
Një tjetër veti ndër instinktet e njeriut është vërtetësia. Njeriu nuk do që të gënjejë derisa nuk nxitet nga ndonjë interes vetjak, madje ndien një lloj urrejtjeje ose distancimi nga gënjeshtra. Për këtë arsye ai tregon pakënaqësi e përbuzje ndaj atij që provohet si gënjeshtar. Por vetëm kjo gjendje instinktive e tij nuk mund të vlerësohet si moral, sepse edhe fëmijët dhe të pamendët mund ta zotërojnë këtë aftësi. Andaj, e vërteta është që derisa njeriu nuk largohet nga ato interesa vetjake, të cilat e pengojnë të thotë të vërtetën, ai nuk mund të quhet i vërtetë.
Çfarë ka më shumë njeriu nga njerëzit e pamend dhe fëmijët nëse thotë të vërtetën vetëm në çështjet ku nuk pëson ndonjë dëm, por kur sheh humbjen e nderit, të pasurisë a të jetës së tij, përdor gënjeshtra dhe hesht të thotë të vërtetën?! “Të vërteta” të tilla a nuk i thonë edhe të pamendët dhe fëmijët?! Mbase nuk ka njeri në botë që thotë gënjeshtër kot, pa pasur ndonjë motiv. Pra, e vërteta që lihet mënjanë para ndonjë humbjeje, kurrsesi nuk mund të vlerësohet si moral. Momenti më i duhur për njeriun për të thënë të vërtetën është pikërisht ai kur i rrezikohet jeta, pasuria ose nderi. Lidhur me këtë, Zoti na mëson:
فَاجۡتَنِبُوا الرِّجۡسَ مِنَ الۡاَوۡثَانِ وَ اجۡتَنِبُوۡا قَوۡلَ الزُّوۡرِ 1
وَ لَا یَاۡبَ الشُّہَدَآءُ اِذَا مَا دُعُوۡا 2
وَ لَا تَکۡتُمُوا الشَّہَادَۃَ ؕ وَ مَنۡ یَّکۡتُمۡہَا فَاِنَّہٗۤ اٰثِمٌ قَلۡبُہٗ 3
وَ اِذَا قُلۡتُمۡ فَاعۡدِلُوۡا وَ لَوۡ کَانَ ذَا قُرۡبٰی 4
کُوۡنُوۡا قَوّٰمِیۡنَ بِالۡقِسۡطِ شُہَدَآءَ لِلّٰہِ وَ لَوۡ عَلٰۤی اَنۡفُسِکُمۡ اَوِ الۡوَالِدَیۡنِ وَ الۡاَقۡرَبِیۡنَ 5
وَ لَا یَجۡرِمَنَّکُمۡ شَنَاٰنُ قَوۡمٍ عَلٰۤی اَلَّا تَعۡدِلُوۡا 6
وَ الصّٰدِقِیۡنَ وَ الصّٰدِقٰتِ 7
وَ تَوَاصَوۡا بِالۡحَقِّ ۬ۙ وَ تَوَاصَوۡا بِالصَّبۡرِ 8
وَ الَّذِیۡنَ لَا یَشۡہَدُوۡنَ الزُّوۡرَ 9
Kuptime:
Ruhuni nga idhujtaria dhe gënjeshtra. Pra, edhe gënjeshtra është një idhull dhe ai që mbështetet tek ajo, heq dorë nga mbështetja te Zoti. Andaj, me gënjeshtra, njeriu duhet t’i lajë duart nga Zoti. Më pas tha: Kur të thirreni për të dhënë dëshmi të vërtetë, mos refuzoni të shkoni dhe mos fshihni dëshminë e vërtetë. Ai që e fsheh atë, e ka zemrën mëkatare. Kur flisni, flisni vetëm ato gjëra që janë plotësisht të vërteta e të drejta, edhe pse juve ju duhet të dëshmoni kundër ndonjë të afërmi tuaj.
Përmbajuni vërtetësisë dhe drejtësisë. Duhet që çdo dëshmi juaja të jetë për Zotin. Mos gënjeni edhe sikur me të vërtetën juve t’ju rrezikohet jeta ose të pësojnë humbje prindërit, fëmijët apo të afërmit e tjerë. Nuk duhet që armiqësia ndaj ndonjë populli t’ju pengojë nga dëshmimi i së vërtetës. Burrat dhe gratë që u përmbahen së vërtetës do të gëzojnë shpërblime të mëdha. Vetia e tyre është që edhe të tjerët i këshillojnë për të thënë të vërtetën. Ata nuk bëjnë shoqëri me gënjeshtarët.
[1] “ruhuni nga ndyrësia e idhujve dhe ruhuni nga gënjeshtra”. (El-Haxh 22:31)
[2] “Dëshmitarët nuk duhet të refuzojnë, kur të thirren.” (El-Bekare 2:283)
[3] “Mos e fshihni dëshminë. Ai që e fsheh, e ka zemrën mëkatare.” (El-Bekare 2:284)
[4] “… kur flisni, flisni me drejtësi edhe sikur tjetri të jetë ndonjë i afërm (juaji)”. (El-En’am 6:153)
[5] “Si dëshmitarë për hir të Allahut, bëhuni të qëndrueshëm në vendosjen e drejtësisë, edhe sikur ju duhet të dëshmoni kundër vetes suaj, kundër prindërve apo të afërmve.” (En-Nisa 4:136)
[6] “Nuk duhet t’ju nxisë armiqësia e ndonjë populli, që ju të mos bëni drejtësi.” (El-Maidah 5:9)
[7] “… burrat e sinqertë dhe gratë e sinqerta…” (El-Ahzab 33:36)
[8] “… i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-‘Asr 103:4)
[9] “Dhe ata që nuk japin dëshmi të rreme”. (El-Furkan 25:73)