Një lutje e bukur - Filozofia e mësimeve të Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
  2. PYETJA I – Cilat janë tri gjendjet e njeriut?
  3. Viti dyzet i jetës suaj mund të jetë shumë i bekuar
  4. Shpirti është krijesë
  5. Zhvillimi gradual i njeriut
  6. Kuptimi i vërtetë i Islamit
  7. Dallimi mes gjendjeve instinktive dhe morale
  8. Përgënjeshtrimi i doktrinës që ndalon therjen a mbytjen e kafshëve
  9. Tri stadet e reformimit
  10. Ardhja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kohën më të nevojshme të reformimit
  11. Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
  12. Moralet e vërteta
  13. Reformimi i parë – gjendjet natyrore
  14. Ndalimi i mishit të derrit
  15. Gjendjet morale të njeriut
  16. Moralet që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga mëkatet
  17. Pesë ilaçe për të qenë i dëlirë
  18. Moralet lidhur me mirëbërësinë
  19. Trimëria e vërtetë
  20. Vërtetësia
  21. Durimi
  22. Dhembshuria
  23. Kërkimi i një qenieje më të lartë
  24. Arsyeja pse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u shfaq në Arabi
  25. Mirësia e Kuranit Famëlartë ndaj botës
  26. Argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm
  27. Cilësitë e Zotit të Madhërishëm
  28. Gjendjet shpirtërore
  29. Një lutje e bukur
  30. Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
  31. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore me Zotin e Madhërishëm
  32. PYETJA II – Çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes?
  33. PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?
  34. PYETJA IV – Cili është zbatimi praktik i Sheriatit në këtë jetë dhe pas kësaj jete?
  35. Urtësia e betimeve të Allahut në gjëra të ndryshme
  36. PYETJA V – Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen ndaj Zotit?
  37. Natyra e ndërgjegjes njerëzore
  38. Çfarë është shpallja Hyjnore?
  39. Folësi është i nderuar me komunikimin dhe shpalljen Hyjnore
  40. Shpallja e Zotit të Madhërishëm është mjeti për të arritur dijen e përsosur
  41. Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Related Contents from Topics
lutje e bukur

Lutja më e bukur është ajo që na mëson edhe kushtet dhe mënyrat për t’i bërë kërkesë, gjithashtu na stimulon gjithë nxitjen shpirtërore që kemi në ndërgjegjen tonë. Kjo lutje është ajo që Zoti Bujar na mësoi në Librin e Tij, pra në Kuranin Famëlartë, dhe që quhet surja El-Fatiha, e cila është:

بِسۡمِ اللّٰہِ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ﴿۱﴾ اَلۡحَمۡدُ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ۙ﴿۲﴾ 1

Të gjitha lavdërimet e pastra i takojnë Allahut, që krijoi të gjitha botët dhe që u mundëson qëndrueshmëri.

الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ ۙ﴿۳﴾ 2

Ai Zot na mëshiron përpara se ne të bëjmë veprat dhe na mëshiron edhe pas veprave tona për të na shpërblyer.

مٰلِکِ یَوۡمِ الدِّیۡنِ ؕ﴿۴﴾ 3

Ai Zot është Sunduesi i Ditës së Gjykimit dhe këtë punë Ai nuk ia ka dorëzuar dikujt tjetër.

اِیَّاکَ نَعۡبُدُ وَ اِیَّاکَ نَسۡتَعِیۡنُ ؕ﴿۵﴾ 4

O Ti që i zotëron këto cilësi! Ne vetëm Ty të adhurojmë dhe në çdo punë vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Këtu, për të shprehur adhurimin, është përdorur numri shumës, gjë që na mëson të shprehemi: “të gjitha aftësitë tona Të adhurojnë Ty dhe janë te pragu Yt”. Sepse njeriu në bazë të aftësive të tij të brendshme është si një bashkësi dhe komunitet, dhe rënia në sexhde e të gjitha aftësive të tij përpara Zotit është pikërisht ajo gjendje që quhet islam [nënshtrim].

اِہۡدِ نَا الصِّرَاطَ الۡمُسۡتَقِیۡمَ ۙ﴿۶﴾ صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ 5

Na trego rrugën Tënde të drejtë dhe na bëj që të jemi të qëndrueshëm në të. Na trego rrugën e atyre të cilët i bekove dhe u dhe mirësitë e Tua.

غَیۡرِ الۡمَغۡضُوۡبِ عَلَیۡہِمۡ وَ لَا الضَّآلِّیۡنَ 6

Na ruaj nga rrugët e atyre që kanë zemërimin Tënd dhe që nuk arritën te Ti ngaqë e humbën rrugën. Amin! O Zot, kështu bëje!

Këto ajete na mësojnë se bekimet dhe mirësitë e Zotit të Madhërishëm u zbresin vetëm atyre, të cilët sakrifikohen në rrugën e Tij, duke ia dedikuar gjithë qenien dhe duke u kredhur në pëlqimin e Tij dhe, më pas qëndrojnë duke u lutur që atyre t’u dhurohen të gjitha bekimet shpirtërore, afrimi dhe takimi me Zotin, dhe biseda dhe komunikimi me Të. Bashkë me këtë lutje, ata e adhurojnë Zotin me të gjitha aftësitë e tyre, ruhen nga mëkati dhe gjithnjë mbeten te pragu i Tij. Sa të kenë mundësi, ata ruhen nga ligësitë dhe nga rrugët që shkaktojnë zemërimin e Zotit. Ata ngaqë e kërkojnë Zotin me kurajë dhe vërtetësi shumë të lartë, përfundimisht e gjejnë Atë dhe pinë me kupa të njohjes së Zotit, gjersa ngihen.

Qëndrueshmëria (mustekīm) për të cilën flet kjo sure tregon se bekimi i vërtetë dhe i përsosur që e çon njeriun deri në botën shpirtërore, është i lidhur me qëndrueshmërinë e përsosur. Qëndrueshmëri e përsosur është ajo gjendje vërtetësie e besnikërie, të cilën nuk mund ta dëmtojë dot asnjë sprovë. Pra, njeriu të ketë një lidhje që as shpata të mos e presë dot, që as zjarri të mos e djegë dot, që asnjë fatkeqësi të mos e dëmtojë dot, që as vdekjet e të afërmve të mos e shkëpusin dot, që as largimi i të dashurve të mos e pengojë dot, që as frika e poshtërimit të mos e zbehë dot, që as sfilitja në vështirësi të llahtarshme të mos ia trembë dot zemrën. Kjo derë është tejet e ngushtë dhe kjo rrugë është plot me mundime. Eh, sa e vështirë që është!

Pikërisht këtë e thotë Allahu i Madhërishëm në ajetin që vijon:

قُلۡ اِنۡ کَانَ اٰبَآؤُکُمۡ وَ اَبۡنَآؤُکُمۡ وَ اِخۡوَانُکُمۡ وَ اَزۡوَاجُکُمۡ وَ عَشِیۡرَتُکُمۡ وَ اَمۡوَالُ ۣ اقۡتَرَفۡتُمُوۡہَا وَ تِجَارَۃٌ تَخۡشَوۡنَ کَسَادَہَا وَ مَسٰکِنُ تَرۡضَوۡنَہَاۤ اَحَبَّ اِلَیۡکُمۡ مِّنَ اللّٰہِ وَ رَسُوۡلِہٖ وَ جِہَادٍ فِیۡ سَبِیۡلِہٖ فَتَرَبَّصُوۡا حَتّٰی یَاۡتِیَ اللّٰہُ بِاَمۡرِہٖ ؕ وَ اللّٰہُ لَا یَہۡدِی الۡقَوۡمَ الۡفٰسِقِیۡنَ ﴿٪۲۴﴾ 7

Thuaju: Baballarët tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuritë tuaja që keni fituar me djersë, tregtia juaj në të cilën keni frikë të humbisni, shtëpitë tuaja që i keni të përzemërta, nëse janë më të dashura për ju sesa Zoti, i Dërguari i Tij dhe luftimi me jetën tuaj në rrugën e Zotit, atëherë prisni kohën derisa Zoti të japë vendimin e Tij. Zoti kurrë nuk u tregon rrugën e Tij të ligjve.

Ky ajet tregon shumë qartë që ata që braktisin pëlqimin e Zotit për të zgjedhur të dashurit dhe pasuritë e tyre, në sy të Zotit janë të ligj dhe pritet që të shkatërrohen, sepse ata dikujt tjetër i dhanë përparësi mbi Zotin. Pikërisht në nivelin e tretë njeriu bëhet i Zotit aq fort saqë për hir të Tij, merr mijëra mundime dhe përulet përpara Tij me sinqeritet dhe besnikëri të tillë, aq sa nuk vë askënd përballë Atij, sikur të gjithë të tjerët të kenë vdekur. Pra, në të vërtetë, derisa ne nuk “vdesim”, nuk mund ta shohim Zotin e Gjallë. Dita e manifestimit të Zotit për ne është ajo kur jeta jonë tokësore pranon “vdekje”. Jemi të verbër, për sa kohë që nuk bëhemi të verbër karshi të tjerëve përballë Zotit dhe jemi të vdekur, derisa nuk biem si të vdekur në dorën e Zotit. Kur fytyra jonë në çdo drejtim do të jetë përpara Zotit, atëherë do të gëzojmë qëndrueshmërinë e vërtetë që triumfon të gjitha tundimet e shpirtit, dhe jo përpara kësaj. Pikërisht kjo qëndrueshmëri i sjell një vdekje jetës tokësore. Në lidhje me qëndrueshmërnë që duhet të kemi, Zoti i Madhërishëm thotë:

بَلٰی ٭ مَنۡ اَسۡلَمَ وَجۡہَہٗ لِلّٰہِ وَ ہُوَ مُحۡسِنٌ 8

Vendosni kokën përpara Meje si një kurban.

