Moralet që ka përcaktuar Krijuesi i Vërtetë për të aftësuar njeriun që ai të heqë dorë nga mëkatet, cilësohen me katër emra në gjuhën arabe, gjuhë e cila mundëson emra specifikë për të gjitha konceptet, sjelljet dhe moralet njerëzore.
Morali i parë quhet ihsan (إحصان): dëlirësi, që nënkupton veçanërisht atë dëlirësi, e cila ka lidhje me aftësitë e riprodhimit të mashkullit e të femrës. I dëlirë dhe e dëlirë (muhsin; musina) janë ata që frenohen dhe ruhen nga marrëdhëniet seksuale të jashtëligjshme ose nga gjërat e përafërta me to, të cilat të dyve u sjellin çnderim dhe mallkim në këtë botë dhe ndëshkim në botën tjetër, si dhe u shkaktojnë poshtërim e humbje të mëdha edhe të afërmve të tyre.
Për shembull, ai që ka marrëdhënie të jashtëligjshme me gruan e dikujt tjetër, ose edhe të mos ketë kryer marrëdhënie të mirëfillta seksuale me të, por vetëm veprime të tjera intime, mundet që bashkëshorti sedërfyer i asaj gruaje, të cilit i është bërë padrejtësi, të shkurorëzohet me të. Pastaj, edhe fëmijët, nëse kanë, e pësojnë rëndë dhe gjithë kjo humbje do t’i vijë të zotit të shtëpisë vetëm për shkak të gruas së tij të pacipë.
Të kihet parasysh që kjo dëlirësi që quhet ihsan, mund të vlerësohet si moral te dikush vetëm atëherë kur ai frenohet, edhe pse gëzon aftësi për të hedhur shikim të ndaluar apo për të bërë akt kurvërie, domethënë, edhe pse natyra ia ka dhënë ato aftësi me të cilat ai mund ta bëjë këtë mëkat. Por, nëse ai nuk e gëzon këtë aftësi për shkak se është i mitur, ose i paaftë, ose i tredhur ose i plakur, atëherë atë nuk mund ta cilësojmë me këtë moral që quhet ihsan apo dëlirësi. Në këtë rast, mund të thuhet se dëlirësia është një gjendje instinktive e tij. Siç e kemi përmendur disa herë, gjendjet instinktive nuk mund të quhen morale, derisa nuk realizohen me udhëzimin e mendjes e në vendin e duhur, ose derisa nuk aftësohen për t’u realizuar në mënyrë të tillë.
Kështu që fëmijët, njerëzit e paaftë dhe ata që tredhin veten e tyre me ndonjë mënyrë, nuk mund të cilësohen me këtë moral, edhe sikur të kalojnë gjithë jetën e tyre me dëlirësi dhe ndershmëri. Qëndrimet e tyre do të quhen vetëm gjendje instinktive. Mëkatin e shfrenimit apo sjelljet e përafërta me të, duke qenë se mund ta bëjë edhe mashkulli, edhe femra, Libri i pastër i Zotit të dyve u jep këto udhëzime:
قُلۡ لِّلۡمُؤۡمِنِیۡنَ یَغُضُّوۡا مِنۡ اَبۡصَارِہِمۡ وَ یَحۡفَظُوۡا فُرُوۡجَہُمۡ ؕ ذٰلِکَ اَزۡکٰی لَہُمۡ … وَ قُلۡ لِّلۡمُؤۡمِنٰتِ یَغۡضُضۡنَ مِنۡ اَبۡصَارِہِنَّ وَ یَحۡفَظۡنَ فُرُوۡجَہُنَّ وَ لَا یُبۡدِیۡنَ زِیۡنَتَہُنَّ اِلَّا مَا ظَہَرَ مِنۡہَا وَ لۡیَضۡرِبۡنَ بِخُمُرِہِنَّ عَلٰی جُیُوۡبِہِنَّ … وَ لَا یَضۡرِبۡنَ بِاَرۡجُلِہِنَّ لِیُعۡلَمَ مَا یُخۡفِیۡنَ مِنۡ زِیۡنَتِہِنَّ ؕ وَ تُوۡبُوۡۤا اِلَی اللّٰہِ جَمِیۡعًا اَیُّہَ الۡمُؤۡمِنُوۡنَ لَعَلَّکُمۡ تُفۡلِحُوۡنَ ﴿۳۲﴾ 1
وَ لَا تَقۡرَبُوا الزِّنٰۤی اِنَّہٗ کَانَ فَاحِشَۃً ؕ وَ سَآءَ سَبِیۡلًا ﴿۳۳﴾ 2
وَ لۡیَسۡتَعۡفِفِ الَّذِیۡنَ لَا یَجِدُوۡنَ نِکَاحًا 3
وَ رَہۡبَانِیَّۃَ ۣ ابۡتَدَعُوۡہَا مَا کَتَبۡنٰہَا عَلَیۡہِمۡ … فَمَا رَعَوۡہَا حَقَّ رِعَایَتِہَا 4
Kuptime: Thuaju besimtarëve që të ruajnë sytë e tyre nga gratë e huaja e të mos shikojnë femrat, të cilat mund t’u ndjellin epshe, dhe në raste të tilla sytë t’i mbajnë përdhe. Duhet të ruajnë organet e tyre të turpshme, po ashtu, të ruajnë edhe veshët nga gratë e huaja, domethënë nga dëgjimi i këngëve dhe melodive të tyre, nga dëgjimi i rrëfimeve të bukurisë së tyre. Kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur të pastër shikimin dhe zemrën.
Gjithashtu, edhe grave besimtare thuaju që edhe ato të ruajnë sytë e tyre nga shikimi i burrave të huaj dhe të ruajnë veshët e tyre nga dëgjimi i zërave të tyre, domethënë të mos dëgjojnë zërin e tyre joshës, dhe të mbulojnë pjesët intime të trupit të tyre, të mos u zbulojnë bukurinë e tyre burrave të huaj dhe të mbulojnë kokën me shami në atë mënyrë që t’u mbulohen edhe pjesa e kraharorit, veshët dhe tëmthat e kokës. Po ashtu, ato të mos i përplasin këmbët për tokë si balerinat. Kjo është metoda, e cila, nëse zbatohet, mund t’i ndalojë të “rrëshqasin”.
Metoda e dytë për shpëtim, sipas këtyre ajeteve, është që të kthehen tek Allahu i Madhërishëm dhe t’i luten Atij, në mënyrë që Ai t’i shpëtojë nga lajthitjet. Mandej thotë: Mos iu afroni kurvërisë! Domethënë, të largoheni nga të gjitha rastet epshndjellëse dhe të mos ndiqni asnjë rrugë të tillë që mund të bëhet shkasë për këtë mëkat. Ai që bën kurvëri, bën një mëkat të skajshëm.
Rruga e kurvërisë është shumë e keqe dhe shumë e rrezikshme për arritjen e qëllimit tuaj përfundimtar. Ai që nuk ka mundësi të martohet, duhet ta ruajë dëlirësinë e tij me mënyra të tjera, për shembull, të agjërojë ose të ushqehet pak ose të bëjë mundime fizike.
Disa njerëz kanë shpikur metoda të tjera: për shembull, qëllimisht nuk martohen përjetë, ose bëhen të tredhur, ose me ndonjë mënyrë tjetër jetojnë jetë murgërie. Por, Ne nuk ua kemi obliguar njerëzve këtë, prandaj ata nuk arritën ta zbatojnë risinë e tyre në mënyrë të përgjegjshme.
Pra, Zoti thotë: Ne nuk urdhëruam njerëzit të bëhen të tredhur. Nëse Zoti do ta urdhëronte një gjë të tillë, atëherë të gjithë do të kishin të drejtën për ta zbatuar atë dhe në këtë mënyrë do të zhdukej shoqëria njerëzore dhe prej kohësh bota do të merrte fund. Nëse do të ishte kjo mënyra për të gjetur dëlirësinë, që njerëzit të “gjymtojnë” organin seksual, do të kritikohej Krijuesi që e ka krijuar atë.
Shpërblimi i njeriut varet tërësisht nga fakti që njeriu të ketë një fuqi, por duke pasur drojë ndaj Zotit, të luftojë me ndjenjat negative të saj dhe të përfitojë nga dobitë e saj dhe kështu të fitojë shpërblim të dyfishtë. Pra, është e qartë që prishja e një organi të tillë e privon njeriun nga të dyja shpërblimet. Shpërblimi sigurohet vetëm kur zotëron një ndjenjë të caktuar dhe njëkohësisht ruan veten nga impulset negative të saj. Por, çfarë shpërblimi mund të gëzojë ai që bëhet si fëmijë duke e çrrënjosur fare këtë ndjenjë!? A mund të ketë ndonjë shpërblim fëmija për dëlirësinë e tij?
[1] “Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre dhe të ruajnë organet e tyre intime. Kjo mënyrë është më e pastër për ta. … Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimet e tyre, të ruajnë organet e tyre intime dhe të mos e shfaqin bukurinë e tyre, përveç asaj pjese që shfaqet vetvetiu, të mbajnë shaminë e tyre të kokës sipër kraharorëve të tyre … dhe të mos përplasin këmbët e tyre për të treguar pjesë nga bukuria e tyre që (zakonisht gratë) e fshehin. Dhe, o besimtarë! Ju të gjithë përuluni duke u penduar tek Allahu, që të keni sukses.” (En-Nur 24:31-32)
[2] “Dhe mos iu afroni kurvërisë. Njëmend ajo është e turpshme dhe një rrugë e keqe.” (Beni Israil 17:33)
[3] “Kurse ata që nuk gjejnë mundësi të martohen, duhet ta ruajnë veten.” (En-Nur 24:34)
[4] “… murgërinë që ata vetë e bënë risi, nuk ua obliguam Ne … dhe ata nuk e ruajtën siç duhej ruajtur ajo.” (El-Hadid 57:28)