
Liria fetare
Profeti Muhammed s.a.v.s. i jepte rëndësi të madhe lirisë fetare dhe edhe vetë jepte shembullin më të mirë për të. Një fis i krishterë nga Jemeni kishte ardhur një herë për të biseduar me Profetin s.a.v.s. për fenë. Në takim morën pjesë edhe priftërinjtë e tyre të mëdhenj. Biseda nisi në xhami dhe u zgjat paksa. Prifti i fisit tha se atyre u kishte ardhur koha e faljes, andaj i kërkoi leje Profetit s.a.v.s. që të dilnin jashtë xhamisë për t’u falur. Profeti s.a.v.s. tha: “Nuk keni nevojë të shkoni jashtë xhamisë. Mund të falni edhe këtu brenda. Tek e fundit edhe xhamia jonë është ndërtuar për përmendjen e Zotit”.[1]
Trimëria
U përmendën shumë ngjarje rreth trimërisë së Profetit s.a.v.s. në biografinë e tij. Këtu do të shkruaj edhe një ngjarje tjetër. Në Medinë, kur u përhap lajmi që Perandoria Romake po dërgonte një ushtri gjigante për ta sulmuar Medinën, atëherë muslimanët, në veçanti, bënin kujdes gjatë natës dhe rrinin zgjuar. Një ditë u dëgjua një zhurmë që vinte nga jashtë, nga drejtimi i pyllit. Sahabët r.a. menjëherë dolën nga shtëpitë e tyre dhe filluan të vraponin ca andej e ca këtej. Disa prej tyre u mblodhën në xhami dhe prisnin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që të vinte e t’u jepte ndonjë urdhër për ta larguar rrezikun. Ndërsa po qëndronin atje dhe po prisnin që Profeti s.a.v.s. të dilte nga shtëpia e tij, dëshmuan diçka tjetër. Panë që ai po vinte nga jashtë, i vetëm dhe i hipur në kalë. Morën vesh që Profeti s.a.v.s., porsa e kishte dëgjuar zhurmën, i kishte hipur kalit dhe kishte dalë jashtë për të survejuar në mos kishte ndonjë rrezik. Ai nuk priti aspak që sahabët r.a. të mblidheshin e të shkonte bashkë me ta, por i vetëm doli jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kur ishte kthyer, i qetësoi sahabët r.a. që s’kishte asnjë rrezik dhe se ata të shkonin në shtëpi e të flinin rehat.[2]
Dashuria ndaj atyre që janë të dobët mendërisht
Profeti Muhammed s.a.v.s. sillej me shumë dashuri e butësi me ata që nuk gëzonin mendje të shëndoshë. Një herë, një fshatar, që sapo ishte bërë musliman, ishte ulur në xhami. Ndërkohë, ai ndjeu nevojën e vogël. U çua dhe shkoi në një cep të xhamisë dhe filloi të urinonte. Sahabët r.a. sakaq zunë ta ndalonin, por Profeti s.a.v.s. i ndaloi dhe tha që kështu ai do të pësonte ndonjë dëm dhe tha që kur të mbaronte urinimin, ta pastronin vendin me ujë.[3]
Mbajtja e premtimit
Në ngjarjen që vijon shihet se sa shumë kujdesej Profeti s.a.v.s. për mbajtjen e premtimit. Një herë, i kishte ardhur atasheu i një shteti për të dhënë një mesazh. Pasi qëndroi disa ditë në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai u bind për vërtetësinë e Islamit dhe i kërkoi: “O i Dërguari i Allahut, tashmë jam bërë musliman nga zemra dhe dua të shfaq islamin tim”. Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk e lejoi dhe tha që për sa kohë ai ishte përfaqësues i shtetit të tij, duhet të kthehej në të njëjtën gjendje. E, nëse prapë do të ndiente dashuri ndaj Islamit, të vinte sërish për ta përqafuar Islamin.[4]
Tema e jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s. nuk është e tillë sa mund të përfundojë në kaq pak faqe, ose që mund të trajtohet vetëm në disa aspekte. Nuk mund ta shtjelloj më shumë këtë, ngaqë ky libër nuk është mirëfilli biografi e Profetit s.a.v.s., por është një hyrje për komentimin e Kuranit Famëlartë. Prandaj, më lejoni të mjaftohem me kaq.
[1] Zerkani, vëll IV, f. 41.
[2] Buhariu, Bab esh-shuxha’a fil-herb.
[3] Buhariu, Kitabul-vudu, bab terkin-Nebiji s.a.v.s. uen-nas; Buhariu, Kitabul-edeb, bab keulin-Nebji s.a.v.s. jessiru.
[4] Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab fil-imami lijetexhin bihi fil-uhud.