Gjithashtu, ne do ta gëzojmë gradën e qëndrueshmërisë atëherë kur të gjitha pjesët e qenies sonë dhe të gjitha fuqitë tona shpirtërore t’i përkushtohen kauzës së Tij dhe jeta dhe vdekja jonë të bëhet vetëm për Të. Ai thotë:

قُلۡ اِنَّ صَلَاتِیۡ وَ نُسُکِیۡ وَ مَحۡیَایَ وَ مَمَاتِیۡ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ﴿۱۶۳﴾ۙ 9

Thuaj: Adhurimi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime është vetëm për Zotin. Kur dashuria e njeriut për Zotin arrin këtë shkallë, jeta dhe vdekja e tij me të vërtetë nuk mbetet për të, por vetëm për Zotin, atëherë Ai Zot që u tregon dashurinë e Tij gjithë atyre që dashurohen me Të, zbret dashurinë e Tij personale në qenien e njeriut të tillë. Bashkimi i këtyre dy dashurive krijon një dritë te njeriu, të cilën bota nuk e njeh dhe as nuk e kupton. Mijëra të vërtetë e të zgjedhur janë vrarë, pikërisht sepse njerëzit e botës nuk i njohën dhe ata janë quajtur egoistë dhe mashtrues, pikërisht sepse njerëzit e botës nuk arritën ta shikonin dritën e fytyrës së tyre. Siç Zoti i Madhërishëm thotë:

یَنۡظُرُوۡنَ اِلَیۡکَ وَ ہُمۡ لَا یُبۡصِرُوۡنَ 10

Mohuesit pavarësisht se të shikojnë ty, prapë nuk të dallojnë.

Kështu që, ditën kur lind ajo dritë, njeriu i tokës bëhet i qiellit. Brenda tij flet Ai që është Sunduesi i çdo qenieje, dhe manifeston shkëlqimin e Unitetit të Tij. Zemrën e tij që është e mbushur me dashuri të pastër, Zoti e merr për Fronin e Vet dhe ky njeri pas këtij ndryshimi drite, përnjëherë shndërrohet në një njeri tjetër, tërësisht të ri, dhe Ai Zot atij i bëhet një Zot i ri, duke manifestuar shprehi dhe praktika të reja të Tij. Nuk është që ky Zot është një Zot tjetër ose praktikat e Tij janë të reja, por vetëm se punët e Tij nuk janë më të zakonshme, dhe janë të panjohura për filozofinë e kësaj bote. Për një njeri të tillë, Allahu i Madhërishëm thotë:

وَ مِنَ النَّاسِ مَنۡ یَّشۡرِیۡ نَفۡسَہُ ابۡتِغَآءَ مَرۡضَاتِ اللّٰہِ ؕ وَ اللّٰہُ رَءُوۡفٌۢ بِالۡعِبَادِ ﴿۲۰۸﴾ 11

Ka edhe njerëz të shkallës më të lartë, të cilët përhumben në pëlqimin e Zotit. Ata shesin jetën e tyre në këmbim të pëlqimit të Zotit. Pikërisht këta gëzojnë mëshirën e Zotit. Kjo është ajo shkalla e tretë e gjendjes shpirtërore, të cilën kur njeriu e arrin, flijohet tërësisht në rrugën e Zotit.

Përveç kësaj, në ajetin e mësipërm Zoti i Madhërishëm thotë se shpëton nga brengat ai që shet qenien e vet në rrugën e Zotit, për të marrë pëlqimin e Tij; duke u sakrifikuar jep provën se ai është i Tij; gjithë qenien e vet e konsideron si diçka që është krijuar vetëm për t’iu bindur Krijuesit dhe për t’iu shërbyer krijesave; më pas, mirësitë e vërteta të lidhura me çdo aftësi, i realizon me gjithë zell e sinqeritet, si të thuash, ai sheh të Dashurin e tij të Vërtetë në pasqyrën e besnikërisë së tij; vullneti i tij bëhet i njëjtë me vullnetin e Zotit të Madhërishëm; e gjithë kënaqësia e tij përqendrohet vetëm në bindje ndaj Zotit dhe të gjitha veprat e mira ai i realizon jo më me mundim, por me kënaqësi dhe ëndje. Ky është xheneti paraprak që gëzon i tillë njeri i përshpirtshëm. Kurse xheneti që ai do të gëzojë më vonë, do të përbëhet pikërisht nga hijet dhe ndikimet e këtij xheneti, të cilat në botën tjetër, Fuqia e Zotit do t’i shfaqë të dukshme fizikisht. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhërishëm thotë:

وَ لِمَنۡ خَافَ مَقَامَ رَبِّہٖ جَنَّتٰنِ ﴿ۚ۴۷﴾ 12

وَ سَقٰہُمۡ رَبُّہُمۡ شَرَابًا طَہُوۡرًا 13

اِنَّ الۡاَبۡرَارَ یَشۡرَبُوۡنَ مِنۡ کَاۡسٍ کَانَ مِزَاجُہَا کَافُوۡرًا ۚ﴿۶﴾ عَیۡنًا یَّشۡرَبُ بِہَا عِبَادُ اللّٰہِ یُفَجِّرُوۡنَہَا تَفۡجِیۡرًا ﴿۷﴾ 14

وَ یُسۡقَوۡنَ فِیۡہَا کَاۡسًا کَانَ مِزَاجُہَا زَنۡجَبِیۡلًا ﴿ۚ۱۸﴾ 15

اِنَّاۤ اَعۡتَدۡنَا لِلۡکٰفِرِیۡنَ سَلٰسِلَا۠ وَ اَغۡلٰلًا وَّ سَعِیۡرًا ﴿۵﴾ 16

وَ مَنۡ کَانَ فِیۡ ہٰذِہٖۤ اَعۡمٰی فَہُوَ فِی الۡاٰخِرَۃِ اَعۡمٰی وَ اَضَلُّ سَبِیۡلًا ﴿۷۳﴾ 17

Ai që e ka frikë Zotin dhe ka druajtje nga Madhështia e Tij, do të ketë dy xhenete: njërin në këtë botë dhe tjetrin në ahiret. Njerëzit që janë të kredhur në Zot, Zoti u ka dhënë një pije, e cila ua pastroi zemrën, mendimet dhe vullnetin. Mirëbërësit pinë një pije që është e përzierë me kamfur. Ata pinë nga burimi, të cilin e hapin vetë.


[1] “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve;” (El-Fatiha 1:1-2).
[2] “të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit;” (El-Fatiha 1:3).
[3] “Sunduesit të ditës së gjykimit.” (El-Fatiha 1:4).
[4] “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha 1:5).
[5] “Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që i bekove,” (El-Fatiha 1:6-7).
[6] “jo në rrugën e atyre që tërhoqën zemërim dhe as të atyre që devijuan”. (El-Fatiha 1:7).
[7] “Thuaj: Baballarët tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortët tuaj, farefisi juaj, pasuria që fitoni, tregtia, në të cilën humbja ju frikëson, shtëpitë që ju pëlqeni, nëse janë më të dashura tek ju sesa Allahu, i dërguari i Tij dhe xhihadi në rrugën e Tij, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë vendimin e Tij. Allahu nuk udhëzon njerëzit e ligj”. (Et-Teube 9:24).
[8] “Jo! E vërteta është se kushdo që ia dorëzon veten Allahut dhe është mirëbërës”. (El-Bekare 2:113).
[9] “Thuaj: Sigurisht, namazi im, sakrificat e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.” (El-En’am 6:163).
[10] “…ata të shikojnë ty (o Muhammed), por në të vërtetë nuk të dallojnë.” (El-A’raf 7:199).
[11] “Prej njerëzve, ka edhe një të tillë që shet jetën e tij duke kërkuar pëlqimet e Allahut. Allahu është i Dhembshur ndaj robërve.” (El-Bekare 2:208).
[12] “Dhe për atë që i frikësohet pozitës së Zotit të Tij, ka dy xhenete.” (Er-Rahman 55:47).
[13] “Dhe Zoti i tyre do t’u japë për të pirë një pije të pastër.” (Ed-Dehr 76:22).
[14] “Sigurisht, mirëbërësit do të pinë nga një kupë, që do të jetë e përzierë me kamfur. Një burim, prej të cilit do të pinë robërit e Allahut dhe të cilin ata do ta zgjerojnë duke e çarë.” (Ed-Dehr 76:6-7).
[15] “Aty do të pinë nga një kupë, që do të jetë e përzierë me xhenxhefil. Në të do të ketë një burim, që quhet Selsebil.” (Ed-Dehr 76:18-19).
[16] “Sigurisht, për mohuesit Ne kemi përgatitur një sërë zinxhirësh, prangash dhe zjarr flakërues.” (Ed-Dehr 76:5).
[17] “Dhe ai që është i verbër në këtë (botë), do të jetë i verbër edhe në ahiret, dhe më i devijuari nga udha.” (Beni Israil 17:73).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp