Si e vendosi Profeti Muhamed a.s. besimin në Një Zot?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Si e vendosi Profeti Muhamed a.s. besimin në Një Zot?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Hutbja e së xhumasë e Hazret Mirza Masrur Ahmedit, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia, e mbajtur më 03.04.2026)

Selamalejkum ve rahmatullah

Eshhedu en lā ilāhe il-lAll-llāhu vahdehū lā sherīke lehuVe eshhedu en-ne Muham-meden ‘abduhū ve resūluhu, emmā ba‘ad:

Fe e‘ūdhu bil-lāhi minesh-shejtānirr-rraxhīm,Bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīmEl-hamdu lil-lāhi rabbil-‘ālemīnErr-rrahmānirr-rrahīmMāliki jeumid-dīnIj-jāke na’budu ve ij-jāke nesteīnIhdinas-sirātal-mustekīmSirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhimGajril-magdūbi ‘alejhim ve led-dāl-līn.

Qëndrueshmëria dhe guximi i Profetit s.a.v.s. në përhapjen e teuhidit

Ju tashmë keni lexuar për dhimbjen, përpjekjen dhe guximin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për vendosjen e teuhidit në botë, si dhe për faktin se ai qëndroi si një shkëmb i fortë përballë çdo forme të shirkut dhe foli të vërtetën kundër besimeve të devijuara të çdo populli.

Duke folur për këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Duhet të merret parasysh se me çfarë qëndrueshmërie i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndroi i palëkundur në deklaratën e tij për profetësi, pavarësisht se u shfaqën mijëra rreziqe, u ngritën qindra mijëra kundërshtarë, pengues dhe kërcënues, dhe ai mbeti i fortë nga fillimi deri në fund.

Për vite të tëra ai pa vuajtje të tilla dhe përballoi dhimbje të tilla që e bënin çdo sukses të dukej krejtësisht i pamundur. Madje, vuajtjet ishin që çdo ditë po shtoheshin, aq sa nuk mund të imagjinohej që nga kjo rrugë të arrihej ndonjë objektiv i kësaj bote.

Madje, duke shpallur profetësinë, ai humbi edhe bashkësinë e tij të parë, të afërmit dhe lidhjet farefisnore. Duke thënë një fjalë, ai fitoi përçarje të madhe dhe tërhoqi mbi vete mijëra sprova.

Ai u dëbua nga vendi i tij. E ndoqën për ta vrarë, ia shkatërruan shtëpinë dhe pasurinë, disa herë i dhanë helm, ata që ishin dashamirës u bënë armiq dhe ata që ishin miq filluan armiqësi. Për një kohë të gjatë Profeti s.a.v.s. duroi vuajtje të hidhura, të cilat nuk mund t’i përballojë dot një mashtrues apo hipokrit.

A ishte kjo rrugë për përfitime materiale?

Ai ishte aq i drejtpërdrejtë në të vërtetën, saqë duke predikuar teuhidin, i bëri kundërshtarë të gjithë popujt, të gjitha sektet dhe njerëzit e të gjithë botës që ishin të zhytur në shirk. Duke i ndaluar të afërmit e tij nga idhujtaria, i bëri ata armiqtë e tij të parë.

Ai u përplas edhe me hebrenjtë, sepse i ndaloi nga adhurimi i krijesave, nga adhurimi i shenjtorëve dhe nga veprat e këqija. I ndaloi të diskreditonin dhe të fyejnë Hazret Isain a.s., gjë që i zemëroi shumë dhe i shtyu drejt armiqësisë së ashpër, deri në atë pikë sa të prisnin çdo moment për ta vrarë.

Po ashtu, edhe të krishterët u zemëruan, sepse ai nuk e shpalli Hazret Isain as Zot dhe as bir të Zotit, dhe as nuk e pranoi se ai u kryqëzua për të shpëtuar të tjerët.

Edhe adhuruesit e zjarrit dhe të yjeve u zemëruan, sepse edhe ata i ndaloi të adhuronin hyjnitë e tyre dhe shpëtimin e lidhi vetëm me teuhidin.

Tani gjykoni me drejtësi: a ishte kjo mënyra për të fituar botën?”

Kundërshtarët e akuzonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se ai kërkonte përfitime të kësaj bote.

“Por ai u tha çdo grupi të vërteta të qarta dhe të ashpra, të cilat i lëndonin, aq sa të gjithë u përgatitën për ta kundërshtuar dhe zemrat e tyre u thyen. Madje, para se të kishte krijuar ndonjë forcë apo mbështetje, Profeti s.a.v.s. i nxiti të gjithë kundër vetes, deri në atë pikë sa ata u bënë të etur për gjakun e tij.”

Edhe sot orientalistët e përsërisin këtë akuzë, por nuk mendojnë: a do të merrte përsipër ndonjë njeri diçka të tillë për përfitime personale?

“Nëse do të ishte qëllimi përfitimi i kësaj bote, atëherë do të ndiqej një rrugë tjetër: disa do t’i quante të gabuar dhe disa të drejtë, që të kishte edhe kundërshtarë edhe përkrahës.

Madje, nëse ai do t’u thoshte arabëve se Lat dhe Uzza kanë të drejtë, ata menjëherë do të përuleshin para tij dhe do t’i bindeshin plotësisht, sepse ata ishin të lidhur fort me fisin dhe nderin e tyre dhe ishin të gatshëm për çdo sakrificë.”

Pra, ngaqë ata e kishin farefis Profetin s.a.v.s., andaj, do të sakrifikonin çdo gjë për të.

“Pra, Profeti s.a.v.s. mjafton të pranonte ndonjë pjesë të idhujtarisë, ata do sakrifikonin gjithçka për të.

Por duhet menduar: që ai u përplas menjëherë me të afërmit dhe të huajt dhe u kap fort pas teuhidit, i cili në atë kohë ishte gjëja më e urryer për botën dhe që sillte vështirësi të panumërta dhe madje rrezik për jetën. Cilin qëllim të kësaj bote synonte vallë duke u kapur fort pas teuhidit?

Kur ai tashmë kishte humbur gjithçka për shkak të këtij besimi, përse vazhdoi të këmbëngulte në të njëjtin besim, për të cilin sapo e shpallte, myslimanët e rinj përballeshin me burg, zinxhirë dhe rrahje të rënda?”

Jo vetëm ai vetë, por edhe ndjekësit e tij duhej të duronin vuajtje të mëdha vetëm sepse shpallnin teuhidin.

A ishte vallë kjo mënyra për të fituar botën, që secilit t’i thoshte një fjalë të hidhur, e cila ishte në kundërshtim me natyrën, zakonin, dëshirën dhe besimin e tij, dhe kështu të gjithë, përnjëherë, të bënte armiq për vdekje, pa mbajtur lidhje as me një apo dy popuj?

A veprojnë kështu ata që janë lakmitarë dhe dinakë, ata që kanë dëshirë për përfitime apo duan të tregojnë zgjuarsi e hile? A përdorin ata metoda të tilla që edhe miqtë t’i bëjnë armiq? A është ky parimi i atyre që duan ta fitojnë botën me mashtrim, që menjëherë të nxisin të gjithë botën në armiqësi dhe ta vendosin veten në një gjendje shqetësimi të vazhdueshëm?

Hileqarët, për të arritur qëllimet e tyre, zgjedhin pajtimin me të gjithë dhe çdo grupi i japin dëshmi të së drejtës. Nuk është natyra e tyre të mbajnë një qëndrim të vetëm për hir të Allahut. Të tillët nuk mund të tregojnë qëndresë për njëshmërinë dhe madhështinë e Allahut? Ç’punë kanë ata që të durojnë vuajtje për hir të Allahut?

Ata janë si gjuetari: i vendosin kurthet atje ku kapja e gjahut është më e lehtë. Nëse duan të kapin dikë me mashtrim, përdorin metoda të tilla ku ka pak mundim dhe shumë përfitim të kësaj bote. Hipokrizia është zanati i tyre dhe lajkatimi është natyra e tyre. Flasin ëmbël me të gjithë dhe mbajnë lidhje me çdo lloj njeriu. Me myslimanin thonë “Allah Allah”, me hindunë thonë “Ram Ram”. Në çdo kuvend pajtohen me po-në me po dhe me jo-në me jo. Sipas kuvendit, e përshtatin edhe veten.

Ata nuk kanë asnjë lidhje me Allahun dhe asnjë ndjenjë besnikërie ndaj Tij. Pse do të merrnin mbi vete shqetësime të kota? Mësimi i tyre është vetëm ky: secilit t’i thuhet se rruga jote është e drejtë, mendimi yt është i saktë dhe ajo që ke kuptuar ti është e vërtetë.

Çfarë lidhje mund të kenë vallë të tillët me Allahun dhe me besnikërinë ndaj Allahut! Dhe çfarë nevoje kanë që jetën e tyre të rehatshme ta ngarkojnë kot me shqetësime këtej e andej? Mësuesi i tyre u ka dhënë vetëm një mësim: që secilit t’i thuash se rruga jote është e drejta, mendimi yt është i saktë dhe ajo që ti e ke kuptuar është e vërteta.

Shkurt, të tillët nuk dallojnë fare mes së drejtës dhe të shtrembrës, mes së vërtetës dhe të pavërtetës, mes të mirës dhe të keqes. Ai nga dora e të cilit përfitojnë diçka, sipas tyre bëhet zotorëri, i devotshëm dhe i mirë. Dhe ai, lavdërimi i të cilit u sjell dobi, shpallet prej tyre si i shpëtuar, trashëgimtar i parajsës dhe zotërues i jetës së përjetshme. Për ta, ai bëhet gjithçka.

Por kur shihen ngjarjet e Hazret Profetit Muhammed, Vula e Profetëve s.a.v.s., bëhet krejtësisht e qartë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte në shkallën më të lartë i njëtrajtshëm, me brendësi të pastër, i gatshëm të sakrifikonte jetën për hir të Allahut, i kthyer plotësisht nga krijesat dhe i mbështetur vetëm tek Allahu. Ai, duke u zhytur në vullnetin e Allahut, nuk u shqetësua aspak se çfarë fatkeqësish do t’i vinin mbi kokë për shkak të shpalljes së teuhidit dhe çfarë dhimbjesh do të duhej të duronte nga idhujtarët.

Përkundrazi, ai i pranoi mbi vete të gjitha vështirësitë dhe i zbatoi urdhrat e Zotit të tij. Ai përmbushi çdo kusht të përpjekjes, të predikimit dhe të këshillës, dhe nuk u dha asnjë vlerë kërcënimeve të askujt.

Sinqerisht ju them të vërtetën, në historinë e të gjithë profetëve nuk gjendet askush tjetër që të ketë hyrë në rreziqe të tilla, që duke u mbështetur kështu tek Allahu, të ketë ndaluar haptazi shirkun dhe adhurimin e krijesave, të ketë pasur kaq shumë armiq dhe, prapëseprapë, të ketë treguar një qëndrueshmëri të tillë. Shikoni historinë e profetëve: një qëndrueshmëri e tillë nuk gjendet askund. Prandaj, me pak ndershmëri duhet menduar se si të gjitha këto gjendje dëshmojnë për vërtetësinë shpirtërore të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Koha kërkonte një udhërrëfyes qiellor

Për më tepër, një njeri i arsyeshëm kur mendon thellë, e kupton se koha në të cilën ai u dërgua ishte një kohë që kishte nevojë të madhe për një reformator hyjnor dhe për një udhërrëfyes qiellor. Po kështu, edhe mësimi që ai solli, ishte vërtet i drejtë dhe i domosdoshëm.”

Koha ishte e degjeneruar dhe kishte nevojë për një udhërrëfyes, dhe pikërisht atëherë Profeti s.a.v.s. u dërgua me një mësim që përfshinte gjithçka që plotësonte nevojat e kohës.

“Dhe ndikimi i tij ishte i tillë që tërhoqi qindra mijëra zemra drejt së vërtetës dhe gdhendi në qindra mijëra kraharorë “La ilahe il-Allah” (nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut). Qëllimin e profetësisë, pra mësimin e parimeve të shpëtimit, e arriti me një përsosmëri që asnjë profet tjetër nuk e ka arritur.

Prandaj, kur njeriu i sheh këto gjëra, nga zemra shpërthen vetvetiu kjo dëshmi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është me të vërtetë një udhërrëfyes i dërguar nga Allahu.

Ai që e mohon nga paragjykimi dhe kokëfortësia, sëmundja e tij është e pashërueshme, edhe sikur të mohojë vetë Allahun. Përndryshe, nga të gjitha këto shenja të vërtetësisë që janë mbledhur tek ai, le të tregojë dikush qoftë edhe një të tillë tek ndonjë profet tjetër.”

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Hindutë, duke mohuar të gjithë profetët dhe librat e tjerë, janë kapur vetëm pas Vedës. Të krishterët e kanë kufizuar të gjithë mësimin hyjnor tek Ungjilli dhe nuk e kuptojnë se vlera e çdo libri matet sipas dobisë së tij në përhapjen e teuhidit. Ai libër që jep më shumë mësim për teuhidin, ka gradën më të lartë. Thelbi i një libri hyjnor është që të përmbajë mësimin e teuhidit.”

“Prandaj, edhe nëse dikush ka të gjitha virtytet morale, por është mohues i njëshmërisë së Allahut, ai nuk mund të gjejë shpëtimin.

Tani duhet menduar: teuhidi, që është baza e shpëtimit, përmes cilit libër është përhapur më së shumti në botë? A mund të tregojë dikush ndonjë vend ku përmes Vedës është përhapur njëshmëria e Zotit? Nuk shihet asnjë vend. As përmes Ungjillit nuk shihet përhapje e njëshmërisë së Zotit.

Madje, ata që besojnë në Ungjill nuk e konsiderojnë të shpëtuar monoteistin. Priftërinjtë i hedhin ata në një zjarr të errët dhe thonë se ata që besojnë në një Zot dhe nuk pranojnë tre zota do të hidhen në zjarr, ku do të ketë vajtim dhe kërcëllim dhëmbësh.

Sipas tyre, nga ai zjarr shpëton vetëm ai që i atribuon Zotit vuajtje, uri, etje, dhimbje dhe mishërim të përhershëm.”

Pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. paraqiti një tablo të Jezusit, siç besojnë të krishterët.

“Sikur parajsa e tyre imagjinare t’u ndahej gjysmë për gjysmë dy kombeve të mëdha të Europës, anglezëve dhe rusëve.”

Sot edhe kombe të tjera janë përfshirë në këto besime. Madje, është arritur deri aty sa në disa qarqe në Amerikë thuhet se ardhja e dytë e Jezusit mund të jetë në formën e Trumpit. Inna lillah.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Dhe pjesa tjetër e njerëzve, që besojnë në një Zot të pastër nga çdo mangësi, sipas tyre do të hidhen në Xhehenem.

Teuhidi i vërtetë gjendet vetëm në Islam dhe në Kuran

Qëllimi i këtij shkrimi është ky: sot, në faqen e botës, ajo gjë që quhet teuhid nuk gjendet tek asnjë grup tjetër përveç umetit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe përveç Kuranit të Shenjtë nuk gjendet asnjë libër tjetër që miliona krijesa t’i ketë vendosur mbi njëshmërinë e Allahut dhe t’i ketë udhëhequr me madhërim të plotë drejt atij Zoti të vërtetë.

Çdo popull ka krijuar për vete një zot të sajuar, ndërsa myslimanët kanë po atë Zot që është i lashtë, i përjetshëm, i pandryshueshëm dhe në cilësitë e Tij të përhershme është po Ai që ka qenë gjithmonë.

Prandaj, të gjitha këto ngjarje janë të tilla që nga to vërtetësia e profetësisë së udhëheqësit të Islamit është më e qartë se dielli, krejt e hapur dhe e ndritshme si drita e diellit. Sepse kuptimi i profetësisë dhe qëllimi përfundimtar i misionit profetik po realizohen dhe po vërtetohen në mënyrë të plotë në qenien e tij të bekuar. Ashtu si nga veprat njihet krijuesi, po kështu njerëzit e mençur nga reforma e sotme po e njohin atë reformator hyjnor. Siç një send i punuar tregon mjeshtërinë e atij që e ka bërë, ashtu edhe nga përhapja e teuhidit njihet ai reformator hyjnor.

Dëshmi të panumërta se Profeti s.a.v.s. ishte i mbështetur nga Allahu

Po kështu, ka mijëra ngjarje të tjera që dëshmojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i ndihmuar nga Allahu. A nuk është një ngjarje e jashtëzakonshme që një njeri pa pasuri, pa forcë, pa mbështetje, i pashkolluar, jetim, i vetëm dhe i varfër, në një kohë kur çdo popull kishte fuqi të plotë financiare, ushtarake dhe intelektuale, solli një mësim kaq të ndritur sa që me argumentet e tij të forta dhe dëshmitë e qarta ua mbylli gojën të gjithëve?

Ai nxori në pah gabimet e hapura të atyre që e quanin veten të urtë, filozofë dhe dijetarë të mëdhenj. Pastaj, megjithëse ishte i dobët dhe i varfër, tregoi një fuqi të tillë sa që rrëzoi mbretër nga fronet e tyre dhe në ato frone uli të varfrit. Nëse kjo nuk ishte ndihma e Allahut, atëherë çfarë ishte? A mund të fitohet mbi të gjithë botën në mendje, dije dhe fuqi pa ndihmën hyjnore?”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. diku tjetër thotë:

“Historia tregon qartë dhe në shumë vende të Kuranit të Shenjtë përmendet hapur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u dërgua në një kohë kur në të gjithë botën ishte përhapur devijimi dhe adhurimi i krijesave, dhe të gjithë njerëzit kishin braktisur parimet e së vërtetës. Ata kishin humbur rrugën e drejtë dhe çdo grup kishte marrë një rrugë të veçantë të shpikur.

Në Arabinë e asaj kohe, idhujtaria kishte arritur kulmin. Në Persi ishte përhapur adhurimi i zjarrit. (Pra, në Iran në atë kohë adhuronin zjarrin). Në Indi, përveç idhujtarisë, ishin përhapur qindra forma të tjera të adhurimit të krijesave dhe ishin shkruar libra, të cilët u thurnin lavde robërve të Zotit në atë mënyrë, që i përshkruanin si Zota dhe propagandonin adhurimin e avatarëve.

Sipas disa autorëve perëndimorë, përfshirë Xhohn Davenport, në atë kohë nuk kishte fe më të degjeneruar se krishterimi. Edhe dijetarë të tjerë evropianë kanë shkruar se për shkak të sjelljes dhe besimeve të gabuara të priftërinjve, pjesa fetare ishte njollosur rëndë, dhe në besimet e tyre jo një apo dy, por shumë gjëra kishin marrë vendin e Zotit.

Pas natës, erdhi dita

Prandaj, fakti që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u dërgua në një kohë të tillë të përhapur të devijimit, kur vetë gjendja e botës kërkonte një reformator të madh dhe kishte nevojë të madhe për udhëzim hyjnor, dhe pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., duke u shfaqur, e ndriçoi botën me teuhid dhe vepra të mira dhe e zhduku shirkun dhe adhurimin e krijesave që është rrënja e të gjitha të këqijave, kjo është një provë e qartë se ai është i Dërguar i vërtetë i Allahut dhe më i larti ndër të gjithë të dërguarit.

Vërtetësia e tij dëshmohet nga kjo: se në atë kohë të përhapur të devijimit, ligji i natyrës kërkonte një udhëheqës të vërtetë dhe tradita hyjnore kërkonte një udhërrëfyes të sinqertë. Kjo është mënyra e përhershme e Allahut: kur në botë ndonjë lloj vështirësie arrin kulmin e saj, mëshira e Allahut drejtohet për ta larguar atë.

Ashtu si kur mungesa e shiut sjell thatësirë të madhe dhe njerëzit fillojnë të vdesin, atëherë Allahu dërgon shiun; dhe kur një epidemi vret mijëra njerëz, gjendet një mënyrë për përmirësim ose zbulohet ndonjë ilaç; dhe kur një popull bie nën shtypjen e një tirani, shfaqet një njeri i drejtë që e shpëton.

Në të njëjtën mënyrë, kur njerëzit e harrojnë rrugën e Allahut dhe braktisin teuhidin dhe të vërtetën, atëherë Allahu i Lartësuar, nga ana e Tij, i jep një robi të Tij një mprehtësi të plotë shpirtërore dhe, duke e nderuar me fjalën dhe shpalljen e Tij, e dërgon për udhëzimin e bijve të Ademit, që të korrigjojë sa është prishur.

Në thelb, kjo është e vërteta: Zoti, i cili është Mbajtësi i botës, që e mban atë në ekzistencë dhe vazhdimësia e saj është e lidhur me Të, nuk e privon krijesën nga asnjë prej cilësive të Tij të mirësisë dhe as nuk e lë atë të papërdorur apo të pezulluar. Përkundrazi, çdo cilësi e Tij shfaqet në kohën e duhur menjëherë.

Prandaj, sipas arsyes, bëhet e sigurt se për të thyer fuqinë e çdo fatkeqësie, shfaqet ajo cilësi e Allahut që është përballë saj. Dhe kjo është vërtetuar nga historitë, nga pranimi i vetë kundërshtarëve dhe nga shpjegimi i qartë i Kuranit të Shenjtë: se në kohën e shfaqjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kjo fatkeqësi kishte marrë përmasa të mëdha, që të gjitha kombet kishin braktisur rrugën e drejtë të teuhidit, të sinqeritetit dhe të së vërtetës.

Dhe është e njohur për të gjithë se ai që e reformoi këtë gjendje të prishur dhe i nxori njerëzit nga errësirat e shirkut dhe adhurimit të krijesave drejt teuhidit, ishte vetëm Profeti Muhammed s.a.v.s., dhe askush tjetër. Prandaj, nga të gjitha këto përfundime del se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është udhërrëfyes i vërtetë nga ana e Allahut.”

Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është ai që e vendosi teuhidin në botë në formën e tij të vërtetë dhe të plotë. Në hytbet e mëparshme kam përmendur shumë ngjarje që tregojnë se si ai përpiqej vazhdimisht për vendosjen e teuhidit.

Në këtë kohë shohim se, sipas premtimit të Allahut, Allahu e ka dërguar të dashuruarin e sinqertë të Profetit Muhammed s.a.v.s. për vendosjen e teuhidit, sepse në këtë kohë Hazret Mirza Ghulam Ahmed Kadijani a.s., i cili është edhe Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu, ishte një shëmbëlltyrë e përsosur e mësimit dhe sunetit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Zemra e tij ishte e mbushur me një dhimbje të thellë për përhapjen e teuhidit, në ndjekje të plotë të udhëheqësit të tij. Prandaj, në shkrimet dhe jetën e tij gjejmë shumë shembuj për këtë, prej të cilëve po përmend disa.

I dërguari bëhet manifestim i teuhidit

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Allahu i Lartësuar ka një marrëdhënie të çuditshme me mua. Shpallja që më është dhënë:

‘Ti je prej Meje në pozitën e teuhidit dhe njëshmërisë Sime’, është një shpallje e një lloji të ri. Nuk kam parë më parë në asnjë shpallje fjalë të tilla. Kuptimi i saj, sipas mendimit tim, është ky: një person që dërgohet në një kohë kur teuhidi është poshtëruar rëndë dhe është parë me përbuzje, bëhet vetë një manifestim i teuhidit.”

Diku tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Personit, i cili vjen prej Zotit, Zoti i jep një etje të tillë për teuhidin, saqë ai lë mënjanë të gjitha qëllimet dhe interesat e tij dhe bëhet vetë një teuhid i gjallë. Në ngritjen dhe uljen e tij, në lëvizjen dhe qetësinë e tij, në çdo fjalë dhe vepër të tij, ai mbetet i përfshirë nga flaka e teuhidit.

Çdo njeri ka një qëllim dhe synim të vetin, por për atë person që është i zhytur në dashurinë e Allahut, qëllimi dhe synimi është vetëm teuhidi i Allahut. Ai e vendos teuhidin përpara edhe dëshirave dhe nevojave të tij natyrore.

Çdo njeri ka një “idhull” të vetin, pra një qëllim që dëshiron ta arrijë. Por arritja e tij është në dorën e Allahut: Ai ose e lejon ta arrijë, ose ia merr jetën para se ta arrijë.”

Njerëzit vuajnë për pasurinë, për nderin, për familjen dhe për nevojat e tyre, madje ndonjëherë edhe bëjnë vetëvrasje për shkak të këtyre vështirësive.

Por ai person që dërgohet nga Allahu, e kthen gjithë këtë zjarr të brendshëm në dashuri për teuhidin. Ai bëhet i shqetësuar dhe i përfshirë jo për dëshirat e veta, por për vendosjen e teuhidit të Allahut.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Unë mendoj se në një kohë të tillë këto fjalë vijnë nga ana e Allahut: “Ti je prej Meje në pozitën e teuhidit dhe njëshmërisë Sime”, sepse Allahu e do shumë teuhidin e Tij. Pikërisht për këtë teuhid, Allahu ndonjëherë ka dërguar epidemi, ndonjëherë thatësira, dhe ndonjëherë përmes shpatës së profetëve të Tij a.s. ka shkatërruar mijëra idhujtarë për ta vendosur atë. Edhe ngjarjet e Mekës dhe Medinës u bënë të ndërlikuara vetëm për këtë arsye. Edhe çështja e Musait a.s. ishte për këtë teuhid.”

Shmangia nga çdo lloj shirku

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke folur për shirkun dhe format e tij të imëta, thotë:

“Duhet të shmanget çdo lloj shirku. As dielli, as hëna, as yjet e qiellit, as era, as zjarri, as uji dhe as ndonjë gjë tjetër e tokës nuk duhet të konsiderohet si e adhurueshme. As shkaqeve të kësaj bote nuk duhet t’u jepni një pozitë të tillë dhe një mbështetje të tillë, sikur ato të jenë ortakë të Allahut. As përpjekjen dhe mundin tuaj nuk duhet të konsideroni si diçka të tillë, sepse edhe kjo është një nga llojet e shirkut.

Përkundrazi, pasi të bësh gjithçka, duhet të mendosh se nuk ke bërë asgjë. Nuk duhet të krenohemi me dijen tonë dhe as me veprat tona, por duhet ta konsiderojmë veten në të vërtetë të paditur dhe të dobët, dhe gjithmonë të qëndrojmë të përulur para pragut të Allahut.”

Njeriu, edhe pasi bën gjithçka, duhet të përkulet para Allahut dhe të thotë se çdo gjë do të ndodhë vetëm me mirësinë e Tij.

“Dija e njeriut ka nevojë për mësues dhe është e kufizuar, ndërsa dija e Allahut nuk ka nevojë për mësues dhe është e pakufizuar. Dëgjimi i njeriut varet nga ajri dhe është i kufizuar, ndërsa dëgjimi i Allahut është i pavarur dhe i pakufizuar. Shikimi i njeriut ka nevojë për dritën e diellit ose për ndonjë dritë tjetër dhe është i kufizuar, ndërsa shikimi i Allahut është nga vetë drita e Tij dhe është i pakufizuar. Fuqia krijuese e njeriut ka nevojë për materie dhe kohë dhe është e kufizuar, ndërsa fuqia krijuese e Allahut nuk ka nevojë për materie dhe as për kohë dhe është e pakufizuar.

Të gjitha cilësitë e Allahut janë pa shembull dhe të pashoqe. Nëse në një cilësi do të kishte mangësi, atëherë në të gjitha do të kishte mangësi. Prandaj, teuhidi nuk mund të qëndrojë, derisa Allahu të jetë i pashembullt në të gjitha cilësitë e Tij, ashtu siç është në qenien e Tij. Ky është teuhidi që ka mësuar Kurani i Shenjtë dhe që është themeli i besimit.”

Sot, nën ndikimin e kohës, lindin edhe pyetje te fëmijët, si: kush e krijoi Allahun? Nga erdhi Allahu? Ndoshta të rriturit ua japin këto pyetje ose ata e kërkojnë vetë. Por le të dinë se cilësitë e Allahut janë të tilla që Ai ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë, është i pakufizuar, dhe Ai është Krijuesi i çdo gjëje. Askush nuk e ka krijuar Atë. Çdo koncept i fundit që mund të imagjinohet për një ekzistencë që është vetvetiu, i përket vetëm Allahut.

Tri shtyllat e teuhidit të plotë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Duhet mbajtur mend se teuhidi i vërtetë, të cilin Zoti kërkon nga ne dhe nga pranimi i të cilit varet shpëtimi ynë, është ky: që, në qenien e Tij, Allahu të konsiderohet i pastër nga çdo ortak, qoftë ai idhull, njeri, diell, hënë, vetja apo ndonjë plan apo statregji apo mashtrim. Nuk duhet të konsiderohet askush si i fuqishëm përballë Tij, as si furnizues, as si ai që jep nder apo poshtërim, as si ndihmues.

Së dyti, dashuria duhet të jetë vetëm për Të, adhurimi vetëm për Të, përulja vetëm për Të, shpresa vetëm tek Ai dhe frika vetëm prej Tij.

Pa këto tre lloje përqendrimi, teuhidi nuk mund të jetë i plotë.

E para: teuhidi në qenien e Zotit, domethënë çdo gjë tjetër përballë Allahut të konsiderohet si e paqenë dhe e përkohshme dhe e vdekshme dhe si e tillë, çdo gjë përballë Tij është e papërsosur.

E dyta: teuhidi në cilësi. Domethënë, cilësitë e Rrabit dhe të Hyjnisë t’i atribuohen vetëm Allahut, dhe çdo gjë tjetër të konsiderohet vetëm si pjesë e sistemit të Tij.”

Pra, qoftë Amerika, qoftë Izraeli e çfardo fuqi tjetër e dynjasë, janë asgjë përballë fuqisë së Zotit të Madhërishëm. Nëse myslimanët e kuptojnë këtë realitet, me siguri do të korrin sukses.

“E treta: teuhidi në dashuri, në sinqeritet dhe në besnikëri. Domethënë, në dashuri, në përkushtim dhe në adhurim, të mos bësh asnjë ortak me Allahun, por të zhytesh vetëm në dashurinë për Zotin.”

Pra, siç duhet dashur Allahu, ashtu nuk duhet dashur askush tjetër.

Mesihu i Premtuar a.s. dhe vendosja e teuhidit në këtë kohë

Pastaj Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në këtë kohë, kur Allahu pa se toka ishte prishur dhe miliona krijesa kishin hyrë në rrugën e shirkut, dhe më shumë se katërqind milionë njerëz në botë e konsiderojnë një njeri të pafuqishëm, birin e Merjemes, si Zot, [në atë kohë numri i të krishterëve ishte rreth katërqind milionë], dhe gjithashtu, pirja e alkoolit, shthurja, dashuria për botën dhe një jetë e pakujdesshme arritën kulmin, atëherë Allahu i Lartësuar më dërgoi për këtë detyrë që t’i rregulloj këto të këqija.

Deri tani, në dorën time, rreth njëqind mijë njerëz janë penduar nga e keqja, nga besimet e gabuara dhe nga veprat e këqija.”

Kjo ishte gjendja në kohën kur Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e tha këtë. Sot, me bekimin e Allahut, miliona janë bashkuar në Xhematin e tij.

Ai përmend edhe shenjat, se

“më shumë se njëqind e pesëdhjetë shenja janë shfaqur, për të cilat në këtë vend ka qindra mijëra dëshmitarë. Dhe unë jam dërguar që ta vendos përsëri teuhidin në tokë, t’i shpëtoj njerëzit nga adhurimi i njerëzve dhe i gurëve, t’i drejtoj drejt Zotit të Vetëm dhe pa ortak, dhe t’i përqendroj në pastërtinë e brendshme dhe në drejtësi.

Përhapja e teuhidit dhe përgjegjësia e besimtarëve

“Unë po shoh se te njerëzit është krijuar një lëvizje dhe mijëra njerëz po pendohen në dorën time. Edhe nga qielli po fryn një erë e tillë që natyrat po bëhen gjithnjë e më të prira drejt teuhidit, dhe duket qartë se Allahu ka vendosur që ta zhdukë adhurimin e njerëzve nga bota. Për ta realizuar këtë qëllim janë krijuar qindra mjete.”

Allahu na i ka dhënë edhe neve dhe përmes tyre ne bëjmë thirrje, dhe çdo ahmedian ka për detyrë të përpiqet për përhapjen e këtij teuhidi.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Kur më bëhet pyetja se çfarë është idhujtaria dhe çfarë i bën njerëzit idhujtarë, është e nevojshme ta shpjegoj këtë.

Duhet ditur se adhurimi është rezultat i besimeve. Dhe besimet e njerëzve të së vërtetës janë këto: se Allahu është Një dhe cilësitë e Tij janë të përhershme; në to nuk ka ndryshim dhe as transformim; nuk kanë fillim dhe as fund.

Zoti i vërtetë është i përjetshëm dhe i lashtë, nuk është krijesë që është lindur. Ai është i lartësuar nga çdo cilësi që zemra jonë nuk mund ta pranojë. Përkundrazi, zemra jonë i njeh dhe është e lidhur me cilësitë e Tij.

Ai ka qenë gjithmonë Një. Cila zemër e mohon njëshmërinë e Tij? Dhe Ai është Një përjetësisht. Cila zemër e pranon trinitetin?”

Pra, siç besojnë të krishterët se ka tre zota. Një njeri i drejtë nuk mund të pranojë se ka tre zota. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Unë jam dërguar për të korrigjuar gabimet e trinitetit. Kjo është një pamje aq e dhimbshme, që më shumë se katërqind milionë njerëz e konsiderojnë Hazret Isain a.s. si Zot, saqë kjo më ka shkaktuar një dhimbje të tillë në zemër, që nuk besoj se ndonjëherë në jetën time kam përjetuar një dhimbje më të madhe se kjo.

Madje, nëse do të isha i tillë që të vdisja nga dhimbja e pikëllimi, kjo dhimbje do të më kishte shkatërruar, se pse këta njerëz e braktisin Zotin e Vetëm e të Pashoq dhe adhurojnë një njeri të pafuqishëm? Dhe pse nuk besojnë në atë Profet që erdhi me udhëzim të vërtetë, pra në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.? Gjithmonë kam pasur frikë se mos kjo dhimbje do të më shkaktojë vdekje.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Allahu në Kuranin e Shenjtë ka thënë të vërtetën se është afër që qiejt të çahen nga kjo shpifje, që një njeri i pafuqishëm të bëhet Zot. Gjendja ime nga kjo dhimbje është e tillë që, nëse të tjerët kërkojnë parajsën, parajsa ime është kjo: që në jetën time të shoh njerëzit duke u liruar nga ky shirk dhe të shoh të shfaqet madhështia e Zotit.

Shpirti im gjithmonë lutet: O Allah, nëse unë jam prej Teje dhe nëse më mbulon bekimi Yt, atëherë më trego këtë ditë, që nga Hazret Mesihu a.s. të hiqet kjo shpifje, sikur ai ka pretenduar të hyjnizohet.

Për një kohë të gjatë, pesë herë në ditë kam bërë këtë lutje: që Allahu t’u japë sy këtyre njerëzve, që të besojnë në njëshmërinë e Tij, të njohin të Dërguarin e Tij dhe të pendohen nga besimi i trinitetit.”

Detyra jonë sot për përhapjen e teuhidit

Sot, krishterimi në praktikë po dobësohet dhe po asgjësohet dhe ideja e trinitetit ka mbetur më shumë një koncept teorik. Ka shumë pak që e praktikojnë atë, sidomos në Europë. Ka ende në Afrikë dhe në Amerikën e Jugut. Megjithatë, ata që po e lënë trinitetin, shpesh nuk besojnë as në Zotin e Vetëm.

Prandaj, për vendosjen e teuhidit, ne duhet të përpiqemi sa të mundemi për ta përhapur këtë mesazh. Allahu bëftë që ne të arrijmë qëllimin për të cilin Ai e dërgoi Mesihun e Premtuar dhe të praktikojmë teuhidin e vërtetë, të cilin e shpalli Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., dhe ta përhapim atë në botë, sepse sot shpëtimi i njerëzimit është vetëm në këtë. Zgjidhje tjetër përveç kësaj, nuk ka.

Allahu na dhëntë mundësinë për këtë!

Njoftimi për dy namaze xhenaze

Pas namazit, do të fal dy namaze xhenaze në mungesë.

Xhenazja e të ndjerit Khawaxha Zafar Ahmed

E para është për të ndjerin Khawaxha Zafar Ahmed, i cili ka qenë ish Emir i distriktit Sialkot dhe së fundmi ndodhej në Amerikë. Ditët e fundit ai ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun.

I ndjeri kishte bërë vasijat. Vajza e tij Ifata Hej thotë se që nga fëmijëria, ata e kanë parë jetën e tij që kaloi në shërbim të Xhematit me sinqeritet, përulësi dhe përkushtim të plotë. Lidhja e tij e thellë me Kalifatin ishte një tipar i spikatur i personalitetit të tij, i cili luajti rol themelor në mbjelljen e dashurisë dhe besnikërisë ndaj Kalifatit edhe në zemrat e fëmijëve dhe të familjarëve të tij.

Kjo është e vërtetë. Ka qenë njeri tejet besnik dhe i sinqertë ndaj Xhematit dhe ndaj sistemit të Xhematit. Që nga rinia deri në fund të jetës, ai pati mundësi të shumta për shërbim: si kaid në Khuddam-ul-Ahmedia, si kaid lokal, si Emir lokal dhe më pas si Emir i distriktit.

Kishte një dëshirë të madhe për të shërbyer mysafirët e Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Gjithmonë, delegacionet që vinin nga qendra i strehonte në shtëpinë e tij dhe i shërbente me shumë dashuri dhe mikpritje. Në fytyrën e tij dukej një qetësi e veçantë kur ishte në këtë shërbim.

Asnjëherë nuk ka folur në mënyrë të papërshtatshme për ndonjë përgjegjës të Xhematit dhe nuk e pranonte që të flitej keq në praninë e tij. Nuk lejonte kritika të tilla.

Kishte një mbështetje të plotë tek Allahu. Çdoherë që përballej me sprova, qofshin në shërbimin e Xhematit apo në jetën personale, ai i drejtohej lutjes dhe mbështetej plotësisht tek Allahu. Vajza e tij thotë se shpesh ata kanë parë se Allahu e ka ndihmuar në mënyrë të dukshme dhe ia ka pranuar lutjet.

Ai i shërbeu gjithashtu nënës së tij për shumë vite me durim dhe dashuri gjatë sëmundjes së saj.

Pas tij kanë mbetur bashkëshortja, tri vajza, nipër e mbesa dhe stërnipër. Allahu e mëshiroftë dhe e faltë!

Edhe nga ana administrative, si Emir i distriktit, ai kishte njohuri për çdo Xhemat, madje edhe për më të voglat në fshatra. Kishte njohuri për rrugët dhe gjendjen e distriktit dhe nuk rrinte vetëm në qytet si Emir, por vizitonte çdo vend.

Gjatë Xhalsa Salanas, kur kushtet ishin të favorshme, organizonte me disiplinë të plotë trenat specialë nga Sialkoti për pjesëmarrësit. Ishte një personalitet shumë i dashur, plot sinqeritet dhe besnikëri, dhe një njeri shumë i përulur. Allahu e faltë!

Xhenazja e të ndjerit Idrago Alido (Burkina Faso)

Xhenazja e dytë është për të ndjerin Idrago Alido nga Burkina Faso, një ahmedian vendas. Ai ishte në shërbim ushtarak dhe së fundmi ishte i vendosur në një fshat në rajonin e Ajogia, ku ka trazira nga terroristët.

Më 3 mars, gjatë detyrës, ai u vra në një sulm terrorist dhe ka rënë dëshmor. Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun.

Ishte 40 vjeç. Ishte një shëbryes i sinqertë i Xhematit. Ai pranoi Xhematin Ahmedia në vitin 2007. Ai dhe bashkëshortja e tij ishin të vetmit ahmedinë në familjen e tyre.

Përkushtimi dhe shërbimi i tij në Xhemat

Misionari rajonal Sa’adet sahibi thotë se i ndjeri ishte një anëtar shumë aktiv i Xhematit, me lidhje të thellë me Xhematin dhe Kalifatin. Ishte një i ri shumë i devotshëm, adhurues dhe i sinqertë. Kishte shërbyer edhe si kaid i Khuddam-ul-Ahmedia.

Ishte i rregullt në pagesën e çandave dhe merrte pjesë me përkushtim në programet e Xhematit. Pavarësisht detyrës në ushtri, merrte pjesë çdo vit në Xhalsa Salana të Burkina Fasos. Sillej me respekt të madh ndaj misionarëve dhe mualimëve dhe i ndihmonte ata.

Sakrificat dhe shembulli i tij

Në vitin 2008, gjatë udhëtimit tim në Ganë, një grup khuddamësh (të rinjsh) nga Burkina Faso kishin udhëtuar me biçikleta mbi 1000 kilometra për të marrë pjesë. Biçikletat dhe rrugët ishin në gjendje të dobët, por ata përballuan këtë udhëtim të vështirë. Mbërritën në Ganë dhe më takuan. Edhe i ndjeri ishte pjesë e këtij grupi ciklistësh. Në fakt, shpesh udhëtonte me biçikletë për në Xhalsa.

Misionari lokal, Sampuri Abdul Rahman sahibi, thotë se ai ishte gjithmonë i gatshëm për shërbim për Xhematin. Sa herë që thirrej për ndonjë detyrë, përgjigjej menjëherë. Në Xhalsa Salana dhe në aktivitete të tjera organizative, punonte me përgjegjësi të plotë.

Për shkak të përkushtimit të tij, njerëzit e quanin edhe si “mualim i vogël”, madje punonte më shumë se shumë mualimë të tjerë.

Kur nuk kishte ende punë në ushtri, ishte i shqetësuar se si mund të kontribuonte në përparimin e Xhematit, ngaqë nuk kishte të ardhura. Por kur u punësua, filloi të paguante rregullisht çandat.

Kishte lidhje shumë të fortë me Xhematin. Kudo që transferohej, së pari kërkonte qendrën e Xhematit ose xhaminë dhe merrte pjesë rregullisht në namazet e xhumasë.

Pas tij kanë mbetur nëna, bashkëshortja, një djalë dhe dy vajza. Allahu i Lartësuar e faltë dhe e mëshiroftë!

El-hamdu lil-lāhi nahmeduhū ve neste‘īnuhū ve nestagfiruhū ve nu’minu bihī ve netevek-kelu ‘alejhi,Ve ne‘ūdhu bil-lāhi min shurūri enfusinā, ve min sej-jiāti a’mālinā,Men jehdihil-lāhu felā mudil-le lehu,ve men judlilhu felā hādije lehu,Ve neshhedu en lā ilāhe il-lAll-llāh,ve neshhedu en-ne Muham-meden ‘abduhū ve resulūhu,

‘IbādAllāhi, rahimekumull-llāh,In-nAll-llāhe je’muru bil-‘adli vel-ihsāni ve ītāi dhil-kurbāve jenhā ‘anil-fahshāi vel-munkeri vel-bag’j,je‘idhukum le‘al-lekum tedhek-kerun.Udhkurull-llāhe jedhkurkum,ved‘ūhu jestexhib lekum,ve le dhikrull-llāhi ekber.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via