
Ndalimi i spiunazhit dhe porosia për mirëkuptimin
Profeti Muhammed s.a.v.s. e ndalonte spiunazhin dhe porosiste që njerëzit të mirëkuptonin njëri-tjetrin. Ebu Hurejrah r.a. thotë se i Dërguari i Allahut thoshte:
“Ruhuni nga paragjykimi, sepse është gënjeshtra më e madhe dhe mos spiunoni, mos nënçmoni duke i vënë nofka njëri-tjetrit, mos kini zili, mos mbani inat ndaj njëri-tjetrit. Duhet të kujtoni se jeni robër të Zotit të Lartësuar dhe vëllezër të njëri-tjetrit, ashtu siç Zoti ju porositi”.[1]
Ai gjithashtu thoshte:
“Mbajeni mend! Një musliman është vëlla i muslimanit tjetër. Ai as nuk i bën padrejtësi, as nuk e lë në baltë e as nuk e nënçmon për shkak të pasurisë, dijes ose diçkaje tjetër të vetes. Takuaja qëndron në zemrën e njeriut dhe është e mjaftueshme për njeriun që të njolloset, nëse ai nënçmon vëllanë e tij. Cenimi i gjakut, nderit dhe pasurisë së çdo muslimani është i ndaluar për muslimanin tjetër. Zoti i Lartësuar nuk ju sheh as trupat, as fytyrat e as formën e veprave tuaja, Ai sheh zemrat tuaja!”[2]
Urrejtja për mashtrimet në marrëdhëniet tregtare
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. merakosej shumë që muslimanët të mos kishin asnjë lidhje me dredhi e mashtrime. Një herë, teksa po kalonte në pazar, ai pa një pirg drithi që ishte vënë në ankand. Ai futi dorën në drithin dhe zbuloi që nga jashtë ai ishte i thatë, por nga brenda ishte i lagur. E pyeti shitësin se përse e kishte në këtë gjendje. Ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, kishte rënë pak shi që ma lagu drithin”. “Mirë, pse nuk e nxjerr pjesën e lagur përjashta, që njerëzit ta shikojnë para se ta blejnë”, iu përgjigj Profeti s.a.v.s. dhe tha
“ai që mashtron të tjerët, nuk mund të jetë i dobishëm për xhematin”.[3]
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. theksonte shumë:
“Nuk duhet të bëni asnjë mashtrim në tregti. Nuk duhet të merrni gjëra pa i parë më parë. Nuk duhet të bëni pazar mbi pazarin e dikujt tjetër. Nuk duhet të bllokoni mallin me qëllim për ta shitur kur t’i rritet çmimi, madje duhet ta lironi në kohë për nevojtarët”.
Zhgënjimi
Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte tërësisht kundër frymës së zhgënjimit, madje thoshte se ai që përhap zhgënjimin, është përgjegjës i shkatërrimit të popullit.[4] Në fakt, me fjalë zhgënjyese popullit i vdes shpirti i guximit dhe ai fillon të bjerë. Profeti s.a.v.s. ndalonte sahabët nga zhgënjimi, ashtu siç i ndalonte nga krenaria dhe mburrja, sepse të dyja këto rrugë e çojnë popullin në humbje, andaj i porosiste që të mbanin një rrugë të ndërmjetme. Njeriu as nuk duhet të ndjekë rrugën e krenarisë dhe mburrjes, e as të zhgënjimit e të pashpresës, por të përpiqet maksimalisht dhe pastaj, rezultatin ta lërë në dorë të Zotit. Njeriu duhet të ketë dëshirë që xhemati i tij të përparojë, por të mos i lindin krenaria dhe mburrja.
[1] Buhariu, Kitabul-edeb, bab ja ejuhel-ladhina amanuxhtenibu kethiram minez-zan.
[2] Muslimi, Kitabul-birri ues-silah, bab tehrimi zulmil-muslimi ue khedhlihi.
[3] Tirmidhiu, Ebuabul buju’, bab ma xha’a fi kerahijetil-geshi fil-buju’.
[4] Muslimi, Kitabul-birri ues-silah, bab en-nehi en keuli halakan-nasu.