Durim dhe lutje përballë persekutimit të ahmedianëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Durim dhe lutje përballë persekutimit të ahmedianëve

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura)
(Për huten e plotë, ju lutemi, ndiqni videon)

Kundërshtimi ndaj Xhematit Ahmedia dhe mizoritë që u bëjnë kundërshtarët ahmedianëve, nuk janë gjëra të reja. As kundërshtimi ndaj xhemateve të profetëve nuk është diçka e re. Të gjithë djajtë bashkohen dhe e bëjnë këtë kundërshtim. Ulematë dhe krerët i tregojnë masës së njerëzve lloj-lloj gjërash të çuditshme kundër profetëve dhe besimtarëve të tyre dhe i nxitin të veprojnë kundër tyre. Përpiqen të ndezin zjarrin e urrejtjes. Allahu i Madhërishëm e ka thënë shumë qartë në Kuranin Famëlartë që çdo i dërguar përballet me kundërshtime. Nuk ka profet që nuk u kundërshtua. Gjithashtu, njerëzit i përqeshin profetët dhe, duke u bërë djaj, tentojnë të krijojnë pengesa në rrugën e tyre. Pra, kjo nuk është diçka e re, që po përballet Xhemati Ahmedia. Duke treguar këtë, në një ajet të Kuranit, Zoti i Madhërishëm thotë:

وَكَذَٰلِكَ جَعَلْنَا لِكُلِّ نَبِيٍّ عَدُوًّا شَيَاطِينَ الْإِنسِ وَالْجِنِّ يُوحِي بَعْضُهُمْ إِلَىٰ بَعْضٍ زُخْرُفَ الْقَوْلِ غُرُورًا

Dhe kështu, për çdo profet i kemi bërë armiq djajtë prej njerëzve dhe xhindëve. Ata i shpallin njëri-tjetrit fjalë të bukura me mashtrim. (Kurani Famëlartë 6:113)

Do të thotë, ata shtinë mendime mashtruese në zemrat e njerëzve.

Kjo fjalë e Zotit është e vërtetë edhe sot e kësaj dite. Ulematë rebelë mashtrojnë njerëzit në emër të besimit dhe i nxisin kundër xhematit të Zotit. Në disa vende, atyre iu bashkuan edhe liderë të ndryshëm. Pra, sajojnë fjalë kaq të padenja ndaj Hazret Mesihut të Premtuar a.s. dhe xhematit të tij, që janë tërësisht të pavërteta dhe që nuk kanë asnjë lidhje me ne.

Gjithashtu, edhe kundërshtime të tjera që bëjnë këta njerëz kundër xhematit ose kundër Hazret Mesihut të Premtuar a.s., edhe ato janë përmendur në Kuran, duke thënë se kështu janë trajtuar profetët nga njerëzit. Bota trillon gënjeshtra ndaj profetëve dhe i përqesh. Andaj, këto kundërshtime dhe këto vështirësi forcojnë akoma më shumë një ahmedian të sinqertë, që është i vendosur në besimin e tij.

Megjithatë, ka edhe të tillë, që thonë që mizoritë kundër ahmedianëve i kaluan të gjithë kufijtë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Ata thonë: Sa shumë vallë do t’i durojmë vështirësitë?! Të tillët, qoftë një, dy a disa, përpiqen të helmojnë të rinjtë tanë duke u thënë: ne duhet të përdorim mjetet e kësaj bote për të marrë të drejtat tona dhe për të fituar lirinë tonë. Këto janë fjalë prej injorance dhe janë mendime krejtësisht të gabuara. Këta njerëz ose janë rrëmbyer nga ndjenjat dhe e kanë harruar se cili është mësimi ynë bazë; çfarë na kërkon Hazret Mesihu i Premtuar a.s.; çfarë këshilloi ai xhematin e tij për t’i duruar këto vështirësi. Ose ata hiqen si dashamirës të xhematit dhe tentojnë të krijojnë përçarje brenda tij. Sepse, siç përparon xhemati, në të njëjtën mënyrë, edhe kundërshtarët përdorin mjete të reja të ndryshme për ta penguar atë. Pra, mundet që edhe ky është një mjet i tyre.

Allahu i Madhërishëm i ka premtuar Hazret Mesihut të Premtuar a.s. fitoren, ndihmën dhe përparimin e xhematit, por jo duke i thënë që t’i përgjigjej forcës fizike me të njëjtën monedhë, por me dashuri dhe lutje. Këtë na e ka treguar vazhdimisht Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Përparimi i xhematit dhe shkatërrimi i armikut do të bëhet përmes lutjeve, inshaAllah. Andaj, përkuluni para Allahut të Madhërishëm, duke bërë jetën tuaj në përputhje me mësimet e Allahut të Madhërishëm dhe duke krijuar takva në veten tuaj.

Mesihu i Premtuar do të vinte si mbret i paqes dhe kështu ka ardhur ai. Ai që ditën e parë u kishte thënë besimtarëve të tij: Rruga ime nuk është e lehtë, madje është plot me vështirësi të mëdha dhe këtu do t’ju duhet të mbysni ndjenjat e të duroni humbjen e jetës dhe të pasurisë.

Me bekimin e Zotit të Madhërishëm, anëtarët e xhematit po vijojnë të japin çdo sakrificë në këtë rrugë. Siç ju kam thënë edhe në hutbe të kaluara që, ahmedianët më shkruajnë se ata nuk tremben nga sulmet e armikut, përkundrazi, forcohen në besim më shumë se përpara. Megjithatë, edhe sikur një ose dy veta thonë diçka që është kundër mësimit të xhematit, sidomos në këtë kohë duke përdorur WhatsApp, Twitter, Facebook ose ndonjë metodë tjetër, ata tentojnë të krijojnë përçarje në xhemat dhe në këtë mënyrë, i japin armikut mundësi që të na sulmojë edhe më shumë.

Kështu që, mësimi që ne kemi zbatuar është që mizorisë dhe dhunës së armikut nuk duhet t’i përgjigjemi me mizori e dhunë. Ne as nuk duhet të shfaqim ndenja të tilla, e as nuk duhet të përballemi me shtetet nëpërmjet armëve. Përballja jonë është nëpërmjet armës së lutjes. Siç ju thashë që kështu na ka mësuar Hazret Mesihu i Premtuar a.s. që, nëse doni të keni ndihmën dhe dashurinë e Zotit të Madhërishëm, sulmeve dhe shtrëngimeve të armikut nuk duhet t’u përgjigjeni në të njëjtën mënyrë, por me dhurim dhe lutje. Vetëm atëherë mund të shohim suksese. Në një poezi në gjuhën perse, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

عزیزاں بے خلوص و صدق نہ کشایند راہ راست
مصفی قطرہ اے باید کہ تا گوہر شود پیدا

O të dashur! Nuk e gjeni dot gradën, pa treguar sinqeritetin dhe besnikërinë
Bëhuni si pikë e pastër e ujit, sepse pikërisht përmes saj krijohen perla

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

O miqtë e mi! Ju që keni hyrë në xhematin tim duke bërë bejt! Zoti më dhëntë mua dhe ju mundësinë për të bërë ato vepra, me të cilat Ai kënaqet! Sot jeni pak dhe jeni trajtuar me përbuzje. Po kaloni nga koha e një sprove, sipas praktikës së Allahut që vjen që nga fillimi. Do të bëhen përpjekje nga çdo anë, do t’ju shkaktojnë shqetësime me çdo mënyrë, do të detyroheni të dëgjoni gjithfarë fjalësh dhe çdokush që do t’ju shqetësojë përmes gjuhës ose përmes dorës, do të kujtojë se po e ndihmon Islamin.

Shumica e kundërshtarëve nga njerëzit e thjeshtë, na kundërshtojnë për shkak të mos dijes. Në mendjet e tyre hoxhallarët kanë futur që nëse e kundërshtojnë ahmediatin, do t’i bëjnë një shërbim të madh Islamit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Gjithashtu, juve do t’ju vijnë disa sprova edhe qiellore, në mënyrë që të sprovoheni në çdo mënyrë. Andaj, dëgjojeni që tash, që rruga e fitores dhe e triumfit tuaj nuk është që ju të përdorni logjikën e thatë ose të përqeshni kundër përqeshjes, ose të shani kundër sharjes, sepse, po ta ndiqni këtë rrugë, do t’ju ngurtësohen zemrat dhe ju do të keni vetëm fjalë dhe vetëm fjalë, të cilat Zoti i Madhërishëm nuk i pëlqen dhe i urren. Andaj, mos veproni në atë mënyrë që ju të merrni dy mallkime: një të njerëzve dhe një tjetër atë të Zotit.

Pra, mbi këtë mësim ne do të veprojmë dhe këtë udhëzim do ta ndjekim, që na dha Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Ne as nuk do t’i përgjigjemi sharjes me sharje dhe trazirës me trazirë dhe as nuk do të marrim ligjin në dorë. Përveç kësaj, në Pakistan dhe në vendet e tjera islamike, edhe sikur të mbroni veten me mjete të ligjshme, shpesh kemi parë që ligji në vend që të na mbështesë ne, i mbështet mizorët. Ahmedianët që u është bërë mizori dhe që janë të burgosur, për ta gjykatat nuk pranojnë as shpërblesën e tyre, sepse gjyqtarët nuk mund të flasin kundër hoxhës. Hoxha që qëndron jashtë gjykatës, i dërgon mesazh gjyqtarit: Po e pranove shpërblesën, do të shohësh se çfarë do të ndodhë me ty. Kështu, shumica e gjyqtarëve nga frika e shtyjnë gjyqin, duke lëshuar një datë tjetër të ardhshme. Pra, as organet gjyqësore nuk duan të na ndihmojnë, e as ligji i atyre vendeve nuk do që të vijë drejtësia. Mësimi ynë nuk është të bëjmë trazira në vend. Prandaj, ka vetëm një rrugë: Bjerini derës së Allahut të Madhërishëm dhe çoni lutjet tuaja deri në skaj.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Në periudhën që vjen midis lutjeve dhe të pranimit të tyre, nganjëherë vijnë sprova pas sprovash. Madje, vijnë sprova të tilla që jua këpusin kurrizin. Por, ai që tregohet i qëndrueshëm dhe që është fatbardhë, edhe në këto sprova dhe vështirësi, ndien aromën e mirësive të Zotit të tij dhe me sytë e besimit shikon se pas këtyre sprova dhe vështirësive, vjen ndihma. Ka një sekret në këto sprova dhe ai është juve ju shtohet emocioni për lutje, sepse sa më shumë që ju shtohet shqetësimi dhe përpëlitja, aq më shumë shkrihet shpirti dhe kjo është një ndër mjetet e pranimit të lutjes.

Pra, kur njeriu qan para Zotit aq shumë saqë i shkrihet zemra, duhet kuptuar që vetë Zoti i Madhërishëm po i mundëson mjete të pranimit të lutjes. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Prandaj, nuk duhet të frikësoheni dhe nuk duhet ta paragjykoni Allahun nga padurimi.

….

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse dikush na shan, ne ankohemi përpara Zotit për të e jo në ndonjë gjykatë tjetër. Por përveç kësaj, është e drejta jonë të kemi dhembshuri ndaj njerëzve.

Pra, nëse dikush nuk do të më ndjekë, lë të ndahet prej meje. Si e di unë se sa pyje dhe shkurre me gjemba janë akoma që t’i kaloj ato? Pse vuajnë me mua ata që i kanë këmbët të brishta? Ata që janë të mitë nuk do të shkëputen nga unë, as për shkak të vuajtjeve ose të përbuzjeve e as për shkak të sprovave qiellore. Dhe ata që nuk janë të mitë, kot po tregojnë miqësi me mua, sepse së shpejti do të ndahen prej meje. Gjendja e tyre e pastajme do të jetë më e keqe se ajo e përparme. A mund të frikësohemi nga tërmetet? Në rrugën e Allahut të Lartësuar, a mund të shqetësohemi nga sprovat? A mund të ndahemi për shkak të ndonjë sprove të Zotit tonë të Dashur? Falë bekimit dhe mëshirës së Tij, jo.

Pra le të ndahen ata që janë për t’u ndarë. Për ta është selami i lamtumirës.  Por mbani mend! Nëse dikur prapë do të pendoheni, pasi u keqkuptuat dhe u ndatë, para Zotit nuk mund të fitoni nderimin që do ta fitojnë njerëzit besnikë. Sepse njolla e keqkuptimit dhe e tradhtisë është shumë e madhe.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mbajeni mend mirë! Në zemrën e besimtarit që ka takva (druajtje ndaj Zotit), kurrë nuk hyn sherr. Sa më shumë që dikush të ketë takva, aq më shumë ai nuk pëlqen që tjetri të ndëshkohet e të shqetësohet. Sa shtohet takva, aq shtohet edhe dhembshuria. Derisa ai nuk kërkon ndëshkim dhe shqetësim as për armikun. Muslimani kurrë nuk mund të jetë inatçi. Po, popujt e tjerë kanë krijuar kaq shumë inate, saqë inatin kundër tjetrit nuk e heqin dot nga zemra dhe gjithnjë përpiqen për t’u hakmarrë. Unë shoh që çfarë nuk bënë kundërshtarët tanë kundër nesh. Çdo shqetësim dhe çdo vështirësi që ata mund të shkaktonin, na e shkaktuan, megjithatë, unë ende jam i gatshëm t’ua fal gabimet, të cilat mijëra qofshin. Andaj, ju që keni lidhje me mua, mbani mend! Jini të dhembshur ndaj çdo njeri, i cilido fe qoftë ai. Bëni mirësi ndaj njerëzve, pa bërë dallim feje a kombi!

Duke treguar për takvanë e vërtetë dhe për shenjat e saj, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë

Takva e vërtetë nuk e pranon injorancën. Takva e vërtetë mbart një dritë me vete, siç thotë Allahu i Madhërishëm:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن تَتَّقُوا اللَّـهَ يَجْعَل لَّكُمْ فُرْقَانًا وَيُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ

وَيَجْعَل لَّكُمْ نُورًا تَمْشُونَ بِهِ

O ju që besuat! Kini druajtje ndaj Allahut! Ai do t’ju bëjë të dalloheni dhe do t’ju zhdukë mëkatet tuaja. (Kurani Famëlartë 8:30)

Dhe do t’ju japë një dritë, me të cilën do të ecni. (Kurani Famëlartë 57:29)

Pra, ky dallim do të jetë që juve do t’ju jepet një dritë, me të cilën do të ecni në të gjitha rrugët tuaja. Do të thotë që ajo dritë do të depërtojë në çdo fjalë dhe në çdo vepër, në çdo forcë dhe në çdo ndjenjë tuajën. Madje, ajo dritë do të hyjë edhe në mendjen tuaj, aq saqë edhe hamendësimi juaj do të jetë plotë dritë. Ajo dritë do të jetë në sytë tuaj, në veshët tuaj, në gjuhën tuaj, në fjalët tuaja dhe në çdo qëndrim e lëvizje tuajën. Do të ndriçohen rrugët që do t’i ndiqni ju. Sepse gjymtyrët tuaja do të lëvizin për të përhapur këtë dritë. Edhe mendjet tuaja do të veprojnë vetëm për të përhapur dritë dhe ju të tërët do të bëheni dritë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse jeta dhe vdekja juaj, butësia dhe zemërimi juaj dhe çdo lëvizje juaj, do të bëhet vetëm për hir të Zotit dhe ju në çdo shqetësim a vështirësi, nuk do ta sprovoni Zotin dhe nuk do ta shkëpusni lidhjen tuaj me Të, por do të ecni përpara, atëherë, sinqerisht unë ju them të vërtetën, ju do të bëheni një popull i veçantë i Zotit. Edhe ju jeni njerëz si unë. Zoti im është po ai që është edhe Zoti juaj. Prandaj, mos prishni aftësitë tuaja të pastra. Nëse ju do të anoni tërësisht nga Zoti, atëherë më besoni se unë po ju them sipas dëshirës së Zotit, që ju do të bëheni një popull i zgjedhur i Zotit. Le të vë rrënjë Madhështia e Zotit në zemrat tuaja. Deklaroni Tevhidin e Tij, jo vetëm me gojë, por edhe me vepra, në mënyrë që dhe Zoti t’ju tregojë mirësi e favore në veprimet e Tij Hyjnore.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Zoti m’u drejtua mua dhe më tha që unë ta njoftoj Xhematin tim se ata që besuan në atë mënyrë, saqë në besimin e tyre nuk ka asnjë përzierje të kësaj bote dhe që nuk janë ndotur nga hipokrizia dhe frika, madje besimit të tyre të mos i mungojë asnjë nivel bindjeje, të tillët janë të pëlqyerit e Zotit dhe Ai thotë se vetëm të tillët janë ata, hapi i të cilëve është hapi i vërtetë.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Mos mendoni se Zoti do t’ju lërë të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp