
Ky hadith tregon se Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim është pjesë jo vetëm e sures El-Fatiha, por edhe e sureve të tjera, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk tha vetëm se Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim është pjesë e El-Fatihasë, por dha argumentin se përse ai është pjesë e saj, duke thënë se El-Fatiha është nëna e Kuranit. Ky argument vlen edhe për të provuar se bismil-lahi është pjesë e sureve të tjera gjithashtu. Me fjalë të tjera, pohimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nënkupton se kur bismil-lahi është pjesë e sureve të tjera, përse nuk mund të jetë edhe pjesë e El-Fatihasë, e cila është nëna e Kuranit.
Ka edhe argumente të tjera që e provojnë këtë fakt. Për shembull, në Sahihun e Imam Muslimit përmendet:
Enesi r.a. rrëfen: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Sapo më zbriti një sure e re e cila është “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. In-na a’tajnakel-keuther”.[1]
Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e cilësoi ajetin Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim si pjesë të sures El-Keuther. Rrëfime të ngjashme ka edhe për disa sure të tjera.
Dikush mund ta kundërshtojë këtë rrëfim duke thënë se kjo sure është mekase, ndërsa Enesi r.a. është medinas dhe ishte 8 ose 9 vjeç. Ndërkohë, fjalët e hadithit të japin përshtypje sikur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. t’i ketë thënë këto fjalë menjëherë pas zbritjes së sures. E nëse kjo është e vërtetë, si ka mundësi që Enesi r.a. t’i ketë dëgjuar këto fjalë?
Po të mos kishim prova të tjera mbështetëse të këtij hadithi, akuza e mësipërme pa dyshim që do ta dobësonte autenticitetin e tij. Por prania e provave të tjera e zhvlerëson akuzën. Në fakt, sahabët rrëfenin ngjarje të caktuara, nganjëherë, duke i dëgjuar edhe nga sahabët e tjerë. Të gjithë dijetarët e pranojnë që një hadith i caktuar, kur rrëfehet nga ndonjë sahab quhet i saktë, sepse për asnjë sahab të Profetit s.a.v.s. nuk provohet që ai të ketë gënjyer. Nëse Enesi r.a. ia referon këtë thënie Profetit Muhammed s.a.v.s., me siguri ai duhet ta ketë dëgjuar nga ndonjë sahab muhaxhir. Andaj, mëdyshja në këtë hadith nuk qëndron.
Disa njerëz mendojnë se hanefitë (ndjekësit e Imam Ebu Hanifes) besojnë se bismil-lahi nuk është pjesë e Kuranit Famëlartë. Por, kjo është e pavërtetë. Imam Ebu Hanife nuk besonte kështu, përkundrazi, besonte që bismil-lahi është një ajet i mirëfilltë, por nuk është pjesë e sures.
Imam Ebu Bekr Razi që është njëri prej imamëve të hanefive, në pjesën e parë të librit të tij “Ahkamul-Kuran”, shkruan:
“Ngaqë u provua se ky ajet nuk është pjesë e ndonjë sureje, por është ajet i mirëfilltë që tregon ndarjen e dy sureve, jemi porositur ta themi për bekim përpara se të fillojmë namazin”.[2]
Andaj, është vetëm padituri e atyre që thonë se hanefitë nuk e cilësojnë ajetin bismil-lah si pjesë të Kuranit. Pa dyshim që ata nuk e cilësojnë atë si pjesë të ndonjë sureje, por si pjesë të Kuranit patjetër që e cilësojnë. Megjithatë, sipas meje, edhe ky besim i tyre nuk është i saktë, sepse e vërteta është që Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim është pjesë e çdo sureje të Kuranit dhe, siç do të provohet në vazhdim, vendosja e këtij ajeti përpara çdo sureje është bërë me shumë urtësi.
[1] Sahīh Muslim, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Huxhxheti men kāle el-besmeletu ājetun min evveli kul-li sūretin sivā berāete”, hadithi nr. 894.
[2] Ebu Bekr er-Rāzī el-Xhessās, “Ahkāmul-Kurān”, bāb “El-Kavlu fil-besmeleti hel hije min evāilis-suver”, fasl “Fī kirāetil-besmeleti fis-salāt”, vëllimi i parë, redaktor: Muhammed es-Sādik el-Kamhāvī, botues “Ihjāut-Turath el-‘Arabij”, Bejrut 1412 h./ 1992, fq. 15.