
Kurani Famëlartë është i vetmi libër që mund të quhet si Fjala e Zotit. Librat e tjerë, qofshin edhe të shpallur, nuk mund të quhen të tilla, sepse në ta është përzierë edhe fjala e njeriut. Fjala e Zotit pastër, nga a-ja te zh-ja, pra nga bismil-lah deri tek ven-nas, është vetëm Kurani Famëlartë.
Ky Libër që kur është zbritur e gjer më sot, është njësoj i pandryshuar. Nuk i është shtuar asnjë fjalë dhe as nuk i është pakësuar. Çdo bashkëtingëllore, çdo zanore dhe çdo presje e tij janë edhe sot njësoj siç kanë qenë në kohën e zbritjes. Gjithashtu, ky Libër nuk ka asnjë porosi të papraktikueshme dhe asnjë ajet të shfuqizuar. Prandaj, nuk ka libër tjetër përveç Kuranit, të cilin njeriu mund ta përcaktojë për vete si një udhërrëfim, duke besuar se aty nuk ka asgjë të dyshimtë. Por mjerisht, muslimanët e lanë pas dore këtë Libër të çmuar dhe në vend të tij, po merren me libra të tjerë. Në vend të Zotit, ata po ndjekin liderë të sajuar.
Kam shkruar komentimin e Fjalës së Allahut me shpresën se ata që nuk dinë arabisht, ose që fatkeqësisht nuk gjejnë kohë për t’u thelluar në të, ose atyre që nuk u lind dëshira për këtë punë, t’u krijohet rasti për ta kuptuar Fjalën e Allahut në mënyrë që edhe ata të njihen me bukuritë e saj të brendshme e të jashtme.
Kjo parathënie i kushtohet vëllimit të parë. Tri vëllimet që janë për disa nga suret e mesme dhe të fundit të Kuranit, janë botuar më përpara. Allahu i Madhërishëm më pranoftë këtë përpjekje shumë të vogël dhe përmes këtij komentimi, u dhëntë jetë edhe një herë, së brendshmi dhe së jashtmi, kuptimeve të Kuranit Famëlartë, dhe gjithashtu, më dhëntë edhe mua mundësinë për ta përfunduar këtë komentim! (Amin!)
Mirza Mahmud Ahmed
Raten Bag, Lahor
Data: 23.05.1948