Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Enigma më e madhe që ka munduar racën njerëzore, që nga krijimi i parë e deri më sot,  përmblidhet në  pyetjen: “pse ekzistojmë ne dhe gjithësia? Nëse do të gjejmë përgjigjen e kësaj pyetjeje”, thotë Stiven V. Hoking, kozmologu dhe fizikani më i madh i këtij shekulli, “ky do të jetë triumfi përfundimtar i arsyes njerëzore: atëherë ne do të kuptojmë se çfarë mendon Perëndia”.[1]

 Ky shkencëtar i madh i kohës sonë, e mbyll librin e tij, nga më të botuarit në botë, me këtë pyetje tronditëse për të dhe për shumë shkencëtarë, filozofë e njerëz të thjeshtë. Pse Zoti e ka krijuar gjithësinë? Ka edhe të tjerë që i mundojnë mendimet për makinerinë që gjeneron dritën e diellit dhe që e bën të mundur jetën në Tokë; për gravitetin që na tërheq drejt Tokës i cili po të mungonte, ne do të flakeshim në hapësirë; ose për atomet e qelizat prej të cilave jemi ndërtuar dhe nga qëndrueshmëria e të cilave varet jeta jonë!

Sigurisht që shkencëtarët po bëjnë përpjekje kolosale për të argumentuar këtë enigmë, përpjekje këto, që e kanë çuar jetën përpara në zhvillimin e mendimit dhe teknologjisë, por mundimi i tyre do të ishte më i lehtë po të orientohej edhe nga drita hyjnore dhe shkencëtarët të bindeshin plotësisht me Krijuesin, qëllimin e krijimit të Tij. Le t’i drejtohemi pak Kuranit të Shenjtë, duke bërë pyetje dhe njëkohësisht duke kërkuar përgjigje:

Pyetja:

–               O Kuran i Shenjtë, a ka pasur Zoti qëllim kur krijoi gjithësinë dhe njeriun?

Përgjigjja:

–               “Ne e krijuam qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar.” [2] “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët.” [3]

Pyetja:

–               O Kuran i Shenjtë, cili është qëllimi i krijimit të gjithësisë?

Përgjigjja:

–               Thojeni vetë (o njerëz): “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet.” [4]

Pyetja:

–               O Kuran i Shenjtë, cili është qëllimi i krijimit të njeriut

Përgjigjja:

–               “Njerëzit dhe xhindet i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [5]

Krijimi i universit, fillimi i jetës në Tokë, krijimi i njeriut në këtë botë dhe nënshtrimi i gjithçkaje për të, nuk mund të realizoheshin falë shanseve të paplanifikuara dhe pa ndonjë Krijues të Përsosur, fakt ky që, për shkak të zhvillimit të shkencës, po vërtetohet gjithnjë e më shumë. Udhëtimi i verbër i jetës në këtë planet, kurrë nuk mund të krijonte jo vetëm njeriun e përsosur, por qoftë edhe një qelizë të vogël që përbëhet me po atë sistem universal që gjenet në univers.

Ajetet e Kuranit e sfidojnë njeriun për të gjetur ndonjë të metë në krijimin e Zotit:

Ti s’mund të shohësh asnjë të metë në krijimin e të Gjithëmëshirshmit, andaj, vështroje mirë e mirë! A sheh ndonjë të metë? Vështro edhe një herë! Shikimi yt do të kthehet te ti, i hutuar  dhe i molisur.” [6]

Çfarë nënkupton Kurani kur deklaron se në këtë gjithësi nuk ka asnjë të metë? Sigurisht, ka larmi të pafund përsosmërish në të, por, ajo që duhet t’i interesojë njeriut është: nëse qëllimi kryesor i krijimit të gjithësisë ka qenë jeta e njeriut në këtë botë. Atëherë lind pyetja; si paska e arritur evolucioni nga një udhëtim 15 miliard vitesh, qëllimin e tij në mënyrën më të përkryer, pa gabuar në asnjë vend, pavarësisht nga mijëra e mijëra pengesa që haste ajo, gati në çdo hap gjatë udhëtimit të tij?

Isak Njutoni konsiderohet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj që  ka nxjerrë bota. Sipas tij universi nuk mund të shpjegohet pa besimin te Zoti. Ai thotë:

“Ky sistem më i bukuri i diellit, planetëve dhe kometave vazhdon vetëm nga këshilla dhe dominimi i një Qenieje të fuqishme dhe inteligjente.” [7]

Astronomi i shquar anglez, Fred Hoyle, duke sqaruar krijimin e universit në mënyrë rastësore, shkruan:

“Kjo ndodhi është po aq e pabesueshme, aq sa mund të dalë një boing (avion) 747 nga një dyqan vjeturinash falë një shakulline të tërbuar”. [8]

Një biolog i shquar i Universitetit të Princeton-it prof. Edwin Conklin, thotë:

“Mundësia e fillimit të jetës në mënyrë rastësore është e barabartë me mundësinë e shtypit të një fjalori të madh, falë një shpërthimi në shtypshkronjë”. [9]

E vërteta është se në gjithë këtë univers, nuk ka asnjë të metë, siç e kanë pohuar edhe shumë shkencëtarë të mëdhenj. Por, e meta shfaqet menjëherë kur përjashtohet Krijuesi i Përsosur nga krijimi i Tij.

Mjafton të shohësh vetëm udhëtimin e jetës në këtë planet, që kur kanë lindur gjallesat e para e gjer te njeriu. Evolucioni sigurisht që u bë, por, në çdo kryqëzim të udhës, vetë gjallesat kurrë nuk zgjodhën rrugën e tyre. Pa ndonjë Krijues të Mençur e të Përsosur, në asnjë mënyrë nuk mund të përfytyrohej dot destinacioni aktual. Jeta mund të merrte hap në cilindo drejtim, kishte shumë pak gjasa që të hidhej qoftë një hap në drejtimin e duhur.

Pra, nëse nisja e çdo hapi, gjithmonë në drejtimin e duhur dhe miliona herë përsëritja e këtij fenomeni, për të shkaktuar më në fund lindjen e njeriut, është e rastësishme, atëherë kjo duket aq e çuditshme dhe e pabesueshme saqë as fantazmat e përrallave nuk do ta besonin. Megjithatë, disa filozofë dhe shkencëtarë e besojnë këtë, por e besojnë vetëm ata që më parë janë ateistë dhe pastaj janë shkencëtarë apo filozofë. Çdo përsosmëri e pashpjegueshme, sipas tyre, shpjegohet me termin Seleksionim natyror.

Shkurt, këta njerëz e quajnë veprën mahnitëse të krijimit të gjithësisë thjesht një rastësi, mendim ky, jo vetëm që është i palogjikshëm, por gjithashtu i verbër, i shurdhër dhe memec.

Nëse njeriu ndërgjegjësohet për të vrarë mendjen në kërkimin e Krijuesit të tij, ai gjen shenja të panumërta që kanë lidhje me çdo fushë të dijes. Astronomi mund ta kërkojë Zotin në fushën e tij, po ashtu edhe një fizikan, gjeolog, ekonomist, mjek, gjuhëtar, etj.  Ky realitet, falë zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, sot është shumë më i qartë sesa kurdoherë më parë.

Marrim vetëm dy tre shembuj të përgjithshëm. Jeta nga jashtë me të vërtetë është shumë e paqtë dhe ajo gëzon ambientin më të rehatshëm për të lulëzuar. Por, realiteti, nga një pikëpamje tjetër, është shumë më i frikshëm se sa mendohet. Nëse asaj do t’i jepej aftësi për të konstatuar lirisht dhe imtësisht atë ambient që rrethon, mbijetesa e saj, për të mos thënë e pamundur, do të bëhej tejet e vështirë. Për fat të mirë, vdekja i vjen heshtur dhe kështu ajo shpesh rri e qetë nga rreziku. Nëse njeriu do t’i shihte bakteret e ujit të pijshëm, atëherë shuarja e etjes, në vend të kënaqësisë, do të bëhej një ndëshkim për të. Frymëmarrja do të ishte vërtetë torturuese për të, nëse ai fillon të shikojë bakteret që hyjnë bashkë me ajrin e pastër. Madje, shumë lloj bakteresh që gjenden në ajër janë kaq të dëmshme saqë nëse fillojnë të zënë vend në trupin e njeriut, ato do t’i shkaktojnë sëmundje të rënda si tuberkulozi, pneumonia, kanceri në mushkëri e mëlçi, septicaemia, ekzema e shumë sëmundje të tjera që mund të dëmtojnë organet kryesore të njeriut. Fakti është se këto lloje bakteresh me të vërtetë hyjnë bashkë me ajrin në trupin tonë, por prapë se prapë, ne nuk rrezikohemi nga ato.

Qindra rreziqe të tilla ngrenë kryet kundër jetës së njeriut që kur është vendosur ardhja e tij në këtë botë dhe e shoqërojnë deri në fund, megjithatë, ai vjen i pajisur me një sistem mbrojtjeje jashtëzakonisht të sofistikuar që e mbron atë nga çdo anë, pa e lajmëruar as për rreziqet. Ky është ai sistem që është vënë për ta garantuar mbijetesën, duke përmbushur nevojën më jetike të njeriut.

Edhe këtë, Kurani Famëlartë e jep si argument me fjalë shumë të përsosura:

“Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti.(Për Atë) njëlloj është: si ai prej jush që flet me vete edhe ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën edhe ai që ecën ditën. Njeriu ka përcjellës, para tij dhe pas tij, që e mbrojnë atë me urdhrin e Allahut. Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.” [10]  [11]

Megjithatë, enigma e shkencëtarëve për ekzistencën e Zotit, nuk zgjidhet vetëm nga shkenca, sepse në fund të fundit, hulumtimi i njeriut për gjithësinë dhe logjika e tij mund ta çojnë atë vetëm deri te pohimi se “duhet të ketë një Zot”. Ndërsa, besimi i vërtetë që tregon se “Ai është”, mund të arrihet kur Ai vetë na thotë: “Unë jam”. Kurani i Madhërishëm deklaron se pikërisht Ai të çon nga pohimi shkencor deri te besimi i vërtetë, me kusht që ti ta kërkosh Atë me dashuri, si një fëmijë që kërkon nënën e tij.


[1] Stiven V. Hoking, “Një histori e shkurtër e kohës”, f. 175, Tiranë, 1997, “Toena”

[3] Kurani Famëlartë 3:191

[4] Kurani Famëlartë 43:14

[5] Kurani Famëlartë 51:57

[6] Kurani Famëlartë 67:4-5

[7] Charles Whyte, “Our Solar System and the Stellar Universe”,  f. 131 Charles Griffin & Co Ltd. Londer 1923

[8] HORGAN, J. (shkurt, 1991) “In the Beginning”, “Scientific American”, f. 118

[9] KORNTELD, E.C. (1968) God – Alpha and Omega. In: The Evidence of God in an Expanding Universe, nga Monsma, J.C. botuesi Thomas Samuel, Bombay, f. 174

[10] Kurani Famëlartë 13:10-12

[11] Një libër fenomenal në anglisht, i titulluar “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth” i Hazret Mirza Tahir Ahmadit, Kalifit të Katërt i Mesihut të Premtuar, e shtjellon mjaft mirë këtë çështje.