
Shtrohet pyetja: cilat janë ato parime, që do t’ju mundësojnë pranimin e lutjes?
Siç na bëhet e qartë nga teksti i kësaj sureje, këto janë mjetet e pranimit të lutjes:
- Bismil-lah (Me emrin e Allahut)
- El-Hadmu lil-lah (Lavdia është e Allahut)
- Err-Rrahman (I Gjithëmëshirshmi)
- Err-Rrahim (Mëshirëbërësi)
- Maliki jeumid-din (Sunduesi i Ditës së Gjykimit)
- Ijjake na’budu (Vetëm Ty të adhurojmë)
- Ijjake nesta’in (Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë)
Me pak fjalë, kjo sure ashtu siç ka shtatë vargje, na tregon po ashtu shtatë parime për pranimin e lutjes. Me fjalët “Me emrin e Allahut” (Bismil-lah) kjo sure tregon se qëllimi për të cilin do të luteni, duhet të jetë i mbarë. Domethënë, nëse dikush lutet për të bërë vjedhje, Zoti nuk ia pranon atë. Lutja që bëhet me emrin e Zotit dhe me ndihmën e Tij, patjetër që duhet të bëhet për një punë, ku qenia e Zotit të mund të shoqërojë qenien e robit. Shikoni pra, në fjalë kaq të pakta, si Zoti na i ka qartësuar kornizat e lutjes. Kam parë shumë njerëz që luten për shkatërrimin e njerëzve të tjerë dhe më pas ankohen se nuk u pranohen ato. Po ashtu, luten për kërkesat e tyre të padrejta dhe më pas ankohen se nuk po u pranohen lutjet. Atyre, që vishen me petkun e dëlirësisë së rreme dhe u lëshojnë njerëzve “nuskë” ose “mbrojtëse” dhe “lutje” për çështjet e tyre të padrejta, sipas këtij parimi, të gjitha ato u refuzohen.
Parimi i dytë është: Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve (El-Hamdulil-lahi Rabbil-alemin). Pra, lutja të jetë e tillë, që e gjithë bota ose njerëzit e tjerë të fitojnë dobi prej saj. Ose të paktën ata të mos pësojnë ndonjë humbje nga ajo. Pranimi i lutjes të provojë lavdinë e Zotit të Madhërishëm dhe Atij t’i mos etiketohet asnjë padrejtësi.
Parimi i tretë është që lutja juaj të nxisë mëshirën e pakufishme të Zotit dhe pranimi i saj të shfaqë atributin e Tij si i Gjithëmëshirshmi (Rrahman).
Parimi i katërt është që lutja juaj të ketë lidhje edhe me atributin Mëshirëbërës (Rrahim), që do të thotë se ajo duhet të hedhë rrënjët e një mirësie, e cila të jetë e vazhdueshme në botë dhe përmes së cilës njerëzit e mirë e të sinqertë vazhdimisht të përfitojnë, ose të paktën të mos krijohet asnjë pengesë për ta.
Parimi i pestë është që lutja juaj të ketë parasysh edhe atributin Sunduesi i kohës së gjykimit (Maliki jeumid-din), që do të thotë se, kur të luteni, të mos anashkaloni mjetet materiale që janë të nevojshme për të realizuar me sukses punën tuaj, sepse ato i ka përcaktuar vetë Zoti i Madhërishëm. T’i lutesh Atij, pa përdorur mjetet dhe pa ndjekur rrugën që ka diktuar Ai, është e palogjikshme. Pra, lutësi duhet t’i përdorë mjetet materiale, nëse janë brenda mundësive të tij. Nëse nuk janë brenda mundësive të tij, atëherë atributi Maliki jeumid-din shfaqet me efektet e tij që i kapërcen mjetet materiale. Një tjetër pikë në këtë ajet që na ka treguar Zoti është që lutësi duhet të ketë një qasje të mëshirshme ndaj të tjerëve, dhe nga ana tjetër, të mos jetë i rreptë për të kërkuar të drejtat e veta.
Vetëm Ty të adhurojmë. Parimi i gjashtë është që lutësi duhet të ketë lidhje dhe besnikëri të përsosur me Zotin e Madhërishëm. Ai duhet të jetë krejtësisht i pastër nga ndjenja dhe mendime shirku.
Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Parimi i shtatë është që ai të bëhet tërësisht i Zotit, të mbështetet vetëm tek Ai, shikimi i tij të largohet tërësisht nga dikush a diçka tjetër jashtë Zotit dhe të qëndrojë në pozitën, ku çfarëdo vështirësie ta godasë, ai t’i kërkojë ndihmë vetëm Zotit të Madhërishëm.
Këto janë shtatë parimet për pranimin e lutjes, të treguara në këtë sure. Ai që i zbaton, meriton fjalët e Zotit:
“Çfarëdo lutjeje që të bëjë robi Im përmes saj, do t’i pranohet”.
E vërteta është që lutje të tilla të përsosura shpesh i gjejmë te Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe te ndjekësit e tij të përsosur. Realisht, përmes atyre bota ka dëshmuar mrekulli të tilla të pranimit të lutjeve si: të verbrit fituan shikimin, të shurdhët morën dëgjimin dhe memecët filluan të flasin. Nuk është e mbyllur rruga për askënd për të qenë ndjekës i përsosur i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Kushdo që dëshiron, mund të përpiqet për ta arritur këtë pozitë e mund ta arrijë atë.