqë kur besimtarët shkonin për namaz në xhmianë Aksa, ky Shankar Dasi ulej para derës së shtëpisë dhe i shante ata që kalonin andej. Ai përdorte mënyra të ndryshme për t’i shqetësuar anëtarët e Xhematit dhe për t’i lënduar ata.

Kur ata që vuanin nga këto sjellje shkonin tek Hazret Mesihu i Premtuar a.s., dhe ankoheshin, ai i ngushëllonte me vendosmëri dhe madhështi dhe thoshte:

“Duroni edhe pak! Askush nuk mund të qëndroj përballë kampit mbretëror.”

Ai kishte ngritur njëfarë baze të vetën, por edhe kampi ynë është kamp mbretëror; është kampi i Allahut të Madhërishëm. Përballë tij askush nuk mund të qëndrojë.

Pastaj ata që panë, panë, dhe ata që dëgjuan, dëgjuan se shtëpia e lulëzuar e atij oficeri filloi të rrënohej. Në fund, edhe ai u largua prej andej, për shkak të sëmundjeje, ose në ndonjë mënyrë tjetër.

Këtë shtëpi e bleu Hazret Sheikh Jakub Ali sahib Irfani dhe në vitin 1932 në atë shtëpi u vendosën zyrat e Sadr Anxhuman Ahmedias. Edhe hapjen e saj e bëri Hazret Mulseh Maudi (Kalifi i Dytë i Xhematit) r.a.

Sidoqoftë, kjo është fuqia e Zotit: ai njeri që me arrogancë të madhe, nuk lejonte asnjë namazfalës të kalonte para shtëpisë së tij për të shkuar drejt xhamisë, erdhi një ditë që vendimi i Zotit ia fshiu edhe emrin, edhe gjurmën, dhe gjithë atë shtëpi, atë zonë, e ka kthyer në xhami. Sot ajo është pjesë e xhamisë Aksa në Kadijan.

Sa madhështor qenka bekimi i dëshmisë që dha Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bazuar në të vërtetën dhe në drejtësinë! Ai nuk e la të vërtetën në asnjë rrethanë. Përballë saj, nuk mori parasysh as nderin, as prestigjin familjar, as humbjen e tokës dhe pasurisë. Gati i flijoi të gjitha këto me duart e veta.

Por Zoti e pranoi këtë sakrificë në një mënyrë të tillë dhe i dha aq madhështi dhe e bekoi në atë mënyrë, saqë sot, pikërisht poshtë Minaretul-Mesihut (Minarja e Mesihut), ajo pronë gjallëron në formën e një vendadhurimi të Zotit të Vetëm.

Hazret Musleh Maudi r.a., duke folur për avokatin që po ndiqte këtë çështje, thotë:

Në atë kohë, në shumicën e proceseve, nga ana e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. çështjet i ndiqte Z. Sheikh Ali Ahmed, avokat i Gurdaspurit. Edhe pse nuk ishte ahmedian, duke parë jetën e pastër të Mesihut të Premtuar a.s., kishte mendim shumë pozitiv për të. Për sa i përket çështjes së parë postare, dhe Hazret Musleh Maudi r.a. po tregon hollësitë e saj dhe tregon çfarë i kishte thënë avokati Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Avokati i tha:

“Nuk ka ndonjë dëshmitar tjetër. Pastaj, ajo letër lidhet pikërisht me atë shkrim dhe mund të quhet pjesë e njoftimit. Prandaj, pa gënjyer, mund të thoni se kishit dërguar vetëm njoftimin, jo ndonjë letër.”

Por Hazret Mesihu i Premtuar a.s. refuzoi ta bënte këtë dhe tha:

“Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo hollësi ishte kundër standardit të së vërtetës.”

Ai tha: “Unë e kam futur letrën në të. Edhe pse ajo ishte pjesë e shkrimit, megjithatë ishte edhe letër. Prandaj unë do të them se kam futur letrën. Si mund ta mohoj atë që kam bërë?”

Prandaj, kur ai u paraqit dhe gjkatësi e pyeti nëse kishte futur ndonjë letër në shkrim, ai tha: “Po.”

Kjo drejtësi dhe vërtetësi patjetër që do të ndikonte te të tjerët, por ndikimi i saj mbi vetë gjykatën ishte aq i madh, saqë ajo e liroi dhe tha se një njeri kaq i drejtë nuk mund të dënohej për një shkelje teknike.

Duke përmendur avokatin e po kësaj çështjeje postare, Hazret Sheikh Jakub Ali sahib Irfani shkruan:

“Avokati Sheikh Ali Ahmed ma tregoi vetë.”

Pra, kjo është deklarata e vetë avokatit që ai ia dha Sheikh Jakub Ali Irfaniut, duke i treguar ngjarjet e kësaj çështjeje.

Ai tha:

“Kjo çështje u paraqit për herë të fundit në vendin Dinanagar. Unë u përpoqa shumë që Mirza sahib ta mohonte se ajo letër ishte vendosur në paketë. Sipas meje, nuk mund të provohej se ajo letër kishte dalë pikërisht nga ajo paketë. Për këtë nuk kishte asnjë dëshmi. Për shkak të dallimit fetar, as dëshmia e vetë Lala Raliaramit nuk mund të pranohej.”

“Sa më shumë këmbëngulja unë, aq më shumë Mirza sahibi refuzonte. Unë ia përsërita disa herë se përfundimi nuk do të ishte i mirë dhe se pa ndonjë arsye do të vihej mbi një familje të nderuar njolla e dënimit në një çështje penale.”

Tani çdo gjë po shkonte kundër tij. Avokati vijon:

“Por ai — domethënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. — “nuk ma pranoi fjalën. Dhe unë, duke menduar se, nëse çështja humbej ndërsa unë e ndiqja atë, do të kishte turp të madh nga ana e familjes, përfitova nga këmbëngulja e Hazret Mirza sahibit për të mos mohuar dhe i thashë:

‘Nëse nuk ma pranoni kërkesën, unë nuk e ndjek çështjen tuaj. Nuk mund të jem më avokati juaj.’”

Mendimi im ishte se në këtë çështje do të kishte dënim dhe, pasi të tërhiqesha, faji do t’i mbetej Mirza sahibit, se kjo ndodhi për shkak se ai veproi kundër këshillës sime si avokat.”

Pra, edhe vetë avokati ishte i bindur se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. do të dënohej. Dhe nëse do të dënohej, kishte rrezik që njerëzit të thoshin:

“Çfarë avokati ishte ky, që nuk arriti ta paraqiste çështjen siç duhet?”

Ai thotë: “Nga frika e turpërimit tim, unë shpreha pakënaqësi dhe u tërhoqa nga ndjekja e çështjes gjyqësore. Çështja u zhvillua në mungesën time. Por ishte tërësisht e habitshme për mua,” thotë vetë avokati, “se çështja u rrëzua (dhe Mirza sahibi nuk u dënua).”

Pastaj thotë:

“Më erdhi keq. Më erdhi keq sepse, po të isha paraqitur, do të kisha marrë meritën e suksesit pa mundim, por tashmë koha kishte kaluar.”

Kur Sheikh Ali Ahmed sahib e tregonte këtë ngjarje, ai e lavdëronte shumë qëndrueshmërinë dhe drejtësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Marrëdhëniet e tij me këtë familje vazhduan deri në vdekje. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në përgjithësi pëlqente të këshillohej me të në çdo çështje gjyqësore dhe e respektonte.

Kur njeriu nuk gënjen as për të shpëtuar veten

Duke përmendur këto çështje të ndryshme gjyqësore, Hazret Sheikh Nur Ahmed sahib tregon:

“Babai dhe xhaxhai im thoshin se fshati ynë ishte në pronat e Mirza sahibit. Për një kohë, ai ishte përfaqësues i babait të tij dhe në disa seanca gjyqësore na ka rënë të shkonim në gjykatë bashkë me të. Ai gjithmonë zgjidhte anën e së vërtetës, edhe nëse kjo i shkaktonte dëm çështjes. Me pak fjalë, ai nuk e linte fare të vërtetën nga dora.”

Ai nuk e lejonte gënjeshtrën as t’i afrohej.

Hazret Mian Allah Jari tregon:

“Një herë, kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte rreth njëzet e pesë ose tridhjetë vjeç, babai i tij i nderuar pati një mosmarrëveshje me trashëgimtarët-punëtorë të tokës për prerjen e disa pemëve. Mendimi i babait të tij të nderuar ishte se, meqë ata ishin pronarët e tokës, edhe pemët ishin pronë e tyre. Prandaj ai ngriti padi kundër atyre trashëgimtarëve dhe e dërgoi atë në Gurdaspur për ta ndjekur çështjen. Bashkë me të ishin edhe dy dëshmitarë.

Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kaloi kanalin (lumin) dhe arriti në fshatin Patna Vala, u ul pak rrugës për të pushuar dhe, duke iu drejtuar shokëve, tha:

“Babai po vepron padrejtësisht. Pemët janë si të mbjellat. Këta janë njerëz të varfër. Nëse i kanë prerë, çfarë të keqe ka? Sidoqoftë, unë nuk mund të them në gjykatë se ato janë krejtësisht tonat. Po, mund të kemi pjesë në to.’”

Edhe trashëgimtarët-punëtorë kishin besim të madh tek ai. Prandaj, kur magjistrati i pyeti ata për çështjen e vërtetë — ata që kishin qenë punëtorë të trashëguar, bujq të vjetër të asaj toke — ata u përgjigjën pa hezitim:

“Pyeteni vetë Mirza sahibin!”

Domethënë ata që e kishin marrë tokën, bujqit ose punëtorët, thanë:

“Pyeteni vetë atë. Ç’nevojë ka të merrni dëshminë tonë? Ne e dimë se ai nuk do të gënjejë.”

Atëherë magjistrati e pyeti Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Ai tha:

“Sipas meje, pemët janë si të mbjellat. Ashtu siç kemi pjesë të përbashkët në të mbjellat, po ashtu kemi pjesë të përbashkët edhe në pemët.”

Në bazë të kësaj deklarate, magjistrati vendosi në favor të trashëgimtarëve-punëtorë.

Më pas, kur ai u kthye në Kadijan, Hazret Mirza Ghulam Murtazai (babai i Hazret Mesihut të Premtuar a.s.) e pyeti njërin prej shokëve që kishin shkuar me të:

“Çfarë vendimi u dha?”

Ai tha: “Unë isha jashtë. Mirza sahib hyri brenda. Ai do ta dijë.”

Atëherë u thirr Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Ai e tregoi të gjithë ngjarjen pa asnjë shtesë e pa asnjë mangësi. Kur e dëgjoi këtë, babai i tij i nderuar u zemërua shumë. Pra, u mërzit shumë me të.

Sidoqoftë, këto ishin disa ngjarje që paraqita lidhur me vërtetësinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Njëra ngjarje u zgjat shumë, sepse lidhur me akuzat që një hoxhë i gabuar i kishte bërë atij, ai i shpjegoi hollësisht.

Sidoqoftë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. gjithmonë i dha përparësi së vërtetës dhe nuk iu afrua asnjëherë gënjeshtrës. Për këtë, ai gjithmonë i këshilloi edhe ndjekësit e tij që të qëndrojnë në të vërtetën. Madje edhe në kushtet e bej’atit është shkruar se ne do ta urrejmë gënjeshtrën dhe do të qëndrojmë në të vërtetën.

Prandaj, detyra jonë është që këtë cilësi të së vërtetës ta bëjmë shenjën tonë të veçantë.

Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë për këtë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via