Filozofia evropiane (2) - Marksizmi e Komunizmi kundër besimit në Zot
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Filozofia evropiane – pjesa II – Marksizmi dhe Komunizmi kundër besimit në Zot

Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar r.a.
komunizmi marksizmi kunder besimit ne zot

(Në vijim ju sjellim një nga kapitujt e librit fenomenal të Hazret Kalifit të Katërt të Xhematit Musliman Ahmedia, të titulluar Revelation, Rationality, Knowledge & Truth” (Zbulesa, arsyeja, dija dhe e vërteta), të botuar për herë të parë në vitin 1998. Ky postim përfshin vetëm pjesën e dytë të kapitullit “Filozofia evropiane“. Për temën e plotë, ju lutem lexoni edhe PJESËN E PARË)

———————

Midis ateistëve, Niçe, Sartri dhe Merlo-Ponti, Kamy dhe Marksi ishin një kategori më vete. Askush nuk besonte në përgjithësime. Ndërkaq për ta nuk ishte e mundur t’i jepje subjektivitetit karakter universal. Ka diçka unike në përvojën subjektive të gjithsecilit, që ai nuk mund të ndahet tërësisht me të tjerët.

Mendojmë se këtu është e rëndësishme t’i kushtojmë një pjesë më vete Marksizmit. Sado të mos pajtohemi me këtë filozofi, nuk mund të mohohet se ajo ka merituar një vend të përhershëm që do të trajtohet gjithmonë me respekt nga një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve në të gjithë botën.

karl marksi marksizmi komunizmiMARKSI (1818–1883) një prej filozofëve ateistë të shekullit XIX, për nga rëndësia e tij duhet trajtuar më vete. Për të mohimi i Zotit nuk është thjesht i rastësishëm, por është një komponent i pandashëm i filozofisë së tij, me të cilën feja është absolutisht e papajtueshme. Sipas tij njerëzit janë si elementë që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin, që ndikohen dhe qeverisen nga ligjet socio-ekonomike. Njerëzit duhet të çlirohen nga ndërhyrjet fetare, pasi ato devijojnë kursin e tyre të natyrshëm. Për Marksin, zbulesa dhe frymëzimi qëndrojnë jashtë fjalorit të mendimit filozofik.

Pas tij është Niçe, që vjen me personalitetin e tij të veçantë dominues. Pena e tij që i ngjan një shpate, shënjestron Zotin si viktimën e tij kryesore, derisa e shpall Atë të vdekur; ose, të paktën kështu mendoi ai. Në fakt, ai nuk pati njohuri për ndonjë Zot tjetër, përveç Zotit të dogmës së krishterë dhe ishte Ai, të cilin shpata e tij e arsyes e vrau. Kështu, Kirkegardi provohet aq i drejtë në paralajmërimin e tij që ai u bëri priftërinjve që të mbanin heshtje të shurdhër për misterin Hyjnor të Trinitetit; në vend që të ftonin telashe duke u përpjekur ta mbronin atë me instrumente të arsyes.

Në fakt, shumica e filozofëve ateistë të Evropës së asaj epoke ishin drejtuar në mohimin e Zotit kryesisht nga Kisha e Krishterë, e cila kishte mistifikuar imazhin e Zotit deri në absurditet. Ndër filozofët e tjerë ateistë, Sartre (1905–1980) ishte ndoshta më interesanti dhe më i gjalli. Ai dinte të formulonte fraza të thjeshta me ide të thella. Duke treguar se njeriu i lirë në një univers pa konceptin e Zotit, sa i pafuqishëm ndihet, ai shprehet:

“… njeriu është i dënuar të jetë i lirë.”[i]

Domethënë, kur njeriu vendos të bëjë zgjedhje për veten e tij, është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë për t’u përmbushur. Nuk ka tjetër që mund ta ndihmojë atë ose të udhëheqë hapat e tij në shkretëtirën e egër të ekzistencës. Duke komentuar episodin e Abrahamit a.s., ai shpjegon praninë e engjëjve si një fenomen psikik. Për të zbulesa hyjnore që engjëjt i sollën Abrahamit a.s., nuk ishte veçse ankthi i shpirtit të tij. Sado të gabuar të konsiderojmë shpjegimin e Sartres, duhet t’i bëjmë homazh shpërthimit të zjarrtë të dëshpërimit dhe hakmarrjes së tij. Ky shpjegim vlen në mënyrë shumë më të përshtatshme për vetë Sartren, i cili mund të ketë pësuar dhimbje ankthi dhe tërbim gjatë zbrazëtisë së filozofisë së tij të pa Zot. Deklarata ‘zbulesa është ankthi i shpirtit’, është vërtet një zbulim i madh nga këndvështrimi i favorshëm i një ateisti – me kusht që nëse ateistët pranojnë ndonjëherë se ata kanë edhe shpirtra. Bernard Shaw është afër Sartres, por jo shumë, kur përkufizon zbulesën si ‘zëra të brendshëm’ – kjo, në rastin më të mirë, është një vërejtje e zgjuar e një dramaturgu që i mungojnë thellësia dhe forca e reflektimit të Sartres! Pas gjithë së thënës dhe të bërës, Sartre nuk arrin të bëjë dallimin mes frymëzimit dhe zbulesës, terma që thjesht nuk ekzistojnë në filozofinë e tij; ajo që ekziston është agonia e shpirtit – një gjuhë e zjarrtë që shpërthen gjatë dëshpërimit të herëpashershëm. Sipas tij, asnjë zbulesë nuk zbret nga lart dhe, çfarëdo që ngrihet, ngrihet nga thellësia e mërzisë së njeriut.

Hegeli (1770–1831) është një agnostik tjetër, që nuk është aq i interesuar dhe i përkushtuar në mohimin në Zot. Filozofia e tij nuk është e lidhur drejtpërdrejt me çështjet fetare. Ndër kontributet e tij të shkëlqyera është përpjekja e tij për të krijuar një urë lidhëse midis subjektivitetit dhe objektivitetit.

Ishte ai që prezantoi për herë të parë konfliktin dialektik mes ideve të një brezi dhe ideve të brezit vijues. Kjo është teoria e njohur hegeliane e luftës dialektike midis tezës dhe antisezës. Ai thjesht besonte në kundërshtim të ideve. Kjo do të thotë që idetë që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por jo kontradiktore, mbeten në një luftë dialektike për të arritur epërsinë.

Sipas tezës së tij, rezultati i kësaj është se idetë superiore lindin në mënyrë të pashmangshme nga proceset e mëparshme dialektike. Nga ana tjetër, kjo rezulton në lindjen e një anti-teze tjetër, të lindur nga tezat e mëparshme. Kështu vijon derisa përfundimisht arrihet një tezë e stabilizuar, e cila demonstron një kuptim pozitiv dhe të qëndrueshëm të natyrës së realitetit objektiv.

Hegeli e përdori këtë metodë për të provuar rolin e logjikës për arritjen e dijes. Sidoqoftë, kjo metodë dialektike për të arritur të vërtetën është e mundur vetëm brenda sistemeve që janë faktike dhe jo abstrakte. Rezultati përfundimtar i kësaj orvatjeje idesh është ajo që ai e cilësoi si ideja absolute. Ky ishte koncepti i Hegelit për realitetin përfundimtar mbi të vërtetën universale. Për të, historia nuk është gjë tjetër veçse lëvizja e mendimit, integrimi i tezave dhe i antitezave në sinteza. Sipas fjalëve të Leninit, Hegeli besonte:

“Jeta krijon trurin. Natyra pasqyrohet në trurin e njeriut. Duke kontrolluar dhe duke aplikuar saktësinë e këtyre pasqyrimeve në praktikën dhe teknikën e tij, njeriu arrin në të vërtetën objektive.”[ii]

Për Hegelin, çdo teori ideologjike që nuk ka lidhje me sferën e përvojës fizike, nuk vlen të konsiderohet seriozisht. Andaj, çdo diskutim mbi rëndësinë e saj, është vetëm një kërkim argëtues.

Duke zbatuar filozofinë e Hegelit, ishte Marksi ai që eksperimentoi për t’i dhënë njeriut një kod të ri të jetës, bazuar vetëm në arsyetimin e njeriut. Nisi një provë tërësisht laike, e cila shumë shpejt filloi të gëzonte respektin e shoqërisë. Lindi një lloj feje politiko-ekonomike e krijuar nga njeriu, e bazuar në mohimin e Zotit. Studiuesit marksistë ishin në marrëveshje parimore me këndvështrimin hegelian dhe hodhën poshtë nocionin e së vërtetës së përjetshme. Ata nuk pranuan që e vërteta objektive të ishte absolute. Ajo gjithnjë ishte relative në një kohë dhe rrethanë të veçantë.

Friedrich Engelsi filzofi anglezMidis mendimtarëve socialistë, Engelsi pranoi idenë e së vërtetës absolute, dhe kështu mori kundërshtimin e Bogdanovit. Në përgjithësi, për filozofët komunistë, e vërteta është dija që merret nga studimi objektiv të një kohe dhe gjendje të caktuar. Brenda këtyre specifikave, e vërteta është dija, dhe dija është e vërteta. Si e tillë, dija mund të përkufizohet si një e vërtetë objektive që ndryshon vazhdimisht, duke korresponduar me mjediset që janë gjithnjë në ndryshim.

Nuk kaloi shumë kohë, që kjo filozofi materialiste u shndërrua në një mënyrë të shuguruar të jetës. Marksi u shpall jo vetëm apostulli kryesor i kësaj feje pa Zot, madje dhe orakulli i saj. Në vijim, na duhet t’i drejtohemi atij për një studim të thelluar, sepse ishte pikërisht fuqia mahnitëse e idesë së tij dhe jo thjesht mekanizmi i materializmit dialektik, që do të ndryshonte fytyrën e Tokës.

Në spektrin e konfliktit të ideve dhe të besimeve të njerëzimit, feja qëndron në një ekstrem, duke vënë theksin në rolin e zbulesës si parimi më i vlefshëm i udhëzimit. Marksizmi qëndron në ekstremin tjetër, me mohimin e plotë të së vërtetës që vjen nga zbulesa. Midis këtyre dyve, gjenden filozofi të tjera të ndryshme: disa më afër njërës, disa më afër tjetrës. Por, mohimi i gjithë asaj që kërkon feja, nuk është gjetur në mënyrë aq të plotë dhe absolute askund tjetër, përveçse në filozofinë marksiste dhe në socializmin shkencor.

Ndër të gjithë filozofët evropianë, Marksi, për hir të së vërtetës, duket se është me mendjen më të qartë, por idealist pa e rrëfyer idealizmin e tij, jashtëzakonisht dinak në strategjinë e tij filozofike kundër Zotit dhe fesë. Për të, Zoti dhe zbulesa nuk kanë asnjë kuptim, kështu që, edhe frymëzimi nuk ka vend në filozofinë e tij. Ai nuk pajtohet me idealizmin e Hegelit, që u paraprin realiteteve objektive dhe merr pjesë në aktivizimin e tyre.

Në filozofinë e Hegelit, fillimisht lind ideja dhe, më vonë, nën ndikimin e saj, vijnë ndryshimet materiale. Kështu, kur këto ndryshime rriten deri në një fazë të caktuar të pjekurisë dhe mbarsin ide të reja, këtyre u vjen radha që t’u nënshtrohen provave të reja të verifikimit. Kështu ato lëvizin valë-valë, duke transferuar realitetet subjektive në të vërteta objektive të dukshme dhe të demonstrueshme.

Marksi është mjaft i zgjuar të dallojë tigrin në kaçubë. Nëse idetë subjektive shndërrohen në realitete objektive, siç do të kërkonte filozofia hegeliane, atëherë idetë subjektive kanë epërsi mbi realitetin objektiv. Kjo do të krijonte një zinxhir të rrezikshëm shkak-pasoje. Idetë kërkojnë një vetëdije paraprake, e cila nuk mund të konceptohet pa konceptin e jetës. Si e tillë, kjo përfundimisht do të çonte te Zoti, si Nismëtari i Shkakut, që mund të sjellë ndryshime objektive me instrumentin e idesë. Ndoshta kjo është arsyeja që Marksi nuk pajtohet hapur me idealizmin hegelian. Megjithatë, me një kthesë delikate në sekuencën e shkakut dhe të pasojës, ai e shndërron filozofinë hegeliane në atë të vetin. Ai vë materien përpara idesë. Kjo luftë dialektike nuk fillon me idenë, por me materien që drejtohet nga ligjet autonome të natyrës. Rrjedhimisht, materializmi dialektik arrin në përfundimin e tij logjik, me ose pa ndihmën e ideve. Materia e pastër gërryen rrjedhën e saj, duke punuar mbi jetën dhe duke formuar fatin e saj. Kjo filozofi parakoncepton mosekzistencën e Zotit, i Cili duhet ta lërë timonin e makinës së punëve të njeriut. Është vetëm njeriu që ka të drejtë të marrë nën kontroll punët e veta me përgjegjësi të plotë.

Kështu që, varësia e Marksit ndaj arsyejes dhe logjikës është po aq e plotë, sa refuzimi i tij ndaj Zotit dhe zbulesës Hyjnore. Sipas tij, idealizmi absolut janë materializmi dialektik çështje që kërkojnë vetëm renditjen. Cila i paraprin cilës, kjo është e vetmja gjë për t’u përcaktuar.

Kjo na çon në një pyetje tjetër të rëndësishme e cila, kur zgjidhet siç duhet, do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë qëllimet e fshehura të Marksit. Si arriti ta parashikonte ai punën dhe vazhdimësinë e qetë dhe të përsosur të një sistemi, pa moral? Ai ishte shumë i zgjuar për të mos humbur këtë pikë, sepse zgjuarsia e tij perceptonte lidhjen mes moralit dhe Zotit. Njeriu për nga natyra nuk është një kafshë me moral. Përkundrazi, ai është kafsha më e korruptuar nën kupën e qiellit. Të gjitha përpjekjet për ta bërë njeriun të moralshëm, burojnë nga një besim në Zot, por Marksi e dinte shumë mirë se besimi në Zot ishte i papajtueshëm me filozofinë e tij. Çdo gjë që të çonte ose mund të të çonte te Zoti ishte bërë tabu. Ai duhej të zgjidhte njërin prej dy opsioneve: ose të promovonte moralin brenda komunizmit për të mbrojtur interesin e tij dhe për të larguar rrezikun e kthimit të botës komuniste te Zoti, ose ta anashkalonte rrezikun dhe të pranonte kërcënimin e mundshëm për vetë sistemin. Ndoshta ai shpresoi që duke aplikuar tmerrin e ndëshkimit, do të kompensonte mjaftueshëm mungesën e trajnimit moral te drejtuesit e sundimit komunist.

Vladimir LeniniPor në këtë çështje, ai u provua plotësisht i gabuar. Njeriu është një kafshë e korruptuar, aq e korruptuar sa një regjim totalitar edhe duke ushtruar ndëshkime të pamëshirshme tek ai, nuk mund ta drejtojë atë.

Filozofia marksiste e materializmit dialektik nuk i lë asnjë hapësirë ​​Zotit. Pikërisht për të njëjtën arsye që Lenini nisi një fushatë të ashpër kundër atyre që guxuan të lypnin çështjen e moralit, edhe pse brenda komunizmit.

Pra, në Marksizëm nuk ka vend për ndonjë zbulesë nga lart, as për ndonjë kod etik të bazuar në zbulesë. Marksi duhet ta ketë konsideruar thelbësore që ta dëbonte moralin nga punët njerëzore, për shkak të potencialit të tij për të drejtuar te Zoti.

Një arsye tjetër e fortë pse ai mund ta ketë refuzuar moralin, mund të jetë frika se morali do të qëndronte në rrugën e një revolucioni të papërmbajtshëm proletar. Klasa proletare ishte e lidhur me zotërit e tyre borgjezë, në emër të detyrimit moral. Lidhje të tilla duhet të copëtoheshin dhe masa njerëzish duhet të çliroheshin që të bënin gjithçka që mundeshin për të rebeluar kundër uzurpuesve të tyre despotikë. Asnjë detyrim moral nuk duhet të lejohej të qëndronte në mes. Ata duhet të ndiheshin të lirë të vrisnin, të plaçkitnin, të digjnin dhe të shkatërronin për të asgjësuar rendin borgjez të dominimit ekonomik dhe politik. Kështu ai e perceptoi moralin si një armik të përbetuar të sistemit pa Zot.

Pavarësisht nga ky nivelim i mendjes së tij, Marksi është ende me plot kontradikta. Ai hedh themelet e ideve të tij të parashikuara mbi arsyen dhe analizën me aq vendosmëri dhe fuqi, sa që është me të vërtetë e vështirë ta dyshosh atë për krimin e këtyre kontradiktave thelbësore. Megjithatë, në marksizëm, kontradiktat thellohen më tej. Një shembull tjetër i kontradiktave të tij është që ai refuzon moralin plotësisht nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, nis një lëvizje revolucionare të themeluar tërësisht mbi fenomenin e simpatisë, që në vetvete është një moral.

Por kjo nuk është e gjitha. Kontradikta vjen duke u qartësuar kur simpatia për kauzën e të mjerëve bëhet përtej të gjithë kufijve të drejtësisë dhe të ndershmërisë, duke u shkaktuar mizori të tjerëve. Nëse nuk ka drejtësi në punët njerëzore dhe ju filloni një lëvizje në emër të drejtësisë për ta rehabilituar drejtësinë, nuk mund të shkelni vetë parimin mbi të cilin qëndron lëvizja juaj. Do të ishte sikur të shkëputni degën, në të cilën qëndroni.

Sërish, flamurtari i një sistemi që nuk ka asnjë hapësirë për ndjenjat dhe konsideratat morale, është në kundërshtim me veten e tij, kur pret nga të tjerët zotimin e plotë të besnikërisë ndaj atij sistemi që në thelb është amoral. Ka edhe një kontradiktë tjetër te Marksi, e cila qëndron në skemën e tij të llogaritur dhe të planifikuar mirë, për të ndihmuar proletariatin të rrëzojë dominimin despotik të borgjezisë. Quajeni atë socializëm shkencor ose materializëm dialektik, nëse kjo filozofi është e saktë, atëherë ajo nuk duhet të ketë nevojë për ndonjë ndihmë të jashtme njerëzore, që manipulon dhe udhëheq hapat e saj.

Duhet të kemi parasysh edhe një pikë tjetër të rëndësishme, që është se materializmi dialektik i Marksit u ndikua qartazi nga vepra monumentale e Darvinit, “Mbi Origjinën e Specieve”. Në fakt, një studim më i thellë zbulon se materializmi dialektik është thjesht një emër tjetër për luftën e mbijetesës të Darvinit, por të shtrirë në punët njerëzore.

Furnizimi i ushqimit dhe mjetet e jetesës vazhdojnë të jenë dominuese në jetën e homo sapienëve, siç kanë qenë të tilla për speciet e hershme të kafshëve para njeriut. I njëjti parim i mbijetesës së më të fortit vazhdon të funksionojë, siç ka funksionuar më parë. Nuk ka zgjidhje a mundësi tjetër që jeta të ndryshojë kursin, përveç atij të diktuar nga ky ligj. Kjo është shkencore. Nëse filozofia marksiste nuk e ka këtë saktësi dhe precizion, atëherë doktrina e tij nuk mund të quhet shkencore. Materializmi dialektik do të humbte rëndësinë e tij si një fenomen natyror i pashmangshëm.

