
بِسۡمِ اللّٰہِ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِBismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm
“Me emrin e Allahut (lexoj), të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit”. (El-Fatiha 1:1)
Kuptime leksikore:
باء ba
Ba-ja është bashkëtingëllorja dhe shkronja e dytë e gjuhës arabe. Ba-ja që vjen në بِسۡمِ ٱللهِ Bismil-lah nuk është bashkëtingëllore e thjeshtë, por është një prej bashkëtingëlloreve që kanë kuptim. Në arabisht ka disa shkronja, të cilat japin edhe kuptime dhe ba-ja është njëra prej tyre.
Ajo jep kuptimet e shoqërimit dhe të kërkimit të ndihmës. Pra, fjalë për fjalë, ajo përkthehet: “me”, “prej”. Del kuptimi: Lexoj këtë vepër duke u lidhur me Zotin e Madhërishëm dhe duke kërkuar ndihmë prej Tij.
Në arabisht, ba-ja është një prej parafjalëve të quajtura xhārrah dhe emrave që u paravendosen këto parafjalë, në fund të tyre ata marrin zanoren i. Në gjuhën arabe, shpesh ka ndonjë fjalë të pathënë e të nënkuptuar përpara emrave të tillë, të cilën duhet ta nxjerrim në varësi të kontekstit. Për shembull, disa dijetarë thonë se në këtë ajet, përpara parafjalës ba, vjen folja urdhërore ٳِقْرٵْ ٵوْ ٳِشْرَعْ lexo ose fillo dhe arsyeja është ajeti i sures El-Alak:
اِقۡرَاۡ بِاسۡمِ رَبِّکَ الَّذِیۡ خَلَقَ“Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi”.[1]
Pra, nënkuptohet e njëjta fjalë ose e ngjashme, që është përmendur në ajetin e mësipërm. Zamakhsheriu, në vend të urdhërores, mendon që foljet e nënkuptuara duhet të jenë në të tashmen e mënyrës dëftore, pra: ٳِقْرٵْ ٵوْ ٳِشْرَعْ lexoj a filloj. Gjithashtu, sipas tij, këto folje e kanë vendin pas Bismil-lah e jo përpara saj, pra:
Me emrin e Allahut lexoj. Duke arsyetuar mendimin e tij, ai thotë se me vendosjen e foljes së nënkuptuar në fund të frazës, theksi bie mbi fjalën Allah, kurse nëse do t’ia vendosësh para, theksi bie mbi foljen lexoj.[2]
Ky interpretim i Zamakhsheriut është i bukur, andaj, këtë e kam ndjekur edhe unë në përkthimin tim. Por, folja lexo, në suren El-Alak vjen para. Duke iu përgjigjur kësaj, Zamakhsheriu thotë se në ajetin në fjalë theksi duhet të binte mbi foljen, sepse Profeti Muhammed s.a.v.s. po ngurronte nga leximi. (Buhariu).
Kurse në Bismil-lah theksi nuk duhet të bjerë mbi foljen, por mbi emrin e Allahut. Edhe ky interpretim i tij është mjaft i bukur dhe është në mbështetje të argumenteve që kam dhënë në përsëritjen e bismil-lahit.
ٳسم ism
Fjala bismi بِسۡمِ është e përbërë nga ba dhe ismun. Zanorja elif e ism-it bie gjatë bashkimit dhe u bë bismi. Në arabisht, në disa raste, zanorja elif nuk shqiptohet dhe ajo quhet vesli. Por, në bismil-lah ajo as nuk është e shkruar. Gramatikanët arabë thonë se kjo ndodhi për shkak të përdorimit të shpeshtë.
Kisai dhe Ahfeshi thonë se elifi i fjalës ism nuk shkruhet para asnjërit prej emrave të Allahut, por El-Ferrai thotë se rënia e elifit është e provuar dhe e dokumentuar vetëm në rastin konkret, andaj, sipas tij, elifi i ism-it nuk shkruhet vetëm para emrit Allah, kurse para emrave të Tij të tjerë do të shkruhet.[3]
ٳسم ism do të thotë cilësi, emër.[4] Ajo nuk ndërtohet nga shkronjat elif, sin dhe mim, por nga vav, sin dhe mim ose sin, mim dhe vav. Vav u shndërrua në elif.
Ata që thonë se shkronjat burimore të kësaj fjale janë vav, sin dhe mim, nxorën kuptimin e shenjës, sepse vesmun do të thotë shenjë. Kurse ata që përcaktuan sin, mim dhe vav, thonë se kuptimi i kësaj fjale është: me u lartësue.[5]
ٱلله Allahu
Allah është emri i Atij që është i Përhershëm dhe i Përjetshëm. Ai është i Gjallë, i Qëndrueshëm, Sundues dhe është Krijuesi, Zoti dhe Rritësi i të gjitha krijesave.
Emri Allah nuk është i përbërë
Allah nuk është mbiemër, por emër i përveçëm. Përveç arabishtes, asnjë gjuhë tjetër nuk ka një emër të përveçëm për Zotin, për Krijuesin dhe Sunduesin e Gjithësisë. Kurse në arabisht, emri Allah i referohet vetëm Krijuesit të Gjithësisë. Po ashtu, fjala Allah është fjalë e parme dhe jo e përbërë. Ajo as nuk rrjedh nga ndonjë fjalë tjetër dhe as nuk rrjedhin fjalë të tjera prej saj.
Disa thonë se fjala “Allah” është e përbërë nga لَاہَ یَلِیْہِ laha-jelihi, që do të thotë i padukshëm, i lartë,[6] por kjo nuk është e saktë. Kurse disa të tjerë thonë se ajo rrjedh nga لَاہَ یَلُوہُ lahe-jeluhu, kuptimi i së cilës është shkëlqim. Sipas tyre لاہ اللہُ الخلقَ do të thotë Allahu i krijoi krijesat.[7] Por, në Lisanul-arab[8] thuhet se ky kuptim është i panjohur. Andaj, ky mendim nuk mund të jetë i pranueshëm.
Disa të tjerë thonë se Allah është një fjalë e huaj në arabisht. Sipas tyre ajo rrjedh nga لاھاlaha e surjanishtes (një gjuhë e vjetër e Sirisë), por edhe kjo është e pasaktë, madje një mendim i tillë vjen për shkak të mosnjohjes së gjuhës surjane. Shkencëtarët evropianë thonë se fjala arabe ilah (i adhuruar) është më afër rrënjës fillestare.
Shkencëtari gjerman Noldeke thotë se ٳلہ ilah e arabishtes dhe ایلil e hebraishtes ecin paralelisht prej shumë kohërave. Kjo fjalë përdorej në gjuhët semite edhe përpara kohës kur gjuha hebraike u nda nga arabishtja.[9]
ٱلرَّحۡمَـٰن Err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi)
Rrjedh nga fjala رحمrrahm dhe është në veznin fa’lānun. Emrat që vijnë në këtë vezn, kanë kuptimin e mbushjes e të mbizotërimit.[10] Andaj, rrahman do të thotë mëshirë e pakufishme që mbizotëron çdo gjë. Mëshira është ajo që bëhet pa këmbim të diçkaje dhe pa detyrime, sepse jo çdo njeri me të drejtë mund të kërkojë mëshirën.
ٱلرَّحِيمِ Err-Rrahim (Mëshirëbërësi)
Edhe kjo rrjedh nga fjala رحمrrahm dhe është në veznin feīlun, që zakonisht kanë kuptimin e përsëritjes dhe të sjelljes në bazë të një kriteri të caktuar.[11] Andaj, kuptimi i këtij emri është Ai që i shpërblen në mënyrën më të mirë atij që meriton mëshirën dhe vazhdimisht e mëshiron atë.
Gramatikani i shquar i gjuhës arabe imam Ebu Ali El-Farisiu thotë:
الرحمن ٳسم عام في جميع أنواع الرحمة، يختص به الله تعالى، والرحيم إنما هو من جهة المؤمنين، قال تعالى: وَكَانَ بِالْمُؤْمِنِينَ رَحِيماً۔
Err-Rrahman është emër i përgjithshëm, që mbulon çdolloj mëshire dhe i referohet vetëm Zotit të Madhërishëm. Kurse Err-Rrahim është mëshira e Tij ndaj besimtarëve. (Pra, mëshira e Rrahimit është për mirëbërësit). Siç e thotë në Kuran: “Ai është Mëshirëbërës (Rrahim) ndaj besimtarëve” (El-Ahzab 33:44).[12]
Abdullah Ibni Mesudi r.a. dhe Ebu Seid Hudriu r.a. rrëfen:
قَالَ رَسُوْلُ اللہِ ﷺ الرَّحْمٰنُ رَحْمٰنُ الدُّنْیَا۔ وَالرَّحِیْمُ رَحِیْمُ الآخِرَۃِ۔
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Err-Rrahman është mëshira ndaj botës. Err-Rrahim është mëshira ndaj ahiretit”.[13]
Edhe kjo tregon se Rrahmani është ajo mëshirë që bëhet pa e kërkuar dhe pa kushtëzime, sepse mëshirë e tillë e Zotit vepron vazhdimisht në këtë botë. Kurse Rrahimi i referohet asaj mëshire që vjen në formë shpërblimesh të mëdha ndaj veprave të mira, sepse ahireti është vend shpërblimi.
[1] El-Alak 96:2.
[2] Ebul-Kāsim Mahmūd ibn ‘Umer ez-Zemakhsherī, “El-Keshshāf ‘an hakāikit-tenzīl ve ‘ujūnil-ekāvīl fī vuxhūhil-te’vīl”, redaktor: Khalīl Me’mūn Shīhā, botues “Dārul-Ma’rifeh”, Bejrut 1430 h./ 2009, fq. 25.
[3] Ebū Hajjān el-Endelūsī, “Tefsīr el-Bahrul-Muhīt”, vëllimi I, redaktor: ‘Ādil Ahmed ‘Abdul-Mevxhūd, botues: “Kutub el-‘Ilmijjeh”, Bejrut 1413 h./ 1993, fq. 128.
[4] Muhammed ibn Ja’kūb el-Fīruzābādī, “El-Kāmūs el-Muhīt”, redaktor: Ebul-Vefā Nasr el-Hūrīnī, botues “El-Muessesetur-Risāleh”, zëri: vāv-sīn-mīm (وسم), fq. 1166-1167, dhe zëri: sīn-mīm-vāv (سمو), fq. 1296.
[5] Sa‘īd el-Khūrī esh-Shertūnī, “Akrebul-Mevārid fī Fusahil-‘Arabijjeti vesh-Shevārid”, vëllimi i parë, zëri: sīn-mīm-elif (سمأ), Kum 1403 h./ 1983, fq. 545-546.
[6] Po aty, vëllimi i parë, zëri: elif-lām-hā (اله), fq. 16-17.
[7] Po aty.
[8] Ebul-Fadl Muhammed ibn Mendhūr, “Lisānul-‘Arab”, vëllimi XIII, botues “Dārus-Sāder”, zëri: elif-lām-hā (ٵله) Bejrut, 1300 h./1883, fq. 467-471.
[9] “Encyclopædia Biblica, a Dictionary of the Bible”, vëllimi III, zëri: NAMES; artikulli: 116. EL; fusnota: 3, redaktor: Thomas Kelly Cheyne dhe John Sutherland Black, botimi i parë, botues: “The Macmillan Company”, Londër, prill 1902, fq. 342 (3325).
[10] Ebū Hajjān el-Endelūsī, “Tefsīr el-Bahrul-Muhīt”, vëllimi I, redaktor: ‘Ādil Ahmed ‘Abdul-Mevxhūd, botues: “Kutub el-‘Ilmijjeh”, Bejrut 1413 h./ 1993, fq. 125.
[11] Po aty.
[12] Ebū et-Tajjib Siddīk bin Hasan, “Fet’hul-Bejān fī Mekāsidul-Kurān”, vëllimi I, redaktor: ‘Abdullāh ibn Ibrāhīm el-Ensārī, botues “El-Mektebetul-‘Asrijjeh”, Bejrut 1412 h./ 1992, fq. 41.
[13] Ebū Hajjān el-Endelūsī, “Tefsīr el-Bahrul-Muhīt”, vëllimi I, redaktor: ‘Ādil Ahmed ‘Abdul-Mevxhūd, botues: “Kutub el-‘Ilmijjeh”, Bejrut 1413 h./ 1993, fq. 125.