Ihdinas-sirātal-mustekīm - Lutje për çdo çështje të botës e të besimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e Allahut
  2. Shqiptimi dhe përkthimi
  3. Përse kapitujt e Kuranit quhen sure?
  4. Nëntë emrat e sures El-Fatiha
  5. Bibla bën profeci suren e parë të Kuranit, El-Fatiha, deri në detaje
  6. Emrat e sures El-Fatiha tregojnë tema të ndryshme të saj
  7. Bekimet e sures El-Fatiha
  8. Shtatë parime të pranimit të lutjes, të përmendura në El-Fatiha
  9. Surja më e madhe e Kuranit për nga kuptimi
  10. Zbritja e sures El-Fatiha
  11. Surja El-Fatiha është pjesë e Kuranit
  12. Surja El-Fatiha të thuhet në çdo rekat të çdo namazi
  13. Përmbledhje e komentimit të Sures El-Fatiha
  14. Kuptime leksikore të ajetit Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm
  15. Bismil-lahi në krye të çdo sureje është shpallje e Zotit
  16. Argumente që bismil-lahi është pjesë dhe ajet i çdo sureje
  17. Përse bismil-lahi vjen para çdo sureje? Ja, pesë arsye
  18. Rëndësia e bismil-lahit
  19. Rreth bismil-lahit në Librat e mëparshëm dhe përgjigjja e një akuze
  20. Emri Allah është i përveçëm
  21. Përse është shtuar fjala “emër” në ajetin bismil-lah “në emër të Allahut”?
  22. Kuptime leksikore të ajetit: El-Hamdulil-lāhi Rabbil-‘ālemīn
  23. Komentim i ajetit: El-hamdulil-lāhi rabbil-ālemīn
  24. Komentim i ajetit: Err-Rrahmānirr-Rrahīm
  25. Komentim mbresëlënës i ajetit: Māliki jeumid-dīn – Sunduesi i Ditës së Gjykimit
  26. Renditje kuptimplote e katër emrave të Zotit të përmendura në El-Fatiha
  27. Kuptime leksikore të ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  28. Komentim i ajetit: Ijjāke na‘budu ve ijjāke neste‘īn
  29. Kuptime leksikore të ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  30. Komentim i ajetit: Ihdinas-sirātal-mustekīm
  31. Kuptime leksikore të ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim
  32. Komentim i ajetit: Sirātal-ledhīne en‘amte ‘alejhim – Një synim madhor për muslimanët
  33. Renditje shumë e bukur e ajeteve të sures El-Fatiha
Related Contents from Topics
ajet El-Fatiha udhezim komentim

Një lutje e përsosur në këtë ajet

Në këtë ajet Zoti i Madhërishëm na ka mësuar një lutje që është e pashembullt në përsosmërinë e saj. Kjo lutje nuk është vetëm për një gjë të caktuar, madje lidhet me çdo nevojë të vogël apo të madhe, me çdo çështje të besimit apo të botës.

Çdo punë që bëjmë, qoftë e besimit apo e botës, kërkon një metodë të caktuar për t’u realizuar. Do të kemi sukses vetëm nëse zbatojmë metodën e saj të duhur, përndryshe jo. Përveç kësaj, nganjëherë për një punë të caktuar na dalin shumë metoda për ta realizuar. Disa prej tyre mund të jenë të lejuara e disa të tjera edhe të palejuara. Edhe nga ato metoda që janë të lejuara, disa mund të na çojnë te rezultati më shpejt e disa me vonesë.

Në lutjen Ihdinas-sirātal-mustekīm Zoti i Madhërishëm na mësoi t’i lutemi që Ai të na udhëzojë për çdo punë drejt metodës që është e mbarë dhe që na çon sa më shpejt drejt suksesit. Sa e thjeshtë, e përsosur dhe e gjerë është kjo lutje! A ekziston ndonjë punë në jetën tonë, ku nuk na duhet kjo lutje?!

Tri parime të arta për përmirësimin e veprave

Gjithashtu, një njeri që është mësuar ta bëjë këtë lutje vazhdimisht, sa shumë do të përpiqet për t’i sjellë rezultat pozitiv përpjekjes së vet?! Sepse atij që i jepet mësimi se çdo punë ka mënyra edhe të lejuara edhe të ndaluara për të realizuar dhe se gjithmonë duhet të kërkojë ato që janë të lejuara dhe edhe ndër to, ato që janë më të mundshme dhe më shpejt të realizueshme, ai do ta bëjë këtë mësim pjesë të jetës së tij. Ai që i lutet Allahut të Madhërishëm: “Më udhëzo në sirātal-mustekīm”, me siguri do të jetë edhe i ndikuar nga lutja dhe edhe përpjekjet do t’i bëjë në kërkim të metodës që quhet sirātal-mustekīm. Pra, a mund të dyshojmë në lartësinë e synimeve, në mbarësinë e veprave dhe në përpjekjet e sinqerta të atij që në punët e tij i merr parasysh këto parime:

1) të gjitha punët t’i kryejë me metoda të lejuara,

2) të mos ndalet në një pikë të caktuar, madje të ketë dëshirë për përparime të pakufishme,

3) të mos humbë kohën duke bërë devijime, madje të ndjekë një rrugë, me të cilën sa më shpejt ta përfundojë punën,

Mendoj se nëse muslimanët e bëjnë këtë dua me qëndrueshmëri dhe sinqeritet të plotë dhe thellohen edhe në kuptimet e saj, përveç dobisë që do të kenë për shkak të lutjes, ata do të fitojnë shumëçka për të përsosur edhe karakterin e tyre.

Një akuzë e jomuslimanëve rreth këtij ajeti dhe përgjigjja

Disa jomuslimanë kundërshtojnë duke thënë:

Muslimanët në çdo namaz e bëjnë lutjen: “Na udhëzo në rrugën e drejtë” dhe këtë e bënte përditë edhe Profeti i tyre. Po pse, akoma nuk e kanë gjetur rrugën e drejtë ata?!

Sa qesharake është kjo akuzë! Habitesh që shumë nga të krishterët dhe hindutë e shkolluar e bëjnë këtë pyetje me bindje se muslimanët nuk kanë asnjë përgjigje.

Së pari, ju kam treguar më sipër që në arabisht “ihdina” pra, fjala “hidajet” nuk do të thotë vetëm “na trego”, por do të thotë “na udhëzo dhe na merr në këtë rrugë, duke na prirë përpara”. Andaj, njerëz të ndryshëm mund të gjejnë kuptime të ndryshme nga kjo lutje. Ata që ende nuk e dinë se çka është udhëzimi (hidajeti) dhe ku dhe në cilën fe gjendet ai, do të mjaftohen me kuptimin:

O Zot na trego se çfarë është udhëzimi Yt dhe se ku gjendet ai!

Kurse disa të tjerë që e dinë se cila është rruga e Zotit, por kanë vështirësi ta ndjekin atë qoftë për shkak të dobësive të veta, qoftë për shkak të kundërshtimeve nga të afërmit apo shokët, ose qoftë për shkak të largësisë fizike me njeriun e udhëzuar, ose qoftë për shkak të mungesës së njerëzve të dëlirë në shoqërinë e tyre, ata do të bëjnë po këtë lutje, por me kuptimin:

O Zot më ço deri tek udhëzimi. Unë e kam kuptuar me anë të argumenteve se cila është rruga Jote, por kam pengesa për të arritur tek ajo, ndaj, Ti m’i largo këto pengesa.

Kurse një tjetër që e ka kuptuar se cila është rruga e drejtë, e ka pranuar atë, edhe ai ka pjesën e vet në këtë lutje, sepse ai do të lutet:

O Zot! Rruga Jote është e gjerë. Metodat e kërkimit Tënd janë të pakufishme. Me mirësinë Tënde gjithmonë më bëj të përparoj në këtë rrugë, që unë të mos ndalem në një vend, madje të zbuloj sekretet e reja të vërtetësisë dhe mënyrat e reja të përpjekjeve në drejtimin Tënd.

