Komentim i ajetit të dytë El-hamdulil-lahi rabbil-alemin
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e Allahut
  2. Shqiptimi dhe përkthimi
  3. Përse kapitujt e Kuranit quhen sure?
  4. Nëntë emrat e sures El-Fatiha
  5. Bibla bën profeci suren e parë të Kuranit, El-Fatiha, deri në detaje
  6. Emrat e sures El-Fatiha tregojnë tema të ndryshme të saj
  7. Bekimet e sures El-Fatiha
  8. Shtatë parime të pranimit të lutjes, të përmendura në El-Fatiha
  9. Surja më e madhe e Kuranit për nga kuptimi
  10. Zbritja e sures El-Fatiha
  11. Surja El-Fatiha është pjesë e Kuranit
  12. Surja El-Fatiha të thuhet në çdo rekat të çdo namazi
  13. Përmbledhje e komentimit të Sures El-Fatiha
  14. Kuptime leksikore të ajetit Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm
  15. Bismil-lahi në krye të çdo sureje është shpallje e Zotit
  16. Argumente që bismil-lahi është pjesë dhe ajet i çdo sureje
  17. Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Ja, pesë arsye
  18. Rëndësia e bismil-lahit
  19. Rreth bismil-lahit në Librat e mëparshëm dhe përgjigjja e një akuze
  20. Emri Allah është i përveçëm
  21. Përse është shtuar fjala “emër” në ajetin bismil-lah “në emër të Allahut”?
  22. Kuptime leksikore të ajetit: El-Hamdulil-lāhi Rabbil-‘ālemīn
  23. Komentim i ajetit: El-hamdulil-lāhi rabbil-ālemīn
  24. Komentim i ajetit: Err-Rrahmānirr-Rrahīm
  25. Komentim mbresëlënës i ajetit: Māliki jeumid-dīn – Sunduesi i Ditës së Gjykimit
  26. Renditje kuptimplote e katër emrave të Zotit të përmendura në El-Fatiha
  27. Kuptime leksikore të ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  28. Komentim i ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  29. Kuptime leksikore të ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  30. Komentim i ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  31. Kuptime leksikore të ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim
  32. Komentim i ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim – Një synim madhor për muslimanët
  33. Renditje shumë e bukur e ajeteve të sures El-Fatiha
Related Contents from Topics
bismilahi el-hamdulil-lahi ajet Kurani el-Fatiha

Arsyeja pse u përdor emri dhe jo folja

Nuk u tha: “lavdëroj ose lavdërojmë Allahun”, por thuhet “lavdia është e Allahut” dhe ky ndryshim sjell shumë kuptime. Duke përdorur jo foljen, por emrin në trajtën e shquar, Kurani Famëlartë përfshiu çdolloj lavdërimi, qoftë të njohur a të panjohur për njerëzit. Pra, të gjitha lavdërimet që mund të bëjnë krijesat ose që i bëjnë, i takojnë Zotit të Madhërishëm. Nuk ka asnjë të mirë që Ai nuk e zotëron dhe nuk ka asnjë të keqe, së cilës Ai nuk i qëndron larg. Ky ajet gjithashtu tregon se edhe lavdërimin ndaj krijesave vetëm Zoti i Madhërishëm mund ta bëjë siç duhet, sepse Ai është Njohësi i të fshehtave. Robi lëvdon robin tjetër, por nganjëherë edhe jo të drejtë. Nganjëherë nuk arrin ta lavdërojë aq sa ka cilësitë tjetri dhe nganjëherë e lavdëron më shumë sesa duhet. Andaj, lavdërimi i vërtetë është ai që bën Zoti i Madhërishëm. Thamë për lavdërimin e njerëzve në raport me njëri-tjetrin, por njeriu shpesh gabon edhe në cilësimin e vetvetes. Por ajo që thotë Zoti për robin nuk mbetet as e mangët dhe as e tepërt. Ajeti në fjalë po të fillonte me foljen “lavdëroj” ose “lavdërojmë”, nuk mund t’i kishte këto kuptime.

Gjithashtu, nëse ky ajet do të fillonte me folje, pra, “lavdëroj Allahun …” do të nënkuptohej që njeriu e ka aftësinë t’i kuptojë të gjitha cilësitë e Zotit të Madhërishëm, gjë që nuk mund të jetë e vërtetë. Njeriu është i kufizuar dhe ai lavdëron vetëm në bazë të dijes së tij, kurse Zoti i Madhërishëm është i pakufizuar dhe zotëron cilësi të panumërta për t’u lavdëruar.

Shkurt, fjala el-hamdu “lavdia” i përfshin të gjitha kuptimet që mund të kenë fjalët “lavdëroj” ose “lavdërojmë”, madje edhe kuptime të tjera. Andaj, ishte e nevojshme që kjo sure e shkurtër që është përmbledhja e të gjitha kuptimeve të Kuranit, të fillonte me fjalët El-Hamdulil-lah “Lavdia është e Allahut”.

Kurani Famëlartë sigurisht që përmend edhe lavdërimin e Zotit nga ana e krijesave, siç thotë:

وَ نَحۡنُ نُسَبِّحُ بِحَمۡدِکَ

Dhe ne të përkujtojmë Ty me lavdërimin Tënd”.[1]

Por, në asnjë ajet të Kuranit nuk përmenden fjalët si “lavdëroj” ose “lavdërojmë” kur si kryefjalë janë krijesa. Janë përdorur fjalët jusebbihu “përkujton” nusebbihu, “përkujtojmë” nukaddisu “përmendim shenjtërinë Tënde”. Mendoj se kjo përzgjedhje fjalësh ka një kuptim, që robi nuk e rrok dot lavdërimin e plotë. Pavarësisht se në hadithe nuk është marrë parasysh kjo gjë, dihet që fjalët kur janë në librin e Zotit të Madhërishëm kanë një nivel tjetër kuptimor dhe kur vijnë nga robi kanë një tjetër nivel kuptimor. Një fjalë të caktuar kur e thotë robi, nuk merr kuptime aq të gjithanshme, sa kur e thotë Zoti i Madhërishëm, sidomos kur Ai e thotë në Librin dhe në Sheriatin e Tij.

لِلہِ Lil-lahi “e Allahut”

Li në arabisht është parafjalë pronore, pra përdoret për të treguar pronësinë. Kjo pjesë sqaron se pavarësisht se lavdërimi bëhet edhe ndaj njerëzve, në të vërtetë dhe në mënyrë absolute ai i takon Allahut të Madhërishëm, kurse çdokush dhe çdo gjë tjetër përveç Tij, ka lavdërim relativ e të dhuruar. Kjo sepse vetitë e mira që ka njeriu, nuk i ka të tijat, por të dhuruara prej Zotit të Madhërishëm. Andaj, çdo lavdërim që i bëhet njeriut, në të vërtetë i përket Zotit të Madhërishëm.

Dhjetë kuptime të ajetit “El-Hamdulil-lah …

Disa kuptime të këtij ajeti shënohen sa vijon:

1) Krijuesi i gjithësisë është i pastër nga çdo e metë dhe zotëron çdo të mirë.

2) Ai është në dijeni të plotë të të gjitha krijesave deri në gjenezën e tyre dhe përveç Atij, askush tjetër nuk zotëron dije të plotë qoftë edhe për një gjë të caktuar. Kjo është e vërtetuar edhe nga zhvillimi i shkencës. Plot shkencëtarë merren me zbulimin e gjërave të ndryshme, por askush prej tyre nuk e ka zbuluar dot deri në fund qoftë edhe një gjë të vetme. Për çdo gjë bëhen zbulime të reja përditë.

3) Zoti do të zotëronte lavdërimin absolut vetëm nëse do të ishte edhe Rabbi (Krijuesi) i botëve, përndryshe jo. Andaj, është e nevojshme që ashtu siç sistemi lëndor i Tij është vënë në dobi të gjithkujt, në të njëjtën mënyrë, edhe sistemi i Tij shpirtëror të mbulojë çdokënd dhe asnjë vend e asnjë popull të mos privohet nga mjetet e zhvillimit shpirtëror. Kështu që, nëse një shpallje e caktuar është e veçuar për një popull të caktuar, është e nevojshme të zbresë shpallje më vete për popujt e tjerë. Dhe kur popujve të tjerë nuk u zbret shpallje më vete, duhet të zbresë një shpallje për udhëzimin e krejt botës. (Andaj, feja që beson se shpallja ka zbritur vetëm për udhëzimin e popullit të vet, ose që shpëtimi është vetëm e drejta e tyre dhe jo e të tjerëve, e ka gabim).

4) Të gjitha vetitë e mira që kanë njerëzit, janë të dhuruara prej Zotit të Madhërishëm, andaj, për çdo të mirë që ata bëjnë, lavdërimi i vërtetë i takon Zotit.

5) Duke e lidhur lavdinë me Rabbil-‘ālemīn-in (Krijuesin e botëve), kjo sure tregon që gëzimi i vërtetë i njeriut duhet të jetë me shfaqjen e cilësisë hyjnore “Krijuesi i botëve”. Ai që gëzohet vetëm për dobinë e vet dhe nuk shqetësohet kur sheh humbjen që pëson bota, nuk e kupton mësimin e Islamit. Gëzimi i vërtetë arrihet kur e gjithë bota gjen qetësi.

Ajeti pohon se evolucioni i krijimit ka ndodhur

6) Allahu është Rabbi (Krijuesi dhe Zhvilluesi) i botëve. Kjo tregon se çdo gjë tjetër përveç Allahut, është nevojtare e krijimit dhe e zhvillimit, që do të thotë se duhet të ndjekë ligjin e evolucionit për mbijetesën e vet. Ky ajet tregon se nuk ka gjë në botë që ka të njëjtin fillim e mbarim dhe se përveç Zotit të Madhërishëm, çdo gjë është e ndryshueshme dhe zhvillohet shkallazi nga një gjendje më e ulët, deri tek më e larta. Kjo dukuri provon dy gjëra: Së pari, çdo gjë përveç Zotit të Madhërishëm është krijesë dhe nuk është e mëvetësishme, derisa zhvillohet dhe pëson ndryshime. Së dyti, çështja e evolucionit është e saktë. Çdo gjë ka evoluar nga gjendja më e ulët deri tek më e larta, qoftë njeriu, apo kafshët, qoftë bimësia, apo sendet, sepse Rabbil-‘ālemīn do të thotë: Zoti sjell çdo gjë nga gjendja më e ulët deri tek e larta. Pra, tregon që gjithçka që ekziston në këtë botë, ndjek rrugën e evolucionit.

7) Mësuam se evolucioni ndodh në kohëra dhe në etapa të ndryshme, sepse fjala rabb do të thotë:

rabb kuptimi evolucioni

Të krijosh diçka dhe ta çosh atë shkallë-shkallë deri në përsosmërinë e saj” (pra, jo ta përsosësh përnjëherë).

8) Gjithashtu mësuam se evolucioni nuk është kundër ekzistencës së Zotit, sepse thotë: “Lavdia është e Allahut, Rabbit të botëve”, pra krijimi në etapa të ndryshme nuk bie ndesh me praktikën e Zotit, madje kjo mënyrë e krijimit e bën Atë të Lavdishëm. Andaj, përpara fjalëve Rabbil-alemin (Zoti i botëve), thuhet El-Hamdulil-lah “Lavdia është e Allahut”.

Njeriu është krijuar për përparime të pakufishme

9) Ky ajet gjithashtu tregon se njeriu është krijuar për përparime të pakufishme, sepse thotë se lavdia është e Allahut se Ai e përsos çdo krijesë duke e çuar atë deri në gjendjen më të lartë. Kjo tregon se derisa të ekzistojnë krijesat, gjithmonë do të ketë një gjendje më të avancuar sesa e tanishmja.

10) Dhe e fundit, duke filluar Kuranin Famëlartë me suren El-Fatiha si përmbledhje e kuptimeve kuranore, dhe duke e filluar El-Fatihanë me fjalët “Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve”, tregon se koha e lavdisë së përsosur të Zotit, tani ka filluar, sepse Islami përfaqëson Zotin e botëve dhe është një fe për të gjithë botën. Në këtë mënyrë, me ardhjen e Islamit, është krijuar një bashkim në botën shpirtërore, siç vërejmë bashkimin në botën lëndore. Përpara Islamit, profetët vinin për popuj të caktuar. Ithtarët e një feje të caktuar me naivitet mohonin mësimet e profetëve të tjerë. Për shembull, hindutë deklaronin se njihnin Permeshverin dhe jo Jehovain, ndërsa hebrenjtë e përqeshnin Permeshverin. Por me ardhjen e Islamit, u krijua një fe e vetme për të gjithë botën dhe edhe indianët, edhe kinezët, edhe egjiptianët, edhe persët, edhe lindorët edhe perëndimorët, të gjithë filluan ta lavdërojnë Zotin dhe u pranua se jo çdo popull ka Zotin e vet, por të gjithë popujt kanë një Zot të Vetëm.


[1] El-Bekare 2:31.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem