Cili duhet të jetë standardi i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Cili duhet të jetë standardi i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 24.04.2026)

Standardet e larta të së vërtetës dhe paralajmërimi kundër gënjeshtrës

Në hytben e kaluar ju përmenda standardet e larta të së vërtetës në jetën e Profetit Muhammed s.a.v.s., si dhe këshillat dhe udhëzimet e tij për besimtarët. Në këtë kontekst, sot do të flas më tej.

Se në çfarë standardesh të larta të së vërtetës dëshiron ai të na ngrejë, në një transmetim nga Hafs ibn Asimi, thuhet se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Që një njeri të quhet gënjeshtar mjafton si shenjë, që ai të përhapë çdo gjë që dëgjon.”

Shikoni, kjo është shprehi shumë e përhapur te njerëzit. Edhe brenda xhematit kjo e keqe ekziston te disa njerëz. Edhe mua më shkruajnë disa për dikë se ai ka bërë këtë apo atë, por kur bëhet verifikimi, del se lajmi është i gabuar. Dhe kur pyeten se kush ua ka thënë, përgjigjen: “Ne vetëm e kemi dëgjuar.” Dhe mbi këtë dëgjim ata bëjnë zhurmë dhe e përhapin gjithandej. Të tillët duhet të reflektojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka quajtur gënjeshtarë.

Ndjeshmëria e sahabëve ndaj gënjeshtrës

Në një transmetim tjetër, Hazret Aisha r.a. thotë se sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk urrejnin asgjë më shumë se gënjeshtrën. Nëse dikush gënjente para Profetit s.a.v.s., ajo gjë i mbetej në zemër. Ai e ndiente shumë rëndë dhe e mbante në mend dhe nuk qetësohej derisa merrte vesh se ai person ishte penduar, ishte përmirësuar dhe kishte hequr dorë plotësisht nga gënjeshtra.

Gënjeshtra për të lënduar të tjerët

Në një transmetim tjetër, nga Asma bint Abi Bakr r.a., thuhet se një grua erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe tha:

“Unë kam një bashkëshorte (të burrit tim). A është mëkat nëse unë para saj tregoj se burri im më jep shumë gjëra, edhe pse në të vërtetë nuk mi ka dhënë, vetëm për ta xhelozuar dhe për ta mërzitur?”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Ai që shprehet se është i kënaqur me atë që nuk e ka zotëruar ndonjëherë, është sikur të ketë veshur dy rroba gënjeshtre.”

Në shpjegimin e kësaj është shkruar se fjala “rroba” këtu është përdorur si shembull. Kuptimi është se ai person përdor gënjeshtrën dhe mashtrimin. Ai ka veshur dy rroba gënjeshtre: njërën e ka hedhur mbi supe dhe tjetrën poshtë. Me fjalë të tjera, kokë e këmbë ai është gënjeshtar.

Kjo do të thotë se një person i tillë është i mbuluar nga gënjeshtra nga koka te këmbët, ai përdor mashtrim dhe falsitet në çdo aspekt.

Shenjat e hipokrizisë

Pra, me shumë hollësi ai i këshilloi ndjekësit e tij të shmangen nga gënjeshtra.

Në një transmetim tjetër nga Abdullah ibn Amr r.a., thuhet se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Ai që ka këto katër cilësi, është hipokrit i plotë; dhe ai që ka një prej tyre, ka një shenjë hipokrizie, derisa ta lërë atë:

  1. kur i besohet diçka, tradhton
  2. kur flet, gënjen
  3. kur premton, e thyen premtimin
  4. kur grindet, shan”

Të gjitha këto sjellje, në një mënyrë apo tjetër, lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me gënjeshtrën.

Prandaj, këto janë dobësi morale që janë shenja të hipokrizisë. Duke i pasur parasysh këto, secili prej nesh duhet të bëjë vetë-analizë: deri në çfarë mase këto dobësi gjenden tek ne? Sepse këto gjëra e çojnë njeriun drejt hipokrizisë. Askush nuk dëshiron të quhet hipokrit (munafik).

Paralajmërimi për përhapjen e gënjeshtrave dhe shembuj nga mësimet e Profetit s.a.v.s.

Pastaj, për ata që përhapin gjëra të pavërteta, Profeti s.a.v.s. ka dhënë paralajmërime shumë të forta. Në një transmetim, Samurah ibn Xhundub r.a. tregon se Profeti Muhammed s.a.v.s. shpesh i pyeste sahabët:

“A ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr?”

Pastaj ata që kishin parë ndonjë ëndërr, e tregonin sipas asaj që dëshironte Allahu i Madhërishëm.

Një mëngjes, Profeti s.a.v.s. tha:

“Natën e kaluar pashë një pamje. Dy persona erdhën tek unë, më ngritën dhe më thanë: “Eja.” Unë shkova me ta dhe arritën te një njeri që ishte shtrirë në shpinë. Pranë tij qëndronte një tjetër me një grep hekuri në dorë, si një vegël e mprehtë, dhe ai i afrohej njërës anë të fytyrës së tij, duke ia çarë gojën deri te pjesa e pasme e kokës, po ashtu i çante vrimën e hundës deri mbrapa dhe edhe syrin deri mbrapa, ia çante të gjithë anën e fytyrës.

Pastaj largohej dhe shkonte te ana tjetër e fytyrës dhe bënte të njëjtën gjë. Kur përfundonte me njërën anë, ajo shërohej si më parë, dhe ai kthehej përsëri dhe e përsëriste të njëjtin veprim. Kjo ndodhte vazhdimisht.

Thashë: “Subhanallah! Kush janë këta njerëz?” Më thanë: “Ne do të ta tregojmë të vërtetën. Ai person, fytyra e të cilit po çahej në këtë mënyrë, është ai që del nga shtëpia në mëngjes dhe sajon një gënjeshtër që përhapet në të gjitha anët.”

Pra, ai është përhapës i thashethemeve dhe i fjalëve të pavërteta për njerëzit. Disa njerëz i thonë këto gjëra thjesht për kënaqësi apo për argëtim, dhe ndonjëherë për të dëmtuar reputacionin e dikujt. Në çdo rast, ata duhet të kujtojnë se kjo është një vepër për të cilën do të mbahen përgjegjës dhe Allahu i Madhërishëm do të dënojë një njeri të tillë. Është tejet e frikëshme dhe duhet të bëjmë shumë istigfar që të mos bëjmë veprime të tilla.

Sinqeriteti në tregti

Në një transmetim tjetër nga Hakim ibn Hizam r.a., përcjellë nga Abdullah ibn al-Harith, thuhet se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë ta prishin marrëveshjen për sa kohë që nuk janë ndarë. Nëse tregohen të sinqertë dhe e sqarojnë gjithçka hapur, tregtia e tyre bekohet. Por nëse fshehin dhe gënjejnë, tregtia e tyre nuk do të ketë asnjë bekim.”

Shumë mosmarrëveshje tregtare lindin nga gënjeshtra. Allahu i Madhërishëm nuk ua bekon punët atyre që përdorin mashtrim dhe gënjeshtër. Ata e dëmtojnë veten në këtë botë dhe gjithashtu dalin fajtorë para Allahut dhe do të ndëshkohen.

Pasojat e gënjeshtrës

Nga Abdullah ibn Umar r.a. transmetohet se Profeti s.a.v.s. ka thënë:

“Kur një rob gënjen, engjëlli largohet prej tij një milje larg, për shkak të erës së keqe që del nga ajo që ai ka bërë.”

Mashtrimi në tregti

Në një transmetim nga Abu Huraira r.a. thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë një grumbulli me drithë dhe futi dorën në të. Ai ndjeu lagështi në brendësi dhe tha:

“O shitës i drithit, çfarë është kjo?”

Ai tha: “O i Dërguari i Allahut, e ka lagur shiu.”

Ai tha: “Pse nuk e vendose sipër që njerëzit ta shohin? Kush mashtron, nuk është prej meje.”

Pra, edhe tregtarët duhet të reflektojnë. Ky është standardi që Profeti s.a.v.s. dëshironte të krijonte tek muslimani. Por fatkeqësisht, sot ka muslimanë që janë bërë të njohur për mashtrim dhe gënjeshtra në botë.

Detyrimi për të jetuar me të vërtetën

Pra, sot ne që, duke pranuar Mesihun e Premtuar a.s., deklarojmë se kemi besuar me vërtetësi të plotë në Profetin Muhammed s.a.v.s., atëherë në çdo fjalë dhe veprim tonin duhet të ketë standardin më të lartë të së vërtetës. Përndryshe, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: nëse kjo nuk është, atëherë “ju nuk jeni prej meje”. Pra, ai tha – nuk kam lidhje me ju.

Ai ka dhënë pa numër këshillash dhe udhëzimesh për të përvetësuar të vërtetën me shumë kujdes dhe hollësi. Askush nuk mund të jetë musliman i vërtetë, pa qenë plotësisht i përkushtuar ndaj së vërtetës.

Vërtetësia në jetën e Profetit s.a.v.s.

Në lidhje me jetën e tij, po paraqes disa gjëra: Profeti s.a.v.s. ishte më i dalluari në besnikëri dhe ndershmëri për shkak se gjithmonë fliste të vërtetën, madje në mesin e njerëzve njihej si “sadik” (i vërteti) dhe “emin” (i besueshmi).

Një autor ka shkruar se Muhammedi (s.a.v.s.) u dërgua në një kohë kur para tij nuk kishte ardhur ndonjë paralajmërues për popullin e tij. Njerëzit adhuronin idhuj dhe figura të ndryshme. Megjithatë, që në fëmijëri ai gëzonte mençuri dhe urtësi, edhe pse jetonte mes idhujtarëve. Ai kurrë nuk tregoi prirje ndaj idhujve dhe nuk mori pjesë në festat e tyre. Prej tij nuk u dëgjua kurrë gënjeshtër. Njerëzit e konsideronin shumë të vërtetë, të besueshëm, të durueshëm dhe shumë të mëshirshëm. Madje, edhe para Islamit, njerëzit i drejtoheshin atij për gjykim.

Dëshmia e popullit të tij

Duke e shpjeguar këtë, Hazret Musleh Maudi r.a. (Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia) thotë:

“Dëshmia unanime, që gjendet lidhur me virtytet e tij, është ajo që jep populli i tij, në kohën kur ai akoma nuk kishte deklaruar të ishte profet: i gjithë populli e quante emin dhe sidik, domethënë i besueshëm dhe i vërtetë.

Ka shumë njerëz në botë, rreth të cilëve nuk gjejmë ndonjë dëshmi që ata janë jobesnik. Ka edhe shumë të tjerë që nuk u rastis ndonjëherë të kalojnë nga ndonjë sprovë e rëndë. Po, ata mund të përballen me sprova të lehta, të cilat kur i kalojnë, japin një dëshmi të vogël të besnikërisë së tyre, por prapëseprapë, populli i tyre nuk i nderon me ndonjë titull të veçantë. Sepse titulli i veçantë i jepet vetëm atij, që dallohet nga të gjithë njerëzit e popullit, me një virtyt të caktuar.

Çdo luftëtar që merr pjesë në një luftë, e vë veten në rrezik, por as populli anglez nuk i jep çdo ushtari Kryqin Viktoria dhe as populli gjerman nuk nderon çdo ushtar me Kryqin e Hekurt. Në Francë ka qindra mijëra që merren me punët shkencore, por megjithatë, nuk i jepet çdokujt medalja “Legion of Honour”. Kështu që, vetëm besnikëria dhe vërtetësia e një njeriu nuk hedhin shumë dritë mbi madhështinë e tij. Por, nëse i gjithë populli e quan dikë si besnik dhe të vërtetë, kjo patjetër është diçka e jashtëzakonshme. Po t’ia jepnin njerëzit e Mekës këtë titull dikujt në çdo brez, atëherë sigurisht që ai që do ta fitonte këtë titull, do të ishte njeri i madh, por historia arabe nuk tregon se diçka e tillë kishte ndodhur ndonjëherë, madje në asnjë brez. Vetëm Muhammedi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shquhet në historinë qindravjeçare të Arabisë, të cilit i ishte dhënë titulli i besnikërisë dhe vërtetësisë, sepse edhe besnikëria, edhe vërtetësia e tij ishin kaq të larta, saqë vetëdija arabe nuk kishte njohur shembull të tillë më parë. Arabët ishin shquar në botë për mprehtësinë e tyre, andaj, nëse e quanin të rrallë dikë, ai ishte i denjë të konsiderohet i rrallë në botë.” (“Jeta e Muhammedit s.a.”, Tiranë, 2013, f. 272-273)

Në Kuran, gënjeshtra krahasohet me idhujtarinë

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Sot gjendja e botës është bërë shumë e rrezikshme. Kudo që të shikosh, krijohen dëshmitarë të rremë. Hapja e proceseve të rreme është bërë diçka e zakonshme. Dokumente të rreme prodhohen, letra të rreme krijohen. Kur flitet për diçka, njerëzit shmangin të vërtetën nëse nuk u sjell dobi dhe përdorin gënjeshtrën.

Tani le t’i pyesim këta njerëz: a ishte kjo feja që solli Profeti Muhammed s.a.v.s.?

(Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pohon që ai themeloi Xhematin që njerëzit të ngrihen në të vërtetën)

Allahu i Madhërishëm e ka quajtur gënjeshtrën papastërti dhe ka urdhëruar të shmanget:

اجْتَنِبُوا الرِّجْسَ مِنَ الْأَوْثَانِ وَاجْتَنِبُوا قَوْلَ الزُّورِ

“ruhuni nga ndyrësia e idhujve dhe ruhuni nga gënjeshtra” (Kurani i Shenjtë 22:31)

Gënjeshtra është vendosur krahas idhujtarisë. Ashtu si një njeri i pamend e lë Allahun dhe përkulet para një guri, po ashtu ai që e lë të vërtetën dhe përdor gënjeshtrën për interesat e tij, e ka bërë gënjeshtrën idhullin e tij.

Pra, Zoti thotë ruhuni nga idhujtaria dhe ruhuni nga gënjeshtra.

Shkurt, Allahu e ka krahasuar gënjeshtrën me idhujtarinë. Ashtu si një idhujtar shpreson shpëtim nga idhulli i tij, edhe gënjeshtari mendon se do të shpëtojë përmes gënjeshtrës së tij.

Sa e rëndë qenka kjo! Kur u thua njerëzve të largohen nga kjo papastërti, ata thonë se nuk mund të jetojnë pa të, (pra, thonë se duhet të gënjejnë për të përfituar).

Ai thotë: çfarë fatkeqësie më e madhe mund të ketë se njerëzit e mbështesin jetën e tyre mbi gënjeshtrën?

Por unë ju siguroj: në fund, vetëm e vërteta fiton. Fitorja dhe e mira i takojnë së vërtetës.

Dëshmitë e para për vërtetësinë e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Duke përshkruar jetën e Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Musleh Maudi r.a. shkruan në një libër të tij:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tregon bashkëshortes së tij se mbi të ka zbritur shpallje. Ajo nuk i thotë: “Çfarë po shpik kështu?”, por i thotë: “Mos u shqetëso. Ajo që ke parë është e vërtetë. Allahu nuk do të të lërë kurrë në humbje, sepse ti mban lidhjet farefisnore, ndihmon të varfrit, ringjall virtytet e humbura, nderon mysafirët dhe ndihmon të vërtetën dhe drejtësinë.”

Pastaj ajo e çon te kushëriri i saj Verka ibn Nevfeli, i cili ishte dijetar i shkrimeve hebraike. Ai, sapo e dëgjoi, tha:

“Kjo është e njëjta shpallje që i zbriste Musait, dhe këto janë të njëjtët urdhra që gjenden në shpalljen e tij.”

Një pjesë të kësaj ngjarjeje ju kam treguar edhe në hytben e mëparshme. Më pas, Hazret Musleh Maudi duke renditur dëshmi të tjera, pohon:

Pastaj jep një dëshmi tjetër: në shtëpi ishte një kushëri i ri, në prag të rinisë, që mund të bëhej një mjet i mirë për përhapjen e mesazhit. Kur ai dëgjon bisedën serioze mes vëllait dhe nuses së vëllait, pra mes Profetit s.a.v.s. dhe Hatixhes r.a., afrohet me qetësi dhe thotë:

Edhe unë besoj se ti je i drejtë dhe se nuk e vë në dyshim se Allahu ka folur me ty dhe të ka dërguar për të mirën e botës.

Më pas vjen edhe dëshmia e një skllavi të liruar, Zejd ibn Harithe r.a., i cili, i prekur nga morali i tij, kishte lënë prindërit dhe kishte qëndruar pranë tij. Kur ai dëgjon këto gjëra dhe sheh shqetësimin në fytyrën e zotërisë së tij, kapet pas tij dhe thotë:

Ajo që ke parë është e vërtetë. Ajo që thua është e vërtetë. Nga një njeri si ti, natyra nuk mund të bëjë mashtrim. Ti je nga koka te këmbët je i vërtetë dhe i drejtë. Si mund të të mashtrojë natyra? Ka ardhur koha që përmes teje të përmirësohet bota. Më lejo të qëndroj me ty dhe të të shërbej.

Pastaj përmendet një mik i ngushtë, si një margaritar tjetër në të njëjtën guaskë. Kur ai dëgjon se shoku i tij ka bërë një pretendim të madh dhe disa thonë se ndoshta është çmendur, ai shkon nxitimthi, e troket në derë, dhe pyet:

“A është e vërtetë kjo që dëgjoj?”

Kur Profeti s.a.v.s. fillon t’i shpjegojë, ai thotë:

“Për Zotin, mos më jep argumente. Më thuaj vetëm: a është e vërtetë?”

Kur ai e pohon, ai thotë: O miku im, unë besoj në profetësinë tënde. Pothuajse po më prishje besimin duke më dhënë argumente. Unë kam parë aq shumë të vërtetë tek ti, sa nuk kam nevojë për prova.

Pastaj shton: Ai që e ka parë fytyrën tënde, si mund të dyshojë në fjalët e tua? Ky ishte Hazret Ebu Bekr Sidiku r.a..

Krahasimi me Musain a.s. dhe ndihma hyjnore

Është e natyrshme që një mesazh i tillë të përballet me kundërshtim. Siç ka thënë Verka ibn Nevfeli:

لم يأت رجل قط بمثل ما جئت به إلا عودي

“Askush nuk ka ardhur me një mesazh të tillë pa u përballur me kundërshtim.”

Por shikoni planin e Allahut të Madhërsihëm: para se të shpërthente stuhia e kundërshtimit, Ai kishte përgatitur mbështetësit e tij.

  1. Nga banorët e Mekës, i vetmi dijetar i shkrimeve të mëparshme, Verka ibn Nevfeli, që në përballjen e parë u dorëzua para Profetit s.a.v.s..
  2. Bashkëshortja e tij, Hatixhja, sapo dëgjoi shpalljen, filloi ta mbështesë me gjithë zemër.
  3. I riu Aliu, që gjithmonë kishte parë moralin e tij familjar, u paraqit për shërbim.
  4. Skllavi i liruar, Zejdi, i cili kishte vëzhguar për një kohë të gjatë sjelljen e tij në marrëdhënie dhe ndaj të varfërve, filloi të betohej për vërtetësinë e tij.
  5. Miku i fëmijërisë, bamirësi i Mekës dhe shembull fisnikërie, Ebu Bekri, vetëm duke dëgjuar se Profeti ka deklaruar se ka marrë shpallje prej Zotit, erdhi menjëherë dhe u ul në derën e tij, duke u dorëzuar plotësisht.

Kjo shfaqje e pashoqe e dashurisë dhe përkushtimit, sa gëzim të madh duhet t’i ketë dhënë Profetit, vallë! Kur dëgjonte zhurmën dhe talljet e mekaseve, Profeti a.s. mund të ketë buzëqeshur dhe t’u ketë thënë:

Ky është gjykimi juaj, ju që nuk më njihni. Ju që më quani magjistar, mashtrues e kështu me radhë. Por dëgjoni edhe gjykimin e atyre që më njohin. Shikoni si ata që më njohin, janë gati të japin jetën dhe qëndrojnë në të djathtën dhe të majtën time.

Profeti Musa a.s. u lut që t’i jepej një ndihmës për të mbajtur barrën.

(Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit, duke komentuar një ajet të Kuranit, po bën krahasim mes shokëve të Musait dhe atyre të Profetit s.a.v.s., ndaj sjell shembullin e Musait. Pra, Hazret Kalifi i Dytë r.a. vjon:)

Profeti Musa a.s. u lut që t’i jepej një ndihmës për të mbajtur barrën, ndërsa Muhammedi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Allahu i dha pesë ndihmës pa kërkuar, dhe të tillë që e ndanë barrën e tij në mënyrë të jashtëzakonshme.

Verka, pa dyshim, ndërroi jetë shpejt, por la një dëshmi të pashlyeshme për vërtetësinë e tij. Hazret Hatixhja r.a., për 12 vjet, tregoi një qëndrueshmëri dhe sakrificë të tillë që edhe burrat më të guximshëm do të rrëfenin trimërinë e saj. Zajdi r.a., për 20 vjet, dha një shembull të pashembullt sakrifice dhe në fund, përballë shpatave, derdhi gjakun e tij për të dëshmuar se si duhet të jenë ndihmësit e Profetit s.a.v.s..

Ndërsa Ebu Bekri dhe Aliu r.a. jetuan edhe pas vdekjes së tij dhe, duke u bërë Kalifë, treguan në një mënyrë të re se si duhet të jetë kjo ndihmë dhe përkrahje.

Dëshmia e vetë jetës së Profetit s.a.v.s. për vërtetësinë e tij

Pastaj, duke përshkruar shembullin e tij, Hazret Musleh Maudi (Kalifi i Dytë i Xhematit) r.a. në një libër të tij thotë:

Një ndër provat më të fuqishme për vërtetësinë e një njeriu të drejtë është vetë qenia e tij, e cila proklamon fuqishëm, duke iu drejtuar përkrahësve dhe kundërshtarëve, të njohurve dhe të panjohurve, të afërmve dhe të huajve:

Më shikoni dhe, para se të më quani gënjeshtar, mendoni mirë: a mund të më quani gënjeshtar? Nëse më quani të tillë, a nuk do t’ju mbyllen të gjitha rrugët me të cilat dalloni të vërtetën nga e pavërteta? A nuk do t’ju mbyllen të gjitha dyert përmes të cilave arrini tek e vërteta?

Çdo gjë në botë zhvillohet gradualisht dhe ka fazat e saj. As e mira nuk arrin kulmin pa kaluar fazat ndërmjetëse, dhe as e keqja nuk arrin kulmin pa kaluar fazat e saj. Si është e mundur që dikush që vrapon drejt perëndimit, papritur të gjendet në lindje?

Pra, nuk është e mundur që të ecësh në një drejtim dhe të përfundosh në një tjetër.

Me fjalë të tjera, Profeti s.a.v.s. u tha njerëzve:

Unë e kam kaluar gjithë jetën time mes jush. Kam qenë fëmijë dhe jam rritur në duart tuaja. Kam qenë i ri dhe kam arritur moshën e pjekurisë mes jush. Jeta ime private dhe publike është para jush. Asnjë veprim imi nuk është i fshehur prej jush dhe asnjë fjalë imja nuk është e panjohur për ju. A ka ndonjë prej jush që mund të thotë se unë kam gënjyer ndonjëherë?

Pra, si të thuash, kjo ishte shpallja e Profetit Muhammed s.a.v.s..

A ka ndonjë që mund të thotë se kam bërë padrejtësi, kam mashtruar, kam tradhtuar, i kam marrë të drejtën dikujt, kam kërkuar madhështi për vete apo kam synuar pushtet? Në çdo fushë më keni provuar dhe në çdo gjendje më keni testuar, por gjithmonë më keni parë në rrugën e drejtë dhe të moderuar, të pastër nga çdo e keqe. Madje edhe armiqtë më kanë quajtur i drejtë dhe i ndershëm (emin dhe sadik).

Atëherë çfarë ndodhi që deri dje më quani të besueshëm, të drejtë dhe larg gënjeshtrës, ndërsa sot, vetëm për shkak të një deklarate, më quani më i keqi dhe më i ulëti? Kurrë nuk kam gënyer njeri. E si mundet të kem gënyer në emër të Zotit?

A është e mundur një ndryshim kaq i madh në një ditë të vetme? Nëse do të ishte çështje ditësh apo vitesh, mund të thoshit se ishte shtirje, por e gjithë jeta ime ka kaluar para jush. Si është e mundur një shtirje kaq e gjatë?

Mendoni pak: në fëmijëri, kur njeriu nuk di as të mirën as të keqen, si do të shtiresha? Në rini, kur njeriu shpesh është i pakujdesshëm, si do të fshihja të vërtetën? Kur ndodhi ky mashtrim dhe si e bëra?

Nëse pas reflektimit e shihni jetën time të pastër, të drejtë dhe të sinqertë, atëherë mos e quani natën ditë e ditën natë. Gjërat e mia janë të qarta si drita e diellit. Në prani të dritës, mos u ankoni për errësirë. A ju duhet ndonjë provë tjetër përveç jetës sime? A nuk është e mjaftueshme e gjithë jeta ime si dëshmi?

Vetë jeta ime është dëshmia ime. Nëse secili prej jush reflekton, zemra dhe mendja e tij do të dëshmojnë se unë jam në të vërtetën. Unë nuk kam nevojë për prova të tjera për të vërtetuar sinqeritetin tim. Shembulli im është si lindja e diellit. Pra, vetë lindja e diellit është dëshmi e ekzistencës së tij.

Ndikimi i kësaj dëshmie

Kjo ishte ajo provë e fuqishme që preku zemrën e Ebu Bekrit r.a. dhe është e njëjta provë që gjithmonë do të ndikojë tek ata që e duan të vërtetën.

Kur Profeti s.a.v.s. shpalli misionin e tij, Hazret Ebu Bekri r.a. ndodhej në shtëpinë e një miku. Një shërbëtore e liruar i tregoi se bashkëshortja e mikut të tij thoshte se burri i saj është bërë profet si Musai a.s.

Ai u ngrit menjëherë dhe shkoi te Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe e pyeti:

“A ke bërë një deklaratë të tillë?”

Ai tha:

“Po, unë jam i Dërguari i Allahut.”

Hazret Ebu Bekri r.a., sapo e dëgjoi këtë, e pranoi menjëherë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte:

“Unë kam ftuar shumë njerëz në Islam dhe secili prej tyre ka treguar hezitim, por kur e paraqita Islamin para Ebu Bekrit, ai nuk tregoi asnjë dyshim dhe e pranoi menjëherë.”

Çfarë ishte ajo që e bëri të besojë pa kërkuar asnjë shenjë? Ishte vetë jeta e Profetit s.a.v.s., që dëshmonte për të vërtetën e tij.

Po kështu, siç është përmendur më parë, Hatixhja r.a., Hazret Aliu r.a., Hazret Zejd bin Harithah r.a., ishin dëshmitarë të së njëjtës të vërtetë.

Pra, prova e parë dhe e brendshme e vërtetësisë së një profeti është vetë qenia e tij, që dëshmon për të vërtetën e tij, dhe kjo dëshmi është aq e fortë sa nuk lë nevojë për ndonjë mrekulli tjetër.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Nga Fjala e Allahut kuptohet se njerëzit me takva (me druajtje ndaj Allahut) janë ata që ecin me përulësi dhe thjeshtësi; nuk flasin me mendjemadhësi. Fjalët e tyre janë të tilla sikur një i vogël të flasë me një të madh. Ne duhet, në çdo gjendje, të bëjmë atë që na sjell shpëtim. Allahu i Madhërishëm nuk është pronë e askujt; Ai kërkon vetëm takva të pastër. Kush e arrin takvanë, do të arrijë një pozitë të lartë.

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe Hazret Ibrahim a.s. nuk e fituan nderin me ndonjë trashëgimi. Edhe pse ne besojmë se babai i Profetit s.a.v.s., Abdullah, nuk ishte idhujtar, kjo nuk ishte ajo që i dha atij profetësinë. Ajo ishte një dhuratë hyjnore për shkak të cilësive të vërtetësisë që ndodheshin në natyrën e tij.”

Shpesh njerëzit pyesin për babain e Profetit s.a.v.s. nëse ishte idhujtar apo jo. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. iu përgjigj kësaj. Ai vijon:

“Hazret Ibrahimi a.s., i cili është babai i profetëve, për shkak të vërtetësisë dhe takvasë së tij, nuk hezitoi të sakrifikonte djalin e tij dhe u hodh edhe në zjarr.

Pse Profeti Muhmmed a.s. u cilësua më i larti ndër të gjithë Profetët?

Shikoni vërtetësinë dhe besnikërinë e Profetit tonë s.a.v.s.: ai përballoi çdolloj kundërshtimi dhe duroi çdolloj vështirësie pa u tërhequr. Pikërisht kjo vërtetësi dhe besnikëri ishte shkaku që Allahu i Madhërishëm e bekoi.

Prandaj Allahu thotë në Kurani i Shenjtë:

إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ ۚ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Pa dyshim, Allahu dhe engjëjt e Tij bekojnë Profetin. O ju që besuat! Edhe ju lutuni për të dhe dërgojini selam sa më shumë.” (Kurani i Shenjtë 33:57)

Ky ajet tregon se veprat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ishin të tilla që Allahu i Madhërishëm nuk zgjodhi fjalë për t’i përkufizuar ose për t’i përshkruar ato. Fjalët edhe mund të gjendeshin, por Ai nuk i përdori. Pra, përshkrimi i veprave të tij nuk përmblidhet. Ajet si ky nuk gjendet për ndonjë profet tjetër. Shpirti i Profetit Muhammed s.a.v.s. kishte sinqeritet dhe besnikëri të tillë dhe veprat e tij ishin kaq të pëlqyera tek Allahu, saqë Ai porositi njerëzit përgjithmonë që të luten për Profetin s.a.v.s. e t’i dërgojnë selam në shenjë mirënjohjeje.

Guximi dhe vërtetësia e tij ishin të tilla që nuk gjejnë shembull. Mjafton të shohësh kohën e Jezusit a.s. Në kohën e Isait a.s. mund të shihet se deri ku arriti ndikimi i tij tek ndjekësit. Çdokush e kupton sa e vështirë është të ndryshosh një njeri të lig në një njeri të mirë. Sa punë e pumundur është që t’i heqësh dikujt veset që i ka të rrënjosura.

Por Profeti ynë i Shenjtë s.a.v.s. ndryshoi mijëra njerëz, të cilët ishin më keq se egërsirat. Disa nuk bënin dallim mes nënave dhe motrave. U gllabëronin pasurinë jetimëve. Disa adhuronin yjet. Disa ateistë. Disa adhuronin elementet e natyrës. Gadishulli Arab ishte një përzierje besimesh.

Kjo solli edhe një dobi të madhe, që Kurani i Shenjtë përmban mësime për çdo lloj devijimi. Çdo besim i gabuar dhe çdo mësim i keq gjen kundërpërgjigje në të.

Kjo është urtësia e thellë e Allahut të Madhërishëm që e dërgoi Profetin s.a.v.s. në një kohë, kur padija kishte arritur kulmin dhe përmes tij i shndërroi egërsirat në njerëz të drejtë.

Allahumme salli ala Muhammedin ue ala ali Muhammed ue barik ue selim inneke hamidun mexhid.

(O Allah! Lartëso Muhammedin dhe popullin e tij; bekoje atë dhe dërgoji selam! Sigurisht, Ti je i Lavdishëm, i Madhërishëm!)

Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë që, duke ndjekur shembullin e Profetit s.a.v.s. dhe duke zbatuar urdhrat e Kuranit të Shenjtë, të ngremë standardet e së vërtetës në jetën tonë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via