PYETJA III - Cili është qëllimi i jetës dhe si mund të arrihet ai?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
  2. PYETJA I – Cilat janë tri gjendjet e njeriut?
  3. Viti dyzet i jetës suaj mund të jetë shumë i bekuar
  4. Shpirti është krijesë
  5. Zhvillimi gradual i njeriut
  6. Kuptimi i vërtetë i Islamit
  7. Dallimi mes gjendjeve instinktive dhe morale
  8. Përgënjeshtrimi i doktrinës që ndalon therjen a mbytjen e kafshëve
  9. Tri stadet e reformimit
  10. Ardhja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kohën më të nevojshme të reformimit
  11. Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
  12. Moralet e vërteta
  13. Reformimi i parë – gjendjet natyrore
  14. Ndalimi i mishit të derrit
  15. Gjendjet morale të njeriut
  16. Moralet që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga mëkatet
  17. Pesë ilaçe për të qenë i dëlirë
  18. Moralet lidhur me mirëbërësinë
  19. Trimëria e vërtetë
  20. Vërtetësia
  21. Durimi
  22. Dhembshuria
  23. Kërkimi i një qenieje më të lartë
  24. Arsyeja pse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u shfaq në Arabi
  25. Mirësia e Kuranit Famëlartë ndaj botës
  26. Argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm
  27. Cilësitë e Zotit të Madhërishëm
  28. Gjendjet shpirtërore
  29. Një lutje e bukur
  30. Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
  31. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore me Zotin e Madhërishëm
  32. PYETJA II – Çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes?
  33. PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?
  34. PYETJA IV – Cili është zbatimi praktik i Sheriatit në këtë jetë dhe pas kësaj jete?
  35. Urtësia e betimeve të Allahut në gjëra të ndryshme
  36. PYETJA V – Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen ndaj Zotit?
  37. Natyra e ndërgjegjes njerëzore
  38. Çfarë është shpallja Hyjnore?
  39. Folësi është i nderuar me komunikimin dhe shpalljen Hyjnore
  40. Shpallja e Zotit të Madhërishëm është mjeti për të arritur dijen e përsosur
  41. Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Related Contents from Topics

PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?

Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu a.s.
përparim ngritje bekim

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është që njerëz të ndryshëm, duke pasur karaktere të ndryshme dhe duke u nisur nga shkurtpamësia ose mungesa e vullnetit, përcaktojnë synime të ndryshme të jetës së tyre dhe e kufizojnë veten vetëm te qëllimet dhe ëndrrat e kësaj bote. Por qëllimi që Zoti i Madhërishëm i përcakton njeriut në Fjalën e Tij, është:

وَ مَا خَلَقۡتُ الۡجِنَّ وَ الۡاِنۡسَ اِلَّا لِیَعۡبُدُوۡنِ ﴿۵۷﴾ 1

Unë e kam krijuar xhindin dhe njeriun, që ai të Më njohë e të Më adhurojë Mua. Sipas këtij ajeti, qëllimi i vërtetë i njeriut është që ai ta adhurojë Zotin, të njihet me Të dhe të bëhet tërësisht i Atij.

Dihet që njeriu nuk është në gjendje që vetë t’i përcaktojë qëllimin jetës së tij, sepse në këtë botë ai nuk vjen me vullnetin e tij, dhe as nuk largohet me vullnetin e tij. Madje, njeriu është një krijesë, kurse Ai që e ka krijuar atë dhe i ka dhënë aftësitë më të mira dhe më të larta në krahasim me kafshët e tjera, ka përcaktuar edhe qëllimin e jetës së tij, në daç ta kuptojë këtë qëllim, në daç të mos e kuptojë. Qëllimi i krijimit të njeriut, pa dyshim, është adhurimi i Zotit, njohja ndaj Tij dhe flijimi në Të. Siç thotë Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë:

اِنَّ الدِّیۡنَ عِنۡدَ اللّٰہِ الۡاِسۡلَامُ 2 فِطۡرَتَ اللّٰہِ الَّتِیۡ فَطَرَ النَّاسَ عَلَیۡہَا … ذٰلِکَ الدِّیۡنُ الۡقَیِّمُ 3

Feja që ka më të saktë njohjen ndaj Zotit dhe më të bukur adhurimin ndaj Tij është Islami dhe Islamin Zoti e ka lënë në natyrën e njeriut. Zoti e krijoi njeriun mbi Islamin dhe për Islamin. Kjo është feja e qëndrueshme.

Kjo do të thotë se Zoti deshi që njeriu me të gjitha aftësitë e tij, ta adhurojë Atë, t’i bindet Atij dhe ta dojë Atë. Pikërisht për këtë arsye, Ai Zot që është i Plotfuqishëm dhe Bujar, njeriut i dhuroi të gjitha aftësitë në përputhje me Islamin.

Këto ajete kanë kuptime shumë të thella dhe, shpjegimin e tyre deri diku e kemi shkruar në pjesën e tretë të pyetjes së parë. Ajo që duam të themi këtu përmbledhtas është se çfarëdo organesh, të jashtme apo të brendshme që i janë dhuruar njeriut dhe çfarëdo forcash që i janë mundësuar atij, qëllimi i tyre i vërtetë është që ai të arrijë njohjen e Zotit, adhurimin dhe dashurinë ndaj Tij. Kjo është arsyeja që njeriu edhe pasi të jetë marrë me gjithfarë angazhimesh, prapëseprapë, lumturinë e vërtetë nuk ka për ta gjetur asgjëkund, përveçse te Zoti. Edhe sikur të bëhet shumë i pasur, autoritar i fortë, tregtar i madh, sundimtar, filozof, në fund largohet shumë i dëshpëruar nga kjo botë, duke u liruar nga prangat e saj. Zemra e tij gjithnjë e fajëson atë për angazhimin e tij të verbër në çështjet materiale dhe ndërgjegjja e tij asnjëherë nuk pajtohet me intrigat, mashtrimet dhe punët e tij të palejueshme.

Një i mençur mund ta kuptojë këtë temë edhe duke parë qëllimin e gjërave të ndryshme. Kur një gjë e caktuar tregon performancën më të shkëlqyer duke shfrytëzuar gjithë fuqinë që ka dhe nuk shkon më tej, për të mund të themi se ajo e ka arritur qëllimin për të cilin ishte krijuar. Për shembull, puna e demit është të bëjë sa më mirë lërimin e tokës, ujitjen e saj dhe transportin. Nuk shohim që aftësitë e tij të japin diçka më shumë se kaq. Kështu që, mund të themi se qëllimi i krijimit të demit janë pikërisht këto tri punë, pasi nuk shohim ndonjë forcë tjetër në të. Por kur shqyrtojmë aftësitë e njeriut për të parë se cila është më e larta prej tyre, shohim që është kërkimi i Zotit më të Lartë e më të Përsosur. Madje, ai dëshiron jo vetëm ta zbulojë Atë, por të dashurohet aq shumë me Të, saqë të flijohet duke ia përkushtuar Atij, veten dhe gjithçka që zotëron. Aftësitë e tjera të tij, siç janë të ngrënët, të fjeturit, ai i ndan edhe me kafshët e tjera, madje ato e tejkalojnë njeriun në këto punë. Po ashtu, edhe në ndërtim disa kafshë janë më të përparuara se njeriu. Bletët mbledhin nektarin nga çdo lule dhe prodhojnë mjaltë kaq të pastër, saqë njeriu deri më sot nuk ka arritur të prodhojë një të ngjashëm me të. Pra, është e qartë që arritja më e lartë e njeriut është ta takojë Zotin e Madhërishëm. Prandaj, qëllimi i vërtetë i jetës së tij është pikërisht ky, që atij t’i hapet dritarja e zemrës në drejtim të Zotit.

Mjetet për të arritur qëllimin e jetës

Shtrohet pyetja se si mund të arrihet ky qëllim dhe se përmes çfarë mjetesh njeriu mund ta gëzojë atë.

Mjeti i parë që është kusht për të arritur këtë qëllim është njohja e mirë e Zotit të Madhërishëm dhe besimi në Zotin e Vërtetë. Kjo është e domosdoshme, sepse nëse hapi i parë hidhet në mënyrë të gabuar dhe nëse dikush për shembull, ka besuar si Zot ndonjë kafshë, shpend a ndonjë element ose fëmijën e njeriut, nuk mund të shpresohet se hapat e tij të tjerë do të jenë në rrugë të drejtë. Zoti i vërtetë i ndihmon kërkimtarët e Tij, kurse një që vetë është i vdekur, nuk mund të ndihmojë të vdekurin tjetër. Sa shembull të goditur ka dhënë Allahu i Madhërishëm në këtë ajet:

لَہٗ دَعۡوَۃُ الۡحَقِّ ؕ وَ الَّذِیۡنَ یَدۡعُوۡنَ مِنۡ دُوۡنِہٖ لَا یَسۡتَجِیۡبُوۡنَ لَہُمۡ بِشَیۡءٍ اِلَّا کَبَاسِطِ کَفَّیۡہِ اِلَی الۡمَآءِ لِیَبۡلُغَ فَاہُ وَ مَا ہُوَ بِبَالِغِہٖ ؕ وَ مَا دُعَآءُ الۡکٰفِرِیۡنَ اِلَّا فِیۡ ضَلٰلٍ 4

Vetëm Ai është i denjë që t’i drejtohet lutja, sepse Ai është Zoti i vërtetë dhe ka fuqi të plotë mbi çdo gjë. Kurse ata që u luten të tjerëve përveç Atij, nuk u përgjigjen dot për asgjë, madje janë porsi ai që i shtrin duart drejt ujit duke iu lutur: “O ujë, eja në gojë!”, por a do t’i shkojë uji atij?! Kurrsesi. Prandaj, ata që nuk e kanë njohur Zotin e vërtetë, të gjitha lutjet e tyre janë në humbje.

Mjeti i dytë është njohja e bukurisë së Zotit të Madhërishëm, e cila gjendet deri në përsosmëri tek Ai. Sepse bukuria bën zemrën të tërhiqet pas saj dhe në mënyrë të vetvetishme të dashurohet me të. Bukuria e Zotit janë njëshmëria e Tij, madhështia e Tij, shenjtëria dhe vetitë e Tij, siç thuhet në Kuranin Famëlartë:

قُلۡ ہُوَ اللّٰہُ اَحَدٌ ۚ﴿۲﴾ اَللّٰہُ الصَّمَدُ ۚ﴿۳﴾ لَمۡ یَلِدۡ ۬ۙ وَ لَمۡ یُوۡلَدۡ ۙ﴿۴﴾ وَ لَمۡ یَکُنۡ لَّہٗ کُفُوًا اَحَدٌ ٪﴿۵﴾ 5

Zoti është i Vetmi në Qenien, madhështinë dhe në cilësitë e Tij. Askush nuk është ortak me Të. Të gjithë janë nevojtarë të Tij. Çdo grimcë, prej Atij vjen në jetë. Ai është burimi i bekimit për gjithçka dhe Ai nuk merr bekim prej askujt. Ai nuk ka lindur askënd dhe as nuk është i lindur prej dikujt. Dhe pse mos të ishte kështu, kur askush nuk ka qenë asnjëherë i barabartë me Të.

Kurani tregon në mënyrë të përsëritur përsosmërinë e Zotit në aspekte të ndryshme dhe paraqet madhështinë e Tij, për t’u tërhequr vëmendjen njerëzve se ja ky është Zoti që pëlqehet nga zemra, dhe jo ai që është i vdekur, i dobët dhe që nuk është as mëshirëplotë, as fuqiplotë.

Mjeti i tretë për të arritur te Zoti është njohja e mirësisë së Tij, sepse vetëm dy janë nxitje të dashurisë, bukuria dhe mirësia. Cilësitë mirëbërëse të Zotit përmbledhtas i përmend surja El-Fatiha, siç thotë:

اَلۡحَمۡدُ لِلّٰہِ رَبِّ الۡعٰلَمِیۡنَ ۙ﴿۲﴾ الرَّحۡمٰنِ الرَّحِیۡمِ ۙ﴿۳﴾ مٰلِکِ یَوۡمِ الدِّیۡنِ ؕ﴿۴﴾ 6

Dihet që mirësia e përsosur është që Zoti i Madhërishëm t’i krijojë nga asgjëja robërit e Tij, duke u dhënë gjithmonë rritje të përsosur; Ai Vetë të bëhet mbështetja e çdo gjëje dhe të shfaqë të gjitha llojet e mëshirës për robërit e Tij; mirësitë e Tij të jenë të pakufishme, aq sa të mos numërohen dot. Zoti i Madhërishëm vazhdimisht i shfaq këto cilësi të Tij, siç thotë në një vend tjetër:

وَ اِنۡ تَعُدُّوۡا نِعۡمَتَ اللّٰہِ لَا تُحۡصُوۡہَا 7

Nëse doni t’i numëroni bekimet e Zotit, kurrsesi nuk i llogaritni dot.

Mjeti i katërt që Zoti i Madhërishëm ka caktuar për të arritur qëllimin primar është lutja, siç Ai thotë:

ادۡعُوۡنِیۡۤ اَسۡتَجِبۡ لَکُمۡ 8

Lutmuni Mua, Unë ju pranoj.

Përveç kësaj, Ai vazhdimisht nxit për të bërë lutje, në mënyrë që njeriu ta arrijë këtë qëllim jo me forcën e vet, por me forcën e Zotit.

Mjeti i pestë që ka caktuar Zoti i Madhërishëm për të arritur qëllimin primar, është përpjekja. Që do të thotë, ta kërkoni Zotin duke shpenzuar pasurinë tuaj në rrugën e Tij, duke përdorur aftësitë tuaja në rrugën e Tij, duke kaluar jetën tuaj në rrugën e Tij dhe duke shfrytëzuar mendjen tuaj në rrugën e Tij. Siç thotë Ai:

وَّ جَاہِدُوۡا بِاَمۡوَالِکُمۡ وَ اَنۡفُسِکُمۡ فِیۡ سَبِیۡلِ اللّٰہِ 9

وَ مِمَّا رَزَقۡنٰہُمۡ یُنۡفِقُوۡنَ 10

وَ الَّذِیۡنَ جَاہَدُوۡا فِیۡنَا لَنَہۡدِیَنَّہُمۡ سُبُلَنَا 11

Pasuritë, kohën dhe jetën me të gjitha aftësitë tuaja shpenzojini në rrugën e Zotit. Dhe gjithçka që ju kemi dhënë, pra mendjen, dijen, intelektin, profesionin etj., të gjitha investojini në rrugën e Zotit. Ata që bëjnë përpjekje në çdo mënyrë në rrugën Tonë, Ne patjetër ua tregojmë rrugët Tona.

Mjeti i gjashtë që tregon Zoti i Madhërishëm për të arritur qëllimin e vërtetë është qëndrueshmëria. Pra, të mos këputeni në këtë rrugë, të mos dobësoheni, të mos lodheni dhe as të mos keni frikë nga sprova, siç Allahu i Madhërishëm thotë:

اِنَّ الَّذِیۡنَ قَالُوۡا رَبُّنَا اللّٰہُ ثُمَّ اسۡتَقَامُوۡا تَتَنَزَّلُ عَلَیۡہِمُ الۡمَلٰٓئِکَۃُ اَلَّا تَخَافُوۡا وَ لَا تَحۡزَنُوۡا وَ اَبۡشِرُوۡا بِالۡجَنَّۃِ الَّتِیۡ کُنۡتُمۡ تُوۡعَدُوۡنَ ﴿۳۱﴾ نَحۡنُ اَوۡلِیٰٓؤُکُمۡ فِی الۡحَیٰوۃِ الدُّنۡیَا وَ فِی الۡاٰخِرَۃِ 12

Ata që thanë se “Zoti ynë është Allahu” duke u shkëputur nga zotat e rremë, dhe që më pas treguan qëndrueshmëri, pra u treguan të palëkundur në çdolloj sprove e gjëme, atyre u zbresin engjëjt (duke thënë) që “ju mos u frikësoni e mos u brengosni dhe gëzohuni sepse do ta trashëgoni lumturinë që ju është premtuar. Ne jemi miqtë tuaj edhe në jetën e kësaj bote, edhe në ahiret”.

Fjalët e këtyre ajeteve tregojnë se qëndrueshmëria është ajo që ju mundëson pëlqimin e Zotit. Është shumë e vërtetë se qëndrueshmëria është mbi mrekullinë. Qëndrueshmëria e përsosur është ajo që tregoni në kohën kur shikoni veten të rrethuar me fatkeqësi nga të gjitha anët, kur t’ju rrezikohet jeta dhe nderi në rrugën e Zotit, kur të mos keni asgjë që do t’ju ngushëllojë, madje edhe vetë Zoti i Madhërishëm për t’ju sprovuar, t’ju mbyllë komunikimin qetësues që ju bëhet në formë vizionesh (keshf), ëndrrash ose shpalljesh Hyjnore (ilham), duke ju lënë vetëm në mes të llahtarisë dhe tmerrit. Qëndrueshmëria e përsosur është që edhe në situatë të tillë, të mos e humbni kurajën, të mos zmbrapseni si frikacakë, të mos lejoni t’ju preket besnikëria, vërtetësia dhe qëndrueshmëria, të mbeteni të kënaqur me poshtërimin që ju bëhet, me vdekjen që ju kanoset dhe të mos prisni t’ju vijë ndonjë shok që t’ju japë mbështetje. Edhe në këtë kohë, të mos kërkoni me këmbëngulje lajmet e mira prej Zotit, duke menduar se koha është e brishtë. Madje, edhe kur të jeni tërësisht të papërkrahur, të dobët dhe t’ju mungojë shoqëria që do t’ju ngushëllonte, ju të qëndroni drejt në këmbët tuaja dhe, duke pohuar të bëhet çka është e caktuar, të shtrini kokën për t’u sakrifikuar, të mos kërkoni diçka përtej caktimit të Zotit dhe kurrsesi të mos vajtoni, derisa të kalojë koha e sprovës. Kjo është qëndrueshmëria, përmes së cilës e gjeni Zotin. Kjo është pikërisht ajo, aromën e së cilës po e lëshojnë deri më sot varret e të dërguarve, të profetëve, të sinqertëve dhe të dëshmorëve. Dhe pikërisht këtë na mëson Allahu i Madhërishëm në lutjen:

اِہۡدِ نَا الصِّرَاطَ الۡمُسۡتَقِیۡمَ ۙ﴿۶﴾ صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ 13

O Zoti ynë! Na trego rrugën e qëndrueshmërisë! Rrugën e atyre, rrugën që mundëson bekimet e Tua dhe me të cilën Ti mbetesh i kënaqur.

Po këtë e mëson edhe ky ajet:

رَبَّنَاۤ اَفۡرِغۡ عَلَیۡنَا صَبۡرًا وَّ تَوَفَّنَا مُسۡلِمِیۡنَ 14

O Zoti ynë! Na jep qetësinë dhe durimin gjatë kësaj fatkeqësie dhe bëje që vdekja të na vijë kur ta kemi islamin [kur të jemi të nënshtruar ndaj Teje].

Duhet të dimë që gjatë vështirësive dhe brengave, Zoti i Madhërishëm zbret një dritë në zemrat e robërve të dashur të Tij, me të cilën ata fuqizohen, përballojnë fatkeqësinë me qetësinë më të madhe dhe, duke ndier kënaqësinë e besimit, i puthin prangat që u vihen në rrugën e Zotit. Kur njeriu i Zotit përballet me gjithfarë gjëmash dhe dallon shenjat e vdekjes, ai nuk grindet me Zotin e Tij Bujar, se përse nuk po e shpëton prej gjëmave, sepse në një kohë të tillë, t’i lutesh duke këmbëngulur për shpëtimin, është sikur të grindesh me Zotin e Madhërishëm e ta kundërshtosh vetëdorëzimin tërësor. Përkundrazi, i dashuruari i vërtetë përparon edhe më shumë në kohë vështirësie dhe duke e quajtur të pavlerë jetën, duke i thënë lamtumirë dashurisë për jetën, i nënshtrohet tërësisht vullnetit të të Dashurit dhe kërkon vetëm pëlqimin e Tij. Pikërisht për një njeri të tillë, Allahu i Madhërishëm thotë:

وَ مِنَ النَّاسِ مَنۡ یَّشۡرِیۡ نَفۡسَہُ ابۡتِغَآءَ مَرۡضَاتِ اللّٰہِ ؕ وَ اللّٰہُ رَءُوۡفٌۢ بِالۡعِبَادِ ﴿۲۰۸﴾ 15

Robi i dashur i Zotit jep jetën në rrugën e Tij dhe në këmbim blen pëlqimin e Tij. Këta njerëz gëzojnë në mënyrë të veçantë mëshirën e Zotit të Madhërishëm.

Pra, kjo që përshkruam më sipër është shpirti i qëndrueshmërisë, e cila ju mundëson Zotin. Le ta kuptojë ai që dëshiron.

Mjeti i shtatë për të arritur qëllimin e vërtetë të jetës është shoqërimi me të drejtët dhe ndjekja e shembujve të tyre të përsosur. Duhet të dimë që njëri prej qëllimeve të ardhjes së profetëve është edhe ky, sepse njeriu ka nevojë për shembullin e përsosur. Shembulli i përsosur atij i nxit dëshirën dhe i shton vullnetin. Kurse ai që nuk e ndjek shembullin, ngathtësohet dhe devijon nga rruga. Kjo është ajo që thotë Allahu i Madhërishëm në këtë ajet:

وَ کُوۡنُوۡا مَعَ الصّٰدِقِیۡنَ 16

صِرَاطَ الَّذِیۡنَ اَنۡعَمۡتَ عَلَیۡہِمۡ 17

Bëhuni me ata që janë të drejtë. Mësoni rrugën e atyre që janë bekuar përpara jush.

Mjeti i tetë janë vizionet e pastra (keshf), shpalljet e pastra (ilham) dhe ëndrrat e pastra që vijnë prej Zotit të Madhërishëm. Gjatë rrugëtimit drejt Tij, ngaqë ka shtigje jashtëzakonisht shumë të ngushta dhe lloj-lloj vështirësish e vuajtjesh, mundet që njeriu ta humbë rrugën ose të dëshpërohet dhe ta ndërpresë rrugëtimin. Për këtë arsye, mëshira e Zotit deshi që herë pas here t’i vijë në ndihmë gjatë këtij udhëtimi, t’ia qetësojë zemrën, t’i shtojë kurajën dhe dëshirën për të vazhduar. Kështu që, praktika e Tij për rrugëtarët e kësaj udhe është t’i qetësojë herë pas here me komunikimin dhe shpalljen (ilham) e Tij dhe u tregon që “Unë jam me ju!”. Atëherë ata marrin një forcë dhe me shumë fuqi e vijojnë rrugën. Në lidhje me këtë Ai thotë:

لَہُمُ الۡبُشۡرٰی فِی الۡحَیٰوۃِ الدُّنۡیَا وَ فِی الۡاٰخِرَۃِ

[“Ata do të kenë lajmin e mirë në këtë botë dhe në ahiret.”] [18]

Përveç këtyre, Kurani Famëlartë ka treguar edhe mjete të tjera për të arritur qëllimin e vërtetë të jetës, por me keqardhje, nuk mund t’i përmendim ato për shkak të kohës së kufizuar.


[1] “Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë Mua.” (Edh-Dharijat 51:57).
[2] “Sigurisht, feja tek Allahu është Islami.” (Ali-Imran 3:20).
[3] “(Ndiqni) natyrën e (bërë prej) Allahut, në të cilën Ai i krijoi njerëzit … kjo është feja e qëndrueshme.” (Er-Rum 30:31).
[4] “Atij i bëhet lutja e vërtetë. Kurse ata që u luten të tjerëve përveç Atij, nuk u përgjigjen për asgjë, madje janë porsi ai që i shtrin duart drejt ujit, që ai ta arrijë gojën e tij, por ai nuk ka për ta arritur. Lutja e mohuesve shkon vetëm në humbje.” (Er-Ra’d 13:15).
[5] “Thuaj: Ai, Allahu është i Vetëm. Allahu është i Pavaruri. Ai nuk ka lindur (askënd) dhe as nuk është i lindur. Askush nuk ka qenë asnjëherë i barabartë me Të.” (El-Ikhlas 112:2-5).
[6] “Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve; të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit; Sunduesit të ditës së gjykimit.” (El-Fatiha 1:2-4).
[7] “Nëse numëroni bekimet e Allahut, nuk i llogaritni dot.” (Ibrahim 14:35).
[8] “Më thërrisni Mua, do t’ju përgjigjem.” (El-Mu’min 40:61).
[9] “… bëni xhihad në rrugën e Allahut me pasuritë tuaja dhe me jetën tuaj.” (Et-Teube 9:41).
[10] “… dhe shpenzojnë nga çdo gjë që Ne u kemi dhënë.” (El-Bekare 2:4).
[11] “Dhe (për) ata që përpiqen në rrugën Tonë, Ne patjetër do t’ua tregojmë rrugët Tona.” (El-‘Ankebut 29:70).
[12] “Pa dyshim, ata që thanë se “Zoti ynë është Allahu” më pas treguan qëndrueshmëri, atyre u zbresin engjëjt (duke thënë) që “Mos u frikësoni e mos u brengosni dhe gëzohuni për xhenetin që juve ju është premtuar. Ne jemi miqtë tuaj edhe në jetën e kësaj bote, edhe në ahiret”.” (Ha.Mim. Es-Sexhde 41:31-32).
[13] “Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që i bekove.” (El-Fatiha 1:6-7).
[14] “O Zoti ynë! Jepna durimin dhe jepna vdekje kur jemi të nënshtruar.” (El-A’raf 7:127).
[15] “Prej njerëzve, ka edhe të tillë që shet jetën e tij duke kërkuar pëlqimet e Allahut. Allahu është i Dhembshur ndaj robërve.” (El-Bekare 2:208).
[16] “Bëhuni me të vërtetët.” (Et-Teube 9:119).
[17] “Në rrugën e atyre që i bekove.” (El-Fatiha 1:7).
[18] Junus 10:65.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp