
Kështu që moralet e vërteta nuk mund t’i atribuohen ndonjë njeriu të tillë, i cili si fëmijët, si njerëzit e pacivilizuar apo të pamend, është i pushtuar nga gjendjet instinktive. Në të vërtetë, moralet e mira apo të këqija fillojnë nga koha kur atij i piqet mendja e dhuruar prej Zotit, përmes së cilës ai arrin të dallojë të mirën nga e keqja, ose arrin të dallojë shkallën e dy të mirave apo e dy të këqijave, apo të brengoset në zemër, kur humb një rrugë të mirë dhe të pendohet nëse bën ndonjë vepër të keqe. Kjo është faza e dytë e jetës së njeriut, të cilën Fjala e pastër e Zotit, Kurani Famëlartë e quan shpirt qortues.
Por, duhet të mbani mend që, për të sjellë një njeri nga një gjendje e egër deri te shpirti qortues, nuk mjaftojnë vetëm këshilla të thata, por duhet që ai të arrijë ta njohë Zotin e tij deri në atë shkallë, sa të bindet që qëllimi i krijimit të tij nuk është i pakuptimtë dhe i kotë. Kështu, me njohjen ndaj Zotit ai fiton morale të pastra. Prandaj, për ta arritur njohjen e Tij, Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë vazhdimisht përmend dhe na bind që çdo vepër e çdo moral ka një efekt, që në këtë botë, na siguron qetësinë apo ndëshkimin shpirtëror, ndërsa në botën tjetër do të shfaqë efektin e vet në mënyrë të plotë.
Pra, në fazën e shpirtit qortues, njeriu fiton mendjen, njohjen dhe ndërgjegjen e pastër, deri në atë shkallë sa ai pendohet dhe e qorton veten kur bën ndonjë vepër të keqe dhe dëshiron fort të bëjë vepra të mira. Kjo është faza, në të cilën njeriu fiton morale të mira.
Khalk (krijesat) dhe khulk (moralet)
Do të ishte mirë të shpjegoja shkurtimisht fjalën “khulk”. Në arabisht, fjala “khalk” me zanoren “a”, do të thotë lindje fizike, ndërsa “khulk” me zanoren “u”, ka kuptimin e lindjes shpirtërore, e cila mund të përsoset përmes moraleve të larta e jo thjesht nga gjendjet instinktive. Për këtë arsye, pikërisht për moralet përdoret fjala “khulk”.
Një gjë tjetër që duhet sqaruar është se, me moral, shumë njerëz në përgjithësi kuptojnë vetëm butësi dhe përulësi, gjë që nuk është e saktë. Në fakt, të gjitha përjetimet e brendshme të njeriut, të cilat e përsosin atë dhe që u korrespondojnë gjymtyrëve dhe pjesëve të jashtme të trupit të tij, quhen morale.
Për shembull, njeriu qan me sy dhe karshi këtij veprimi, në zemrën e tij gjendet një fuqi emocionale, e cila nëse përdoret në kohën e duhur me udhëzimin e mendjes së dhuruar prej Zotit, quhet moral. Po ashtu, njeriu me duart lufton armikun dhe karshi këtij veprimi, në zemrën e tij ka një ndjenjë që quhet trimëri. Nëse njeriu e përdor këtë ndjenjë në vendin e në kohën e duhur, atëherë edhe ajo quhet moral.
Me duart e tij, nganjëherë njeriu përpiqet të shpëtojë të shtypurit nga mizorët ose mundohet t’u japë ndonjë ndihmë të varfërve e të uriturve ose në ndonjë mënyrë tjetër dëshiron të ndihmojë njerëzit, dhe karshi këtyre veprimeve, në zemrën e tij gjendet një ndjenjë, të cilën e quajmë mëshirë. Nganjëherë njeriu ndëshkon mizorin me duart e tij dhe në zemrën e tij ka një ndjenjë që i korrespondon veprimit të tij dhe që quhet hakmarrje.
Po ashtu, nganjëherë ai nuk dëshiron t’i përgjigjet sulmit me sulm, madje e toleron mizorinë e mizorit, ndërkohë në zemrën e tij ka një ndjenjë që quhet falje ose durim, e cila përputhet me veprimin e tij. Po ashtu, njeriu përdor duart, këmbët, zemrën ose mendjen e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të tjerë dhe harxhon aftësitë e tij për mirëqenien e tyre dhe karshi këtyre veprimeve, në zemrën e tij ka një ndjenjë që quhet bujari.
Pra, nëse njeriu i përdor të gjitha këto ndjenja dhe fuqi në kohën e në vendin e duhur, atëherë këto quhen morale. Allahu i Madhërishëm, duke iu drejtuar Profetit tonë salallahu alejhi ve selem, thotë:
وَ اِنَّکَ لَعَلٰی خُلُقٍ عَظِیۡمٍ 1
Ti ke morale madhore. Kuptimi i këtij ajeti është pikërisht sipas shpjegimit të dhënë më parë, domethënë, të gjitha moralet, si: bujaria, trimëria, drejtësia, mëshira, mirëbërësia, vërtetësia, vullneti etj., janë mbledhur tek ai. Pra, të gjitha ndjenjat që ka zemra e njeriut, si respekti, turpi, sinqeriteti, butësia, sedra, qëndrueshmëria, dëlirësia, pastërtia, baraspeshimi, dhembshuria, trimëria, bujaria, falja, durimi, mirëbërësia, vërtetësia, besnikëria etj., nëse shfaqen me udhëzimin e mendjes në kohën e në vendin e duhur, atëherë të gjitha ato do të quhen morale, por, realisht ato janë gjendjet dhe emocionet instinktive të njeriut, të cilat quhen morale vetëm kur realizohen me vullnetin e njeriut në kohën e në vendin e duhur.
Ngaqë, njeriu është qenie që në natyrën e tij ka të përparojë, duke ndjekur fenë e vërtetë dhe mësimet e vërteta dhe duke qëndruar me shoqëri të pastër, gjendjet instinktive të tij i shndërron në morale, gjë që nuk është në aftësinë e ndonjë kafshe tjetër.
۔۔۔
Duhet ditur që moralet ndahen në dy kategori: së pari, ato morale që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga e keqja dhe, së dyti, ato morale me të cilat ai aftësohet për të bërë vepra të mira. Në heqjen dorë nga e keqja bëjnë pjesë ato morale, me të cilat njeriu përpiqet të mos i sjellë dëm pasurisë, nderit dhe jetës së tjetrit, as me gjuhë, as me dorë, as me sy e as me ndonjë pjesë tjetër të trupit të tij, madje as të mendojë t’i shkaktojë dëm atij apo nderit të tij.
Kurse në bërjen e mirësisë, përfshihen të gjitha ato morale, me të cilat, njeriu përpiqet t’i sjellë dobi e nder dikujt tjetër, qoftë me gjuhën e tij, qoftë me dorën e tij, qoftë me pasurinë e tij, qoftë me dijen e tij, apo qoftë me ndonjë mënyrë tjetër, ose të synojë t’i bëjë nder atij, ose nëse dikush i ka bërë ndonjë padrejtësi, t’ia falë dënimin e merituar duke e mbrojtur atë nga problemet, nga dëmet fizike apo financiare, ose t’i japë një ndëshkim të tillë, që në të vërtetë të jetë vetëm mëshirë për të.
[1] “Sigurisht, ti qëndron mbi morale madhore.” (El-Kalem 68:5)