Mendjemadhësia, armiku më i madh i besimtarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mendjemadhësia, armiku më i madh i besimtarit

mendjemadhesia mburrja

Feja Islame synon të kultivojë të gjitha ato morale të larta te njeriu, të cilat i mundësojnë arritje të mëdha shpirtërore si dhe e pajisin me aftësi dhe mundësi për të përballuar sfidat e jetës. Ai jo vetëm që përcakton ato cilësi që njeriu duhet t’i përvetësojë për t’u përparuar në udhën e jetës, por gjithashtu veçon ato të meta morale që mund të dobësojnë karakterin e tij dhe mund të pengojnë zhvillimin e tij shpirtëror, moral dhe kulturor. Kurani vazhdimisht na vë në dukje këto pengesa që duhen kapërcyer për të themeluar një shoqëri hyjnore ku sundon dashuria, drejtësia dhe harmonia.

Një ndër këto pengesa që ndalon rrugëtimin e besimtarit është mendjemadhësia. Ajo jo vetëm shkatërron të gjitha virtytet e një personi, por gjithashtu shkakton shumë probleme të tjera shpirtërore, morale dhe shoqërore. Në latinisht thuhet ad augusta per angusta d.m.th. për vende të larta janë rrugët e ngushta. Kështu që edhe për t’u lartësuar në udhën shpirtërore, besimtari patjetër duhet të heqë dorë nga mendjemadhësia dhe në vend të saj duhet të përvetësojë përulësinë. Mendjemadhësia nuk është gjë tjetër përveç treguesi i injorancës që shoqërohet nga krenaria dhe kryelartësia. Ajo pakëson urtësinë. Ai që vuan nga mendjemadhësia nuk gjen asnjë mangësi te vetja dhe gjithmonë kënaqet duke gjetur të metat te të tjerët. Në vend që të jetë i vetëdijshëm ndaj aftësive dhe kufizimeve të veta, vetëbesimi i tij nuk i njeh kufijtë. Nga frika që mos dihen dobësitë e tij, mendjemadhi jeton në një lëvozhgë duke maskuar boshllëkun e brendshëm. Në vend që të respektojë të tjerët, ai kërkon respekt nga çdokush. Mendjemadhësia helmon të gjitha marrëdhëniet e njeriut, me veten e tij dhe me të tjerët, por në radhë të parë me botën shpirtërore.

Mendjemadhësia dhe të gjitha tiparet e tjera egoiste bien shumë larg nga territori i botës shpirtërore. Liria nga mendjemadhësia fiton, kur njeriu fillon të vështrojë veten. Ne jemi përpjekur të përshkruajmë këtë sëmundje bashkë me ilaçet e saj të përmendura në Kuran, hadithe dhe thënie të Mesihut të Premtuar alehiselam.

 Sipas Kuranit

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin e Shenjtë, thotë:

Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni. O ju që keni besuar! Asnjë komb (prej jush) të mos tallet me kombin tjetër, se ai mund të bëhet më i mirë se ata (që tallen). Gjithashtu, gratë të mos tallen me gratë tjera, se ato mund të jenë më të mira se këto (që tallin). Mos shpifni dhe mos qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirret me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë prej Allahut! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë. [El-Huxhurat 49:11-14]

Thëniet e të Dërguarit të Allahut savs:

Disa hadithe rreth mendjemadhësisë, smirës dhe mospërfilljes.

Hazret Ebdullahu bin Mes’ud ra rrëfen se Profeti i shenjtë savs tha :

ai që do të ketë një grimcë të imët të mendjemadhësisë, nuk do të  hyjë në xhenet. Një njeri e pyeti: O i Dërguari i Allahut! Njeriut i pëlqen të ketë rroba të mira, të ketë këpuca të mira, të duket bukur. Profeti i shenjtë savs  iu përgjigj se kjo nuk është mendjemadhësi. Ai shtoi që Allahu është xhemil (d.m.th. I Bukur) dhe e pëlqen bukurinë. Mendjemadhësi konsiderohet atëherë kur njeriu mohon të vërtetën, kur i konsideron të tjerët më të ulët se sa veten e tij, shikon me përbuzje dhe mospërfillje dhe sillet ashpër me ta. [Muslim kitabul iman, tehrrimul kibr ve bejanuhu]

Hazret Ebu Hurejrahu ra rrëfen që

Profeti i shenjtë savs tha se ruhuni nga smira, sepse ajo i shkrumbon të gjitha mirësitë, ashtu siç zjarri i shkrumbon drunjtë dhe kashtën. [Ebu Da’ud kitabul edeb , babun fil hesed dhe Ibni Maxha, ebvabuz zuhud bauul hesed]

Hazret Enesi ra rrëfen që

i Dërguari i Allahut savs tha: Mos mbani urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Mos u sillni me smirë, mos veproni me indiferencë dhe mospërfillje dhe mos i shkëputni lidhjet e ndërsjella por bëhuni rob të Allahut dhe si vëllezër me njeri-tjetrin. Nuk është e drejtë për një mysliman që të zemërohet nga vëllai i tij dhe t’i prishë marrëdhëniet e tyre për më shumë se tri ditë. [Buhariu, kitabul edeb, bab ma jenha enit tahasud, Muslim]

Hazret Ebu Ejub Ensari ra transmeton që Profeti i shenjtë savs tha që nuk është e lejuar për një mysliman që të jetë i inatosur me vëllanë e tij për më shumë se tri ditë dhe për këtë arsye as mos të takohen, dhe kur ndeshen në rrugë, të kthejnë kokën nga njëri tjetri. Më i miri prej tyre, është ai që bën hapin e parë në selam. [Ebu Da’ud, kitabul edeb, bab fimen juhxheru akhahul muslim, Buahriu, kitabul istedhan, babus selam]

Hazret Isai alehiselam thotë:

… kushdo që e lartëson veten do të poshtërohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartësohet. [Luka 14:11]

Nga shkrimet e Mesihut të Premtuar alejhiselam:

Hazret Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:

Unë ju them me gjithë çiltërsinë, që në ditën e gjykimit, pas shirkut, nuk ka ligësi më të madhe se sa mendjemadhësia. Është një bela që poshtëron njeriun në të dyja botët. Mëshira e Zotit mund t’i vijë në ndihmë çdo besimtari, por jo mendjemadhit. Edhe shejtani pohonte që besonte në njësinë e Zotit, por meqenëse vuante nga mendjemadhësia, edhe Ademin, që ishte i dashuri i Zotit, e pa me përbuzje dhe i bëri kritikë, prandaj ai u shkatërrua dhe e zuri mallkimi. Pra, mëkati i parë përmes të cilit u shkatërrua një njeri për gjithmonë ishte mendjemadhësia. [Aina Kamalat-e-Islam (Pasqyra e mrekullive të Islamit), Rruhani Khazain, vëll. 5, fq. 598]

Unë e këshilloj xhematin tim që t’i shmanget mendjemadhësisë, sepse ajo është shumë e urryer para Zotit të Madhërishëm. Por ndoshta ju nuk e kuptoni se çfarë është mendjemadhësia. Prandaj kuptojeni prej meje sepse unë flas me frymën e Zotit. Çdokush që e shikon vëllanë e tij me mospërfillje duke menduar se është më i ditur, më i mençur ose më i aftë se ai, është  mendjemadh, ngaqë ai nuk e konsideron Zotin burim të mençurisë dhe diturisë së tij, por e çmon veten si diçka.  Zoti a nuk është i Plotfuqishëm ta shkallojë atë, dhe vëllait të tij, të cilin ky e konsideronte të ulët, t’ia japë mençurinë, diturinë dhe aftësitë më të mira se të tij. Po kështu ai i cili, duke u frymëzuar nga ideja e pasurisë, pozitës dhe madhështisë së tij, vëllanë e tij e sheh me përçmim, është gjithashtu mendjemadh, sepse ai nuk kujton që pasuria, pozita dhe madhështia e tij, të gjitha ia ka dhënë Zoti. Ai është i verbër dhe nuk e di që Zotit i takon fuqia, që t’i shkaktojë një fatkeqësi, që po atë çast ai të bjerë në gjendje më të ulët, ndërsa vëllait të tij, të cilin e konsideronte të ulët, t’i japë pasurinë më të madhe se sa atij. Po kështu ai, që mburret për shëndetin e tij fizik, ose krenohet për hijeshinë, tiparet e bukura, fuqinë dhe mundësitë trupore, kurse e qesëndis vëllanë e tij me përqeshje dhe mospërfillje duke i ngjitur nofka tallëse dhe u tregon të tjerëve cenet e tij fizike, është gjithashtu arrogant. Ai nuk e di që Zoti mund ta kapë atë në befasi, duke i shkaktuar të meta fizike dhe duke e çuar në një gjendje më të keqe se vëllai i tij, ndërsa atij, i cili u përqesh, t’ia bekojë gjymtyrët dhe organet që ato të mos dobësohen e as të gjymtohen për një kohë të gjatë, sepse Zoti bën gjithçka që do Ai. Po ashtu, arrogant është edhe ai që përton në lutje duke varur shpresat në forcat e veta, ngase ai nuk zbuloi burimin e të gjitha fuqive dhe forcave dhe e vlerësoi veten si diçka. Prandaj o të dashurit e mi! Mbajini mend këto gjëra, që të mos quheni arrogantë në vlerësimin e Zotit në mënyrë të pavetëdijshme. Ai që korrigjon shqiptimin e një fjale të vëllait të tij nga mendjemadhësia, gjithashtu merr pjesë në mendjemadhësi. Ai që nuk i dëgjon fjalët e vëllait të tij me vëmendje dhe ia kthen shpinën, edhe ai përfshihet në mendjemadhësi. Ai që inatoset kur vëllai i tij i varfër ulet pranë tij, merr pjesë në mendjemadhësi. Ai që e vështron atë, që është angazhuar në lutje, me përbuzje dhe qesëndisje, merr pjesë në mendjemadhësi. Ai që nuk mundohet t’i nënshtrohet të Dërguarit dhe Profetit të Zotit merr pjesë në mendjemadhësi. Ai që nuk ua kushton vëmendjen fjalëve të tij dhe as nuk i lexon shkrimet e tij, merr pjesë në mendjemadhësi. Prandaj përpiquni të mos keni asnjë grimcë mendjemadhësie që të mos shkatërroheni dhe të fitoni shpëtimin me gjithë familjen. Përkuluni para Zotit dhe e doni aq fort sa dikush mund ta dojë dikë në këtë botë, dhe frikësohuni prej Zotit tuaj, aq sa dikush mund të ketë frikë prej dikujt në këtë botë. Bëhuni me zemër të çiltër me qëllime të sinqerta, me zemër të butë dhe të përulur dhe larg nga çdo lloj ligësie, që të fitoni mëshirën. [Nuzul-ul-Mesih, Rruhani Khaza’in, vëll. 18, fq. 402-403]

Mbajeni mend që arroganca gjithmonë e shoqëron gënjeshtrën. Gënjeshtra më e keqe është ajo që shoqëron arrogancën. Prandaj Allahu i Madhërishëm, para se  gjithash, e prish kokën e arrogantit. [Aina Kamalat-e-Islam “Pasqyra e mrekullive të Islamit”, Rruhani Khazain, voll. 5, fq. 599]

Mendjemadhësia dhe ligësia janë mëkate. Një gabim i vockël mund t’i prishë të gjitha veprat tuaja të mira, të fituara gjatë një periudhe prej shtatëdhjetë vjetësh. Thuhet se ishte një herë një njeri i shenjtë që jetonte në një mal. Kishte pasur shumë kohë që nuk kishte rënë shi atje. Një ditë ra shi, por ra mbi gurë dhe nëpër shkëmbinj. Atij i shkoi ndërmend që fushat dhe kopshtet kishin nevojë më shumë për shi dhe se shumë ujë ra kotë mbi këta shkëmbinj. Ai mendoi që do të ishte më mirë po të binte ky shi edhe në arat e lëruara. Për këtë Zoti i hoqi atij gjithë shenjtërinë. Ai u pikëllua pa masë dhe i kërkoi ndihmë një tjetër njeriu të shenjtë. Ky i tregon këtij përfundimisht se kishte shkaktuar zemërimin e Zotit përmes kritikës së Tij. [Melfuzat, vëll. VI, fq. 57]

Mendjemadhësia shfaqet në shumë mënyra. Kjo del nganjëherë nga syri i njeriut kur e vështron tjetrin që nënkuptohet se ai e konsideron tjetrin më të ulët se sa vetveten. Herë ajo del nga gjuha dhe shfaqet nga koka ose herë nga duart dhe këmbët. Me pak fjalë, mendjemadhësia ka shumë burime dhe besimtari duhet t’u shmanget të gjitha këtyre burimeve dhe nuk duhet të ketë asnjë gjymtyrë që të ketë erën e krenarisë dhe të shfaqë mendjemadhësinë. … Shumëkush mendon për vete që është i përulur, por ai vuan nga një farë mendjemadhësie. Prandaj njeriu duhet të ruhet nga të gjitha format e mendjemadhësisë. Herë mendjemadhësia shfaqet përmes pasurisë. Pasaniku mendjemadh i konsideron të tjerët si fukarenj dhe pyet se kush është ai që të barazohet me të. Nganjëherë mendjemadhësia lind nga fisi ose kombi, kur ai mendon se kombi i tij është më i lartë se sa kombi i tjetrit…. Disa herë mendjemadhësia lind nga dituria. Kur dikush bën ndonjë gabim, ky mendjemadh menjëherë ia kap gabimin dhe gërthet fort duke i thënë atij se nuk di të shqiptojë mirë asnjë fjalë. Shkurt, janë gjithfarë mendjemadhësish që mund ta largojnë njeriun nga mirësia dhe paraqiten pengesa në sjelljet me njerëzit me dashamirësi. Të gjitha këto duhen shmangur. Por kjo kërkon njëfarë vdekjeje. Derisa një person nuk pranon vdekjen e tillë, nuk zbret bekimi i Zotit mbi të e as nuk mban përgjegjësinë për të. [Melfuzat, vëll. VI, fq. 401-403]

Çfarë kërkon përulësia prej nesh. Ajo kërkon që ne mos t’i referohemi vetes përveç mëkateve dhe të metave që i kemi. Ne duhet të dimë fare mirë që burimi i çdo lloj bekimi është vetëm Allahu, Ndihmues,  Mbështetës dhe Krijuesi i universit. Ne duhet të përvetësojmë jetën e devotshme dhe të çiltër duke iu lutur Zotit, jo për të fituar respektin ose vetëlavdërimin, por vetëm për ta falënderuar Zotin dhe gjithmonë me një shpirt mirënjohjeje për të gjitha ato bekime dhe favore që Ai na ka dhënë neve. Allahu na mundësoftë! Amin!

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp