Imam Buhariu r.a. sjell një rrëfim të Seid Ibnul-Mu’al-la r.a., përmbledhja e të cilit është si vijon:
Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:
“Ejani t’ju mësoj suren më të madhe të Kuranit Famëlartë”.
Më pas, Profeti s.a.v.s. u mësoi suren El-Fatiha.[1]
Pra, Profeti s.a.v.s. tha se El-Fatiha është “surja më e madhe” [اَعْظَمُ السُّوَر] dhe kjo do të thotë se kuptimet e saj janë më të shumta sesa ato të sureve të tjera më të gjata. Kështu do të ishte, përderisa ajo është pasqyrë e të gjithë Kuranit të Shenjtë.
Një përvojë personale
Do të doja t’ju tregoja këtu edhe përvojën time. Isha fëmijë kur pashë në ëndërr që po qëndroja në drejtim të Lindjes dhe përpara meje shtrihej një fushë e gjerë. Aty në fushë u përftua një tingull, si ai që bëhet kur përplas një enë. Tingulli filloi të ushtonte në hapësirë dhe m’u duk sikur e pushtoi gjithë atmosferën.
Më pas, epiqendra e zërit zuri të merrte formë. Aty u shfaq një kornizë, si korniza e një pikture, brenda së cilës filluan të përhapeshin ngjyra të lehta që vinin duke u theksuar. Përfundimisht, ato u shndërruan në një pikturë. Piktura bëri lëvizje dhe u bë një gjë e gjallë. M’u bë si të ishte engjëll. Engjëlli m’u drejtua dhe më tha:
“A të të mësoj komentimin e sures El-Fatiha?” “Patjetër”, i thashë.
Më pas, ai filloi të më mësonte komentimin e saj, derisa erdhi tek ajeti:
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”.
Këtu më tha: “Të gjitha komentimet që janë shkruar deri më tani, kanë arritur deri te ky ajet dhe nuk është shkruar komentim për pjesën e mëtejshme”.
Pastaj më pyeti: “A dëshiron të të mësoj edhe komentimin e pjesës tjetër?” “Po”, iu përgjigja. Dhe vazhdoi të më tregonte komentimin e sures El-Fatiha dhe kur e përfundoi, më doli gjumi.
Kur u zgjova, mbaja mend vetëm një a dy pika të këtij komentimi. Fjeta përsëri dhe kur u rizgjova, nuk mbaja mend asnjë gjë nga fjalët e tij. Pas pak ditësh, m’u dha mundësia të flisja në një mbledhje rreth kësaj sureje. Ndjeva që duke folur për këtë temë më vinin në mendje kuptime të reja të El-Fatihasë. U binda që ishte ky kuptimi i ëndrrës.
Kështu, që prej asaj kohe e deri më sot, gjithmonë më janë zbuluar kuptime nga më të rejat të kësaj sureje. Qindra prej tyre i kam përmendur në libra dhe fjalime të mia të ndryshme, megjithatë, ky thesar nuk shterohet. Edhe parimet e pranimit të lutjes që i kam renditur pak më sipër, janë pjesë të kësaj përvoje. Sepse, teksa po shkruaja komentimin e kësaj sureje, më lindi dëshira që edhe në këtë rast, Zoti i Madhërishëm të më mësonte ndonjë kuptim të ri të saj. Menjëherë pas kësaj, më janë zbuluar shtatë parimet e pranimit të lutjes që tregon kjo sure.
Lavdia është e Allahut për këtë!
Përveç kësaj, ajo që kam shkruar lart, është vetëm përmbledhje. Ka shumë tema të thella që fshihen në këto shtatë parime. ذٰلك فضل اللہ یٶتیہ من یشاء Ky është bekimi i Allahut, të cilin Ai ia jep kujt të dojë.
[1] Sahīh el-Bukhārī, kitāb “Fedāilul-Kurān”, bāb “Fadlu fātihatul-kitāb”, hadithi nr. 5006.