Rëndësia e lutjes sipas haditheve të të Dërguarit të Allahut s.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Rëndësia e lutjes sipas haditheve të të Dërguarit të Allahut s.a.

Hazet Xhabir bin Abdillahu r.a. tregon:

Unë kam dëgjuar Hazret Profetin Muhammed s.a.v.s. duke thënë se kujtimi më i mirë është “Lailaha ill-llah”, (d.m.th. s’ka zot tjetër përveç Allahut), dhe lutja më e mirë është “Elhamdulilah”, (d.m.th. lavdërimi i takon Allahut)

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat , Bab da’vatil muslimi mustaxhabah)

Hazret Abu Musa Esh’ari r.a. thotë se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Shembulli i atij njeriu që kujton Zotin dhe i atij që nuk e kujton, është si shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.

(Sahih Buhari Kitabud Da’vat, Bab fadli dhikrillah)

Hazret Xhabir bin Abdillahu r.a. thotë:

Një herë Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. erdhi te ne dhe na tha: “O njerëz, ushqehuni në kopshtet e Xhenetit.” Ne e pyetëm: “Ç’janë kopshtet e Xhenetit, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Tubimet për kujtimin e Allahut janë kopshtet e Xhenetit. Veçanërisht në mëngjes e në mbarim, kujtojeni Allahun. Nëse dikush dëshiron të dijë se si vlerësohet ai te Zoti i tij, atëherë ai duhet të shqyrtojë se si e vlerëson Zotin dhe ç’status i jep Atij, sepse Allahu e vlerëson robin e Tij, sipas vlerësimit që ka ai për Allahun në zemrën e tij.

(Keshirijah, Babudh-dhikr, f. 111)

Hazreti Abuhurejrah r.z. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Çdo natë, Zoti ynë zbret në qiellin e tokës, (dhe qëndron) derisa vjen pjesa e tretë e natës kur Ai thotë: Ka njeri që të më thërrasë Mua e t’i përgjigjem atij? Ka njeri që të më kërkojë Mua diçka që t’i jap atij? Ka njeri që të Më kërkojë faljen që ta fal atë.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Robi ndodhet më afër Zotit të tij, atëherë kur ai është në sexhde. Prandaj, lutuni sa më shumë në sexhde.

(Muslim Kitabus Salah, ma jekulu fir-ruku ves-suxhud)

Hazret Selman Farsi r.a. tregon se Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

“Allahu është i Gjallë, shumë Bujar dhe i vjen keq ta refuzojë robin e vet dhe ta kthejë atë duarbosh kur ai zgjat duart e tij duke kërkuar prej Tij.”

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Ai që dëshiron që Zoti t’i pranojë lutjet gjatë vështirësive dhe shqetësimeve, atëherë ai duhet të lutet shumë gjatë rehatisë.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Uthman bin Affani r.a. tregon se Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Asgjë nuk i sjell dëm atij që i lutet Zotit tri herë, çdo ditë në agim dhe në mbrëmje me këto fjalë: Në emrin e Allahut, në emrin e të Cilit asgjë nuk mund të dëmtojë, as në tokë as në qiell. Me të vërtetë Ai dëgjon shumë dhe është i Gjithëdijshëm.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Ibni Umeri r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kur çohej nga tubimi, lutej për es-habët e tij me këto fjalë:

O Zoti ynë, dhurona frikë prej Teje që të bëhet pengesë midis nesh dhe gjynaheve tona; falna bindjen ndaj Teje që na çon drejt Xhenetit Tënd; jepna besimin që na lehtëson shqetësimet e kësaj bote; mundësona që t’i përdorim veshët, sytë, fuqitë dhe aftësitë tona në mënyrën më të mirë, ashtu siç të pëlqen Ty. O Zoti ynë, ai që na bën mizori, Ti Vetë merri hakun atij; ai që ka armiqësi me ne, ndihmona kundër tij; mbrona besimin tonë nga sprovat; bota mos të bëhet gjithçka për ne dhe dija jonë mos të kufizohet vetëm me këtë botë; mos na cakto ndonjë autoritar që nuk na mëshiron.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Umeri r.a. tregon:

Një herë i mora leje Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. për të bërë Umrah. Duke më dhënë leje, ai më tha: “O vëllai im, mos na harro në lutjet e tua.” Hazret Umeri r.a. thotë: Nuk do të gëzohesha kaq shumë edhe po të më jepej e gjithë bota në vend të këtyre fjalëve.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat; Musnad Ahmad)

Hazret Abuhurejrah r.a. tregon se Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

Tri lutje pranohen pa asnjë pengesë: lutja e atij që i bëhet mizori, lutja e udhëtarit dhe lutja e babait për fëmijën e tij.

(Tirmidhi, Kitabud Da’vat)

Hazret Ajshja r.a. (bashkëshortja e Profetit s.a.v.s.) tregon:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpesh çohej natën dhe falte namaz aq shumë saqë i ënjteshin këmbët. Një ditë i thashë: O i Dërguari i Allahut, pse mundohesh kaq shumë, kur Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e tua të mëparshme dhe të ardhshme? Ai më tha: “A nuk duhet të kem dëshirë të jem rob mirënjohës i Zotit!

(Sahih Buhari, Kitabut Tefsir, Suretul Fet’h; Muslimi)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp