A dëshiron të bëhesh mrekullibërës?

Hazret Mirza Ghulam Ahmed, Mesihu i Premtuar, Imam Mehdiu a.s. thotë:

Tri kushte të pendesës

Pendesa në të vërtetë shërben si një shtysë shumë e fuqishme për të arritur virtyte dhe pikërisht ajo e përsos njeriun. Pra, ai që dëshiron të përmirësojë sjelljet e tij, i duhet që të pendohet me zemër të sinqertë dhe me vullnet të patundur. Duhet pasur parasysh që pendesa ka tri kushte dhe pa i plotësuar ato, pendesa e vërtetë, që quhet tevbeten-nasuha, nuk arrihet.

Kushti i parë është ajo që në gjuhën arabe i thonë اِقْلاع ikla’, që do të thotë, t’i largosh mendimet e këqija që janë burimi i veseve. Realisht, mendimet ndikojnë shumë, sepse çdo vepër, përpara se të realizohet, vjen në formë mendimi. Andaj, kushti i parë për pendesën është që të heqësh dorë nga mendimet e liga dhe imagjinatat e këqija.

Për shembull, nëse dikush ka lidhje jashtëmartesore me një grua, atëherë për t’u penduar, atij i duhet, në radhë të parë, ta konsiderojë të shëmtuar fytyrën e saj dhe t’i ketë parasysh huqet e saj të këqija, sepse siç ju thashë, mendimet kanë ndikim shumë të fortë. Kam lexuar përshkrimet e sufistëve, të cilët i çojnë mendimet deri në atë shkallë, saqë kanë parë njeriun në formë majmuni ose derri. Shkurt, njeriu siç do të mendojë, atë ngjyrë do ta marrë. Prandaj, duhet t’i thërrmosh mendimet që janë burimi i kënaqësive të këqija. Ky është kushti i parë.

Kushti i dytë është نَدَم nedem, që do të thotë të reflektosh e të pendohesh. Çdo njeri ka një forcë në natyrën e tij, e cila e paralajmëron për çdo vepër të keqe, por fatligu e lë atë jashtë funksionit. Pra, pas mëkatit dhe ligësisë, njeriu duhet të vërë në lëvizje pendesën dhe të mendojë se këto kënaqësi janë të përkohshme. Ai duhet të reflektojë edhe për faktin se kënaqësia e tij pakësohet çdo herë dhe kështu do të vijojë, derisa në pleqëri, atij do t’i dobësohen të gjitha forcat dhe ato nuk do të kenë fuqi. Përfundimisht, ai detyrohet të heqë dorë nga të gjitha kënaqësitë e botës. Kështu që, kënaqësitë që do të të lënë që në këtë botë, çfarë do të fitosh duke i përvetësuar ato?! Është shumë fatlumë ai që kthehet te pendesa, i cili, së pari angazhohet për të larguar mendimet e këqija dhe imagjinatat e liga, dhe pasi të pastrohet nga ndyrësitë, reflekton dhe pendohet për veprimet që ka bërë.

Kushti i tretë është عزم ezm, që do të thotë vendosmëri. Pra, njeriu të krijojë vullnet të patundur që nuk do të kthehet më në të këqijat që ka bërë. Kur ai do të tregojë qëndrueshmëri, Zoti do t’i japë mundësi për të bërë pendesën e sinqertë, derisa atij do t’i largohen të këqijat tërësisht, duke iu zëvendësuar me virtytet dhe veprat e lavdishme. Kjo është fitore mbi sjelljet. Është Zoti Ai që ia jep forcën njeriut për ta arritur këtë, sepse atij i takojnë të gjitha forcat dhe fuqitë. Siç thotë:

mrekullia“Fuqia, e gjitha është e Allahut” (El-Bekare 2:166)

Kurse njeriu është krijesë e dobët. Thotë:

mrekullia“Njeriu është krijuar i dobët” (En-Nisa 4:29)

Andaj, që të ketë forcë nga Zoti i Madhërishëm, njeriu duhet t’i përsosë të gjitha këto tri kushte dhe, të lërë përtacinë dhe dembelinë e të angazhohet tërësisht për t’iu lutur Zotit të Madhërishëm. Zoti i Madhërishëm do t’ia ndryshojë sjelljet.

Kush është trim i vërtetë?

Në xhematin tonë nuk kemi nevojë për të fortët dhe mundësit fizikë, por na nevojiten ata që mund të përpiqen për të ndryshuar sjelljet e tyre. E vërteta është që i fortë dhe mundës nuk është ai që lëviz malin nga vendi i tij. Jo, jo. Trim i vërtetë është ai që arrin të ndryshojë sjelljet e tij. Ndaj, shfrytëzojeni gjithë kurajën dhe forcën tuaj për të sjellë virtyte në jetën tuaj, sepse kjo pikërisht është trimëria dhe forca e vërtetë.

Virtyti i lartë është një mrekulli madhështore

Ju kam thënë dje a pardje, që virtyti i lartë është një mrekulli madhështore, e cila mund të zbehë edhe gjëra të mbinatyrshme. Për shembull, po të ndodhte sot mrekullia e çarjes së hënës, astronomët dhe shkencëtarët menjëherë do ta quanin atë një lloj eklipsi dhe do t’ia ulnin madhështinë e saj. Kurse atë që ndodhi në të kaluarën si mrekulli, e quajnë përrallë.

Mund të merrni si shembull edhe eklipset e hënës dhe të diellit që ndodhën gjatë muajit të ramazanit, të cilat janë shenjat qiellore për Mehdiun. Kam dëgjuar që disa njerëz thonë se ishte e parashikuar nga astronomët se këto dy eklipse do të ndodhnin në ramazan. Me pohime të tilla, ata duan t’ia ulin vlerën hadithit që është transmetuar nga Imam Muhamed Bakir alejhiselam, por këta të pamend nuk mendojnë se jo çdokush mund të bëjë profetësi (nebuvet). Nebuvet do të thotë të bësh profeci. Pra, jo çdo njeri mund të bëjë profeci. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se gjatë kohës së Mehdiut dhe të Mesihut të vërtetë, do të ndodhin eklipsi i hënës dhe ai i diellit brenda muajit të ramazanit dhe se që nga fillimi i botës nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë.

Andaj, kundërshtarët nëse kanë ndonjë dyshim, le t’ia ulin vlerën duke paraqitur fakte historike. Pra, të provojnë se edhe në të kaluarën, gjatë një ramazani, ndodhën eklipsi i hënës dhe i diellit, kur të ishte i pranishëm një deklarues së ‘është prej Zotit’ dhe e gjithë kjo të ishte parashikuar nga një profet tjetër i mëparshëm. Por, është e pamundur ta provojnë një gjë të tillë.

Qëllimi im për t’ju treguar këtë ngjarje është vetëm kjo, që, për të pranuar mrekullitë, njerëzit paraqesin justifikime të ndryshme dhe përpiqen t’i shpërfillin, por virtyti i njeriut është një mrekulli e tillë, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë. Kjo është arsyeja që mrekullia më e madhe dhe më e fortë që i është dhënë Profetit tonë të Allahut s.a.v.s., ka qenë pikërisht ajo e virtyteve. Siç thotë:

mrekullia-3Sigurisht, ti qëndron mbi virtyte madhore. (El-Kalem 68:5)

Ndonëse mrekullitë e Profetit Muhammed s.a.v.s., në çdo aspekt, ishin më shumë se sa të gjithë profetët e mëparshëm, por e para prej tyre ishte ajo e virtyteve, shembulli i të cilit nuk gjendet në historinë e botës.

Sipas mendimit tim, çdokush që heq dorë nga moralet e këqija dhe sjelljet e gabuara të tij dhe përvetëson virtyte të mira, kjo është mrekullia e tij. Për shembull, ai që është shumë i rreptë në natyrë dhe që zemërohet shpejt, nëse arrin t’i largojë këto sjellje dhe përvetëson dhembshurinë dhe faljen; ose ai që është koprrac, nëse heq dorë nga koprracia, duke e zëvendësuar me bujarinë; ose ziliqari shpëton nga zilia dhe krijon dhembshuri në veten e tij, kjo pa dyshim është mrekulli. Gjithashtu, kur njeriu heq dorë nga vetëpëlqimi dhe vetëlavdërimi dhe përvetëson modesti dhe përulësi, përulësia e tij është mrekullia e tij.

Andaj, kush është nga ju që nuk dëshiron të bëhet mrekullibërës? E di që çdokush dëshiron të bëhet i tillë. Atëherë, dijeni se kjo është mrekulli e gjallë dhe e përhershme, që njeriu të arrijë ta përmirësojë moralin e tij. Sepse, kësaj mrekullie kurrë nuk i humbet vlera, madje dobia e saj përhapet deri larg.

Besimtarit i duhet që të bëhet mrekullibërës si para krijesave (njerëzve), ashtu edhe para Krijuesit. Ka shumë nga ata që ishin pijanecë dhe qejfli, të cilët nuk u bindën nga asnjë shenjë e jashtëzakonshme, por ulën kokën, kur dëshmuan virtytet e dikujt dhe nuk gjetën asnjë rrugë, përveçse ta pranonin atë. Në jetëshkrimet e shumë njerëzve mund të lexoni se ata e kanë pranuar besimin, vetëm sepse panë mrekullinë e virtyteve.

(Shënim: Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po mbante këtë fjalim në mënyrë tejet ndikuese, ndërkohë erdhën disa njerëz të fesë sikhe në veshje të lypësve dhe që ishin krejtësisht të dehur. Ata filluan të bërtasin dhe mundej që këtë mbledhje të bekuar ta prishnin, por imami ynë i vërtetë alejhiselam, me shembullin e tij tregoi mrekullinë e virtyteve, për të cilën po na udhëzonte. Kjo bëri një ndikim kaq të fortë tek audienca, saqë shumë prej tyre filluan të qanin me dënesa, kurse dashakëqijtë u kapën nga policia dhe u iku edhe rakia. Kryeredaktor)

Mos i humbni fjalët e mia!

Kështu që, dua t’ju trumbetoj edhe një herë. Më dëgjoni o miqtë e mi dhe mos i humbni fjalët e mia dhe mos i pandehni ato si përralla të një tregimtari, sepse të gjitha këto që ju kam thënë, ju kam thënë me shumë dhimbje dhe me dhembshuri të sinqertë, që është pjesë e natyrës dhe e shpirtit tim. Dëgjojini këto me veshët e zemrës dhe zbatojini.

Po, mbajeni mend dhe besoni se një ditë do të paraqiteni tek Allahu i Madhërishëm. Andaj, nëse do të nisemi nga këtu në gjendje të mirë, urime dhe gëzime për ne, përndryshe situata do të jetë shumë e rrezikshme. Mbani mend! Njeriu që ka për t’u larguar nga kjo botë në gjendje të keqe, gjëma e botës tjetër atij do t’i fillojë që këtu. Që në agoni, ai do të fillojë të përjetojë ndryshime. Allahu i Madhërishëm thotë:

mrekulliaAi që vjen si fajtor te Zoti i tij, për të ka një xhehenem, në të cilin ai as nuk do të vdesë dhe as nuk do të rrojë. (TaHa 20:75)

Sa e qartë është kjo thënie! Kënaqësia e vërtetë qëndron kur ka kënaqësi në jetë, madje njeriu konsiderohet i gjallë, kur ai është në paqe dhe rehati në çdo aspekt. Nëse atë e zë vetëm një dhimbje e zorrës ose ajo e dhëmballës, ai bëhet më keq se i vdekur dhe gjendja e tij mbetet e tillë që as nuk rron e as nuk vdes. Imagjinoni vetëm nga ky shembull se sa e rëndë do të jetë gjendja e njeriut gjatë ndëshkimit të dhimbshëm të xhehenemit.

(“Malfuzat”, vëll. 1, f. 119-123, 2016)