
الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِErr-Rrahmānirr-Rrahīm
“të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit“, (El-Fatiha 1:3)
Kuptime leksikore
Për kuptimet leksikore të fjalëve Err-rrahman dhe Err-rrahim, shihni shënimin për ajetin e parë të kësaj sureje.
Komentim
Err-Rrahmānirr-Rrahīm, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit: Kuptimet e këtyre fjalëve i kemi shkruar në komentimin e ajetit “Bismil-lahi …”.
Përse u përsëritën këto dy atribute?
Disa njerëz kritikojnë se përderisa këto dy cilësi u përmendën një herë në “Bismil-lah …” përse të përsëriten edhe këtu?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është që ajeti “Bismil-lah” sjell një temë më vete dhe se ajo është çelësi i çdo sureje. Andaj, rimarrja e këtyre cilësive në temën e sures, nuk është përsëritje. Për këtë arsye, surja El-Fatiha i sjell këto dy cilësi si pjesë të temës së saj.
Në fjalët Rabbil-alemin (Zoti i botëve) u tha që Zoti i Madhërishëm krijon një gjë dhe shkallë-shkallë e çon atë drejt përsosmërisë. Duke përmendur cilësitë: të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit, ajeti në fjalë na tregon mënyrat që ka ndjekur Zoti i botëve për këtë krijim, që janë:
1) Zoti i Madhërishëm është Err-Rrahman i Gjithëmëshirshmi. Pra, për çdo gjë Ai, së pari krijoi mjetet, që janë të nevojshme për zhvillimin e saj. Duke krijuar mjetet nga më të imëtat, Ai krijoi mundësinë për çdo forcë që të shfaqet dhe të hapë rrugën e zhvillimit. Njerëzit, shtazët, bimët, sendet, që të gjitha janë në kontakt dhe ndikim me gjithçka që i rrethon dhe njëherësh marrin mjetet e duhura të qëndrueshmërisë dhe të përsosmërisë së tyre.
2) Ai është Err-Rrahim Mëshirëbërësi. Kur njerëzit si krijesa përmbushin detyrat e tyre siç duhet, Ai ua çmon mundin, i bekon dhe u ngjall shpresa për zhvillime të mëtejshme. Në këtë mënyrë ky rregull funksionon në mënyrë të pandalshme.
Rrahmani si veti e përveçme është vetëm e Zotit
Err-Rrahman i Gjithëmëshirshmi është një cilësi që nuk përdoret për dikë tjetër përveç Zotit të Madhërishëm, si dhe për të treguar përkatësi, si për shembull Musejleme Kedh-dhabi (gënjeshtari) e quante veten Rrahmani i Jemames.
Rrahmani hedh poshtë doktrinën e shlyerjes
Në kuptimet e fjalës Err-Rrahman, siç kemi thënë, ajo përfshin mëshirën e gjithanshme që bëhet pa kërkuar. Dhe ky kuptim i kësaj fjale hedh poshtë doktrinën e shlyerjes, sepse baza e saj është që Zoti i Madhërishëm nuk mund të mëshirojë pa meritë. Të krishterët janë kaq të ndjeshëm në këtë pikë, saqë të krishterët arabë në librat ose letrat e tyre kur thonë “me emrin e Allahut”, pas kësaj përmendin cilësi të tjera të Zotit dhe jo të Rrahmanit. Disa prej tyre ata që janë të ndikuar nga kultura islame, thonë, për shembull, Bismil-lahil-Kerimirr-Rrahim, por cilësinë e Rrahmanit nuk e përmendin. Kjo sepse ata janë të bindur se po e pranuan këtë cilësi të Zotit, Zoti mund t’i falë njerëzit edhe pa shlyerjen e Mesihut të tyre.
Rrahimi hedh poshtë doktrinën e rimishërimit
Cilësia Err-Rrahim, Mëshirëbërësi, hedh poshtë doktrinën e rimishërimit [të hinduve], sepse baza e kësaj doktrine është besimi se Zoti nuk mund të japë shpërblim të pakufishëm për një vepër të kufizuar. Cilësia Err-Rrahim nuk tregon se vepra e kufizuar shpërblehet në mënyrë të pakufizuar, por tregon se vepra e mirë e ka cilësinë të përsëritet, andaj edhe shpërblimi vjen i shumëfishuar. Rrahimi do të thotë që mëshiron vazhdimisht. Kjo nuk do të thotë se vetëm një vepër e caktuar merr shpërblim në mënyrë të vazhdueshme, por se njeriu që kupton se çfarë është vepra e mirë, vazhdimisht e bën atë, ose të paktën gjithnjë dëshiron ta bëjë atë në mënyrë të vazhdueshme. Andaj, kur çdo herë robi merr shpërblimin e një vepre të mirë, atij i shtohet edhe dëshira edhe forca për të bërë vepra të tjera të mira. Kjo shkakton mëshirën e vazhdueshme të Allahut të Madhërishëm. Në këtë mënyrë, besimtari e vijon këtë rrugëtim dhe, edhe mëshira vijon të zbresë mbi të. Me fjalë të tjera, mëshira e Zotit nuk është thjesht si shpërblim për mirësinë e bërë, por mbjell edhe farën e mirësisë së ardhshme.
Realisht, hindutë menduan për veprën e kufizuar sepse ata e pandehën xhenetin si një vend pa punë e pa vepra. Ata kështu duhej të besonin, sepse në konceptin e tyre shpëtimi është nirvana, që do të thotë të bësh jetë asketike, pra të çlirohesh nga çdo lloj dëshire dhe vepre. Andaj, sipas tyre, vepra e njeriut përfundon vetëm në këtë botë dhe si e tillë, ajo është e kufizuar. Dhe ngaqë ajo është e kufizuar, sipas tyre, edhe shpërblimi i saj duhet të jetë i kufizuar. Por Islami jep konceptin e mëshirës së vijueshme dhe të veprave të vijueshme. Ai edhe xhenetin e cilëson si vend veprash. Allahu është Zoti i botëve dhe në fjalën “botët” përfshihet edhe xheneti.
Derisa Zoti do të jetë Rab edhe në xhenet, do të thotë se edhe atje do të ketë zhvillim, përndryshe cilësia e Rabbil-aleminit nuk do të ketë kuptim atje. Dhe derisa njeriu do të vijojë zhvillimin edhe atje, atij patjetër do të vijojë t’i shtohet druajtja dhe dashuria ndaj Zotit. E kur këto gjëra vijojnë të shtohen, edhe mëshira e Zotit të Madhërishëm vijon të shkaktohet. Kur kjo marrëdhënie mëshirë-vepër do të vazhdojë në këtë mënyrë, shpëtimi nuk mbetet më diçka e kufizuar. I vetmi ndryshim që kanë veprat e mira të kësaj bote me veprat e botës tjetër, është që këtu ekziston rreziku i rënies, kurse në botën tjetër do të ketë vetëm përparim dhe jo rënie. Zhvillimi shpirtëror do të bëhet edhe atje. Andaj, nuk lind fare pyetja për veprën e kufizuar dhe për shpërblimin e pakufizuar.