Profeti Muhammed s.a. në sytë e intelektualëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Profeti Muhammed s.a. lindi në Mekë në vitin 571. Ai ishte pasardhës i drejtpërdrejtë i profetit Ibrahim alejhiselam, nga familja e Ismailit alejhiselam . Mbeti jetim në një moshë shumë të vogël dhe u kujdes nga xhaxhai i tij. Punoi si tregtar dhe u martua në moshën 25 vjeçare. Bëri një jetë modeste dhe të thjeshtë. Ishte shquar për fisnikërinë dhe ndershmërinë e tij, madje atë e quanin me titullin el-emin d.m.th. i besueshëm. Duke parë gjendjen e mjeruar të popullit të tij, padrejtësinë, gjakderdhjen, imoralitetin dhe mizorinë ndaj të dobëtëve, Muhammedi s.a.v.s. shpesh shkonte në një shpellë afër qytetit, ku kalonte një kohë të gjatë duke medituar dhe adhuruar Zotin. Këtu në moshën 40 vjeçare, ai mori shpalljen e parë nga Zoti, përmes engjëllit Xhibril, mesazh të cilin duhet t’ua përcillte gjithë njerëzve. Muhammedi s.a. u angazhua në predikimin e kësaj feje, e cila u quajt Islam, në këshillimin e bashkëkombësve të tij që t’i besonin Zotit të Vetëm e të Plotfuqishëm, duke u larguar nga çdolloj idhujtarie. Për të shmangur çdolloj atributi hyjnor që mund t’i jepej nga njerëzit, veten e quante rob dhe të Dërguar të Zotit.

Ai dhe ndjekësit e tij të parë u dhunuan dhe u persekutuan vetëm për shkak të besimit në një Zot. Kur përndjekja arriti në kulmin e saj, Profeti s.a.v.s, bashkë me muslimanët e tjerë, u detyruan të shpërnguleshin në një qytet tjetër, Medine. Banorët e Medinës pranuan thirrjen e tij dhe e zgjodhën si prijës të tyre. Por, mekasit nuk e lanë të qetë edhe në Medinë. Për të shfarosur Islamin dhe për të vrarë muslimanët, ata sulmuan Medinën disa herë. Muslimanët, ndonëse shumë herë më të pakët në numër, arritën t’i sprapsin agresorët. Kur triumfoi mbi Mekën, Profeti s.a.v.s. fali të gjithë kundërshtarët, të cilët, për vite me radhë, kishin ushtruar dhunë dhe shtypje të egër ndaj tij, të afërmve dhe ndjekësve të tij.

Për muslimanët, Profeti Muhammed s.a.v.s. është shembulli më i përsosur për t’u ndjekur. Ai është vulë e të gjithë profetëve. Në qenien e tij, mishërohen shfaqjet më fisnike të karakterit njerëzor,  si prijës, mësues, bashkëshort, prind, shok, etj. Sjellja dhe veprat e tij janë udhërrëfyese edhe sot për miliona njerëz anembanë botës.

Pavarësisht nga vetitë më fisnike të jetës së tij, keqdashësit gjatë shekujve të kryqëzatave, kanë drejtuar shpifjet nga më të ulëta ndaj tij.  Koha ka përparuar dukshëm në përforcimin e lirisë dhe tolerancës fetare dhe shkrimtarët perëndimorë kanë shfaqur një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e tyre ndaj jetës së Profetit Muhammed s.a.. Megjithatë, kohët e fundit, në emër të lirisë së shprehjes, nuk janë të pakta, përçapjet për të njollosur karakterin e shkëlqyer të këtij Profeti madhor s.a..

Por, pavarësisht nga mjegullnaja shekullore rreth realitetit të Profetit Muhammed s.a., në çdo kohë kanë qenë shkrimtarë të paanshëm, të cilët janë përpjekur të çjerrin perden e injorancës dhe të pasqyrojnë aspektet rrezatuese të këtij pishtari të paqes.

Në vijim, do t’ju paraqesim disa nga shkrimet e mendjeve më të ndriçuara të kohës sonë, që hedhin dritë mbi jetën e Muhammedit s.a., për të pasur një vështrim më të drejtë, të logjikshëm dhe objektiv rreth profetizmit të tij.

John William Draper në librin e tij shkruan:

“Katër vjet pas vdekjes së Justinianit, në vitin 569, në Mekë lindi një person, i cili provoi ndikimin më të madh mbi racën njerëzore, ai ishte Muhammedi s.a.v.s. të cilit Evropianët i ngjitën nofkën “gënjeshtar”…  Te Muhammedi gërshetoheshin ato veti, që vendosën për fatin e shumë perandorive. Ai ishte një ushtar predikues, shprehës në foltore dhe në fushë betejë dilte si trim. I gjithë thelbi i fesë së tij ishte vetëm kaq: “Zoti është një”. … Duke pohuar këtë realitet të përjetshëm, ai nuk u përfshi në metafizika të kota, por, e ngarkoi veten në përmirësimin e gjendjes shoqërore të popullit të tij, përmes rregullave që kujdeseshin për dëlirësinë personale, vetëpërmbajtje, agjërim dhe lutje. Karshi të gjitha punëve të tjera, ai i dha epërsi lëmoshës dhe bamirësisë.” [A History of the Intellectual Development of Europe, NY, f.244,1863]

Orientalisti i njohur William Montgomery Watt shkruan:

“Sa më shumë të përsiatësh Muhammedin dhe zanafillën e Islamit, aq më shumë mahnitesh duke parë përmasat e arritjeve të tij. Rrethanat i dhanë një mundësi që u jepet shumë pak personave, sikur ai ishte njeriu më i denjë për atë kohë. Po t’i mungonin cilësitë si largpamësia, të qenit burrë shteti, mbështetja tek Zoti dhe besimi i palëkundur që Zoti e kishte dërguar atë, atëherë një kapitull i rëndësishëm i historisë njerëzore do të mbetej i pashkruar. Unë shpresoj se ky studim mbi jetën e tij, mund të kontribuojë për të vlerësuar njërin prej bijve më të shkëlqyer të Adamit.” [Muhammad at Madina, Oxford University Press, f. 335, 1981]

Historiani i famshëm Reverend Bosworth Smith shkruan:

“Ai ishte edhe kryetar i shtetit, edhe udhëheqës i fesë. Personaliteti i Papës dhe i Çezarit mishëroheshin në një qenie të vetme. Ai ishte Papa, por pa pretendime dhe qe Çezari, por i lartë nga salltaneti dhe legjioni i tij: pa ushtri, pa truproja, pa kështjellë, pa të ardhura të caktuara vjetore. Nëse dikush me të drejtë do të pohonte që sundoi me të drejtën hyjnore, ai është Muhammedi, sepse gëzoi të gjitha fuqitë, pa pasur mjete të nevojshme dhe pa asnjë përkrahje.” [Mohammad and Mohammadanism, Elder & Co., Londër. f. 235, 1876]

“Askush nuk mund ta arrijë atë, që realizoi Muhammedi duke pasur besim të patundur në realitet dhe në mirësinë e qëllimit të tij [ai kishte bindje të plotë në misionin, thirrjen e tij dhe besimin që vinte nga Zoti dhe kështu u hodhën themelet e një revolucioni] … Çdo ngjarje e jetës së tij vërteton se ai ishte një person i vërtetë, realist dhe entuziast, i cili dalëngadalë, duke duruar të gjitha mundimet, orvatet ta arrijë të vërtetën…” [si më parë, f. 127]

Washington Irving shkruan:

“Fitoret e tij ushtarake nuk i ngjallën as krenari, as mendjemadhësi, as salltanet e as madhështi të jashtme. Po të kishte synuar interesat personale në këto triumfe, atëherë ai sigurisht do të mbante këto pasoja. Edhe në kulmin e fuqisë, ai ruajti atë thjeshtësi në sjelljen dhe shfaqjen e tij, që kishte në kohën e vuajtjeve. Madje, jo vetëm që nuk i pëlqente madhështia mbretërore, por, shprehte mospëlqimin e tij, kur i thureshin lavdërime të panevojshme.” [The Life of Mahomet, Bernard Tauchnitz, Leipzig. f 272-3, 1850]

Orientalisti i njohur Sir William Muir, ndonëse është shprehur mjaft kundër Islamit, shkruan:

“I përkryer dhe i plotë në të gjitha veprimet e tij, çdo detyrë që mori përsipër, e çoi deri në fund. Kjo veti dominonte edhe në raportet shoqërore. Nëse bisedonte me dikë, nuk i kthehej pjesërisht, por kthente fytyrën dhe gjithë trupin nga ai. Kur i jepte dorën dikujt, nuk qe i pari për ta tërhequr. Kur bisedonte me ndonjë të panjohur, nuk e ndërpriste bisedën vetë, e as nuk i tregohej i pavëmendshëm. Një thjeshtësi fisnike përfshinte jetën e tij. Kishte zakon që çdo punë ta bënte vetë. Nëse i jepte lëmoshë lypësit, i jepte me dorën e vet. Ndihmonte gratë e tij në punët e shtëpisë. Përulësia, dashamirësia, durimi, vetëmohimi dhe bujaria ishin aspektet më të spikatura të sjelljes së tij, dhe me anë të tyre ai fitoi dashurinë e të gjithëve.” [Life of Muhammad, vëll. IV, Smith, Elder and Co., Londër, f. 303-307, 1861]

“Një argument i fortë për sinqeritetin e Muhammedit është që muslimanët e parë ishin miqtë e ngushtë dhe pjesëtarët e familjes së tij, të cilët, duke qenë të njohur me jetën e tij personale, nuk mund të mos zbulonin mospërputhje dhe shtrembëri që pak a shumë gjenden gjithmonë në punët e jashtme të një mashtruesi dhe në sjelljen e tij brenda familjes.” [si më parë, f. 97-8]

Sir Thomas Carlyle shkruan:

“Hipoteza jonë e tanishme rreth Muhammedit, që ai ishte komplotist trillues, mishërim të pavërtetës, ndërsa feja e tij ishte një akullnajë e budallallëkut dhe marrëzisë, sa vjen e bëhet më e papranueshme. Shpifjet dhe trillimet që kundërshtarët i ngjitën këtij profeti, sot na turpërojnë vetëm ne,… sigurisht ka ardhur koha që të çlirohemi prej tyre. Fjalët e këtij njeriu janë udhërrëfyese për 180 milionë njerëz përgjatë këtyre dymbëdhjetë shekujve. … Aq shumë njerëz që u besojnë fjalëve të Muhammedit në këtë kohë, nuk i besojnë askujt tjetër.” [On Heroes, Hero-Worship & the Heroic in History, NY, f. 47, 1846]

Filozofi francez Alphonse de Lamartine shprehet:

“Në qoftë se madhështia e qëllimit, ngushtësia e mjeteve dhe pafundësia e rezultateve të arritura, do të ishin tri kritere për të matur gjeninë njerëzore, atëherë kush do të guxonte të përqaste njerëzit më të mëdhenj të kohëve moderne me figurën e Muhammedit? As më të shquarit prej tyre nuk arritën veçse të ngrinin ca ushtri, ligje, perandori e themelonin autoritete fizike të pushtimit, disa prej të cilave u gremisën para syve të tyre. Muhammedi reformoi dhe rimodeloi ushtritë, ligjet, perandoritë, kombet dhe dinastitë me miliona njerëz në një të tretën e botës. Aq më tepër ai ndryshoi dhe ripërtëriu faltoret, … fetë, dogmat, ideologjitë dhe shpirtrat. Baza e Muhammedit ishte një libër, çdo fjalë e të cilit u bë ligj, duke formuar një kombësi shpirtërore që përfshin popujt e çdo gjuhe dhe race.” [History of Turkey, D. Appleton & Co., NY, f.154, 1855]

Michael H. Hart thotë:

“Ndoshta përzgjedhja ime e Muhammedit për vendin e parë të njerëzve më me influencë në botë, do t’u ngjallë çudi disa lexuesve, madje disa mund të ngrenë pyetje rreth kësaj, por, ai është i vetmi njeri në histori që mbeti jashtëzakonisht i suksesshëm, jo vetëm në arenën fetare, por edhe laike.” [The 100: A Ranking of the Most Influential Persons in History, Carol publishing group., f. 8-9]

 

Shkrimtari Stanley Lane Poole, shkruan:

“Ai e fali fisin Kurejsh për të gjitha vitet e hidhërimit dhe për përbuzjet mizore me të cilat ata e kishin leqendisur atë. Ai shpalli amnisti të përgjithshme për të gjithë banorët e Mekës… e tillë ishte ardhja e Muhammedit në qytetin e tij të lindjes. Duke shqyrtuar të gjitha kronikat e pushtimit, nuk ka asnjë hyrje triumfuese, që mund t’i përqaset kësaj.” [Speeches and Table Talk of the Prophet Muhammad, Macmillan & Co., Londër, f. xlvi, 1882]

 

Mahatma Gandhi, në një shkrim të tij, shprehet:

“Unë desha të mësoja më të mirën e jetës së atij personi, i cili gëzon sot ndikim të padiskutueshëm mbi zemrat e miliona njerëzve. Jam i bindur më shumë se kurrë që nuk ishte shpata, që kishte fituar një status të veçantë në Islam, … por, ishin pikërisht thjeshtësia e thekshme, përulësia e skajshme e Profetit, përkujdesja për përmbushjen e premtimeve, dhembshuria e madhe për miqtë dhe ndjekësit e tij, guximi dhe trimëria e tij, besimi i palëkundur te Zoti dhe te misioni i tij, ishin këto virtyte, dhe jo shpata, që përmbushën gjithçka para tyre dhe kapërcyen çdo vështirësi. Kur mbarova së lexuari vëllimin e dytë (të një libri rreth jetës së Profetit) u trishtova pamasë, sepse nuk kisha më për të lexuar nga ajo jetë e shkëlqyer.” [Young India, 23/09/1924]

Themeluesi i xhematit Musliman Ahmedia Hazret Mirza Ghulam Ahmedi alejhiselam duke përshkruar statusin e Profetit Muhammed paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të shkruan:

“Ajo dritë e shkallës së lartë që iu dha njeriut, domethënë njeriut të përsosur, nuk ishte as në engjëj, as në yje, as në hënë e as në diell, ajo nuk ishte as në thellësitë e oqeaneve apo të lumenjve; ajo nuk ishte as në rubin, as në smerald, as në safir e as në margaritar. Pra, ajo nuk gjendej në asnjë gjë të tokës apo të qiellit, por ishte vetëm te njeriu, domethënë te njeriu i përsosur, shëmbëlltyra më e plotë, më e përkryer, më e lartë dhe më madhore e saj është Prijësi dhe Udhëheqësi ynë, Udhëheqësi i profetëve, Udhëheqësi i të gjithë njerëzve, i zgjedhuri Muhammed s.a.v.s. Pra, ajo dritë i është dhënë atij, po ashtu, sipas pozitës, u është dhënë të gjithë atyre që kanë të njëjtën ngjyrë, domethënë atyre, që i ngjajnë atij”. [Aina Kamalate Islam, Rruhani Khezain, vëll. V, f. 160-161]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp