Teuhidi i vërtetë | Mesazhi i Imam Mehdiut a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Teuhidi i vërtetë | Mesazhi i Imam Mehdiut a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 10.04.2026)

Përpjekjet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për vendosjen e teuhidit

Do të paraqes disa ngjarje që flasin për përpjekjet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., për vendosjen e teuhidit, për shembullin e tij praktik, për këshillat që u jepte ndjekësve të tij dhe për mënyrën se si i edukonte ata, duke ndjekur zotërinë e tij, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s..

Hazret Musleh Maudi r.a. thotë se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte:

Një njeriu i kishte vdekur djali dhe një mik i tij shkoi për ta ngushëlluar. Ai shpërtheu në britmë e vaj dhe i tha: “Zoti më ka bërë një padrejtësi të madhe!” Sikur, sipas mendimit të tij, Allahu i Madhërishëm t’i kishte shkelur ndonjë të drejtë.

Duke transmetuar këtë fjalë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ai më tej tha:

Por duhet menduar se cila është ajo e drejtë që robi e ka fituar mbi Allahun e Madhërishëm? Mua gjithmonë më habit fakti që ata njerëz që krenohen me namazin, agjërimin, zekatin, haxhin dhe pastërtinë e tyre shpirtërore, në moment vështirësie shpërthejnë duke thënë – Allahu i Madhërishëm na ka bërë padrejtësi. Ndërsa një poet i Indisë, i dhënë pas pijes dhe plotësisht i pavëmendshëm ndaj fesë, në një çast drejt rrugës të së vërtetës, megjithëse ishte i mësuar me alkoolin, mbi zemrën e tij, zbret një frymëzim nga Allahu i Madhërishëm dhe ai thotë:

جان دی دی ہوئی اسی کی تھی
حق تو یہ ہے کہ حق ادا نہ ہوا

Dhashë jetën; jetë që Vetë Ai ma pat dhënë;
Them të drejtën: s’ia shlyeva dot të drejtën

Pra, njeriu duhet gjithmonë të mbajë parasysh se çdo mirësi dhe çdo fëmijë që kemi, i kemi marrë me bekimin e Allahut. Kjo kërkon që ne gjithmonë të qëndrojmë të përulur para Allahut, ta shprehim teuhidin e Tij me çdo fjalë dhe veprim dhe të mos lindë tek ne as edhe hija më e vogël e shirkut. Kurrë të mos mendojmë se kemi ndonjë të drejtë mbi Allahun e Madhërishëm. Me pak ibadet, nuk kemi fituar ndonjë të drejtë mbi Allahun; përkundrazi, ibadetin e bëjmë për veten tonë.

Pra, ai poet që u përmend, pikërisht këtë thotë: Allahu i Madhërishëm na dha jetën, na krijoi dhe na solli në këtë botë, por ne nuk jemi në gjendje të përmbushim të drejtën e falënderimit ndaj Tij.

Shembull i durimit në vdekjen e djalit

Po kështu, Hazret Musleh Maudi r.a. tregon një ngjarje mbi reagimin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ndaj vdekjes së njërit prej bijve të tij. Ai thotë:

Mubarak Ahmedi ishte ndër djemtë më të vegjël të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Ai e donte shumë atë dhe gjatë sëmundjes së tij ishte kujdesur shumë për të. Duke parë kujdesin ndaj djalit, edhe Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar mendonte se, nëse Mubarak Ahmed do të vdiste, kjo do ta trondiste shumë Hazret Mesihun e Premtuar a.s..

Në momentet e fundit, Hazret Kalifi i Parë r.a. (që ishte edhe mjek) po ia kontrollonte pulsin dhe i tha Hazret Mesihut të Premtuar a.s. të sillte misk. Duke qenë se pulsi po ndalej, mendimi se vdekja e tij do t’i sillte një dhimbje të madhe Hazret Mesihut të Premtuar a.s., ndikoi aq shumë tek ai (pra tek Hazret Kalifi i Parë r.a.), sa ai papritmas ra përtokë.

Por kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mori vesh se Mubarak Ahmed kishte ndërruar jetë, menjëherë, me durim të jashtëzakonshëm, filloi t’u shkruante letra miqve, duke i njoftuar se Mubarak Ahmedi sapo ndërroi jetë, por ju nuk duhet të shqetësoheni, pasi kjo ishte një caktim i Allahut të Madhërishëm, ndaj të cilit duhet të bëhemi të duruar.

Pastaj doli jashtë dhe, duke buzëqeshur, filloi të mbante fjalim, duke thënë – shpallja hyjnore lidhur me Mubarak Ahmedin është përmbushur.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka dhe një distik në një poezi të tij, ku ai thotë:

بلانے والا ہے سب سے پیارا
اسی پہ اے دل تو جاں فدا کر

Thirrësi është më i dashuri.
Zemër, vetë
m Atij flijoju!

Besimi i plotë në Allahun | Shembulli i Sulltan Abdul Hamidit

Po kështu, Hazret Musleh Maudi r.a., duke përshkruar jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në një vend thotë:

Një gjë e kam dëgjuar shpesh nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s. Duke përmendur Sulltan Abdul Hamid Khanin e Turqisë, i cili ishte rrëzuar nga pushteti, ai thoshte:

Nga fjalët e tij, një më pëlqen shumë. Edhe pse shumë gjëra të tij ishin të gabuara, kjo më pëlqen shumë. Kur u ngrit çështja e luftës me Greqinë, ministrat paraqitën shumë justifikime. Në të vërtetë, dëshira e Sulltan Abdul Hamidit ishte që të bëhej luftë, por ministrat nuk e dëshironin këtë, prandaj sollën shumë arsyetime.

Ata thanë se për luftë gjithçka është gati, por përmendën një mangësi të rëndësishme dhe thanë se për atë çështje nuk është bërë përgatitja. Për shembull, mund të kenë thënë se të gjitha fuqitë evropiane janë bashkuar për të ndihmuar Greqinë dhe ne nuk kemi zgjidhje për këtë. (Ndoshta pikërisht këtë ia kishin thënë).

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte se, kur ministrat paraqitën mendimin e tyre dhe përmendën vështirësitë, Sulltan Abdul Hamidi u përgjigj:

“Ndonjë pjesë lërjani edhe Zotit!”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e pëlqente shumë këtë fjali dhe thoshte se kjo tregon besim tek Allahu.

Ndjeshmëria e fortë ndaj teuhidit

Duke treguar një ngjarje të ndjeshmërisë së fortë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për teuhidin, Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan:

Munshi Zafar Ahmed Sahib nga Kapurthala më tregoi me shkrim se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vuante nga një problem në kokë, kishte marramendje të shpeshta. Ishte një mjek që thuhej se ishte specialist për këtë sëmundje. E thirrën nga larg dhe i dërguan edhe paratë e udhëtimit.

Ai e pa Hazret Mesihun e Premtuar a.s. dhe tha:

“Do t’ju shëroj plotësisht brenda dy ditësh.”

Sapo dëgjoi këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u fut në një dhomë tjetër dhe i dërgoi me shkrim një mesazh Hazret Molvi Nuruddin Sahibit, duke thënë:

“Në asnjë mënyrë nuk dua të trajtohem nga ky njeri. Ai po bën sikur të jetë vetë Zoti.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. urdhëroi që t’i jepeshin paratë e kthimit, plus edhe 25 rupi shtesë, dhe që mjeku të përcillej menjëherë. Dhe ashtu u veprua.

Ibadeti të pranohet kur ta duash me zjarr Allahun

Po kështu, i nderuari Mufti Muhammed Sadik, duke përshkruar jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., shkruan:

Ai thoshte se Allahu i do ata që e duan me zjarr madhështinë dhe nderin e Tij. Këta njerëz ecin në një rrugë shumë të hollë dhe jo çdokush mund të ecë me ta. Derisa njeriu të mos e dojë me zjarr Allahun, nuk mund të arrijë kënaqësi të vërtetë.

Derisa në zemrën e njeriut të mos ketë një dëshirë të pastër për Allahun dhe ai të mos pastrohet nga përzierja e egos dhe nga mendimet për përfitimet dhe interesat e kësaj bote, asnjë ibadet apo sadaka e dhënë nga ai, nuk pranohet.

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme: derisa njeriu të mos pastrohet nga egoja dhe interesat e kësaj bote, as adhurimi dhe as sadakaja e tij nuk pranohen.

Ai që ka zjarr për Allahun, shkon përtej njerëzve të zakonshëm. Të tillët marrin bekime nga Allahu.

Besimi në njëshmërinë e Zotit, kusht temelor për pranimin e lutjes

Pra, për pranimin e lutjes është gjithashtu e domosdoshme që njeriu të ketë bindje të plotë në teuhid dhe të ketë besimin e plotë në Zot, dhe që para së gjithash të lutet për të fituar dashurinë e Allahut. Ata që shkruajnë se “kemi bërë shumë lutje, kemi bërë këtë dhe atë, kemi falur namaze nafile, kemi dhënë sadaka, por lutjet tona nuk u pranuan”, le të reflektojnë mbi këtë çështje. Ky është një parim që e ka shpjeguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s..

Hazret Mirza Bashir Ahmad r.a., duke përshkruar jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në një vend shkruan:

“Allahu i Lartësuar e shpërbleu këtë dashuri të Hazret Mesihut të Premtuar me Allahun, me një vlerësim të tillë që i takon vetëm mëshirës së Tij të pakufishme dhe mirënjohjes së Tij të pashoqe. Kështu, duke iu drejtuar atij, Allahu i Lartësuar i tha:

أَنْتَ مِنِّي بِمَنْزِلَةِ تَوْحِيدِي وَتَفْرِيدِي. أَنْتَ مِنِّي بِمَنْزِلَةِ وَلَدِي. إِنِّي مَعَكَ يَا ابْنَ رَسُولِ اللَّهِ

Domethënë, për shkak se në këtë kohë ti je bartësi i flamurit të teuhidit dhe po e rivendos në botë thesarin e humbur të njëshmërisë së Zotit, o Mesih Muhammedi, ti je për Mua aq i dashur sa vetë teuhidi dhe njëshmëria Ime. Dhe për shkak se të krishterët, në mënyrë të rreme dhe shpifëse, e kanë bërë Mesihun e tyre bir të vërtetë të Zotit, ndjeshmëria Ime kërkoi që Unë të të dua ty me një dashuri të tillë që i takon një biri, në mënyrë që të bëhet e qartë për botën se edhe një nxënës i Muhammedit s.a.v.s. mund të arrijë në atë pozitë që quhet “bijtë e Allahut”. Dhe për shkak se ti je i zhytur ditë e natë në shërbimin e fesë së të dashurit Tim, Muhammed Mustafa s.a.v.s. dhe je i përfshirë në dashurinë e tij, Unë të nderoj ty me dashurinë Time të përjetshme dhe me shoqërinë Time të vazhdueshme, si një bir shpirtëror i tij.”

Ky është kuptimi i frymëzimit (ilham) që i është dhënë Hazret Mesihut të Premtuar a.s., që sapo e lexova.

Po në lidhje me jetën e tij, Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan në një vend tjetër:

“Qëllimi i kryesor i ardhjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte shërbimi i Islamit dhe vendosja e teuhidit. Në atë kohë, kundërshtimi më i madh ndaj teuhidit vinte nga krishterimi. Edhe sot në disa vende ekziston kjo gjendje që, nën petkun e teuhidit, në fakt mëson shirk të rrezikshëm, duke e shpallur Hazret Isain a.s., meadhAllah, bir të Zotit dhe duke e vendosur pranë Hyjnisë së Vetme.

Prandaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. kishte një zell të madh kundër krishterimit. Në fakt, sipas pozitës së tij si Mesih, një nga detyrat kryesore të tij, siç përmendet në hadithe, ishte “thyerja e kryqit”. Për këtë arsye, ai theksonte shumë vdekjen e Isait a.s., sepse vetëm me vërtetimin e kësaj çështjeje bie i gjithë krishterimi.

Sepse me pranimin e vdekjes së Mesihut, nuk mbetet më as hyjnia, as doktrina e trinisë dhe as ideja e shlyerjes së mëkateve.

Sigurisht, besimi në vdekjen e Isait a.s. është gjithashtu një hap i parë për të provuar vërtetësinë e vetë Hazret Mesihut të Premtuar a.s., por rëndësia kryesore e kësaj çështjeje, për të cilën ai e theksonte aq shumë, lidhet me hedhjen poshtë të doktrinës së sotme të krishterimit.”

Ai shpesh thoshte:

“Lëreni Jezusin të vdesë, sepse në këtë qëndron jeta e Islamit.”

Ah, sikur vëllezërit tanë të tjerë muslimanë ta kuptonin këtë pikë dhe të paktën përballë krishterimit të bëheshin të një zëri me ne. Pranimi ose jo i deklaratës së Hazret Mesihut të Premtuar a.s. është çështje tjetër, por të paktën këtu le të pranojnë atë që provon epërsinë e Islamit.

Barrë e madhe ishte mbi zemrën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për shkak të përhapjes globale të këtyre doktrinave të gënjeshtërta. Ai, në një vend, me dhembje të thellë dhe me një ton të fuqishëm, tha:

“Unë gjithmonë mendoj se si të vendoset njëherë e mirë dallimi mes nesh dhe të krishterëve. Zemra ime gjakoset nga kjo sëmundje e adhurimit të të vdekurve dhe shpirti im është në një ngushtësi të madhe. Çfarë dhimbjeje më të madhe mund të ketë se kjo, që një njeri i dobët është bërë Zot dhe një grusht dheu është konsideruar Zoti i botëve? Unë do të isha shkatërruar prej kohësh nga kjo dhimbje, nëse Zoti im i Plotfuqishëm nuk do të më jepte ngushëllim duke më siguruar se në fund do të fitojë teuhidi.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Allahu e di dhe Ai është dëshmitari më i mirë se gjëja e parë dhe më e madhe që më është dhënë në rrugën e Tij është një zemër e dëlirë, një zemër që lidhje të vërtetë nuk ka me asgjë tjetër përveç Allahut. Unë kam qenë i ri dhe tani jam plakur, por në asnjë pjesë të jetës sime nuk kam gjetur një lidhje të vërtetë me askënd tjetër përveç Zotit të Madhërishëm. Për shkak të kësaj dashurie të zjarrtë, unë kurrë nuk kam pranuar ndonjë fe, besimet e së cilës ishin në kundërshtim me madhështinë dhe njëshmërinë e Zotit ose përmbanin ndonjë lloj fyerjeje ndaj Tij. Pikërisht për këtë arsye feja e krishterë nuk më pëlqeu, sepse në çdo hap të saj ka fyerje ndaj Zotit të Madhërishëm. Një njeri i dobët, që nuk mundi të ndihmonte as veten e tij, është shpallur Zot.”

Hazret Mufti Fazl-ur-Rahman r.a. tregon:

“Në shtëpinë time lindën dy vajza njëra pas tjetrës, të cilat, me bekimin e Allahut, janë gjallë. Pas kësaj lindi një djalë, por ai nuk fliste dhe nuk dëgjonte. Ai ishte shpesh i sëmurë. Më pas lindi një djalë tjetër, i cili ishte i shëndetshëm dhe shumë i zgjuar. Sjellja dhe pamja e tij ishin aq tërheqëse saqë, që në moshë të vogël, ai bënte shumë punë në shtëpi dhe kuptonte gjithçka me një shenjë të vogël. Për këto arsye, u lidha fort me të.

Djali i parë, ai që ishte i sëmurë, vdiq në moshën katërvjeçare. Ndërsa djali tjetër, kur arriti katër vjet e gjysmë, u sëmur rëndë. Bëra shumë trajtime, por nuk pati përmirësim. Pas pesëmbëdhjetë ditësh sëmundjeje, ai u prek nga një sëmundje e rëndë e trurit (si meningjiti, pra, kur membrenat e trurit pësojnë inflamacion).

Unë i shkrova Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për lutje duke thënë se e dua shumë djalin tim, lutuni për të. Ai u përgjigj:

“Do të lutem, inshaAllah, por nëse vendimi hyjnor është i prerë, ai nuk mund të shmanget.”

Nga kjo e kuptova se fëmija nuk do të shpëtonte. Katër ditë më vonë, djali ishte në gjendje të rëndë. Atë ditë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. do të nisej për në Gurdaspur për seancën gjyqësore. Meqenëse unë zakonisht shkoja bashkë me të në çdo seancë, edhe atë ditë u paraqita për të shkuar.

Kur ai doli nga shtëpia, më së pari m’u drejtua mua dhe më pyeti: “Si e ke djalin?”

Unë i thashë: “Huzur, ejani ta shihni! Shtëpinë e kam këtu afër. Gjendja e tij është shumë e rëndë.”

Kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi në shtëpi dhe e pa fëmijën, tha:

“Qenka i sëmurë. Sot nuk duhet të vish me ne për në Gurdaspur.”

Pastaj ai u nis për udhëtimin e tij. Të nesërmen, rreth orës katër, fëmija ndërroi jetë. Ditën pas kësaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u kthye nga Gurdaspuri rreth orës dhjetë. Edhe unë, kur e mora vesh, dola përpara për t’u përshëndetur me të. Në krahët e mi kisha vajzën e vogël, e cila ishte më e vogël se djali (që ndërroi jetë).

Kur më pa, Huzuri tha:

“Më vjen shumë keq për vdekjen e djalit tënd, por mendoja se dashuria jote për të kishte arritur deri në kufijtë e shirkut, prandaj mbijetesa e tij nuk dukej e mundur. Megjithatë, unë u luta shumë për të. Allahu do të të japë një zëvendësim të mirë, një fëmijë që do të dëgjojë dhe do të flasë.”

Më pas ai thotë:

Më lindi djalë që u quajt Fazl Karimi. Pastaj lindi Abdul Hafizi. Më pas ndodhën dy aborte dhe të dy ishin djem që nuk mbijetuan. Megjithatë, më pas lindën dy fëmijë të gjallë. Pastaj ai tregon se lindi edhe një djalë tjetër, pastaj Abdullah, më pas Abdul Karimi, dhe pas kësaj lindi Ahmedi. Kështu, me bekimin e Zotit, pas asaj tragjedie, lindën gjithsej pesë fëmijë. Me bekimin e Allahut, të gjithë janë gjallë dhe u bënë jetëgjatë.

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u jepte gjithmonë mësim sahabëve (shokëve) të tij për teuhidin dhe njëkohësisht lutej për ngushëllimin e tyre dhe për gëzimet e tyre. Allahu i Lartësuar i pranoi lutjet e tij dhe e bekoi atë njeri edhe me pesë djem.

Hazret Imam Mehdiu, Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Zoti i Madhërishëm dëshiron që të gjitha shpirtrat që jetojnë në vende të ndryshme të botës, qoftë në Evropë apo në Azi, të gjithë ata që kanë natyrë të pastër, t’i tërheqë drejt njëshmërisë së Tij dhe t’i bashkojë robërit e Tij në një fe të vetme. Ky është qëllimi i Zotit të Madhërishëm, për të cilin unë jam dërguar. Prandaj, ju ndiqeni këtë qëllim, por me butësi, me virtyte dhe duke u angazhuar në lutje.”

Pastaj ai thotë:

“E gjithë lumturia ime dhe qëllimi i vërtetë i ardhjes sime është që në botë të vendoset njëshmëria e Allahut dhe të nderohet Profeti Muhammed s.a.v.s..”

Teuhidi edhe në mënyrën e të folurit edhe në edukimin e sahabëve

Pir Iftikhar Ahmedi, duke përshkruar jetën e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., thotë:

“Një nga shërbyesit e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. quhej “Piran Ditta”. Ne të gjithë e thërrisnim me këtë emër “Piran Ditta”. Por kur Huzuri a.s. e thërriste me emrin “Piri Ditta”.

Jo “Piran Ditta”, por “Piri Ditta”, sepse “Piri Ditta” do të thotë “dhuratë e Allahut për mua”. Ky është ai teuhid për të cilin Allahu i Lartësuar thotë:

خذوا التوحید التوحید یا أبناء الفارس

“O bijtë e Persisë! Kapuni fort pas teuhidit, kapuni fort pas teuhidit.”

Pra, ky ilham (frymëzim) duhet të mbahet gjithmonë parasysh për mbijetesën dhe përparimin shpirtëror, si për pasardhësit e tij, ashtu edhe për çdo anëtar të Xhematit. Çdo njeri që hyn në bejatin e tij, duhet ta ketë këtë përpara syve.

Duke hyrë në bejatin e tij, të gjithë jemi bërë pjesë e tij, bijtë e tij. Nëse qëndrojmë të kapur fort pas teuhidit, do të fitojmë nder në këtë botë dhe në tjetrën. Përndryshe, as lidhja e gjakut nuk sjell dobi dhe as vetë akti i bejatit nuk mjafton.

Ndalimi i çdo forme të shirkut edhe në respektin e tepruar

Hafiz Muhammad Ibrahim r.a. rrëfen:

Herën e parë kur unë, Hakim Abdul Azizi dhe Hakim Ata Muhammedi shkuam në shërbim të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., në ato ditë Huzuri ndodhej në Gurdaspur. Kur ai po dilte nga dhoma, ne të tre po qëndronim te dera. Unë dhe Hakim Abdul Aziz i thamë “Esselamu alejkum” dhe ia dhamë dorën.

Por vëllai Ata Muhammed u përkul dhe ra mbi këmbët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Huzuri e kapi nga krahu dhe e ngriti, dhe tha:

“Allahu i Lartësuar më ka dërguar në këtë kohë pikërisht për të zhdukur këtë lloj shirku. Puthja e këmbëve është shirk.”

Pastaj ai edhe atij ia dha dorën.

Reagimi i fortë ndaj çdo shenje shirku

Po kështu, Hazret Mirza Bashir Ahmed r.a. tregon se Kazi Muhammed Jusuf nga Peshaveri më shkroi:

Kur shkova për herë të parë në Kadijan, një person solli djalin e tij për ta takuar Hazret Mesihun e Premtuar a.s.. Kur djali u afrua për t’ia dhënë dorën, më pas për respekt, ai u përkul për t’i prekur këmbët e tij. Atëherë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e ndaloi me duart e tij të bekuara. Pashë që fytyra e tij u skuq dhe ai tha me shumë zjarr:

“Profetët vijnë në botë për të zhdukur shirkun, dhe puna ime është gjithashtu ta zhduk shirkun, jo ta vendos atë.”

Qëndrimi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ndaj fotografisë

Dua t’ju sqaroj në lidhje me fotograftië gjithashtu. Shumë njerëz mbajnë fotografitë veta, të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe të afërmve të tij në një mënyrë të gabuar.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Unë jam kundërshtar i fortë i kësaj që dikush të më bëjë fotografi dhe ta mbajë atë sikurse mbajnë idhujtarët e ta publikojë. Unë kurrë nuk kam dhënë urdhër për një gjë të tillë dhe askush nuk mund të jetë më kundërshtar i idhujtarisë dhe adhurimit të figurave sesa unë.

Megjithatë, kam vërejtur se sot në Evropë, njerëzit që duan të njohin një autor, së pari dëshirojnë të shohin edhe fotografinë e tij. Sepse në vendet evropiane, praktika e fizionomisë është zhvilluar shumë dhe shumë prej tyre, vetëm duke parë një figurë, mund të dallojnë nëse një deklarues është i drejtë apo gënjeshtar.

Për shkak të largësisë së madhe, ata nuk mund të vijnë tek unë dhe as të shohin fytyrën time. Prandaj, njerëzit e kësaj fushe, përmes fotografisë, mund të përpiqen të kuptojnë gjendjen e brendshme.

Ka shumë njerëz që më kanë shkruar nga Evropa dhe Amerika dhe në letrat e tyre kanë thënë se e kanë parë me kujdes fotografinë time dhe, përmes fizionomisë, janë detyruar të pranojnë se ai që ka këtë fytyrë nuk mund të jetë gënjeshtar.

Madje një grua nga Amerika, duke parë fotografinë time, më shkroi se kjo është fotografia e Jezusit, domethënë e Isait a.s..

Pra, për këtë qëllim dhe deri në këtë kufi, unë kam qëndruar në heshtje dhe kam lejuar këtë praktikë. Përndryshe, nëse përhapet shirk, atëherë ajo është kategorikisht e ndaluar.”

Ai thotë:

إِنَّمَا الْأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ

““Veprat varen nga qëllimet.”

Bindja ime nuk është që fotografia është tërësisht e ndaluar. (Pra, thotë se nuk them fotografia është tërësisht haram). Nga Kurani i Shenjtë del se xhindët i bënin piktura për Hazret Sulejmanin a.s., dhe për një kohë të gjatë te Bijtë e Izraelit kanë ekzistuar piktura të profetëve. Madje, te Beni Israilët ekzistonte edhe një pikturë e Profetit Muhammed s.a.v.s..

Gjithashtu, Xhebraili a.s. ia tregoi Profetit Muhammed s.a.v.s. një pikturë të Hazret Aishes r.a. në një copë mëndafshi. Në disa gurë nënujorë, në mënyrë natyrore stampohen figura kafshësh.”

Në vendet ku ndodhin tërmete, në male, kur shtresat ngjeshen, mbeten gjurmë si figura.

“Kjo pajisje me të cilën sot bëhen fotografitë (pra, kamera), nuk ekzistonte në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe është një mjet shumë i dobishëm, përmes të cilit mund të diagnostikohen sëmundje të ndryshme.”

Pra, nuk është vetëm çështja e fotografisë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në atë kohë tha se nëpërmjet kësaj metode diagnostikohen sëmundje të ndryshme. Sot kanë dalë mjete akoma më moderne. Në kohën e tij sapo ishte shpikur grafia me rrezet X. Andaj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon duke thënë

“Tashmë është shpikur një tjetër pajisje përmes së cilës bëhen fotografi të të gjitha kockave të trupit (pra, me rrezet X), dhe përmes saj diagnostikohen sëmundje si dhimbjet e nyjeve dhe reumatizma.”

Sot kanë dalë mjete të reja si skaner, MRI. Mesihu i Prmetuar a.s. në atë duke folur dobinë e mjeteve shkencore, foli për dobinë e fotografisë dhe e kundërshtoi mendimin se nuk duhet të bësh asnjëlloj fotoje. Pra, qëllimi duhet të jetë i pastër. Veprat varen nga qëllimet. Shkurt, nuk duhet të bëhet shirk. Më pas vijon:

“Në të njëjtën mënyrë, përmes fotografisë janë shfaqur shumë dobi shkencore. Edhe nga fotografia e zakonshme janë arritur përfitime të tilla.

Kështu, disa anglezë, përmes fotografisë, kanë botuar në librat e tyre të gjitha llojet e qenieve të gjalla të botës, madje deri tek lloje të ndryshme karkalecash, si dhe fotografi të çdo lloji shpendësh dhe kafshësh.”

Sot, madje, ekzistojnë edhe kanale të ndryshme, si për shembull National Geographic dhe të tjera, të cilat japin me hollësi të madhe informacion mbi kafshët, duke i paraqitur ato përmes imazheve. Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“ … nga kjo ka ardhur përparimi i dijes. A mund të mendohet vallë që ai Zot, i cili nxit dhe inkurajon dijen, ta shpallë haram përdorimin e një mjeti përmes të cilit diagnostikohen sëmundje të vështira dhe që bëhet një mjet udhëzimi për njerëzit e mençur? Mendime të tilla (që fotografia është tërësisht haram), janë injoranca që janë përhapur.”

Të thuash se fotografia është haram dhe e ndaluar, është e gabuar.

Kundërshtimi i qëndrimeve ekstreme dhe hipokrizisë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Pse dijetarët e shtetit tonë nuk i hedhin nga xhepat dhe shtëpitë e tyre monedhat dhe paratë mbi të cilat janë të stampuara figura mbretërish? A nuk ka figura mbi to?

Është për të ardhur keq që këta njerëz, duke thënë gjëra të paarsyeshme, u japin kundërshtarëve mundësi të qeshin me Islamin. Islami ka ndaluar të gjitha veprat e kota dhe ato që mbështesin shirkun, por jo ato që ndihmojnë përparimin e dijes dhe diagnostikimin e sëmundjeve dhe që i afrojnë njerëzit drejt udhëzimit.

Megjithatë, unë nuk e pëlqej aspak që anëtarët e xhematit tim, pa ndonjë nevojë të detyrueshme, ta bëjnë publikimin e fotografisë sime si profesion ose si një mjet fitimi.”

Nëse qëllimi është i mirë, është në rregull, por të mos bëhet burim fitimi publikimi i fotove të Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

“Sepse kështu, gradualisht lindin bidate dhe kjo çon deri në shirk. Prandaj, unë e këshilloj xhematin tim që, sa të jetë e mundur, të shmangen nga këto gjëra.

Kam parë kartëvizita të disa personave, ku në anën e pasme kishin vendosur fotografinë time. Unë jam kundërshtar i fortë i kësaj dhe nuk dua që dikush nga xhemati im të bëjë një gjë të tillë.

Të përdoret fotografia për një qëllim të dobishëm është një gjë tjetër, por të veprohet si hindutë që vendosin figurat e të mëdhenjve të tyre nëpër mure është diçka tjetër. Gjithmonë është parë se këto gjëra të kota përfundojnë duke çuar në shirk dhe sjellin pasoja të rënda, siç ka ndodhur te hindutë dhe të krishterët.

Unë shpresoj që ai që i respekton këshillat e mia dhe është ndjekës i vërtetë imi, pas këtij udhëzimi do të largohet nga këto gjëra. Përndryshe, ai vepron kundër udhëzimeve të mia dhe ecën me guxim të gabuar kundër rrugës së Kuranit të Shenjtë.”

Qëllimi i fotografisë dhe rreziku i shirkut

Pra, duhet të shqyrtojmë me shumë kujdes se cili është qëllimi ynë kur vendosim një fotografi. Në asnjë mënyrë ky qëllim nuk duhet të jetë i tillë që të çojë drejt shirkut. T’i përshëndesësh fotografitë, të përkulesh para tyre, të gjitha këto janë mendësi shirku.

Sikurse ndodh te hindutë, disa njerëz vendosin fotografi të të vdekurve dhe u varin edhe kurora mbi to. Fatkeqësisht, edhe tek ne, në disa vende, ka filluar të përhapet një zakon i tillë: kur bëhen fotografi familjare, vendosin një kornizë të madhe me fotografinë e ndonjë të ndjeri, sikur ai të jetë i pranishëm në mesin e tyre.

Të gjitha këto janë shirk, siç ka thënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s.

Këto janë gjëra të gabuara, janë bidate dhe duhet të shmangen. Disa njerëz madje e bëjnë këtë edhe në fotografitë e dasmave, kam marrë raporte për raste të tilla.

Nëse fotografitë bëhen për një qëllim të mirë ose për t’i ruajtur si kujtim në albume, kjo është e lejueshme. Por t’i kthesh në një praktikë të zakonshme dhe pastaj t’i shikosh e t’i përshëndesësh çdo mëngjes, kjo është e gabuar, siç ka theksuar Hazret Mesihu i Premtuar a.s..

Ndalimi i përdorimit të fotografisë për përfitim dhe përhapje të gabuar

I nderuari Sufi Ghulam Muhammed rrëfen:

“Disa njerëz nga Amerika dhe Evropa kishin shprehur dëshirën që të shihnin fotografinë e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., prandaj u bë fotografia e tij. Një arab me emrin Abdul Muhji, që jetonte këtu, kishte shtypur shumë kartolina me këtë fotografi dhe e kishte shpërndarë atë.

Kur Huzuri mori vesh se fotografia ishte publikuar në kartolina postare, nuk e pëlqeu aspak dhe tha:

“Ne e kemi bërë këtë fotografi për një nevojë fetare. Nuk më pëlqen aspak që fotografia ime të bëhet mjet fitimi apo diçka që mund të çojë në shirk.”

Prandaj, ato kartolina u asgjësuan.”

Ndalimi i “tasavvurit” (përfytyrimit) të personave – një formë shirku

Maulana Ghulam Rasul Raxheki rrëfen:

Kur bëra bejat me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., i shkrova se më parë çfarë ushtrimesh shpirtërore bëja, dhe gjithashtu i tregova se, që kur kisha bërë bejat, kisha menduar se, ashtu si disa njerëz përfytyrojnë në mendjen e tyre shenjtorët e tyre, pse të mos e përfytyroj edhe unë imazhin e Hazret Mesihut të Premtuar në mendjen time?

Mendova se, nëse njerëzit përfytyrojnë shenjtorët e zakonshëm, atëherë përfytyrimi i një udhëheqësi si Mesihu i Premtuar dhe Mehdiu i premtuar që ka ardhur prej Zotit, do të ishte edhe më i dobishëm dhe më i bekuar.

Pra, desha që ta mbaja gjithmonë në mendje figurën e tij dhe përmes këtij përfytyrimi të përmbushja nevojat e mia.

Kur ia shkrova këtë Hazret Mesihut të Premtuar a.s., mora një përgjigje të tij, të shkruar nga Hazret Maulvi Abdul Karim në emër të tij, ku thuhej:

“Përfytyrimi i krijesave nuk sjell asgjë tjetër përveç shirkut.”

Ky përfytyrim që ju bëni, nuk do të prodhojë asgjë tjetër përveç shirkut.

“Për përmendjen e Allahut mjafton vetë emri i Tij dhe duhet të praktikoni salavatet që janë në përputhje me sunetin e Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s..”

Pas marrjes së kësaj letre, menjëherë e lashë këtë përfytyrim dhe ndalova plotësisht të gjitha ushtrimet e mëparshme shpirtërore.”

Refuzimi i alkimisë (al-kimia) si rrugë e gabuar dhe mësimi për teuhidin në furnizim

Master Sejid Nezir Ahmedi thotë se i nderuari Sejid Fazl Shah ka treguar:

Një herë, një person e pyeti Hazret Mesihun e Premtuar a.s. rreth alkimisë. Huzuri a.s. tha:

“Alkimistët enden të humbur në kërkim të furnizimit, por nuk përdorin ato mjete të drejta që Allahu i Madhërishëm ka caktuar në mënyrë për furnizimin. Alkimistët nuk arrijnë në shkallën e tevekulit (të mbështetjes ndaj Zotit). Prandaj, duke lënë mjetet e drejta dhe të lejuara, shpikin rrugë të tyre dhe nuk e dinë se Allahu thotë:

فی السماء رزقکم وما توعدون

‘Në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju është premtuar.’ (Kurani i Shenjtë 51:23)

Ne i konsiderojmë këta njerëz ndër më të mëdhenjtë në shirk. Zoti, në Fjalën e Tij të Shenjtë, i jep besimtarit një recetë të vërtetë të ‘alkimisë’, e cila, nëse zbatohet, bën që Allahu t’i japë furnizim nga qielli, siç ka premtuar. Por kjo u jepet vetëm atyre që përulen para Tij.

Kjo është ajo ‘alkimi’ që, nëse zbatohet, e bën njeriun një alkimist të vërtetë dhe Allahu vetë kujdeset për të gjitha nevojat e tij. Zoti thotë:

وَمَن يَتَّقِ اللَّهَ يَجْعَل لَّهُ مَخْرَجًا. وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ.

“ai që i druhet Allahut, (Allahu) i gjen ndonjë rrugëdalje, dhe e ushqen nga atje që ai nuk e imagjinon dot.” (Kurani i Shenjtë 65:3-4)

Shikoni, kur njeriu që ka druajtje ndaj Allahut pajiset me mirësitë e të gjitha botëve, për kë tjetër mund të ketë nevojë?”

Ai që ka takva, Allahu i krijon mjete dhe e furnizon nga vende që ai as nuk i mendon.

“Unë them se nëse alkimistët do ta shpenzonin kohën për Zotin e tyre, kohë që e humbasin në alkimi, do t’i arrinin të gjitha dëshirat e tyre, me kusht që të qëndronin fort në druajtje ndaj Allahut.”

Ndikimi i fjalës së teuhidit tek njerëzit me natyrë të pastër

Se si fjala e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ndikonte te njerëzit e dëlirë, Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. tregon një rrëfim nga një person i sinqertë:

Mir Abdul Rahman, një oficer ushtarak nga Baramula, Kashmir, shkruan:

“Babai im fillimisht ishte hanefi, pastaj u bë nga Ehli Hadithët (selefë). Në atë kohë, ai i thoshte mikut të tij, Maulvi Muhammad Hasan (nga Asnur):

‘Ne pretendojmë të jemi muvahhidë të mëdhenj (që nuk bëjmë shirk), por mund të dalë një grup tjetër që të na quajë edhe neve idhujtarë (mushrikë).’

Babai im thoshte: ashtu ndodhi. Sepse ne e konsideronim Hazret Isain a.s. si atë që ringjall të vdekurit dhe krijon zogj.”

Por kur dëgjova këtë varg të Hazret Mesihut të Premtuar a.s.:

ہے وہی اکثر پرندوں کا خدا
اس خدادانی پہ تیرے مرحبا
مولوی صاحب یہی توحید ہے
سچ کہو کس دیو کی تقلید ہے

“Ai ju qenka krijuesi i shumë zogjve;
lavdi për këtë dhunti të tij hyjnore!
O hoxhë, ky të qenka teuhidi i vërtetë;
fol të vërtetën, cilin idhull po ndjek?”

Atëherë u ndërgjegjësova. I lashë ju të dy vëllezër në Srinagar, tek xhaxhai juaj, dhe u nisa në këmbë për në Kadijan, ku pata nderin të bëja bejat. Pra, vetëm këto fjalë të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. u bënë shkak që udhëzohesha.”

Kujdesi në shprehjen e falënderimit

Maulana Ghulam Rasul Raxheki rrëfen:

Rreth vitit 1901, njëherë po qëndroja në shërbim të Hazret Mesihut të Premtuar a.s., kur ai mbajti një fjalim mbi teuhidin e Allahut të Madhëruar. Në atë fjalim ai tha:

“Disa njerëz, kur marrin një mirësi nga dikush, pa thënë ‘Elhamdulilah’, menjëherë thonë ‘XhezakAllah’. Ndërsa, nëse shikoni me thellësi, edhe kjo shprehje përmban një nuancë të caktuar shirku. Sepse vetë personi që bën mirësi dhe mjeti përmes të cilit ai bëhet bamirës janë gjithashtu krijime të Allahut të Madhërishëm.

Prandaj, ai që merr një mirësi duhet që, para se të thotë ‘XhezakAllah’, të lavdërojë dhe të falënderojë Allahun dhe të thotë ‘Elhamdulilah’. Sepse, nga këndvështrimi i njohjes së vërtetë, është e domosdoshme që së pari ta falënderosh Krijuesin e shkaqeve, dhe pastaj të thuash edhe ‘XhezakAllah’ edhe për personin që të bën nder.”

Gjendja e dobët fizike dhe përgatitjet për fjalimin në Lahore

Duke përshkruar detajet e udhëtimit të fundit të Hazret Mesihut të Premtuar a.s. për në Lahore, Bhai Abdul Rahman Kadijani shkruan:

Gjatë ditës, organizatorët filluan përgatitjet për pritjen dhe, me kalimin e kohës, filluan të vinin mysafirë të nderuar dhe personalitete të rëndësishme. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. ishte shumë e dobët dhe e rënduar. Ai do të mbante një fjalim, por dobësia dhe lodhja e tij ishin në një gjendje të tillë saqë nuk kishte pothuajse asnjë shpresë që ai të mund të qëndronte në këmbë dhe të fliste.

Për këtë arsye, ai i dërgoi fjalë Hazret Kalifit të Parë r.a. që ai të përgatiste diçka për mysafirët në aspektin shpirtëror. Kështu, në kohën e caktuar, Hazret Maulvi Sahib filloi fjalimin.

Dalja e papritur dhe fjalimi madhështor

Por, pas një kohe të shkurtër, ai “hëna e ndritshme dhe dielli i ndriçuar” u shfaq personalisht midis nesh (domethënë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. erdhi vetë pas pak kohe).

Hazret Kalifi i Parë r.a. e ndërpreu fjalimin e vet, kurse Huzuri, duke qëndruar në këmbë, iu drejtua të pranishmëve dhe mbajti një fjalim për afro tri orë. Fjalimi ishte aq i fuqishëm, plot njohuri dhe urtësi, saqë jo vetëm ndjekësit, por edhe të huajt u mahnitën dhe shpërthyen në admirim.

Ata dëgjonin me një përqendrim të tillë, sikur të ishin të magjepsur. Përvoja shpirtërore që përjetuan ishte aq e thellë, saqë ata harruan edhe nevojën për ushqim për trupin.

Fjalimi i tij kishte një rrjedhshmëri të tillë saqë ishte e vështirë të merreshin shënime. Forca dhe madhështia e shprehjes ishin aq të mëdha, saqë në një tubim të mbushur plot, as frymëmarrja e njerëzve nuk ndihej.

Ai fliste me një zjarr të tillë, saqë gjatë fjalimit filloi të afrohej gradualisht drejt dëgjuesve. Unë vetë e pashë dhe e vura re me kujdes se ai disa herë u largua disa hapa përpara nga tavolina.

Ai nuk qëndronte pas tavolinës, por që tavolina ndodhej pas tij, ndërsa ai qëndronte përpara dhe fliste. Madje, gjatë entuziazmit të fjalimit, ai bënte një apo dy hapa përpara.

Fjalimi i fundit dhe përfundimi i misionit

Ky fjalim u mbajt në oborrin e shtëpisë së doktorit Sejid Muhammed Hussejn Shah, rreth dhjetë ditë para vdekjes së Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Më vonë, këtë fjalim e kujtonim si “përfundimi i tabligës dhe plotësimi i argumentit. Para kësaj, në katin e sipërm të shtëpisë së Khvaxha Kamal-ud-Din, ishte zhvilluar dhe një dialog me një ekspert anglez të astronomisë.

Pra, ka qenë një udhëtim plot me aktivitete të tabligës.

“Përveç këtyre, ai mbajti edhe shumë fjalime të tjera, të vogla dhe të mëdha.”

Pastaj ai shkruan:

“Gjatë kësaj kohe, disa gra hindu erdhën në formë delegacioni për të parë Hazret Mesihun e Premtuar a.s., gjatë periudhës kur Huzuri po shkruante librin “Mesazhi i paqes” (Pejgam-e-Sulh) Në atë kohë, Huzuri ndodhej në shtëpinë e doktorit Sejid Muhammed Hussejn Shah.

Duke qenë se ishte shumë i zënë, ai dëshironte t’i përcillte shpejt mysafirët, por ato paraqitën arsye dhe këmbëngulën, duke kërkuar me insistim që ai t’u jepte ndonjë këshillë.

Në një mënyrë të tillë kërkuan, saqë, megjithë angazhimin e madh, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e pranoi kërkesën e tyre dhe u dha këshillë për teuhidin, i ndaloi nga idhujtaria dhe i këshilloi t’i luten vetëm Zotit të Vetëm. Kjo ndodhi në ditët e fundit të jetës së tij, një ose dy ditë para së të ndërronte jetë.

Në të vërtetë, ato gra dëshironin të qëndronin më gjatë dhe të dëgjonin më shumë nga fjalët e tij të bekuara, por për shkak të angazhimit të madh të tij, me pahir u larguan shpejt.

Fjalimi i fundit dhe mesazhi për jetën e Islamit

Po kështu, një tjetër fjalim i Hazret Mesihut të Premtuar a.s., për shkak të disa frazave të tij dhe për shkak se ishte ndër të fundit, është bërë shumë i njohur dhe shpesh përmendet. Në të ai tha:

“Lëreni Isain Mesih të vdesë, sepse në këtë qëndron jeta e Islamit. Le të vijë Mesihu i Muhammedit, sepse në këtë qëndron madhështia e Islamit.”

Ky ishte ai zjarr dhe përvëlim për vendosjen e teuhidit, që, megjithë sëmundjen dhe angazhimet e shumta, ai nuk u ndal kurrë për të përhapur mesazhin e Islamit dhe të teuhidit. Nuk mori parasysh asnjë vështirësi në këtë rrugë.

Prandaj, sot ata që janë shërbëtorë të Mesihut të Muhammedit kanë për detyrë përhapjen e pikërisht këtij mesazhi të teuhidit dhe që ta bëjnë atë pjesë të jetës së tyre. Allahu i Madhërishëm na dhëntë mundësinë që ta përmbushim këtë detyrë!

Thirrje për lutje për gjendjen e botës

Sa i përket gjendjes së botës, dhe veçanërisht botës muslimane, të gjithë e dinë se çfarë po ndodh. Ka shumë nevojë për lutje. Armëpushimi, edhe pse është shpallur, nuk duket i qëndrueshëm; përkundrazi, që tani kanë filluar të shfaqen çarje në të.

Qeveria izraelite po përpiqet që, në një mënyrë apo tjetër, të sulmojë Libanin për të provokuar iranianët që të reagojnë. Tani edhe disa liderë evropianë e kanë dënuar këtë veprim. Të paktën dikush ka ngritur zërin dhe ka shfaqur një farë morali. Por kjo mbetet vetëm në këtë nivel. Kaq është morali i tyre. Më shumë se kaq, as nuk duan të përpiqen, as nuk kanë guximin dhe as fuqinë.

Në çdo rast, ne duhet të lutemi që Allahu i Madhërishëm të ketë mëshirë për botën muslimane!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via