
Surja El-Fatiha duhet të thuhet në çdo rekat të çdo namazi, përveç rastit kur namazfalësi i bashkohet xhematit në kohën kur imami ka shkuar në ruku. Në këtë rast, namazfalësi le të thotë tekbirin dhe, pa thënë asgjë tjetër, të kalojë direkt në ruku. Recitimi i imamit do të llogaritet edhe si recitimi i tij.
Porosia për leximin e sures El-Fatiha në namaz gjendet në hadithe të ndryshme. Muslimi thotë se Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen:
Ai që fal namazin, por nuk e thotë El-Fatihanë në të, namazi i tij është i mangët.[1]
Buhariu dhe Muslimi sjellin rrëfimin e Ubade Ibni Samitit r.a., që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:
“Ai që nuk e thotë El-Fatihanë, nuk i vlerësohet namazi”.[2], [3].
E njëjta gjë rrëfehet nga Ebu Hurejre r.a. që përmendet në Sahih Ibni Huzejme[4] dhe në Ibni Hibban.[5] (Kurtubiji). Gjithashtu, Ebu Davudi thotë se Hazret Ebu Hurejre r.a. rrëfen:
“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. më urdhëroi të njoftoja që nuk ka namaz pa thënë El-Fatihanë dhe një pjesë tjetër nga Kurani”.[6]
Ky ishte edhe mendimi i sahabëve të Profetit Muhammed s.a.v.s., si Hazret Omeri r.a., Abdullah Ibni Abasi r.a., Ebu Hurejre r.a., Ubej Ibni Ka’b r.a, Ebu Ejub Ensari r.a., Abdullah Ibni Amr Ibnil-Asi r.a., Ubadah Ibni Samiti r.a., Ebu Said Hudriu r.a., Othman Ibni Ebil-Asi r.a., Hevat Ibni Xhubejr dhe Abdullah Ibni Omer r.a..[7]
Ibni Maxha përmend rrëfimin e Hazret Ebu Seid Hudriut r.a., i cili thotë:
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ai që nuk thotë El-Hamdulil-lah-in dhe një sure tjetër në çdo rekat, nuk i vlerësohet namazi. Dhe kjo porosi vlen edhe në namazet farz, edhe në namazet jofarz”.[8]
Dijetarët e kanë quajtur të dobët këtë rrëfim, por ngaqë sahabët këtë e kanë pasur si praktikë, nuk mund të dyshohet në vërtetësinë e tij.
Një tjetër rrëfim që është ai i Ubade Ibni Samitit r.a. dhe që gjendet në Sunenin e Ebu Davudit, e mbështet këtë pikë. Nafi Ibni Mahmud Ibnir-Rabi Ensari thotë:
Hazret Ubade Ibni Samiti ishte imami i një xhamie. Njëherë ai erdhi me vonesë dhe Ebu Nuajmi e filloi namazin. Gjatë namazit erdhi edhe Ubade. Edhe unë isha bashkë me Ubaden dhe ne u rreshtuam në namazin që po vijonte. Kur Ebu Nuajmi recitonte El-Fatihanë, dëgjova që edhe Ubade po e recitonte ngadalshëm. Pas namazit e pyeta Ubaden:
Përse e thoshe El-Fatihanë gjatë kohës kur Ebu Nuajmi po e recitonte me zë? Ai m’u përgjigj:
“Kështu duhej”, dhe shtoi: “njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na udhëhoqi namazin dhe pasi dha selam, na pyeti: Kur recitoj Kuranin me zë në namaz, a e përsëritni edhe ju? Disa thanë po, e disa të tjerë thanë jo.
Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na tha:
“Kur unë recitoj me zë, përveç nënës së Kuranit (El-Fatihasë), mos recitoni asgjë nga Kurani”.[9]
Ka edhe shumë hadithe të tjera në lidhje me këtë. Për shembull, Dare-Kutni në sunenin e tij sjell këtë rrëfim të Jezid Ibni Sherikut r.a. dhe e quajti të saktë:
Kam pyetur Omeri ibnil-Hatabin: A duhet ta përsëris El-Fatihanë mbrapa Imamit? Më tha: Po. E pyeta: Edhe atëherë kur ju udhëhiqni namazin? Më tha: Po, edhe kur unë e udhëheq namazin. E pyeta: Edhe kur e recitoni me zë? Më tha: Po, edhe kur e recitoj me zë.[10]
Edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. dha të njëjtën fetva, që surja El-Fatiha duhet recituar edhe mbrapa imamit, edhe në rast se ai e reciton me zë, përveçse nëse namazfalësi i bashkohet namazit në kohën kur imami është duke bërë ruku.
Në këtë rast, ai le të thotë tekbirin dhe të kalojë në ruku dhe recitimi i imamit do të vlerësohet edhe si recitimi i tij. Ky është një përjashtim dhe përjashtimi nuk e thyen ligjin. Gjithashtu, përjashtim është edhe në rastin kur namazfalësi nuk e di El-Fatihanë.
Për shembull, nëse ai është musliman i ri që ende nuk e ka mësuar, ose ende është fëmijë që nuk di të lexojë asnjë pjesë të Kuranit. Namazi i tyre do të jetë i vlefshëm, edhe nëse nuk e thonë El-Fatihanë apo ndonjë pjesë tjetër të Kuranit.
[1] Sahīh Muslim, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Vuxhūbi kirāetil-fātihati fī kul-li rek‘atin ve innehu idhā lem juhsinil-fātihate ve lā emkenehu te‘al-lumuhā kare’e mā tejessere lehu min gajrihā”, hadithi nr. 878.
[2] Sahīh el-Bukhārī, kitāb “El-Edhān”, bāb “Vuxhūbil-kirāeti lil-imāmi vel-me’mūmi fis-salavāti kul-lihā fil-hadari ves-seferi ve mā juxh’heru fīhā ve mā jukhāfetu”, hadithi nr. 756.
[3] Sahīh Muslim, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Vuxhūb kirāetil-fātihati fī kul-li rek‘atin ve innehu idhā lem juhsinil-fātihate ve lā emkenehu te‘al-lumuhā kare’e mā tejessere lehu min gajrihā”, hadithi nr. 874.
[4] Sahīh Ibn Khuzejmeh, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Īxhābul-kirāeti fis-salāti bifātihatil-kitabi ve nefjis-salāti bigajri kirāetihā”, hadithi nr. 488.
[5] Sahīh Ibn Hibbān, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Sifetus-salāt”, hadithi nr. 1782.
[6] Sunen Ebī Dāvud, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Men terekel-kirāete fī salātihi bifātihatil-kitāb”, hadithi nr. 820.
[7] Ebū ‘Abdullāh el-Kurtubī, “El-Xhāmiu li-Ahkāmil-Kurān”, vëllimi i parë, redaktor: dr. ‘Abdullāh bin ‘Abdul-Muhsin et-Turkī, botues “Muessesetur-Risāleh”, Bejrut 1427 h./ 2006, fq. 184.
[8] Sunen Ibn Māxheh, kitāb “Ikāmetus-salāti ves-sunneti fīhā”, bāb “El-Kirāetu khalfel-imām”, hadithi nr. 839.
[9] Sunen Ebī Dāvud, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Men terekel-kirāete fī salātihi bifātihatil-kitāb”, hadithi nr. 824.
[10] Sunen Dārekutnī, kitāb “Es-Salāt”, bāb “Vuxhūb kirāeti ummil-kitābi fis-salāt ve khalfel-imāmi”, hadithi nr. 1190.