E vërteta që ndryshon jetën | Sekreti nga jeta e Profetit Muhamed s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

E vërteta që ndryshon jetën | Sekreti nga jeta e Profetit Muhamed s.a.v.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 17.04.2026)

قُل لَّوْ شَاءَ اللَّهُ مَا تَلَوْتُهُ عَلَيْكُمْ وَلَا أَدْرَاكُم بِهِ ۖ فَقَدْ لَبِثْتُ فِيكُمْ عُمُرًا مِّن قَبْلِهِ ۚ أَفَلَا تَعْقِلُونَ. فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ افْتَرَىٰ عَلَى اللَّهِ كَذِبًا أَوْ كَذَّبَ بِآيَاتِهِ ۚ إِنَّهُ لَا يُفْلِحُ الْمُجْرِمُونَ.

Përkthimi i këtyre ajeteve është:

“Thuaj: Po të donte Allahu, nuk do t’jua recitoja dhe as Ai nuk do t’ju njoftonte për këtë (mesazh). Sigurisht, jetova një jetë të gjatë mes jush edhe përpara këtij (mesazhi), pra, a nuk kuptoni?! Ndaj, kush mund të jetë më keqbërës se ai që trillon gënjeshtër mbi Allahun, ose se ai që i quajti gënjeshtra ajetet e Tij?! Sigurisht, fajtorët kurrë nuk gëzojnë sukses.” (Kurani i Shenjtë 10:17-18)

Në vazhdë të përmendjes së aspekteve të ndryshme të jetës së Profeti Muhammed s.a.v.s., sot do të flas për virtytin e tij të sinqeritetit, të vërtetësisë dhe të drejtësisë. Në ngjarjet e jetës së tij gjenden shembujt më të lartë të së vërtetës, deri në atë masë sa edhe armiqtë e tij nuk mund të mos pranonin standardin e tij të lartë të drejtësisë dhe të vërtetësisë.

Këtë standard të së vërtetës e ka përmendur edhe Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë, në ajetin që ju lexova më herët, dhe e urdhëroi atë t’u thoshte atyre:

Unë kurrë nuk kam gënjyer në asnjë rrethanë, nuk e kam lënë kurrë të vërtetën dhe ju vetë jeni dëshmitarë për këtë. Atëherë, si mund të gënjej ndaj Allahut të Madhërishëm duke pretenduar se kam sjellë një fe që nuk është prej Tij? Kjo është krejtësisht e pamundur.

Në të njëjtën kohë, Profeti s.a.v.s. i udhëzoi edhe ndjekësit e tij se, pasi kanë hyrë në bindjen dhe ndjekjen e tij, duhet të vendosin standardet më të larta të së vërtetës. Prandaj, sot secili prej nesh duhet të bëjë një vetë-analizë, sepse pikërisht këto standarde të larta të së vërtetës janë garanci për sukses në çdo moment të jetës dhe janë gjithashtu mjet për hapjen e rrugëve të tabligës.

Dëshmia e armiqve për vërtetësinë e tij

Duke përmendur jetën e pastër të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Musleh Maudi (Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar) r.a. ka shkruar dhe ka thënë në një hytbe:

Shohim se edhe armiqtë e Profetit s.a.v.s. pranuan se ai ishte i drejtë dhe i ndershëm. Ata nuk mundën t’i vinin asnjë akuzë; madje edhe armiku më i madh dëshmoi për pastërtinë dhe ndershmërinë e tij.

Një herë në Mekë u mbajt një mbledhje: kur njerëzit do të vijnë nga jashtë dhe do të pyesin për Muhammedin s.a.v.s., çfarë përgjigjeje duhet t’u japin? U vendos që të japin një përgjigje të përbashkët, sepse tashmë po bëheshin të përfolur për shkak të kundërshtimeve mes tyre. U tha që për pelegrinët e Haxhit të përgatitej një përgjigje e vetme.

Njëri prej tyre sugjeroi:

“Thuani se ai ka ves të gënjejë; pra, vetëm gënjen.”

Kur e dëgjoi këtë, një njeri me emrin Nadr ibn el-Harith u ngrit dhe tha:

“Këtë nuk duhet ta thoni, sepse askush nuk do ta besojë. Njerëzit do të thonë: Muhammedi ka kaluar gjithë rininë mes jush dhe në atë kohë konsiderohej më i ndershmi, më i vërteti dhe më i besueshmi. Derisa iu shfaqën thinjat dhe erdhi me këtë mësim, ju papritur po e quani gënjeshtar? Betohem në Zot, në këto rrethana ai nuk mund të jetë gënjeshtar.”

Pas kësaj, të gjithë e pranuan gabimin dhe filluan të mendojnë për një akuzë tjetër. Sa e vërtetë ishte kjo fjalë! Nëse më parë do ta kishin akuzuar për gënjeshtër, ndoshta dikush do ta besonte. Por kur gjithë jetën e kishin quajtur të vërtetë e të drejtë, si mund të pranohej papritur akuza e gënjeshtrës?

Dëshmia e Ebu Sufjanit dhe besimi i njerëzve

Po kështu, kur Herakleosi e pyeti Ebu Sufjanin për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., nëse ai kishte gënjyer ndonjëherë, ai u përgjigj:

“Deri më sot, jo.” Ai shtoi fjalën “deri më sot” vetëm që të krijonte ndonjë dyshim për të ardhmen.

Një herë tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngjit në një kodër dhe thirri njerëzit. (Edhe më parë ju tregova këtë ngjarje, por këtu dua ta sjellë në kontekstin e vërtetësisë së tij.) Kur ata u mblodhën, ai u tha:

“Nëse ju them se në atë luginë është mbledhur një ushtri që do t’ju sulmojë, a do të më besoni?”

“Po, do të të besojmë.”, iu përgjigjën ata. Edhe pse një gjë e tillë ishte praktikisht e pamundur pa dijeninë e mekaseve, fakti që ata ishin gati ta besonin, tregon se sa i madh ishte besimi i tyre në vërtetësinë e tij. Ata e konsideronin të pamundur që ai të gënjente apo të mashtronte.

Ndikimi i karakterit të tij para shpalljes

Në këtë kontekst, Hazret Kalifi i Dytë r.a. më tej shpjegon duke thënë:

Çfarë ishte ajo që ndikonte te kundërshtarët? Ata nuk u ndikuan fillimisht nga mësimi i Kuranit të Shenjtë. Mësimi i Kuranit nuk ishte ai që në fillim i tërhoqi drejt pranimit të tij. Përkundrazi, ishte jeta e mëparshme e Muhammedit s.a.v.s.; ndërgjegjshmëria, drejtësia, dhembshuria për njerëzit dhe sakrifica e tij ishin ato që ndikuan tek ata.

Para shpalljes, ai nuk i ndalonte ata nga shirku, sepse nuk kishte urdhër hyjnor për këtë, por vetë ai nuk ishte idhujtar. Sjellja e tij e lartë kishte një ndikim të vazhdueshëm dhe të thellë te njerëzit. Karakteri i tij, morali dhe shembulli i tij i mirë po i preknin zemrat e tyre, edhe pse ata nuk e shprehnin hapur.

Mirësia e tij, jeta e tij e ndershme, në çdo rast po ushtronte ndikim tek njerëzit dhe ata nuk mund të ngrinin sytë përballë saj. Siç e kam përmendur edhe më parë këtë ngjarje, kur në Mekë ai u ngjit në një kodër dhe i thirri njerëzit dhe u tha: “Nëse unë ju them se një ushtri e tërë është mbledhur (për t’ju sulmuar), a do të më besoni?” Edhe pse kjo nuk ishte e mundur, përsëri ata thanë: “Po, do të të besojmë.”

Kjo sepse ata e dinin se ai kurrë nuk kishte gënyer. Madje thanë: “Ne kurrë nuk të kemi dëgjuar të gënjesh dhe ti gjithmonë ke qenë i ndershëm, gjithmonë ke thënë të vërtetën, prandaj edhe këtë fjalë do ta besojmë.”

Mbi këtë bazë, ai tha: “Tani që më besoni mua, po ju them edhe një të vërtetë tjetër, dhe ajo e vërtetë është se Zoti është Një dhe shirku është një gjë e keqe. Adhuroni Një Zot dhe braktisni idhujtarinë, përndryshe do t’ju zërë ndëshkimi.”

Kjo fjalë nuk ndikoi te ta. Ajo që kishte ndikuar ishte jeta e tij; kishin ndikuar veprat e tij, sinqeriteti i tij, drejtësia e tij dhe mirësia e tij. Por kur bëri deklaratën e mësimit, nuk pati ndikim dhe ata e refuzuan.

Pra, thelbi është që njeriu duhet të ketë një shembull të tillë dhe vepra të tilla që të mund të ndikojnë tek njerëzit. Dhe kur kjo ndodh, atëherë në një moment të caktuar Allahu i Madhërishëm krijon rrethana të tilla që hapen edhe rrugët e tabligës, dhe po ata njerëz që ishin kundërshtarë fillojnë të përqafojnë Islamin dhe të njohin Islamin e vërtetë.

Ndihma hyjnore ndaj Protetit Muhammed s.a.v.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Allahu i Madhërishëm e bëri të suksesshëm dhe fitimtar zotërinë dhe udhëheqësin tonë, Profetin e fundit të kohërave, i cili ishte prijësi i të devotshmëve, duke e mbështetur dhe ndihmuar atë në mënyra të ndryshme. Edhe pse në fillim, ashtu si Hazret Musai a.s. dhe Hazret Isai a.s., edhe ai pati fatin e mërgimit, por pikërisht ai mërgim mbante brenda vetes fillimin e fitores dhe të ndihmës hyjnore.

Pra, o miq, kuptojeni me siguri se ai që ka druajtje ndaj Zotit, kurrë nuk shkatërrohet. Kur dy palë bëhen armiq dhe armiqësia arrin kulmin, atëherë ajo palë që në sytë e Allahut është e druajtur ndaj Allahut është e sinqertë, për të zbret ndihma nga qielli. Në këtë mënyrë, me vendimin hyjnor, mosmarrëveshjet fetare marrin fund, (pra zgjidhen mosmarrëveshjet fetare).

Shikoni se si zotëria dhe udhëheqësi ynë, Profeti Muhammed s.a.v.s., u shfaq në Mekë në një gjendje dobësie, dhe në ato ditë sa i madh ishte ngritja e mohuesve si e Ebu Xhehlit dhe e të tjerëve, dhe si mijëra njerëz u bënë armiq të betuar të tij! Atëherë, çfarë ishte ajo që në fund i dha Profetit tonë s.a.v.s. fitoren dhe triumfin?

Kuptojeni me siguri se ishte pikërisht kjo drejtësi, sinqeriteti, pastërtia e brendshme dhe e vërteta, për shkak të të cilave Profeti s.a.v.s. arriti fitoren.”

Morali i lartë i Profetit Muhammed s.a.v.s.

Më tej ai thotë:

“Allahu i Madhërishëm, duke iu drejtuar Profetit tonë s.a.v.s., thotë në Kurani i Shenjtë:

وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Sigurisht, ti qëndron mbi morale madhore.” (Kurani i Shenjtë 68:5)

Kuptimi i këtij ajeti është se të gjitha llojet e virtyteve si bujaria, guximi, drejtësia, mëshira, mirësia, sinqeriteti, durimi etj., janë të përmbledhura te ti. Me pak fjalë, të gjitha forcat që gjenden në zemrën e njeriut, si edukata, turpi, ndershmëria, fisnikëria, ndjenja e nderit, qëndrueshmëria, dëlirësia, asketizmi, moderimi, dhembshuria, si dhe guximi, bujaria, falja, durimi, mirësia, sinqeriteti, besnikëria, të gjitha këto kur shfaqen në vendin dhe kohën e duhur, me drejtimin e arsyes dhe urtësisë, të gjitha këto quhen moral.”

Pra, morali nuk është vetëm të sillesh mirë me dikë ose ta përshëndesësh. Sipas shembullit të Muhammed s.a.v.s., të gjitha veprat e mira dhe mënyra se si sillesh me njerëzit, shfaqja e tyre në praktikë, përbëjnë moral të lartë, ndaj të cilit duhet të kushtojmë vëmendje.

Udhëzimi për të qëndruar në të vërtetën

Profeti Muhammed s.a.v.s. erdhi për të përhapur të vërtetën në botë. Prandaj, në raste të ndryshme, ai i këshilloi edhe ata që besuan në të që të qëndrojnë të palëkundur në të vërtetën.

Kështu, në një transmetim, Hazret Abdullah ibn Mesudi rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Ju është bërë detyrim të thoni të vërtetën, sepse e vërteta të çon drejt mirësisë dhe mirësia të çon në Xhenet. Njeriu vazhdon të thotë të vërtetën dhe përpiqet për të, derisa tek Allahu shkruhet si ‘i vërtetë’ (siddik). Dhe ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra të çon drejt së keqes dhe e keqja të çon në zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë dhe përpiqet për gënjeshtrën, derisa tek Allahu shkruhet si ‘gënjeshtar’ (kedhab).”

Dhe kur shkruhet si gënjeshtar, ai shkon drejt zjarrit. Pra, kjo është një çështje shumë serioze dhe vend frike.

Ndalimi i gënjeshtrës edhe në shaka

Nga Hazret Abdullah ibn Mesudi transmetohet gjithashtu se ai e përcjell këtë deri te Profeti s.a.v.s., i cili ka thënë:

“Sigurisht, gënjeshtra nuk është e lejuar në asnjë rast, as në seriozitet dhe as në shaka.”

Disa njerëz thonë se po bënin shaka kur gënjejnë, por kjo nuk lejohet as në shaka.

“Gjithashtu, nuk lejohet që një person t’i premtojë diçka fëmijës së tij dhe pastaj të mos e përmbushë. Pa dyshim, vërtetësia të udhëzon drejt mirësisë dhe mirësia të çon në Xhenet. Ndërsa gënjeshtra të çon drejt së keqes dhe e keqja të çon në zjarr, domethënë në Xhehenem. Për njeriun e sinqertë thuhet se ai foli të vërtetën dhe bëri mirësi, ndërsa për gënjeshtarin thuhet se ai gënjeu dhe bëri të keqen.”

Shpjegimi i ajetit nga Imam Raziu r.a.

Allame Razi, duke komentuar një ajet të sures Teube të Kuranit të Shenjtë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ

“O ju që besuat! Kini druajtje ndaj Allahut dhe bëhuni me të vërtetët.” (Kurani i Shenjtë 9:119), thotë në shpjegimin e tij:

Një njeri shkoi te Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe tha:

O i Dërguari i Allahut, dua të largohem nga të këqijat, por më pëlqejnë shumë vera, zina, vjedhja dhe gënjeshtra. (Këto janë vese që janë shumë të forta tek unë). Njerëzit thonë se ti i ke shpallur këto gjëra haram. Unë dua të besoj, dua të hyj në Islam, por ti thua se këto janë të ndaluara, ndërsa unë i kam shumë të theksuara dhe nuk kam fuqi t’i lë të gjitha njëherësh. Nëse ti më kërkon vetëm një gjë, më thuaj një gjë që ta lë, atëherë do të besoj tek ti.

“Lëre gënjeshtrën”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s.

Ai e pranoi këtë kusht dhe u bë musliman.

Kur u largua prej Profetit s.a.v.s., diku iu ofrua verë. Ai mendoi:

“Nëse e pi dhe pastaj i Dërguari i Allahut më pyet dhe unë gënjej, atëherë do të thyej premtimin. Nëse them të vërtetën, do të më zbatohet dënimi.” Prandaj nuk e piu.

Një herë tjetër iu ofrua zinaja (kurvëria). Ai mendoi përsëri të njëjtën gjë dhe e braktisi edhe atë. Po kështu ndodhi edhe me vjedhjen, edhe atë e la.

Më pas ai shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe tha:

“Ajo që më the ishte e mrekullueshme. Kur më ndalove nga gënjeshtra, të gjitha dyert e mëkateve të tjera u mbyllën për mua.”

Kështu ai arriti të linte çdo të keqe.

Pranimi i Islamit nga Hazret Ebu Bekri r.a.

Është shkruar për pranimin e Islamit nga Hazret Ebu Bakr el-Sidik r.a. se Umm Salama r.a. tregon:

Hazret Ebu Bekri ishte një mik i ngushtë dhe i sinqertë i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Kur ai u shpall si profet, disa nga kurejshët shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë:

“O Ebu Bekër, shoku yt është çmendur!” MeadhAllah

Hazret Ebu Bekri tha: “Çfarë i ka ndodhur?” Ata thanë: “Ai në Mesxhidul-Haram (në Qabe) po i fton njerëzit drejt teuhidit, drejt një Zoti të vetëm, dhe thotë se është profet.”

Hazret Ebu Bekri tha: “A e ka thënë ai këtë?” Ata thanë: “Po, ai po e thotë këtë në Qabe.”

Atëherë Hazret Ebu Bekri shkoi te Profeti s.a.v.s., trokiti në derën e tij dhe e thirri jashtë. Kur ai doli para tij, Hazret Ebu Bekri tha:

“O Ebu el-Kasim, çfarë është kjo që kam dëgjuar për ty?”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “O Ebu Bekër, çfarë ke dëgjuar për mua?”

Ai tha: “Kam dëgjuar se ti i fton njerëzit drejt njëshmërisë së Allahut dhe thua se je i Dërguari i Tij.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Po, o Ebu Bekër. Sigurisht, Zoti im më ka bërë përgëzues dhe paralajmërues, më ka dërguar si përgjigje të lutjes së Ibrahimit dhe më ka dërguar për gjithë njerëzimin.”

Atëherë Hazret Ebu Bekri tha: “Betohem në Allah, unë kurrë nuk të kam parë duke gënyer. Ti, për shkak të besnikërisë sate, lidhjes së farefisnisë dhe veprave të mira, je më i denjë për profetësi. Zgjatma dorën që të bëj bejatin (betimin).”

Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjati dorën dhe Hazret Ebu Bekri i dha betimin, e vërtetoi atë dhe dëshmoi se ajo që ai kishte sjellë ishte e vërteta. Betohem në Allah, Hazret Ebu Bekri nuk pati asnjë hezitim apo dyshim kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ftoi në Islam.

Fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. për besimin e Ebu Bekrit r.a.

Në lidhje me këtë ngjarje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. deklaroi të ishte profet, Hazret Ebu Bekri r.a. ndodhej në udhëtim drejt Shamit. Kur po kthehej, ende në rrugë, takoi një njeri. Ai e pyeti për gjendjen në Mekë dhe i tha: “Çfarë të rejash ka?”

Zakonisht kur njeriu kthehet nga udhëtimi dhe takon dikë nga vendlindja, e pyet për gjendjen atje.

Ai i tha: “Lajmi i ri është se shoku yt, Muhammed s.a.v.s., ka deklaruar të jetë profet.”

Sapo e dëgjoi këtë, ai tha: “Nëse ai e ka deklaruar një gjë të tillë, atëherë pa dyshim ai ka thënë të vërtetën.”

Kjo tregon sa i madh ishte besimi i tij ndaj Profetit. Ai as që kërkoi ndonjë mrekulli. Në të vërtetë, mrekullinë e kërkon ai që nuk i njeh rrethanat dhe që ka dyshim, për të gjetur siguri. Por ai që nuk ka dyshim, çfarë nevoje ka për mrekulli?

Pra, Hazret Ebu Bekri r.a. besoi që në rrugë, vetëm duke e dëgjuar këtë lajm. Kur arriti në Mekë, shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e pyeti: “A ke deklaruar të jetsh profet?” Ai tha: “Po, është e vërtetë.” Atëherë Hazret Ebu Bekri tha: “Dëshmo që unë jam i pari që të besoj.”

Diku tjetër Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Të pranosh të vërtetën në fillimet e saj është shenjë e shpirtmirësisë. Një që e pranon më vonë, pasi të shfaqet e vërteta plotësisht, nuk ka ndonjë meritë. Pra, merita është e atij që e pranon mesazhin që në fillim. Kjo është shenjë fatmirësisë së tij shpirtërore. Nuk ka meritë për atë që e kundërshton dhe nuk e pranon, deri sa vjen koha kur të shfaqet e vërteta aq sa edhe gurët dhe pemët “flasin” në mbështetje të mesazhit.

Pra, kur çdo gjë bëhet e qartë, shfaqen shenja vazhdimisht, atëherë çdo gjë kthehet në shenjë të vërtetësisë së Profetit, andaj ta pranosh në një kohë të tillë, nuk ka ndonjë meritë.

Pra, më i vlefshmi është ai që e pranon që në fillim, siç e pranoi Hazret Ebu Bekri r.a. Ai nuk kërkoi asnjë mrekulli dhe madje nuk e dëgjoi drejtpërdrejt nga goja e Profetit s.a.v.s., por e dëgjoi nga një person tjetër dhe menjëherë e pranoi.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. më pas tregon tërë këtë ngjarje duke thënë: është shkruar se Hazret Ebu Bekri r.a. kishte shkuar për tregti. Në rrugë ai takoi një person dhe e pyeti për lajmet e fundit. Ai i tha se shoku yt ka deklaruar të jetë profet. Atëherë Hazret Ebu Bekri Siddik r.a., sapo e dëgjoi këtë, tha: “Nëse ai ka deklaruar një gjë të tillë, ai është i vërtetë.”

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni me kujdes: Hazret Ebu Bekri nuk kërkoi asnjë shenjë apo mrekulli. Vetëm duke dëgjuar, ai besoi. Ai as nuk e kishte dëgjuar drejtpërdrejt deklaratën nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., por e dëgjoi nga një tjetër dhe menjëherë e pranoi. Ky është një besim i jashtëzakonshëm.

Ai e dëgjoi këtë transmetim në emër të Profetit s.a.v.s. dhe nuk mendoi fare se mund të kishte gënjeshtër në të, sepse e dinte se Muhammedi s.a.v.s. nuk mund të gënjejë. Prandaj ai nuk kërkoi asnjë shenjë, dhe pikërisht për këtë arsye ai u quajt “sidik”, d.m.th. i mbushur me të vërtetë. Pra, e pranoi vetëm duke parë fytyrën. Pra, njohja e njerëzve të vërtetë dhe pranimi i tyre nuk është diçka e vështirë. Shenjat e tyre janë të qarta.

Dëshmia e Hazret Hatixhes r.a. dhe e vërteta e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar r.a., në lidhje me këtë, thotë në një vend:

“Unë nuk mund ta anashkaloj dëshminë e Hatixhes r.a. që ajo dha në fillimet e shpalljes së profetësisë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi thirrjen hyjnore dhe kuptoi se e gjithë bota do ta kundërshtonte këtë mesazh, dhe tha:

“O Hatixhe, unë kam frikë për veten time”,

ajo i tha:

“Gëzohu! Betohem në Allah se Ai kurrë nuk do të të poshtërojë.”

Ajo tha: “Le të thonë njerëzit çfarë të duan, ti gëzohu. Nëse kjo është e vërtetë, Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë, sepse ti gjithmonë mban lidhjet farefisnore, flet të vërtetën, ndan dhimbjen e të pikëlluarve, ndihmon të varfrit, je mikpritës dhe ndihmon në punë të mira në çdo kohë.”

“Mendoni për këtë”, thotë Hazret Kalifi i Parë, “një grua 55-vjeçare, nga i njëjti qytet dhe i njëjti popull, e cila ka qenë 15 vjet në martesë me të, çfarë dëshmie jep! Dëshmia e Hatixhes në një kohë kur ai ishte i pikëlluar dhe i shqetësuar është shumë domethënëse. Nëse këto cilësi nuk do të ekzistonin tek ai, kjo fjalë e Hatixhes nuk do të kishte qenë kurrë ngushëlluese për të.

Ngjarja e bojkotit në Shib Abi Talib

Gjatë rrethimit në Shib Abi Talib, kur po afrohej viti i tretë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., duke marrë dije nga Allahu, e njoftoi xhaxhain e tij, Ebu Talib, se marrëveshja e bojkotit që ishte varur në Qabe ishte ngrënë nga termitet, përveç pjesëve ku përmendej emri i Allahut.

Ebu Talibi kishte aq shumë besim në fjalën e Profetit s.a.v.s. sa tha:

“Betohem në Allah, Muhammedi (s.a.v.s.) nuk më ka gënjyer kurrë.”

Pastaj shkoi me të te paria e kurejshëve dhe u tha:

“Nipi im më ka treguar këtë dhe ai kurrë nuk më ka gënjyer, se Allahu ka dërguar termitet mbi deklaratën e marrëveshjes suaj dhe ato e kanë ngrënë gjithçka përveç emrit të Allahut. Nëse ai del i vërtetë, ju duhet të hiqni dorë nga bojkoti; nëse del i rremë, unë do t’jua dorëzoj. Pastaj në daç vriteni, në daç mbajeni gjallë.”

Ata thanë: “Kjo është e drejtë.” Kur e panë marrëveshjen, ajo ishte pikërisht siç kishte thënë Profeti s.a.v.s., dhe kështu kurejshët u turpëruan para popullit të tyre.

Pranimi i së vërtetës nga kundërshtarët

Njëherë, kurejshit dërguan një prej udhëheqësve të tyre, Utbah, te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ai i tha: “Pse flet me gjuhë të keqe për zotat tanë dhe pse i konsideron të humbur paraardhësit tanë? Çfarëdo që dëshiron, ne do ta plotësojmë. Vetëm ndalo nga këto.”

Profeti s.a.v.s. i dëgjoi me durim dhe heshtje. Kur ai mbaroi, lexoi disa ajete nga sureja “Ha Mim Fussilat”. Kur arriti tek ajeti:

“Ju paralajmëroj për një ndëshkim, ngjashëm me ndëshkimin e adëve dhe të themudëve.” (Kurani i Shenjtë 41:14), Utbah e ndaloi dhe u kthye te shokët e tij.

Ai u tha kurejshëve:

“Unë e di se kur Muhammedi (s.a.v.s.) flet, ai kurrë nuk gënjen. Kam frikë se mos ju godet ai dënim.”

Dëshmia e Ebu Xhehlit

Vjen një dëshmi edhe nga Ebu Xhehli. Hazret Aliu tregon se Ebu Xhehli i tha Profetit s.a.v.s.:

“Ne nuk të mohojmë ty, por mohojmë atë që ti ke sjellë (fenë tënde).”

Në një transmetim tjetër, Akhnas ibn Sharik e takoi Ebu Xhehlin ditën e Bedrit dhe i tha: “O Ebu el-Hakem, këtu nuk ka askënd tjetër përveç meje dhe teje. Më thuaj të vërtetën për Muhammedin: a është i vërtetë apo gënjeshtar?”

Ebu Xhehli u përgjigj:

“Betohem në Allah, Muhammedi (s.a.v.s.) është pa dyshim është i vërtetë dhe ai kurrë nuk ka gënjyer.”

Dëshmia e armiqve për vërtetësinë e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Hazret Musleh Maudi (Kalifi i Dytë i Xhematit) r.a. duke shpjeguar këtë temë thotë:

A nuk e njohën armiqtë e Muhammed s.a.v.s. të Dërguarin e tyre, që po e mohonin? Sa e çuditshme është kjo, që për dyzet vjet ata e panë atë, vëzhguan moralin dhe shprehitë e tij dhe me dëshmitë e tyre e pranuan se ai ishte një njeri jashtëzakonisht i drejtë dhe i sinqertë, por kur ky njeri i drejtë tha: “Unë jam dërguar nga Allahu për udhëzimin tuaj”, ata u ngritën kundër tij!

Nëse një i huaj do ta kishte thënë këtë, ai mund të justifikohej, sepse nuk e kishte parë jetën e Profetit s.a.v.s. dhe mund të mendohej se ai po i atribuonte diçka që gjoja Profeti të ketë gënyer për Allahun. Por banorët e Mekës, për të cilët jeta e Profetit s.a.v.s. ishte si një libër i hapur, si mundën ta shpallnin atë gënjeshtar? Si ishte e mundur që ta quanin gënjeshtar, ndërkohë që në zemrat e tyre e dinin se ai ishte i vërtetë?

Pranim i detyruar i së vërtetës nga kundërshtarët më të ashpër

Ebu Xhehli ishte një nga armiqtë më të mëdhenj të Profetit s.a.v.s. Megjithatë, ai vetë tha në një rast, siç e përmend Hazret Musleh Maudi r.a.:

“Ne nuk të quajmë gënjeshtar, por mohojmë mësimin që ti ke sjellë.”

Kjo do të thotë se edhe një njeri kaq kokëfortë dhe me zemër të errët nuk ishte i gatshëm ta quante Profetin s.a.v.s. gënjeshtar. Ndërgjegjja e tij e qortonte dhe zemra i dridhej nga kjo, prandaj ai kërkoi një justifikim duke thënë se po mohonte vetëm mësimin, jo vetë personin. Edhe pse kjo është një arsyetim më i gabuar se vetë gabimi, ajo tregon ndikimin e thellë që vërtetësia e Profetit s.a.v.s. kishte krijuar edhe në zemrat e kundërshtarëve më të ashpër.

Dëshmi të tjera nga armiqtë

Po kështu, Umejje ibn Khalaf, një tjetër kundërshtar i fortë, në një rast tha:

“Betohem në Allah, kur Muhammedi (s.a.v.s.) flet, flet vetëm të vërtetën, nuk gënjen.”

Magjia e vërtetë është që ta pushton kokën, thotë një fjalë popullore. Sa e madhe është “magjia” e Muhammedit s.a.v.s., që ai i detyroi edhe armiqtë e tij të pranonin vërtetësinë dhe drejtësinë e tij.

Dëshmia e Hazret Abdullah ibn Selam r.a.

Hazret Abdullah ibn Selami r.a. tregon:

Kur Profeti s.a.v.s. erdhi në Medinë, njerëzit vrapuan drejt tij dhe thoshin:

“I Dërguari i Allahut ka ardhur! I Dërguari i Allahut ka ardhur! I Dërguari i Allahut ka ardhur!” Kjo u tha tri herë.

Ai thotë: “Edhe unë shkova me njerëzit për ta parë. Kur e pashë mirë fytyrën e tij, e kuptova se ajo nuk ishte fytyra e një gënjeshtari. Fjalët e para që dëgjova prej tij ishin:

‘O njerëz, përhapni selamin, ushqeni të tjerët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit flenë, kështu do të hyni në Xhenet me paqe.’”

Dëshmia e hebrenjve të Medinës

Edhe hebrenjtë e Medinës dhanë dëshmi. Mes muslimanëve dhe fisit hebre, Benu Kurejza, kishte një marrëveshje bashkëpunimi. Gjatë Luftës së Ahzabit, udhëheqësi i Benu Nadir, Hujej ibn Akhtab, shkoi te Ka’b ibn Esed për ta bindur që të thyente marrëveshjen dhe të ndihmonte kurejshët kundër muslimanëve, në mënyrë që muslimanët të mundeshin në luftë.

Në atë moment, Ka‘b ibn Esedi, edhe pse prijës i Benu Kurejzëve dhe kundërshtar i muslimanëve, tha:

“Unë kam bërë marrëveshje me Muhammedin (s.a.v.s.) dhe kurrë nuk do ta thyej atë. Unë nuk kam parë prej tij asgjë tjetër përveç besnikërisë dhe sinqeritetit.”

Mos gënje edhe në shaka

Gjithashtu, transmetohet nga Ubejd ibn Umejri se ai dëgjoi një person t’i thoshte Hazret Abdullah ibn Umerit:

“A nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të thotë:

‘Unë bëj shaka, por edhe në shaka them vetëm të vërtetën?’”

Ai u përgjigj: “Po.”

Paralajmërimi kundër gënjeshtrës edhe në shaka

Bahz ibn Hakim transmeton nga gjyshi i tij se ai e dëgjoi Profetin Muhammed s.a.v.s. të thotë:

“Shkatërrim për atë person që flet dhe gënjen që njerëzit të qeshin. Shkatërrim për të! Shkatërrim për të!”

Pra, edhe nga një gënjeshtër e vogël, ai ndaloi me ashpërsi, duke dhënë paralajmërim të fortë.

Çdo fjalë e tij ishte e vërtetë

Abdullah ibn Amr r.a. transmeton:

Unë çdo gjë që dëgjoja nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e shkruaja, sepse dëshiroja ta mbaja mend. Pastaj kurejshët më ndaluan dhe më thanë: “A po shkruan çdo gjë që dëgjon? Ndërkohë, që i Dërguari i Allahut është njeri; ai flet edhe i zemëruar, edhe i gëzuar.”

Atëherë unë ndalova së shkruari dhe ia përmenda këtë Profetit s.a.v.s.. Ai bëri shenjë me gisht drejt gojës së tij dhe tha:

“Shkruaj!” Pastaj tha: “Betohem në Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nga kjo (gojë) nuk del asgjë tjetër përveç së vërtetës.”

Pra, prej kësaj goje del vetëm e vërteta, ndaj shkruani patjetër.

Mos gënje as fëmijën tënd!

Ai këshillonte me shumë hollësi kundër gënjeshtrës. Në një transmetim tjetër, Abdullah ibn Amir tregon:

Një ditë nëna ime më thirri, ndërkohë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej në shtëpinë tonë. Ajo më tha: “Eja këtu, do të të jap diçka.”

Profeti s.a.v.s. e pyeti: “Çfarë ke ndërmend t’i japësh?”

Ajo tha: “Do t’i jap një hurmë.”

Profeti s.a.v.s. tha: “Nëse nuk do t’i jepje asgjë, do të ishte shkruar një gënjeshtër për ty.”

Kjo tregon sa i imtësishëm ishte ky standard.

Standardi i lartë i së vërtetës

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë:

Pozita personale e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në lidhje me të vërtetën ishte aq e lartë saqë populli i tij e quajti “sidik” (i vërtetë). Ai gjithmonë e këshillonte edhe xhematin e tij që të qëndronin në të vërtetën dhe përpiqej t’i ngrinte në një standard të tillë të lartë të së vërtetës, që të ishte i pastër nga çdo hije gënjeshtre.

Ai thoshte:

“E vërteta të drejton drejt mirësisë dhe mirësia të çon në Xhenet. Dhe niveli më i lartë i së vërtetës është që njeriu të vazhdojë të thotë të vërtetën derisa edhe tek Allahu të konsiderohet i vërtetë.”

Profeti nuk mashtron

Njëherë, një person u soll i burgosur tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili kishte qenë shkaktar i vrasjes së shumë muslimanëve. Hazret Umeri mendonte se ai meritonte dënimin me vdekje dhe vazhdimisht shikonte fytyrën e Profetit s.a.v.s., duke pritur ndonjë shenjë për ta vrarë.

Kur ai person u largua, Hazret Umeri r.a. tha: “O i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), ai meritonte të vritej.”

Profeti s.a.v.s. tha: “Nëse meritonte të vritej, pse nuk e vrave?”

Ai tha: “O i Dërguari i Allahut, nëse do të më jepje një shenjë me sy, unë do ta bëja.”

Profeti s.a.v.s. tha: “Profeti nuk është mashtrues. Si mund të ndodhte që unë me gojë të flisja me të me dashuri dhe me sy të bëja shenjë për ta vrarë?”

Kjo do të ishte mashtrim, dhe kjo nuk mund të ndodhë prej meje.

Thirrja për vetë-analizë

Pra, ashtu si ai vendosi standarde të tilla të larta të së vërtetës dhe sinqeritetit që edhe armiqtë nuk mundën të mos i pranonin, po ashtu ai i këshilloi edhe ndjekësit e tij të arrijnë këto standarde të larta.

Prandaj sot, detyra e çdo ahmediani është që të bëjë vetë-analizë: cilat janë standardet tona të së vërtetës dhe cilat janë dobësitë tona; dhe t’i përmirësojmë ato.

Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë për këtë!

Njoftim për namazin e xhenazes (në mungesë)

Pas namazit do të fal edhe një namaz xhenaze në mungesë për të ndjerën Shahida Ahmed, bashkëshortja e Mirza Naseem Ahmed sahibit. Ajo ka ndërruar jetë para disa ditësh në moshën 91-vjeçare. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun.

E ndjera kishte bërë vasijatin. Ajo ishte mbesë e Mesihu i Premtuar a.s., vajza e Hazret Navab Abdullah Khan sahibit dhe Hazret Amatul Hafiz Begum sahibës. Ajo la pas katër djem.

Dëshmitë e familjarëve për karakterin e saj

Djali i saj i madh, Numani, shkruan se secili thotë: “Ajo më donte shumë.” Sjellja e saj me njerëzit ishte shumë e mirë. Ai thotë se dëshira e saj ishte që shtëpia të ishte gjithmonë plot me njerëz dhe kishte shumë pasion për mikpritje. Madje ndiente keqardhje që, po të kishte mundësi, do ta zgjeronte shtëpinë që të kishte më shumë vend për mysafirë.

Djali i saj i vogël, Ridvani, shkruan se ajo ishte e pajisur me shumë cilësi të mira. Pas vdekjes së saj kanë ardhur mesazhe nga të pasur e të varfër, nga të mëdhenj e të vegjël, për mënyrën se si ajo ndante dashuri me të gjithë dhe krijonte kontakt personal. Kishte natyrë të çiltër, ishte e dashur.

Sidomos për ata që ishin në vështirësi apo fatkeqësi, ajo tregonte kujdes të veçantë dhe gjithmonë qëndronte në anën e të dobëtit. U këshillonte edhe fëmijëve që gjithmonë të mbështesin të dobëtit. Kishte shumë forcë vullneti dhe guxim. Këtë e kam parë edhe unë. MashaAllah, ishte guximtare dhe me vullnet të fortë.

Motra e saj, znj. Fozia Shamim (e cila ka shërbyer si Sadr Laxhna në Lahore), thotë se, nëse do ta përshkruaja me pak fjalë, do të thosha se ajo ishte një përmbledhje e sakrificës, durimit, guximit dhe dashurisë.

Mikpritja dhe durimi i saj

Nusja e saj, Amatul Vakil, thotë se cilësia e saj e mikpritjes ishte shumë e theksuar.

Edhe fëmijët dhe të tjerët ma kanë shkruar këtë. Mënyra e saj e mikpritjes ishte pa asnjë shtirje.

Në vitet e fundit ajo kishte rënë dhe kishte pësuar dëmtim në ije, për shkak të të cilit përdorte karrocë. Megjithatë, ajo e përballoi sëmundjen me shumë durim dhe falënderim dhe nuk u ankua asnjëherë.

Nusja e saj vijon: Edhe si paciente, ishte shumë e fortë dhe nuk i shqetësonte të tjerët.

Dashuria për Kuranin dhe kujdesi për të tjerët

Mbesa e saj, Khadixha, thotë se ajo ishte shumë e dashur dhe e mëshirshme. Në vitet e fundit, përfundonte leximin e Kuranit të Shenjtë dy ose tri herë në muaj. Kishte shumë dhembshuri për të varfrit dhe i këshillonte edhe të tjerët që të luteshin për ta.

Një nga mbesat e saj, Neha, thotë se ajo kishte gjithmonë mendim pozitiv, vlerësonte çdo moment të jetës dhe kujdesej për punonjësit e shtëpisë sikur të ishin anëtarët e familjes. E kam parë edhe unë që, në përgjithësi, përpiqej të shmangte çdo fjalë negative apo që mund të lëndonte ndjenjat e të tjerëve.

Shembuj të fshehur të mirësisë

Tregohet se një herë, kur një nga shërbëtoret e saj po largohej nga shtëpia për shkak të martesës, ajo u mërzit ashtu siç mërziten prindërit kur vajzat e tyre largohen nga shtëpia. Njerëzit shpesh kanë vepra të mira që mbeten të fshehura dhe më pas bëhen të njohura nga ata që i kanë përjetuar. E ndjera kishte plot vepra të tilla.

Allahu i Madhërishëm e faltë dhe e mëshiroftë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via