Duhet ditur që këtu shpallje nuk do të thotë ndonjë inspirim që i vjen në zemër njeriut ose ndonjë fjalë që i vjen në mendje gjatë të menduarit për një çështje të caktuar. Si për shembull, kur një poet përpiqet të thurë vargje, ose shkruan një strofë dhe mendon për strofën tjetër, ajo i vjen në zemër. Ky frymëzim në zemër nuk është shpallje, por është rrjedhojë e mendimit që vjen sipas ligjit të natyrës që ka caktuar Zoti.
Çdokush që mendon për gjëra të mira ose për gjëra të këqija, i hyn në zemër diçka në varësi të kërkimit të tij. Nëse një njeri i drejtë që punon për një kauzë të drejtë dhe një tjetër i lig, keqbërës, që punon për të përhapur gënjeshtrën, shkruajnë për të mbështetur secili kauzat e tyre, që të dy do të arrijnë të shkruajnë diçka. Madje, nuk duhet të çuditemi nëse i ligu përmes mjeshtërisë së vet arrin ta mbështesë gënjeshtrën në vargjet e tij edhe më fort sesa i drejti. Kështu që, nëse i themi shpallje asaj që lind në zemër, do të na duhet të quajmë marrës të shpalljes prej Zotit edhe një keqbërës që lufton me penën e tij kundër së vërtetës.
Ka plot në botë që shkruajnë romane me një stil që të magjeps dhe me një temë që të zbret rrjedhshëm në zemër, por që mund të jenë thjesht trillime dhe tërësisht të pavërteta. A mund t’i quajmë edhe ato si shpallje?! Madje, nëse shpallja është vetëm diçka që lind në zemër, nganjëherë edhe një vjedhës do të cilësohej si marrës i shpalljes, sepse sajon plane nga më dredharaket për të vjedhur e për të vrarë njerëz të pafajshëm. Të gjitha këto prapësi, vallë, a mund t’i quanim si shpallje?! Kurrsesi jo. Diçka të tillë e quajnë shpallje vetëm ata që deri më tani nuk e kanë njohur aspak Zotin e Vërtetë, i cili me komunikimin e Tij të veçantë qetëson zemrat dhe u jep të paditurve dijet Hyjnore.
Çfarë është shpallja? Është komunikim dhe bisedë e gjallë dhe e fuqishme e Zotit të Shenjtë dhe të Plotfuqishëm me një rob të Tij të zgjedhur ose me atë, të cilin Ai dëshiron ta zgjedhë. Kur kjo bisedë dhe ky komunikim zhvillohet me një vijimësi të qartë, ku të mos ketë asnjë përzierje të errët të mendimeve të këqija dhe as fjalë të pamjaftueshme e të pakuptimta, por të jetë një bisedë e kënaqshme, plot urtësi dhe plot madhështi, atëherë ky është komunikim i Zotit, me të cilin Zoti dëshiron t’i sigurojë qetësi robit të Tij dhe të manifestohet përpara tij.
Po, mundet që nganjëherë një komunikim të bëhet vetëm si sprovë dhe të mos jetë i shoqëruar me gjithë sasinë dhe bekimin e duhur. Në këtë rast, robi i Zotit sprovohet në gjendjen e tij fillestare, në mënyrë që duke shijuar një sasi të vogël të këtij komunikimi, ai mund ta kthejë jetën e tij me fjalë e me vepra në jetën e njerëzve të vërtetë që patën komunikim me Zotin, ose të rrëshqasë e të rrëzohet. Nëse ai nuk e ndjek rrugën e vërtetë siç e ndjekin njerëzit e vërtetë të Zotit, privohet nga përsosmëria e këtij bekimi dhe më në fund, i mbeten në dorë vetëm ca fjalë të kota e të pakuptimta. Miliona njerëz patën komunikim me Zotin përmes shpalljes, por pranë Zotit ata nuk janë të gjithë në të njëjtën gradë. Madje edhe Profetët e shenjtë të Zotit, të cilët janë përfitues të shpalljes së pastër të Tij në nivelin e përsosur, nuk janë të barabartë në grada. Zoti i Madhërishëm thotë:
تِلۡکَ الرُّسُلُ فَضَّلۡنَا بَعۡضَہُمۡ عَلٰی بَعۡضٍ 1
Disa profetë kanë epërsi (fadl) mbi disa të tjerë. Ky ajet tregon që shpallja është vetëm bekim (fadl) i Zotit dhe nuk është tregues i epërsisë. Madje, epërsia prej Zotit është për shkak të vërtetësisë, sinqeritetit dhe besnikërisë së robit që ia di vetëm Zoti. Po, nëse shpallja përmban të gjitha kushtet e saj të bekuara, mund të jetë edhe një nga frytet e këtyre epërsive. Nuk ka dyshim se nëse shpallja merr formën e pyetjeve dhe përgjigjeve në mënyrë të renditur midis Zotit dhe robit të Tij, dhe fjalët karakterizohen me madhështinë dhe dritën Hyjnore dhe përbëhen nga dijet për të padukshmen dhe nga kuptimet e larta shpirtërore, atëherë kjo është shpallja e Zotit. Që të quhet shpallje e Zotit, është e nevojshme të zhvillohet një bisedë, siç bisedojnë dy miq me njëri-tjetrin, pra të realizohet në mënyrë konkrete biseda mes Zotit dhe robit të Tij. Kur robi t’i bëjë pyetje për ndonjë çështje, ai të marrë përgjigjen prej Zotit në formën e një fjalie të ëmbël dhe të përsosur edhe gjuhësisht, një përgjigje që nuk ka asnjë përzierje të nefsit apo të mendimeve të robit, një bisedë që përfundimisht bëhet dhuratë për robin, atëherë kjo është shpallja e Zotit. Dhe robi që merr një shpallje të tillë, është i nderuar pranë Tij. Por kjo pozitë e lartë që shpallja t’i vijë si dhuratë në një formë kaq të gjallë, kaq të pastër dhe kaq të vijueshme prej Zotit, nuk i jepet askujt, përveç atyre që janë të përparuar në besim, sinqeritet dhe vepra të mira dhe në diçka tjetër që ne nuk mund ta përshkruajmë dot.
Shpallja e vërtetë dhe e shenjtë tregon mrekulli të mëdha të Zotit. Shpesh shfaqet një dritë tejet e qartë, e shoqëruar me një shpallje të fuqishme dhe të ndritur. A ka gjë më të madhe sesa kjo që robi bisedon me Atë që është Krijuesi i tokës dhe i qiejve. Takimi me Zotin në këtë botë është pikërisht biseda me Të. Ne nuk flasim për gjendjen e njeriut kur atij i rrjedh në gjuhë ndonjë fjalë a fjali ose strofë e pavend dhe nuk është e shoqëruar me një bisedë a komunikim, madje një njeri i tillë është nën sprovë, sepse Zoti edhe në këtë mënyrë sprovon robërit e ngathët e të pavëmendshëm. Pra, një fjali ose një rresht i mbin njeriut në zemër a në gjuhë, dhe ai verbohet, nuk di se nga i kanë ardhur këto fjalë, nga Zoti apo nga djalli. Njeriu i tillë është i obliguar t’i kërkojë falje Zotit për shkak të kësisoj fjalësh.
Por nëse një i dëlirë dhe rob i virtytshëm të ketë përjetuar një bisedë të rrjedhshme dhe të ketë dëgjuar fjalët Hyjnore të qarta, të këndshme, kuptimplote, urtiplote dhe fuqiplote dhe disa herë t’i ketë ndodhur që mes atij dhe Zotit, në gjendje krejt zgjimi, dhjetë herë të jenë bërë pyetje e përgjigje, pra ai të ketë pyetur dhe Zoti t’i jetë përgjigjur, sërish në zgjim të plotë, ai t’i ketë parashtruar ndonjë kërkesë dhe Zoti t’i jetë përgjigjur edhe për atë kërkesë, ai sërish t’i ketë bërë një lutje të përulur, dhe Zoti t’i jetë përgjigjur edhe për të, kështu dhjetë herë të jenë zhvilluar pyetje përgjigje mes Zotit dhe atij, dhe gjatë kësaj bisede Zoti t’i ketë pranuar disa herë lutjet e tij të ndryshme, ta ketë njoftuar atë për njohuri të shumta e të larta shpirtërore, ta ketë njoftuar për ndodhitë e së ardhmes, atëherë një njeri i tillë duhet ta falënderojë shumë Zotin e Madhërishëm dhe duhet të flijohet në rrugën e Tij më shumë se kushdo tjetër, sepse vetëm në saje të bujarisë së Tij, Zoti atë e ka zgjedhur ndër të gjithë robërit e Tij, duke e bërë trashëgimtar të të vërtetëve që kaluan para tij. Ky bekim është jashtëzakonisht i rrallë, dhe është shumë me fat ai, të cilit i dhurohet ky bekim. Duke e pasur këtë, gjithçka tjetër është e pavlerë për të.
Një veçanti e Islamit
Njerëzit e kësaj shkalle dhe të kësaj pozite, në Islam kanë qenë gjithmonë. Është vetëm Islami në të cilin Zoti i afrohet robit, bisedon me të, flet duke qenë brenda tij, ia merr zemrën për Fronin e Vet dhe nga atje e tërheq atë drejt qiellit dhe i jep të gjitha ato bekime që u ka dhënë të parëve. Mjerisht bota e verbër nuk di që deri ku mund të arrijë njeriu, duke iu afruar Zotit pak nga pak. Ata vetë nuk e hedhin hapin, dhe ai që e hedh, ose e quajnë qafir, ose e bëjnë zot, duke e sjellë në vendin e të Madhit Zot. Të dyja janë padrejtësi të dy ekstremeve të ndryshme.
I mençuri nuk duhet të jetë kurajëpaktë, nuk duhet të mohojë se dikujt mund t’i jepet edhe një pozitë dhe gradë e tillë, nuk duhet të denigrojë një njeri të tillë dhe as nuk duhet ta hyjnizojë atë. Robi që e arrin këtë pozitë, Zoti i Madhërishëm shfaq lidhje të tilla me të, saqë duket sikur e ka mbuluar me mantelin e Zotësisë së Tij. Një njeri i tillë bëhet pasqyrë ku mund të shihet Zoti. Ky është sekreti që tha Profeti ynë s.a.v.s.: Ai që më pa mua, e ka parë Zotin. Pra, ky është mësimi i fundit për robërit, dhe këtu mbarojnë të gjitha progreset shpirtërore, ku robit i jepet e gjithë kënaqësia.
[1] “Këta janë të dërguarit që u kemi dhënë epërsi, disave mbi disa të tjerë.” (El-Bekare 2:254).