10 lutjet e Profetit s.a. për namazin e natës (tehexhud)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
lutje e Profetit

Ju sjellim disa nga lutjet emocionuse të Profetit Muhammed s.a. që ai bënte në namazin e natës, pra, në tehexhud.

(1) Hazret Ajshja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.s. kur zgjohej gjatë natës, bënte këtë lutje:

lutje tehexhud faljeNuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje. I Shenjtë je o Allah! Të kërkoj falje për gjynahun tim dhe Të kërkoj mëshirën Tënde! O Allah! Më shto diturinë! Mos më devijo zemrën pasi më ke udhëzuar dhe më dhuro mëshirë prej Vetes! Ti je me të vërtetë Dhuruesi i madh![1]

(2) Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.s. kur çohej për namazin e tehexhud-it, bënte këtë lutje:

lutje tehexhud falje
O Allah! E Jotja është lavdia. Ti i bëre të qëndrojnë qiejt, Toka dhe gjithçka që gjendet në to. E Jotja është lavdia. I Yti është sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to. E Jotja është lavdia. Ti je drita e qiejve dhe e Tokës dhe e gjithçkaje që gjendet në to. E Jotja është lavdia. Ti je Mbreti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to. E Jotja është lavdia.

Ti je i Vërteti. Premtimi Yt është i vërtetë, takimi me Ty është i vërtetë, fjala Jote është e vërtetë, xheneti është i vërtetë, zjarri është i vërtetë, profetët janë të vërtetë, Muhammedi është i vërtetë dhe Ora është e vërtetë.

O Allah! Ty t’u dorëzova, Ty të besova, te Ti u mbështeta, nga Ti anova, me ndihmën Tënde u përballa me armikun dhe Ty të solla çështjen për gjykim. Më fal mua edhe atë që kam bërë më parë, edhe atë që do të bëj, edhe atë që e fsheha, edhe atë që e zbulova. Ti je Nismëtari dhe Përmbyllësi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje.[2]

(3) Duke treguar rreth lutjeve që i Dërguari i Allahut s.a.s. bënte në fillim të namazit të tehexhud-it, Hazret Ajshja r.a. thotë se Profeti s.a.s. çohej në këmbë dhe thoshte nga 10 herë Allahu Ekber, Elhamdulil-lah, Subhanallah, Lailaha il-lallah dhe 10 herë kërkonte falje prej Zotit. Më pas bënte disa lutje të tjera.[3]

(4) Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. rrëfen: Teksa po faleshim një ditë me të Dërguarin e Allahut s.a.s., erdhi një njeri dhe nisi namazin me këto fjalë:

lutje tehexhudAllahu është më i madhi, Allahut i takon lavdia më së shumti! I lartësuar është Allahu edhe në agim, edhe në mbrëmje.

Pas namazit, i Dërguari i Allahut s.a.s. tha: Kaq shumë i pëlqyen Zotit këto fjalë, saqë Ai i hapi dyert e xhenetit. Ibni Omeri r.a. thotë se pas kësaj ngjarjeje, ai gjithmonë i përsëriste këto fjalë në namazin e tij.[4]

(5) Hazret Ajshja r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.s. në përgjithësi tehexhud-in e fillonte me këtë lutje:

lutje tehexhudO Allah! Zoti i Xhibrailit, i Mikailit dhe i Israfilit. Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. I Dijshmi i së padukshmes dhe i së dukshmes. Ti do të gjykosh robërit e Tu në çështjet, të cilat ata kundërshtojnë njëri-tjetrin. Me lejen Tënde më udhëzo drejt vërtetësisë në çështjet që janë kundërshtuar. Me të vërtetë, Ti e udhëzon rrugës së drejtë kë të duash.[5]

(6) Hazret Asimi r.a. rrëfen: Pyeta Hazret Ajshen r.a. se si e fillonte i Dërguari i Allahut s.a.s. namazin e natës. Ajo m’u përgjigj: Më ke pyetur për diçka, për të cilën nuk më ka pyetur askush para teje. I Dërguari i Allahut s.a.s. kur çohej për të falur namazin, përsëriste nga 10 herë Subhanallah, Elhamdulil-lah dhe Estagfirullah dhe më pas bënte këtë lutje”:

lutje tehexhud faljeO Allah! Më fal! Më udhëzo! Më ushqe! Më jep shëndet! Më mbro nga shtrëngimi në ditën e kiametit![6]

(7) Hazret Ebu Seid Hudriju r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.s. kur çohej gjatë natës për të adhuruar Zotin, pas tekbirit dhe lavdërimit të Allahut, bënte këtë lutje:

lutje tehexhudKërkoj mbrojtjen e Allahut, Dëgjuesit e të Gjithëdijshmit nga shejtani i mallkuar, nga nxitja e tij, nga fryma e tij dhe nga ligësia e tij.[7]

(8) Me kërkesën e Hazret Ebu Bekrit r.a. i Dërguari i Allahut s.a.s. i mësoi këtë lutje, që ai ta bënte në namaz:

lutje tehexhud faljeO Allah! Kam shkelur shumë veten time dhe askush nuk m’i fal mëkatet përveç Teje. Andaj, më dhuro faljen Tënde dhe më mëshiro! Ti je me të vërtetë Mëkatfalësi, Mëshirëbërësi.[8]

(9) Hazret Shedad Ibni Eusi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.s. bënte këtë lutje në namazet nafile:

lutje tehexhud faljeO Allah! Po të lutem për qëndrueshmërinë në të gjitha çështjet, për vendosmërinë në sjelljet e drejta. Më mundëso të falënderoj për bekimin Tënd e të adhuroj Ty në mënyrën më të bukur. Po të lyp zemër të sinqertë, gjuhë të drejtë dhe çdo të mirë që Ti di. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga çdo ligësi që Ti di dhe kërkoj faljen për çdo mëkat timin që Ti di.[9]

(10) Hazret Amar Ibni Jasiri r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.s. i mësoi këtë lutje që ta bënte në namaz:

tehexhudO Allah! Për hir të dijes Sate për të padukshmen dhe të fuqisë Sate mbi krijesat, më mbaj gjallë gjersa jeta është e mirë për mua sipas dijes Sate dhe ma merr shpirtin atëherë kur vdekja është e mirë për mua sipas dijes Sate.

O Allah! Të kërkoj frikën ndaj Teje edhe kur nuk më sheh askush, edhe kur jam para të tjerëve. Më mundëso të them fjalën e vërtetë edhe gjatë pëlqimit, edhe gjatë zemërimit. Të kërkoj rrugën e mesme edhe gjatë skamjes, edhe gjatë kamjes. Të kërkoj bekimin që nuk përfundon. Të kërkoj prehjen e syve që nuk shteron. Të kërkoj kënaqësinë mbi vendimet e Tua. Të kërkoj jetë të lumtur pas vdekjes. Të kërkoj kënaqësinë e shikimit për të parë fytyrën Tënde dhe dëshirën për të të takuar Ty dhe që këto të m’i japësh pa më kaluar në ndonjë vështirësi të mundimshme dhe pa më vënë në ndonjë sprovë devijuese.

O Allah! Na zbukuro me stolinë e besimit dhe na bëj udhëheqës të udhëzuar! [10]


[1]. Ebu Daud, Kitabul-adab, bab jekulur-raxhul idha ta’ra minel-lejl.
[2]. Buhariu, Kitabut- tehexhud, bab et- tehexhud bil-lejl.
[3]. Nisai, Kitab kijamil-lejl, bab dhikr ma jesteftihu bihil-kijam.
[4]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab dua umi selma.
[5]. Muslimi, Kitab salatil-musafirin, bab dua fi salatil-lejl.
[6]. Nisai, Kitab kijamil-lejl, bab ma dhakara ma jesaftihu bihil-lejl.
[7]. Tirmidhiu, Kitabus-salat, bab ma jekulu enda iftitahis-salat.
[8]. Buhariu, Kitabud-da’vat, bab dua fis-salat.
[9]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab fi men-jekraul-Kur’an endal-manam.
[10]. Nisai, Kitab sifatis-salat, bab neu akhir mined-dua.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp