Surja El-Fatiha
Kjo sure e shkurtër që vjen në fillim të Kuranit Famëlartë quhet Fatihatul-Kitab (Çelësi i Librit). Urdufolësit ndoqën mënyrën perse dhe e quajtën Sura-e-Fatiha. Këtë emërtim e përmend edhe i Dërguari fisnik i Allahut s.a.v.s., siç thuhet në Tirmidhi:
عن عبادۃ بن الصامت عن النبیِّ ﷺ قال: لَا صَلَاةَ لِمَنْ لَمْ يَقْرَأْ بِفَاتِحَةِ الْكِتَابِ۔
“Derisa Fatihatul-Kitab (dmth. Surja El-Fatiha) nuk thuhet në namaz, namazi nuk kryhet”.[i]
Po ky rrëfim nga i njëjti sahab përmendet edhe në Sahih Muslim.[ii]
Nëntë emrat e sures El-Fatiha
Kjo sure ka shumë emra, prej të cilëve më të famshmit janë ata që vijnë në Kuranin Famëlartë dhe disa të tjerë që i gjejmë në thëniet e Profetit Muhmmed s.a.v.s., si vijon:
1) Surja e namazit (Suretus-Salat)
Hazret Ebu Hurejre r.a. thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Allahu i Madhërishëm tha:
قَسَمْتُ الصَّلَاةَ بَيْنِي وَبَيْنَ عَبْدِي نِصْفَيْنِ۔
“Unë e kam ndarë salatin (dmth. suren El-Fatiha) gjysmë për gjysmë mes Meje dhe robit Tim”.[iii]
E njëjta gjë rrëfehet edhe nga Xhabir Ibni Abdullah r.a., të cilën e ka përmendur Ibni Xheriri.[iv]
Që do të thotë se gjysma e El-Fatihasë flet për atributet e Allahut dhe në gjysmën tjetër ka lutje për robin.
2) Surja El-Hamd (Suretul-Hamd)
Libri “Ebu Daud” sjell rrëfimin e Hazret Ebu Hurejres r.a., i cili thotë:
اَلْحَمْدُ لِلّٰہِ اُمُّ الْقُرْآنِ وَ اُمُّ الْكتَابِ وَالسَّبْعُ الْمَثَانِیْ
“Surja El-Hamdulil-lah është edhe Ummul-Kur’an, Ummul-Kitab, dhe Es-seb’ul-methani”.[v]
3, 4, 5) Nëna e Kuranit (Ummul-Kur’an) Kurani i Madhërishëm (Kur’anul-Adhim) dhe Shtatëvargëshi i përsëritur (Es-sab’ul-mathani)
Edhe këta tre janë emrat e kësaj sureje. Musnedi i Imam Ahmed Ibni Hanbelit përmend rrëfimin e Ebu Hurejres r.a., që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
ھی ٵم القرآن وھی السبع المثانی وھی القرآن العظیم۔
“El-Fatihaja është edhe Nëna e Kuranit, është edhe Shtatëvargëshi i përsëritur dhe, gjithashtu, është edhe Kurani i Madhërishëm”.[vi]
Emri i saj Shtatëvargëshi i përsëritur është përmendur edhe në Kuranin Famëlartë. Zoti thotë:
“Sigurisht, Ne të kemi dhënë ty shtatëvargëshin e përsëritur”.[vii]
Pra, këtë emër ia ka vënë Kurani Famëlartë sures El-Fatiha.
6) Nëna e Librit (Ummul-Kitab)
Um-mul-Kitab (Nëna e Librit). Ky emër përmendet në rrëfimin e Hazret Ebu Hurejres r.a., që ruhet në librin Sunen Ebu Davud dhe që u tha në numrin e 2, pak më parë.
7) Shërimi (Esh-shifa)
Hazret Ebu Seid Hudriu r.a. thotë:
قال رسول اللہ ﷺ فَاتِحَۃُ الْكتَابِ شِفَاءٌ مِنْ كلِّ دَاءٍ
“Surja El-Fatiha është shërim për çdo sëmundje”[viii]
Këtë rrëfim e përmend edhe Imam Bejhaki në librin e tij “Fi shu’abil-iman”, veçse në vend të fjalëve مِنْ كلِّ دَاءٍ “për çdo sëmundje” thuhet مِنْ كلِّ سَمٍ “për çdo helm”.[ix]
8) Surja për të fryrë (Err-Rrukju)
Edhe ky emër përmendet në rrëfimin e Hazret Ebu Seid Hudriut r.a. që është në Musnedin e Ahmed Ibni Hanbelit[x] dhe në Buhari.[xi]
Dikush i pati thënë Profetit Muhammed s.a.v.s.:
Dikë e pickoi gjarpri. I fryva duke lexuar suren El-Fatiha dhe ai u shërua.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti:
مَا یُدْرِیْك اَنَّھَا رُقْیَۃٌ
“Nga e dije ti se ajo është sure për të fryrë?!”
“Kështu ndjeva në zemër, o i Dërguari i Allahut”, iu përgjigj sahabi.
9) Surja “Thesari” (Suretul-Kenz)
Bejhaki[xii] sjell rrëfimin e Hazret Enesit r.a.:
عن النبیّ ﷺ قال إنّ الله أعطاني فيما منّ به عليَّ فاتحة الكتاب وقال هي كنز من كنوز عرشي۔
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Njëra prej bekimeve që më dha Zoti Vetë me mirësinë e Tij është Fatihatul-Kitab (El-Fatiha) dhe Zoti i Madhërishëm më tha për të: Ky është njëri prej thesareve të Arshit Tim”.[xiii]
Emrin El-Fatiha e kam përmendur më lart. Kështu që, këta janë nëntë emrat e kësaj sureje që i gjejmë në Kuran dhe në hadithe. Ka edhe emra të tjerë përveç tyre, treguar prej sahabëve të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Sipas Imam Sujutiut janë njëzet e pesë të tillë. ‘Allama Kurtubiji ka përmendur dymbëdhjetë[xiv], por ngaqë nuk kam gjetur dot ndonjë dëshmi nga Kurani dhe hadithet, nuk i kam përmendur këtu.
Bibliografi
[i] Xhāmi‘u et-Tirmidhī, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Mā xhāe ennehu lā salāte il-lā bifātihatil-kitāb”, hadithi nr. 247.
[ii] Sahīh Muslim, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Vuxhūbi kirāetil-fātihati fī kul-li rek‘atin ve innehu idhā lem juhsinil-fātihate ve lā emkenehu te‘al-lumuhā kare’e mā tejessere lehu min gajrihā”, hadithi nr. 874.
[iii] Po aty, hadithi nr. 880.
[iv] Muhammed ibn Xherīr et-Taberī, “Xhāmi‘ul-Bejān ‘an te’vīli ājel-Kurān”, vëllimi i parë, redaktor: Mahmūd Muhammed Shākir, botues “Mektebeh Ibn Tejmijjeh”, Kajro 1377 h./ 1968, fq. 201.
[v] Sunen Ebī Dāvud, kitāb “El-Vitr”, bāb “Fātihatil-Kitāb”, hadithi nr. 1457.
[vi] Ahmed ibn Hanbel, “Musned”, vëllimi XV, redaktor: Shu‘ajb el-Arnaut, botues “Muessesetur-Risāleh”, Bejrut 1417 h./ 1997, fq. 489, hadithi nr. 9788.
[vii] El-Hixhr 15:88.
[viii] Abdullāh ibn ‘Abdurr-Rrahmān ed-Dārimī, “Musned”, kitāb “Fedāilil-Kurān”, bāb “Fadl fātihatil-kitāb”, vëllimi IV, redaktor: Husejn Sālim, botues “El-Mugnī”, botimi i parë, Riad 1421 h./ 2000, fq. 2122, hadithi nr. 3413.
[ix] Imām el-Bejhakī, “Shu‘abul-Īmān”, fasl “Fī fedāilis-suver vel-ājāt, dhikru fatihatul-kitāb”, vëllimi II, redaktor: Muhammed Se‘īd Zaglūl, botues: “Kutub el-‘Ilmijjeh”, botimi i parë, Bejrut 1421 h./ 2000, fq. 450, hadithi nr. 2370.
[x] Ahmed ibn Hanbel, “Musned”, vëllimet XVII dhe XVIII, redaktor: Shu‘ajb el-Arnaut, botues “Muessesetur-Risāleh”, Bejrut 1417 h./ 1997, fq. 5 dhe 51, hadithet nr. 10985 dhe 11472.
[xi] Sahīh el-Bukhārī, kitāb “Fedāilul-Kurān”, bāb “Fadlu fātihatul-kitāb”, hadithi nr. 5007.
[xii] Imām el-Bejhakī, “Shu‘abul-Īmān”, fasl “Fī fedāilis-suver vel-ājāt, dhikru fatihatul-kitāb”, vëllimi II, redaktor: Muhammed Se‘īd Zaglūl, botues: “Kutub el-‘Ilmijjeh”, botimi i parë, Bejrut 1421 h./ 2000, fq. 448, hadithi nr. 2363.
[xiii] Ebū et-Tajjib Siddīk bin Hasan, “Fet’hul-Bejān fī Mekāsidul-Kurān”, vëllimi I, redaktor: ‘Abdullāh ibn Ibrāhīm el-Ensārī, botues “El-Mektebetul-‘Asrijjeh”, Bejrut 1412 h./ 1992, fq. 32.
[xiv] Ebū ‘Abdullāh el-Kurtubī, “El-Xhāmiu li-Ahkāmil-Kurān”, vëllimi i parë, redaktor: dr. ‘Abdullāh bin ‘Abdul-Muhsin et-Turkī, botues “Muessesetur-Risāleh”, Bejrut 1427 h./ 2006, fq. 172.