Kurani me këtë ajet e ka zgjeruar botëkuptimin e njeriut për dijen

Duke i marrë parasysh këto tri kuptime, a ka njeri në botë që mund të pretendojë se nuk i nevojitet kjo lutje?! Profeti i muslimanëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, pa dyshim ishte njeri i përsosur, por Zoti i Islamit gjithashtu zotëron fuqi të pakufishme. Sado të përparojë njeriu, Zoti do t’i krijojë horizonte të reja, rrjedhimisht, ai do të jetë nevojtar i lutjes:

Ihdinas-sirātal-mustekīm: Na udhëzo në rrugën e drejtë!

Jo vetëm në çështjen e besimit, dija e njeriut edhe në shkencat e kësaj bote gjithmonë ka nevojë të zhvillohet. Andaj, edhe në punët e kësaj bote njeriu ka nevojë të bëjë lutjen: Ihdinas-sirātal-mustekīm, në mënyrë që përmes saj, ai ta shtojë dijen e tij.

E vërteta është që kjo jo vetëm që nuk lë vend për kundërshtim, por tregon pikëpamjen e gjerë që ka Islami për dijen dhe përbën një argument të fuqishëm të epërsisë së Kuranit Famëlartë. Kurani zbriti në një kohë kur ekzistonin fetë e tjera dhe deklaroi që ai e përsosi fenë dhe i shfuqizoi fetë e mëparshme. Megjithatë, ai nuk deklaroi si fetë e tjera që dija ka përfunduar në kohën e tij, por tregoi që përmes tij, dija do të shtohet gjithnjë e më shumë. Dhe për këtë Kurani u mësoi edhe këtë lutje muslimanëve dhe i porositi që ta bënin rreth 35 herë çdo ditë. Në këtë mënyrë, Kurani Famëlartë sa shumë e ka zgjeruar botëkuptimin e njeriut për dijen!

A do të shfuqizohet edhe Kurani për shkak të zhvillimit të dijes?

Disa njerëz ngrenë akuzë duke thënë se ky ajet tregon se Kurani Famëlartë nuk qenka udhëzimi i fundit, sepse nëse pranojmë që dija e njeriut do të vijojë të përparojë, pse mos të pranojmë që dikur edhe Kurani Famëlartë do të shfuqizohet dhe atë do ta zëvendësojë ndonjë libër tjetër më i mirë.

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është që në radhë të parë, ne nuk kemi ndonjë kundërshtim nëse vjen ndonjë libër më i mirë se Kurani Famëlartë dhe që arrin ta shfuqizojë atë, por kanë kaluar trembëdhjetë shekuj dhe nuk erdhi një libër i tillë. Filozofët dhe ndjekësit e feve të gabuara nuk kanë lënë përpjekje pa bërë, por deri më tani dështuan. Andaj, derisa nuk paraqitet ndonjë libër më i mirë se ai, pse të shqetësohemi për këtë pyetje?

Përgjigjja e dytë është që Kurani Famëlartë në fakt është një gjithësi shpirtërore, sikur gjithësia fizike. Pra, kur njeriu çdo ditë përparon në shkencat e kësaj bote dhe atij nuk i nevojitet një botë e re, madje ai vijon të zbulojë sekrete të reja po të kësaj bote, në të njëjtën mënyrë pas zbritjes së Kuranit Famëlartë që është si një botë shpirtërore, nuk nevojitet ndonjë libër i ri, sepse Kurani nuk e ndaloi zhvillimin e dijes. Ashtu siç studimi i ligjeve të kësaj bote i shton njeriut dijet, në të njëjtën mënyrë, edhe Kurani Famëlartë zotëron dije të pakufishme që do të zbulohen në varësi të ngritjes shpirtërore të njeriut. Pra, sa më shumë që njerëzit thellohen dhe tregohen të sinqertë ndaj lutjes: Ihdinas-sirātal-mustekīm, aq më shumë atyre u zbulohen sekretet e Kuranit Famëlartë. Andaj, me zbritjen e Kuranit si libër i fundit, nuk u ndal zhvillimi i dijes, përkundrazi, ajo ka përparuar edhe më shumë. Këtë gjë na tregon Kurani Famëlartë edhe në një ajet tjetër:

وَ الَّذِیۡنَ اہۡتَدَوۡا زَادَہُمۡ ہُدًیAta që udhëzohen, Zoti ua shton udhëzimin (hidajetin) edhe më shumë”.[1]

Kështu që, hidajeti nuk është diçka fizike, por është zinxhir i gjerë i të vërtetave. Sapo të kapni një hallkë të këtij zinxhiri, do t’ju shfaqet hallka tjetër. E them nga përvoja personale që nuk ka ndonjë çështje shpirtërore, për të cilën Kurani Famëlartë nuk na siguron dije të përsosur. Pas studimit të Kuranit, kur studion një çështje të caktuar në librat e tjerë, të duket sikur kërkon ujë në vende të tjera, edhe pse qëndron te burimi.

Kuptimet e Kuranit nuk mbarojnë me tefsiret e mëparshme

Habitem edhe për ata të cilët përditë bëjnë lutjen: Ihdinas-sirātal-mustekīm, por mendojnë se kuptimet e Kuranit janë gjithçka që kanë shkruar komentuesit e mëparshëm dhe se çdo komentim tjetër është i ndaluar. Po të ishte e vërtetë kjo gjë, përse Zoti i Madhërishëm do të na mësonte këtë lutje? Sipas besimit të tyre del që Zoti i Madhërishëm nuk paska ndonjë gjë të re për t’u dhënë! Atëherë ata më mirë t’i blejnë ose t’i huazojnë dikujt tjetër tefsiret e vjetra, t’i lexojnë dhe të mos lodhen duke bërë lutjen: Ihdinas-sirātal-mustekīm

Ky ajet është lutje për çdo çështje të botës e të besimit

Kjo lutje është kaq e përsosur saqë njeriu mund ta bëjë në çdo çështje që ka lidhje qoftë me besimin, qoftë me botën. Gjithashtu, kërkimtari i udhëzimit çfarëdo feje t’i përkasë, nuk ka arsye që ta kundërshtojë këtë lutje. Sepse në Ihdinas-sirātal-mustekīm kërkohet vetëm rruga e drejtë dhe jo e shtrembër. Ajo nuk përmend ndonjë fe, ndonjë rrymë apo ndonjë metodë të caktuar, por ju mëson të kërkoni vetëm e vetëm të vërtetën e pastër, lutje të cilën mund ta bëjë çdo njeri, pa e dëmtuar bindjen ose mendimin e vet. Pra, këtë lutje nuk mund ta kundërshtojë as një i krishterë, as hebre, as hindu, as i fesë së Zarathustrës, as budist dhe as ateist. Ateisti pavarësisht se nuk beson në Zot, të paktën mund të thotë: Nëse ka Zot, i lutem që të më tregojë rrugën e drejtë!

Andaj, kjo lutje është e përsosur, e padëmshme dhe e përgjithshme, të cilën çdo njeri në çdo çështje mund ta bëjë pa pasur asnjë kundërshtim.

E them nga përvoja. Atyre jomuslimanëve që u kam thënë ta bënin këtë lutje dhe që e bënë, Zoti i Madhërishëm ua tregoi vërtetësinë e Islamit dhe në bazë të përvojës, kam bindje të plotë se kushdo që e bën këtë lutje me zemër të sinqertë, Zoti i Madhërishëm patjetër do t’i hapë ndonjë rrugë që ai ta gjejë udhëzimin. Nuk është e mundur që të ekzistojë Krijuesi i botës, dhe përgjëruesi, pasi të ketë kërkuar udhëzimin, të kthehet duarbosh nga dera e Tij.


[1] Muhammed 47:18.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp