
Një ndër instinktet e njeriut është durimi që ai bën në vështirësi, sëmundje e pikëllime që i vijnë herë pas here. Zakonisht ai bën durim pasi të ketë qarë e të ketë vajtuar shumë. Por duhet ditur se sipas Kuranit, Librit fisnik të Zotit të Madhërishëm, ky lloj durimi nuk quhet moral, por thjesht një gjendje që shfaqet si pasojë e lodhjes. Pra, është një gjendje instinktive e njeriut që kur e godet belaja, qan, vajton e përplas kokën dhe, pasi të ketë nxjerrë gjithë zemëratën, qetësohet dhe detyrohet të tërhiqet.
Të dyja këto gjendje janë instinktive dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me moralet. Morali në këtë rast është atëherë kur njeriu sheh se po i ikën nga dora një gjë e caktuar e çmueshme, bëhet i vetëdijshëm se ajo ishte një amanet i Zotit të Madhërishëm e nuk shpreh asnjë fjalë ankuese, madje thotë: “Ishte e Zotit dhe Ai e ka marrë dhe ne jemi të kënaqur nga pëlqimi i Tij”. Lidhur me këtë moral, Kurani Famëlartë, Libri fisnik i Zotit të Madhërishëm na jep këtë mësim:
وَ لَنَبۡلُوَنَّکُمۡ بِشَیۡءٍ مِّنَ الۡخَوۡفِ وَ الۡجُوۡعِ وَ نَقۡصٍ مِّنَ الۡاَمۡوَالِ وَ الۡاَنۡفُسِ وَ الثَّمَرٰتِ ؕ وَ بَشِّرِ الصّٰبِرِیۡنَ ﴿۱۵۶﴾ۙ الَّذِیۡنَ اِذَاۤ اَصَابَتۡہُمۡ مُّصِیۡبَۃٌ ۙ قَالُوۡۤا اِنَّا لِلّٰہِ وَ اِنَّاۤ اِلَیۡہِ رٰجِعُوۡنَ ﴿۱۵۷﴾ؕ 1
O besimtarë! Ne do t’ju sprovojmë herë pas here me anë të frikës, të urisë, të humbjes së pasurisë, të rrezikut për jetën dhe të dështimit në përpjekjet tuaja. Pra, nganjëherë nuk do t’ju dalin pritshmëritë dhe nganjëherë do të humbisni edhe fëmijët tuaj të dashur. Le të kenë lajm të gëzueshëm ata, të cilët kur i godet ndonjë vështirësi, thonë: “Jemi të Zotit, jemi amanete dhe pronë e Tij, ndaj le të kthehemi tek Ai të cilit i përkasim”. Të tillët kanë mëshirën e Zotit dhe pikërisht të tillët gëzuan udhën e Zotit.
Ky është virtyti që quhet durim dhe pëlqim me pëlqimin e Zotit. Në një kuptim ky moral quhet edhe drejtësi, sepse nëse Zoti i Madhërishëm gjatë gjithë jetës së njeriut vepron sipas pëlqimit të njeriut dhe mijëra çështje i vendos në përputhje me dëshirat e tij duke i dhënë edhe bekime të panumërta që njeriu i do. Është mungesë drejtësie që kur nganjëherë Zoti tregon pëlqimin e Vet, njeriu të mos pajtohet, të mos mbetet i kënaqur me pëlqimin e Tij, ta kundërshtojë dhe të bëhet mosbesimtar.
[1] “Ne patjetër që do t’ju sprovojmë, duke ju përballur me pak frikë, me pak uri, me pak humbje të pasurisë, të njerëzve e të të vjelave. Jepu lajm të gëzueshëm durimtarëve. Të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi, thonë: “Sigurisht, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”. Mbi të tillët do të ketë bekime prej Zotit të tyre dhe mëshirë, dhe të tillët do të jenë të udhëzuar.” (El-Bekare 2:156-158)