TANI SHQYRTONI se sa i ndryshëm është rasti i evolucionit darvinian nga ai i materializmit dialektik. Parimi darvinian i evolucionit mbizotëron gjithçka tjetër në formimin e jetës dhe në hapjen e rrugës së saj. Ai nuk ka nevojë për ndonjë fushatë ideologjike në favor të tij ose ndihmë të jashtme për të çuar përpara kauzën e tij. Përkundrazi, ai ka potencialin për të trazuar dhe shkatërruar çdo përpjekje të jashtme që pengon rrugën e tij. Nëse Darvini nuk do të kishte lindur, nëse askush nuk do të zbulonte misterin e evolucionit, realiteti i evolucionit do të mbetej i pandryshuar. Mungesa e Darvinit nuk mund ta ndryshonte aspak pashmangshmërinë e tij.

Ligjet e natyrës nuk varen nga të kuptuarit e njeriut rreth zbatimit të tyre. Perceptimi i njeriut nuk ka asnjë rol për të luajtur në realitetin e ekzistencës së tyre. Pavarësisht se nëse dikush i kupton apo jo, rrota gjigante e natyrës do të vazhdojë të rrokulliset.

Por sa i ndryshëm është rasti i materializmit dialektik! Sikur të mos kishin lindur Marksi dhe Lenini, një revolucion komunist në Rusi apo kudo tjetër në botë nuk mund të ndodhte. Në atë pikë të historisë saj, Rusia ishte e pjekur për revolucion me ose pa Lenin. Ndryshimi i vetëm që bëri Lenini ishte të hipte në kurrizin e stuhisë së pashmangshme kur ajo shpërtheu fuqishëm dhe ta shfrytëzonte atë në avantazh të socializmit shkencor. Në rastin e parimit darvinian të evolucionit, nuk nevojitet asnjë avokat asnjëherë për të çuar më tej kauzën e tij, nuk kërkohet asnjë dizajnues për të ndihmuar procesin e historisë së natyrës.

Kur e krahasojmë filozofinë e Hegelit me atë të Marksit, pyetja kryesore që del në pah është kjo: a janë idetë që shkaktojnë ndryshime objektive në botën materiale, apo janë vetë ndryshimet objektive që me lëvizjen e tyre lindin ide? Nëse Marksi ka të drejtë, atëherë atij nuk i nevojitej ndonjë fushatë intelektuale dhe idealiste për të sjellë një revolucion komunist, sepse asgjë e kundërt në aspektin shkencor nuk mund të ndodhte.

Nëse komunizmi në vetvete do të ishte një ligj sikur ligji i evolucionit, edhe idetë më të fuqishme nuk do të kishin penguar përparimin e tij, edhe sikur të bashkoheshin për të bërë një gjë të tillë. Këtu është rasti i një kontradikte tjetër në Marks. Në dukje ai lyp përparësinë e materializmit dialektik mbi idenë, por për ta vënë atë në praktikë, mbështetet tërësisht në fuqinë e idesë.

Nëse vizioni i tij do të bazohej në parime të shëndosha shkencore, ai do të sillte transferimin e pashmangshëm të pushtetit ekonomik dhe politik nga duart e disave në duart e të shumtëve, pasi ky qe përfundim logjik i tij. Por rrethanat që krijuan Marksin dhe që krijuan Leninin, nuk kanë pashmangshmëri rreth tyre. Që Marksi të lindte me ato aftësi të duhura të kokës dhe të zemrës dhe të fitonte mbështetjen e një miku shumë intelektual, ndikues dhe të pasur, si Engelsi, nuk ishte një rezultat i natyrshëm i materializmit dialektik.

Sërish, dështimi i tij për të sjellë një revolucion të tillë në Gjermani, e cila sipas filozofisë së tij ishte një arenë ideale me të gjithë faktorët e pranishëm për të sjellë një revolucion të proletariatit, është provë e qartë që materializmi dialektik në vetvete nuk ishte i mjaftueshëm të ndryshonte fytyrën politike dhe ekonomike të botes.

Suksesi i Leninit nga ana tjetër, në një vend relativisht më pak të industrializuar se Gjermania, është edhe një provë tjetër për të mbështetur pohimin se revolucioni rus ishte thjesht rastësor dhe jo një pasojë e drejtpërdrejtë e marksizmit. Ishte fatkeqësi në historinë ruse që Lenini ishte i disponueshëm gjatë periudhës kritike kur reagimi ndaj sundimit despotik, egoist dhe të lig të Carit, i shoqëruar me zhgënjimin e humbjes në Luftën e Parë Botërore, krijoi momentin e favorshëm që Lenini të hidhej në skenë.

RUSIA gjithsesi ishte gati për revolucion. Në të vërtetë, Rusia ishte gati për çdo revolucion. Po të mos ishte revolucioni komunist, do të ishte ndonjë tjetër. Gjithçka që i duhej, ishte një drejtues i shkallës së Leninit. Ishte thjesht një aksident që Rusia e gjeti udhëheqësin revolucionar te Lenini, i cili qe një nxënës shkencor socialist i Marksit. Ai që dënon shfrytëzimin në termat më të ashpër, del si shfrytëzuesi më i keq i historisë ruse. Ishte Lenini ai që ndryshoi historinë e Rusisë dhe jo materializmi dialektik.

Përveç kontradiktave, Marksi gjithashtu mund të fajësohet për të paktën një gabim të rëndë — shkenca e tij e socializmit tërësisht injoron nga llogaritjet e saj faktorin e mendjes.

Mendja është burimi i ideve që ka identitetin e vet të veçantë, përveç atij të trurit. Truri është vendbanimi material i mendjes, por mendja që banon në këtë vendbanim, nuk është material. Nëse truri mund të krahasohet me një kompjuter, atëherë mendja mund të konceptohet si operatori i tij. Një ide e zgjuar lind kur mendja manipulon trurin kompjuterik. Edhe nëse dy tru materialë do të ishin njëqind për qind njësoj, nëse i operonin mendje të ndryshme, idetë që do të lindnin prej tyre nuk do të ishin njësoj.

I gjithë progresi shkencor, shoqëror, ekonomik dhe politik i njeriut po merr formë nën udhëheqjen e mendjes. Kombet e fuqishme të botës ushtrojnë autoritetin e tyre mbi kombet më të dobëta thjesht për shkak të fuqisë së tyre superiore të akumuluar nga mendja. Është po ky burim i mendjes që shfrytëzon shtresa borgjeze për t’u bërë kaq të frikshëm në komandën e tyre absolute të pushtetit. Megjithatë, doktrina e materializmit dialektik nuk e merr parasysh faktorin më të fuqishëm si mendja.

Ishte një gabim i Marksit që besoi se pasuria e grumbulluar në një sistem kapitalist është shuma totale e fuqisë së punëtorëve që shfrytëzojnë kapitalistët. Ai besoi se kjo energji e ruajtur vjen nga detyrimet e papaguara të punës së shfrytëzuar dhe nga interesi i shtuar nga kapitali i ndenjur, i depozituar në banka. Kështu që, sipas tij, mazhoranca e proletariatit është grabitur nga disa borgjezë. Por, vetëm puna në vetvete nuk mund të grumbullojë pasuri, pa u lidhur me fuqinë superiore të mendjes. Marksi këtë e injoroi lirisht. Shpikjet shkencore progresive të cilat revolucionarizuan raportin hyrje-dalje të punës kundrejt prodhimit, në të vërtetë janë produkt i mendjes.

Klasa punëtore në shumë vende të botës së tretë vazhdon të mundohet dhe të djersitet, por prodhimi i tyre nuk është asgjë në krahasim me fuqinë punëtore të vendeve industriale shumë të zhvilluara. Mjetet e avancuara dhe njësitë prodhuese të mekanizuara dhe teknologjia moderne, kur bashkohen me fuqinë punëtore, e bëjnë gjithë diferencën. Është ky potencial i lartë që arrihet me aftësinë e mendjes dhe që rrit produktivitetin. Përndryshe, fuqia punëtore është kudo e njëjtë, qoftë në Angli apo në Bangladesh, në Ishujt e Paqësorit ose në xhunglat e Afrikës. Pse atëherë një punë shpërblehet shumë më tepër sesa një punë e bërë diku tjetër? Pa dyshim, është mendja që luan një rol vendimtar në këtë shpërblim të pabarabartë. Këtu nuk duhet harruar se fuqia e mendjes është një faktor natyror që mund të luhet për të mirë ose për të keqe, në varësi të atij që e përdor atë.

Ashtu siç fuqia punëtore duke u bashkuar me mendjen, bëhet shumë më produktive, në të njëjtën mënyrë, edhe sistemi kapitalist, nëse drejtohet nga mendjet e larta, bëhet një forcë e pamposhtme. Kjo fuqi e kapitalizmit nuk rrjedh automatikisht nga akumulimi i pasurisë në pak duar. Akumulimi i pasurisë në më pak duar mund të bëhet i mundur vetëm nëse fuqia e mendjes po punon në anën e tij. Nëse fuqia e mendjes është e keqe, aty zë fill mafia. Edhe sikur e gjithë fuqia e proletariatit të ngrihet kundër kësaj mafie, nuk ka shans për ta mundur atë.

Kur lind një mafia e tillë, ajo vijon të shumëfishohet, duke përhapur fushën e tyre të veprimit mbi çdo territor të interesave të shoqërisë. Me kalimin e kohës, ato bëhen gjithnjë e më të fuqishme dhe arrijnë të komandojnë me urdhrat e tyre edhe të lartin, edhe të thjeshtin. Në financë, në tregti, në politikë, në biznes, në industrinë e argëtimit, në shëndetësi dhe në sëmundje, në industrinë e transportit që zgjerohet në mënyrë progresive, në kompjuterë dhe elektronikë, kudo, këto mafia lëshojnë hijet e tyre gjithnjë e më të errëta.

Prandaj, është fuqia e mendjes ajo që qeveris përfundimisht botën materiale, e mirë apo e keqe. Mekanizmi i materializmit dialektik nuk ka ndonjë rol mbizotërues në formimin e fatit të njeriut. Mjerisht, mendja që ka dalë për të kontrolluar punët e botës është e keqe — si pasojë e pashmangshme e mohimit të Zotit.

Kjo nuk është një veçori dalluese vetëm e marksizmit që mohon çdo rol të moralit në punët e shoqërisë njerëzore. Atë që komunistët e bëjnë hapur, kapitalistët e bëjnë me një hipokrizi mjeshtërore. Politika, tregtia dhe ekonomia e kapitalistëve nuk janë më pak të privuara nga morali. Rrjedhimisht, të dy janë partnerë të barabartë në këtë krim. Shansi që klasa proletare në shtetet komuniste të ngrihet kundër shtypësve të tyre është po aq pak sa turmat gëzojnë në botën kapitaliste.

Kur populli i dobët dhe i varfër tenton t’u pret rrugën drejtuesve të tyre, atëherë edhe mafia e krijuar nga fuqia e mendjeve të këqija në kapitalizëm nuk bëhet më pak e frikshme, sesa ato që veprojnë në botën komuniste. Është ky faktor, në të cilin duhet të përqendrohemi tani. Pse ndodh vallë, që të varfrit që përjetojnë një kohë të gjatë të një hierarkie komuniste, papritmas harrojnë të gjitha fatkeqësitë dhe vuajtjet e së kaluarës, dhe fillojnë të komandojnë fatin e popullit me zemra të gurta dhe me duar si hanxharë? A kanë ushqyer moral që mund t’i drejtonte ata? A kanë ruajtur ndërgjegjeje që të mund t’i qortonte ata? Kur morali ra që në sistem, nuk u ka mbetur ndonjë qortim i ndërgjegjes. Është ky mekanizëm i pashpirt i një sistemi të pamëshirshëm që vepron, i cili bëhet përgjegjës për dështimin përfundimtar të komunizmit.

Një ekzaminim i thellë dhe i kujdesshëm i të gjitha regjimeve absolute, do të na zbulonte një paradoks të çuditshëm që është pjesë e qenësishme e tyre. Nuk ka ndonjë ndryshim nëse ato janë ndërtuar mbi një filozofi totalitare të komunizmit a të fashizmit, apo të shfaqen si një pushtet diktatorial nga një despot kapitalist. Ato që të gjitha kanë një gjë të përbashkët: nuk mund t’i përmbahen moralit, sepse pa shtypje të pamëshirshme, ato nuk mund të mbijetojnë, kurse morali nuk mund të bashkëjetojë me mizori. Kështu që, ato lulëzojnë nga mungesa e moralit, megjithatë, pikërisht mungesa e të njëjtit moral sjell edhe rënien e tyre përfundimtare.

Vrazhdësia e pamëshirshme vetëm nuk e mbron dot një regjim totalitar ose despotik. Bashkë me këtë, për mbijetesën e një regjimi të tillë, është po kaq e nevojshme fuqia e mendjeve dinake, që dinë të bëjnë me mjeshtëri skema, komplote dhe konspiracione. Kjo është martesa djallëzore midis mendjeve të korruptuara dhe zemrave të pamëshirshme, që lind regjimet diktatoriale. Kjo i ndihmon të mbijetojnë për një kohë, por në fund gjithmonë i shkreton. Të njëjtët faktorë të konspiracionit dhe të varfërisë morale bëhen shkaku përfundimtar i rrëzimit të tyre. Në të vërtetë, në jetën e njerëzve, asgjë e mirë apo e keqe nuk ndodh si pasojë e një sistemi të pashmangshëm që lind mes tyre, por janë këta dy faktorë kryesorë që formojnë fatin e tyre: faktori i mendjes dhe faktori i moralit. Forca apo dobësia e tyre, virtyti ose vesi i tyre, vendosin fatin e çdo plani që krijon njeriu. Prandaj, Marksi ka gabuar në të dyja pjesët. Hiqni faktorët e mendjes dhe të moralit nga socializmi shkencor dhe ajo që mbetet nuk është as shkencore, as sociale. Proletariati, sado masiv mund të fryhen, nuk kanë aspak fuqi të ballafaqojnë me fuqinë e bashkuar të mendjeve të liga. Mjerë ajo epokë kur fuqia e mendjes së keqe shpërthen me egon e vet për të sunduar botën! Prandaj pak ndryshim do të bënte nëse bota do të sundohej nga mekanizmi i pamend dhe amoral i materializmit, apo nga mafia mendjeligë dhe imorale e kapitalizmit. Megjithatë, ekziston një ndryshim, një ndryshim i shumë i madh që ekspozon mospërputhjet dhe të metat thelbësore të marksizmit. Në kapitalizëm gjithmonë ekziston një masë lirie që gëzon çdo individ i shoqërisë. Është kjo liri që promovon kauzën përfundimtare të gjithë shoqërisë. Në komunizëm nuk ka liri. Një ankth i zymtë përhapet gjithnjë e më shumë dhe depërton në çdo fije të shoqërisë komuniste. Ai ndrydh të gjitha potencialet e individëve, përveç atyre që shteti është i detyruar t’i promovojë.

NJË TJETËR DIELEMË me të cilën përballet marksizmi është se morali nuk mund të përcaktohet në terma partizanë. Një shoqëri që është mësuar dhe trajnuar të hedhë poshtë të gjitha detyrimet morale kundrejt të tjerëve, nuk ka shumë të ngjarë të përmbushë detyrimet ndaj vetvetes. Një herë të jepet pas imoralitetit, gjithnjë do të jetë i dhënë pas imoralitetit, është modeli i përgjithshëm i sjelljes njerëzore. E njëjta gjë vlen edhe për sistemin që komandon komunizmin. Për shkak të mungesës së vlerave morale, pranë atyre që janë përgjegjës për të komanduar sistemin, fillon të forcohet lidhja e njerëzve të korruptuar. Sa më të korruptuar bëhen, aq më të ashpër dhe të pamëshirshëm u duhet të bëhen për të lënë në fuqi urdhrin e tyre.

Morali dhe amorali nuk mund të rrjedhin njëkohësisht në një drejtim të vetëm. Nuk është e mundur për hierarkinë komuniste, edhe sikur të duan, të trajtojnë me moral botën komuniste, për sa kohë që ata janë të trajnuar të trajtojnë botën jo-komuniste dhe interesat jo-komuniste me pa më të voglin detyrim moral. Ky faktor i vetëm ishte i mjaftueshëm dhe i fortë për të sjellë rrëzimin e diktaturës komuniste në planin afatgjatë.

‘Diktatura korrupton dhe diktatura absolute korrupton absolutisht’, kjo klishe popullore vlen në mënyrë të përsosur për komandën komuniste. Imorali nuk mund të mbijetojë pa iu drejtuar mizorisë, shtypjes dhe padrejtësisë së ashpër. Siç urrejtja krijon urrejtje, kështu edhe amorali sjell amoralitet. Kjo gjendje e mosrespektimit progresiv të vlerave morale në nivelin më të lartë të hierarkisë komuniste, sjell pashmangshmërisht një diktaturë amorale absolute. Diktatura amorale absolute nuk mund të mbetet e mbyllur për një kohë të gjatë brenda një rrethi të vogël selektiv të komandës së saj. Për mbijetesën e tyre në grup, është jetike që korrupsioni gjithashtu të mbizotërojë në të gjitha nivelet e ngjitura të vendimmarrjes. Kështu, rrethet e zymta të amoralitetit fillojnë të rriten e të zmadhohen, duke mbërthyer gjitha fushat.

Por, çështja e autoritetit absolut të një profeti të Zotit, është krejtësisht ndryshe nga ajo e autoriteteve tokësore. Autoriteti i profetit është i kufizuar nga një kod i rreptë fetar dhe moral, të cilin as ai nuk mund të shkelë, përndryshe e gjithë ndërtesa e autoritetit të tij do të shembet. Këtu duhet theksuar edhe fakti se kodi moral i ardhur përmes zbulesës Hyjnore, është gjithmonë i qëndrueshëm, dhe zotëron cilësinë të bëjë aderuesit e tij të qëndrueshëm në sjelljen e tyre. Prandaj, vetëm e vërteta që vjen përmes zbulesës, ka potencialin të shërojë njeriun nga sëmundjet e tij të brendshme. Asnjë kod i sjelljes i krijuar nga njeriu dhe i bazuar thjesht në arsyen tij, nuk mund ta bëjë dot këtë mrekulli, edhe nëse e ndihmon një imponim i pamëshirshëm. Dallimi kryesor mes diktatorëve sekularë dhe autoritetit absolut të një profeti, është se të parët janë plotësisht të lirë nga çdo detyrim ndaj ndonjë kodi legjislativ, kurse profetët drejtohen rreptësisht nga një Libër Hyjnor i mësimeve morale, mësime të cilat janë njësoj të zbatueshëm edhe për ndjekësit e tyre. Është ky ndryshim që i bën ata pole larg nga njëri-tjetri.

Një herë që vjen në pushtet një regjim komunist, nuk mund të bjerë kurrë nga revolta e proletariatit. Fuqia që ata ushtrojnë është totale dhe e pamëshirshme. Mëshira ose zhargoni i moralit nuk ka vend në fjalorin e marksizmit. Stalini ishte një shembull i përkryer i kodit amoral të sjelljes marksiste. Vrasjet masive të vetë proletariatit në altarin e marksizmit që u bënë gjatë regjimit absolut diktatorial të Stalinit, mund të rrëfehen me krenari vetëm nga pika e interesit të filozofisë komuniste.

Me keqardhje, gjenialiteti i Marksit nuk arriti të identifikojë dobësinë e qenësishme të materializmit dialektik të tij. Dora e komunizmit edhe sikur të ishte më e ashpër se furtuna e një shkretëtire, prapëseprapë nuk do të mund të rrafshonte dunat e shoqërisë njerëzore.

Çdo det i stuhishëm qetësohet kur elementet trazues të natyrës tërhiqen, duke lënë pas pamje të një stabiliteti dhe qetësie të plotë. Po kështu një shkretëtirë e madhe pa duna rëre krijon iluzionin e paqes dhe të qetësisë absolute. Koncepti i marksistëve për stabilitetin dhe paqen në shoqërinë njerëzore është shumë afër me skenarin e lartpërmendur. Por pak e kuptojnë marksistët se skena të tilla qetësie në natyrë, nuk paraqesin më shumë se një pamje të vdekjes. Aty ku ka një nivelim absolut, nuk ka bashkëveprim midis forcave të natyrës, por ajo që marksistët harrojnë është fakti që deti i qetë ose shkretëtira e sheshtë, e pajetë, nuk e ka lirinë e zgjedhjes që ka njeriu, që të gënjejë e të mashtrojë për të krijuar ulje-ngritje artificiale, kur nuk ka ulje-ngritje natyrale. Veç kësaj, është e pamundur për njeriun të paraqesë një sistem që mund të largojë çdo element lartësie dhe ultësie nga shoqëria njerëzore. Pikat e ujit mund të bëhen njësoj dhe grimcat e rërës gjithashtu mund të formësohen si kopje të përsosura të njëra-tjetrës, por njerëzit nuk bëhen të tillë.

Në filozofinë marksiste, janë grimcat njerëzore ato që e bëjnë utopinë komunist të stabilitetit. Nëse çdo qytetari të një shteti komunist t’i sigurojmë mundësi të barabarta ekonomike, secili të ushqehet me të njëjtën sasi buke, djathi dhe mishi; të gjithëve t’u vihet në dispozicion gjithçka që ata dëshirojnë, kërkojnë ose jetojnë për të, atëherë asnjë ves njerëzor i lidhur me lakminë nuk duhet të shfaqet kurrë. Në një shoqëri të tillë të barazuar ekonomikisht duket se nuk ka nevojë që dikush të grabitë, të vjedhë, të mashtrojë, madje edhe të përpiqet të grumbullojë pasuri, pasi ai nuk do të jetë në gjendje të blejë asgjë, përveç asaj që i furnizon shteti. Një shoqëri e tillë duhet të çlirohet përfundimisht nga çdolloj krimi, sepse lakmia, që është shkaktari më i madh i krimit, duket se është çrrënjosur.

Kur kjo gjendje e mundësive të barabarta garantohet, kur të gjithë kanë nevoja të barabarta, si dhe plotësimin e barabartë të tyre, me kusht që secili anëtar i shoqërisë të bëjë pjesën e vet të punës sipas kapacitetit, vetëm atëherë ëndrra komuniste për një stabilitet të përsosur mund të realizohet. Një shoqëri e tillë nuk do të ketë nevojë për asnjë lloj shteti të qeverisë punët e saj. Kjo, me pak fjalë, është utopia e materializmit të Marksit.

Megjithëse, trendët e fundit të zhvillimeve politike dhe ekonomike në botë, tashmë e kanë shpartalluar këtë mit materialist, por asnjë dekret i jashtëm nuk nevojitet për ta shkatërruar kopshtin e Edenit të Marksit. Refuzimi i moralit në vetvete është garanci e mjaftueshme për shkatërrimin përfundimtar të tij.

Ka edhe të meta të tjera thelbësore në filozofinë e regjimit të Marksit. Përveç faktit se ajo parashikon një kod moral që mund t’i udhëzojë anëtarët e tij të kryejnë përgjegjësitë e tyre me ndershmëri, mohimi i theksuar i Zotit dhe pohimi se nuk do të ketë jetë pas vdekjes për të dhënë llogari, u jep guximin funksionarëve të partisë për shthurje dhe egoizëm. Nëse tundimeve dhe ambicieve vetjake nuk iu vihet fre, njeriun e pushton egoizmi plotësisht. Ai ndihet i lirë të bëjë gjithçka që mundet për të ngopur lakminë e tij. Të korruptuarit gjithmonë formojnë bandën e tyre për të mbrojtur interesin e vet. Duke u bashkuar me të tjerët që kanë të njëjtin shpirt, ata gjithmonë arrijnë të gjejnë metoda për të shpëtuar nga ekspozimi dhe nga ndëshkimi i veprimeve të tyre. Ndoshta është kjo prirje egoiste e rrënjosur te njeriu që e bëri Marksin të pohojë se njeriu është një kafshë imorale. Por atëherë pak kuptoi ai, se e njëjta prirje e tij do të sillte përfundimisht edhe rrëzimin e perandorisë komuniste.

Refuzimi i moralit nuk është e vetmja pengesë në realizimin e ëndrrës së Marksit për një shoqëri pa shtet. Qasja e barabartë në mundësi nuk është e mjaftueshme për të arritur qëllimin e një shoqërie pa shtet, dhe as babëzitë nuk kufizohen vetëm në përmbushjen e kërkesave ekonomike. Çfarë do të bëhet me lakminë për kapjen e pushtetit në çdo sistem diktatorial? Sërish, çfarë garancie shkencore jep sistemi për të ndalur kalimin e xhelozive, të urrejtjes dhe të hakmarrjes në lidhje me kapjen e pushtetit? Filozofia shkencore e Marksit as nuk e prek këtë çështje.

Për të arritur këtë utopi, njeriu duhet të kalojë rreziqet e një shoqërie e cila nuk njeh moral dhe mëshirë. Shumë kohë përpara se të arrihet faza e një niveli perfekt të shoqërisë në aspektin ekonomik dhe politik, mungesa e moralit te njeriu do ta shembë gjithë ndërtesën e vizionit komunist të jetës.

Në dritën e kësaj, kur rishqyrtojmë problemet që çuan në rrëzimin e perandorisë komuniste, nuk gabojmë dot në identifikimin e rënies morale të funksionarëve të tij si një prej faktorëve kryesorë. Ishte korrupsioni i botës komuniste ai që kryesisht duhet fajësuar për rrëzimin e perandorisë komuniste të BRSS-së. Kështu që, dështimi i këtij sistemit u shkrua që në gjenezën komuniste, kur morali ishte hequr prej saj.

Nga njëra anë është e vërteta që erdhi përmes zbulesës Hyjnore dhe, nga ana tjetër, e ashtuquajtura e vërtetë që arrihet tërësisht nëpërmjet agjencisë së arsyes njerëzore. Meritat e të dyja filozofive nuk janë shumë të vështira për t’u ekzaminuar. Shpallja Hyjnore vazhdimisht deklaron se drejtësia dhe ndershmëria në çështjet njerëzore nuk mund të vendosen pa qenë ato absolute në karakterin e tyre. Prishja morale dhe një kod etik i bazuar në drejtësi absolute nuk mund të shkojnë paralelisht. E vërteta absolute është thelbi i gjithë moralit, dhe morali absolut është thelbi i gjithë së vërtetës. Prandaj, pa vendosjen e vlerave absolute te njeriu, asnjë ëndërr për një parajsë mbi tokë nuk mund të parashikohet. Ky ka qenë gjithmonë zëri universal i të gjitha epokave.

Marksi u ngrit për ta kundërshtuar këtë filozofi të bazuar në zbulesën Hyjnore që nga lashtësia. Ai e hodhi poshtë atë dhe bëri deklaratën e kundërt, që njeriu nuk ka nevojë për udhëzime Hyjnore, dhe se nuk ekziston as ndonjë Zot. Prandaj, sipas tij, është vetë njeriu që duhet të hapë rrugën e vet drejt realizimit përfundimtar të ëndrrës së tij të parajsës mbi tokë. Pra, ai hapi një shteg të udhëhequr tërësisht nga intelekti i tij, plotësisht jashtë udhëzimeve Hyjnore.

Duke parë vizionin Marksist të një shoqërie pa shtet, del në pah një tjetër e metë themelore, të cilën kemi prekur shkurtimisht edhe më herët. U supozua pa bazë se nëse shoqëria do të ishte ekonomikisht e barabartë, shkaku kryesor i krimit do të çrrënjosej; si rrjedhojë, nuk do të nevojitej forca e shtetit për të luftuar krimin. Por lakmia e njeriut nuk është e kufizuar vetëm në fushën e veprimtarisë ekonomike. Edhe nëse objektivat e marksizmit arrihen plotësisht, ka shumë gjëra të tjera ku arrin lakmia e njeriut dhe nuk arrin dot syri marksistit.

Psikika njerëzore lind aq shumë dëshira dhe ambicie, saqë pa i marrë parasysh ato, çdo zgjidhje e propozuar për problemet e shoqërisë, do të ishte e papërshtatshme. Pabarazitë te njeriu nuk janë vetëm ekonomike, madje, ato mund të lidhen me aftësitë e tij fizike ose mendore, si dhe me aftësi të tjera të kokës dhe të zemrës. Dëshira e tij e brendshme për të sunduar, për të pushtuar, për të qeverisur, për të dominuar, për të dashur dhe për t’u dashur, janë vetëm disa fusha që sigurojnë një tokë pjellore për farën e lakmisë që të hedhë rrënjë.

Bukuria është diçka që nuk mund të ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë burrat dhe gratë, dhe as aftësia fizike dhe shëndeti nuk mund të kenë të gjithë njësoj. Aftësitë e dëgjimit dhe të shikimit, të shijes dhe të prekjes; të pëlqimet dhe të mospëlqimet, të kërkuarit dhe të moskërkuarit, madje edhe prirjet artistike, shija për muzikën dhe pasioni për artin, ose letërsinë dhe mungesa e interesit ndaj librave, janë vetëm disa shembuj të varianteve që natyra ka prodhuar vetë gjatë një kursi të gjatë evolucioni. Asnjë ithtar i socializmit shkencor nuk mund të heqë dorë prej tyre. Ato duhen pranuar si një realitet i pashmangshëm. Problemi është se pikërisht ky diversitet bëhet edhe shkaku kryesor i gjithë korrupsionit në shoqërinë njerëzore. Të gjitha sëmundjet sociale lindin për shkak të tij. E vetmja zgjidhje e vlefshme për të disiplinuar prirje të tilla gjendet në kodet morale që vijnë nga zbulesa Hyjnore, kode të cilat nuk mund të funksionojnë pa besimin në Zot. Largoni Zotin dhe të vërtetën që vjen nga zbulesa Hyjnore, nuk do të ketë më paqe në punët njerëzore.

Ky krahasim i thelluar midis filozofisë së pa Zot të Marksizmit dhe besimit në të vërtetën që vjen përmes zbulesës Hyjnore, shërben për të sqaruar temën në fjalë. Nga njëra anë ekziston vetëm arsyeja e njeriut, e pandihmuar nga udhëzimi Hyjnor, duke u përpjekur të zgjidhë vetë të gjitha problemet e shoqërisë njerëzore. Nga ana tjetër, ekziston e vërteta që vjen përmes zbulesës Hyjnore, e cila thekson përpjekjen e vazhdueshme kundër amoralitetit dhe për të arritur moralin absolut.

Një analizë kritike e të parës çon në përfundimin e vetëm logjik: arsyeja e vetëm është tërësisht e pamjaftueshme për të udhëhequr hapat njerëzorë drejt paqes dhe qetësisë. Studim i historisë fetare zbulon se paqja dhe qetësia janë arritur vetëm kur profetët Hyjnorë luftuan beteja heroike kundër amoralitetit te njeriu. Vetëm pas një mundimi, djerse dhe gjaku të tyre, arritën të krijoheshin ishujt e një shoqërie njerëzore gati paqësore, mes oqeanit të egër të krimit dhe mëkatit. Pa dyshim që dallgët e tundimeve sërish i gllabëruan, por edhe kështu, niveli i moralit njerëzor u ngrit çdoherë, një ose dy shkallë. Po të mos ndodhte kjo, dhe po të mos lindnin lëvizjet Hyjnore për ripërtëritjen e moralit të njeriut, shoqëria do të ishte njëqind herë më e keqe sesa është sot. Prandaj, në domosdoshmërinë e shpalljes dhe të vërtetës që vjen përmes zbulesës Hyjnore, nuk ka asnjë dyshim.


[i] SARTRE, J. (1975) Existentialism and Humanism. Eyre Methuen Ltd., London, f. 34.
[ii] LENIN, V, I. (1963) Collected Works. Vëll. 38, Philosophical Notebooks. Foreign Languages Publishing House, Moscow, f. 201.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp