
Njëra ndër gjendjet instinktive është edhe ajo që ngjason me trimërinë. Një fëmijë qumështor, nganjëherë pikërisht për shkak të kësaj force, guxon të fusë dorën edhe në zjarr sepse është i brumosur me këtë cilësi njerëzore dhe nuk frikësohet derisa nuk ia mësojmë frikën me shembuj të ndryshëm.
Kjo gjendje e bën njeriun që t’u bëjë ballë pa frikë edhe luanëve dhe egërsirave të ndryshme ose të dalë i vetëm për të luftuar pa ngurrim me shumë njerëz. Njerëzit e vlerësojnë si trim i madh, por kjo është vetëm një gjendje instinktive që siç e kanë edhe kafshë të tjera të egra, madje edhe qentë, e ka edhe njeriu. Ndërsa trimëria e vërtetë që është e kushtëzuar me kohën dhe vendin e duhur dhe që është një ndër virtytet e larta është ajo që përshkruhet në Fjalën fisnike të Zotit në këto ajete:
وَ الصّٰبِرِیۡنَ فِی الۡبَاۡسَآءِ وَ الضَّرَّآءِ وَ حِیۡنَ الۡبَاۡسِ 1
وَ الَّذِیۡنَ صَبَرُوا ابۡتِغَآءَ وَجۡہِ رَبِّہِمۡ 2
اَلَّذِیۡنَ قَالَ لَہُمُ النَّاسُ اِنَّ النَّاسَ قَدۡ جَمَعُوۡا لَکُمۡ فَاخۡشَوۡہُمۡ فَزَادَہُمۡ اِیۡمَانًا ٭ۖ وَّ قَالُوۡا حَسۡبُنَا اللّٰہُ وَ نِعۡمَ الۡوَکِیۡلُ ﴿۱۷۴﴾ 3
وَ لَا تَکُوۡنُوۡا کَالَّذِیۡنَ خَرَجُوۡا مِنۡ دِیَارِہِمۡ بَطَرًا وَّ رِئَآءَ النَّاسِ 4
Kuptime: Trima janë ata që kur u vjen koha e luftës ose u del ndonjë vështirësi, nuk ia mbathin. Edhe në situata të tilla, durojnë për hir të pëlqimit të Zotit duke kërkuar fytyrën e Tij dhe jo duke treguar trimërinë e vet. Edhe pse të tjerët përpiqen t’i frikësojnë duke u thënë:
“Njerëzit janë bashkuar për t’ju ndëshkuar, andaj, frikësohuni prej tyre!”, atyre u forcohet besimi dhe u përgjigjen: “Neve na mjafton Zoti”.
Domethënë, trimëria e tyre nuk u ngjan asaj të qenve dhe të egërsirave që shfaqet vetëm instinktivisht dhe që pjesërisht është e ndotur, por ajo përfshin të dyja anët: me trimërinë e tyre herë i luftojnë tundimet e shpirtit të vet dhe i mundin, dhe herë kur shohin se përballja me armikun është më afër zgjidhjes, përballen me të jo thjesht me nxitje vetjake, por për të përkrahur vërtetësinë. Edhe këtë trimëri nuk e shfaqin duke u mbështetur tek vetja, por te Zoti. Trimëria e tyre nuk ka as dukje, as vetëpëlqim e as ndjekje të dëshirave vetjake, por synon vetëm pëlqimin e Zotit.
Këto ajete na mësojnë se trimëria e vërtetë i ka rrënjët te durimi dhe te qëndrueshmëria. Trimëria është që të tregohesh i paluhatshëm e të mos ia mbathësh si frikacak përballë çdo tundimi të shpirtit a vështirësie që të sulmon si armik. Pra, ka dallim të madh midis trimërisë njerëzore dhe asaj kafshore. Kafshët shfaqin vetëm një anë të saj përmes vrullit dhe egërsisë së tyre, por njeriu që zotëron trimërinë e vërtetë, zgjedh atë që është më afër zgjidhjes, përballjen ose heqjen dorë nga përballja.
[1] “… që janë të durueshëm gjatë vështirësive, brengave dhe gjatë luftës”. (El-Bekare 2:178)
[2] “… dhe ata që durojnë duke kërkuar pëlqimin e Zotit të tyre”. (Er-Ra’d 13:23)
[3] “Janë ata, të cilëve njerëzit u thanë: “Përnjëmend, njerëzit janë bashkuar kundër jush, pra, frikësohuni prej tyre!”, kjo pikërisht i shtoi në besim dhe ata thanë: “Na mjafton Allahu! Sa Mbrojtës i mirë është Ai!”” (Al Imran 3:174)
[4] “Mos u bëni si ata që dolën nga shtëpitë e tyre për t’u mburrur dhe sa për sy e faqe të njerëzve”. (El-Enfal 8:48)