
Le t’i rikthehem temës së mëparshme. Kam përmendur që tri janë burimet e gjendjeve të njeriut: shpirti që urdhëron për të keqen, shpirti qortues dhe shpirti i qetësuar; gjithashtu edhe stadet e reformimit janë tri:
Së pari, njerëzve të egër e të pasjellshëm duhet t’u mësojmë sjelljet më elementare, në mënyrë që ata, në të ngrënët, të pirët, të martuarit e në sjelljet e tjera, t’i përshtaten mënyrës njerëzore. Pra, të mos ecin zhveshur, të mos ushqehen me kërma si qentë e të mos shfaqin ndonjë gjest tjetër të tillë të pasjellshëm. Ky është reformimi në shkallën më të ulët i gjendjeve instinktive dhe është një reformim i tillë që, nëse do të merrnim dikë nga të pacivilizuarit që gjenden në pyjet e Port Blairit e t’i mësonim sjelljet njerëzore, atëherë më së pari, atë do ta edukonim pikërisht me këto sjellje elementare shoqërore.
Stadi i dytë i reformimit fillon atëherë kur njeriu pajiset me sjelljet elementare shoqërore. Më pas atij duhet t’i mësojmë moralet e tjera njerëzore e ta edukojmë që ai, çdo gjë që ka në aftësinë e tij, ta përdorë në kohën e në vendin e duhur.
Në stadin e tretë të reformimit, atyre që kanë përvetësuar moralet e larta, por që ende janë të thatë shpirtërisht, u jepet ta shijojnë sherbetin e dashurisë së Zotit dhe të takimit me Të. Këto janë tri reformime që Kurani Famëlartë ka përmendur.